Kërkuan rritje page – Spitali privat largon nga puna 12 terapeutistë

Kërkuan rritje page – Spitali privat largon nga puna 12 terapeutistë

Dymbëdhjetë punëtorë të Spitalit Special për Terapi Fizikale me Rehabilitim ONIX SPA L.L.C, në kishin vendosur t’i kërkojnë drejtorit të tyre, Xhevdet Shoshi, rritje të pagës, pasi edhe pse kanë pasur disa vite që punonin aty, paga nuk ishte ndryshuar asnjëherë, shkruan Insajderi.

Por kjo kërkesë e 12 punëtorëve, që të gjithë Terapeutistët në Repartin Rehabiltues, të këtij spitali u ka kushtuar me humbje të vendit të punës. Ata janë larguar nga puna menjëherë, pasi drejtori i Spitalin Special për Terapi Fizikale me Rehabilitim ONIX SPA L.L.C, Xhevdet Shoshi, ua ka ndërprerë kontratat të gjithëve.

Punëtorët e larguar nga puna thonë se janë larguar jashtëligjshëm nga puna, pasi nuk u njoftuan për një gjë të tillë.

Në letrën e siguruar nga Insajderi, të dërguar nga 12 punëtorët për drejtorin e Spitalit, Xhevdet Shoshi, kërkohet ngritja e pagës nga 2.50 euro orën, në 3.50 euro orën.

“Duke marrë parasysh edhe vet përgatitjen tponë profesionale, përvojën disa vjeçare, natyrën intensive dhe voluminoze të angazhimit tonë fizik e profesional, sikurse kushtet socio-ekonomike të jetës dhe nevojave personale e familjare të nivelit mjaftë të ulët të standardit jetësor, konsiderojmë dhe konstatojmë se pagesa e theksuar vetëm prej 2.50 euro ora është pagesë tepër e ulët dhe jo reale as proporcionalisht adekuate për punën dhe angazhimin tonë as në raport me përgatitjen profesionale dhe natyrën, vëllimin, intensitetin e angazhimit fizik e profesional”, thuhet në kërkesën e fizioterapeutëve dërguar drejtorit të Spitalit Xhevdet Shoshi.

Për gjitha këto, terapeutët kërkojnë që paga e tyre të ngritet në 3.5 euro ora.

“Prandaj duke marrë parasysh të gjitha kushtet dhe rrethanat e theksuara më lartë, kërkojmë që me mirëbesim nga ana juaj që të shqyrtohet, analizohet dhe me arsye të vlerësohet kërkesa jonë, ashtu që lartësua e kuotës së pages të rritet bile në nivelin e lartësisë prej 3.50 euro ora, ashtu që do të vlerësohej deri diku si pagesë me reale, e drejtë dhe adekuate për kushtet dhe rrethanat momentale socio-ekonomike dhe me dinjitoze për punën dhe profesionin tonë”, theksohet në kërkesën e punëtorëve.

Madje, terapeutët e paralajmërojnë drejtorin Shoshi se nëse nuk ndërmerret parasysh kërkesa e tyre, do të detyrohen të largohen nga vendi.

Veton Alushaj, fizioterapeut në Spitalin Special për Terapi Fizikale me Rehabilitim ONIX SPA L.L.C, i larguar nga puna, ka thënë për Gazetën Insajderi, se drejtori Xhevdet Shoshi iu hakmor për kërkesën që e kanë bërë për rritje page.

“Periudha e fillimit të punës ndryshon nga njeri tek tjetri por periudha me e ultë është ajo 1 vjeçare deri në 7 vite përvojë pune tek insitucioni në fjalë. Ne që nga fillimi i punës e deri me sot jemi paguar me orë. Ajo është 2,50€/h që po kjo e njëjta është kërkuar nga ne që të ngrihet nëvlerën e 3,5€/h. Kjo ka qenë kërkesa për pakënaqësitë tona me të cilën kemi kërkuar kushtet minimale dhe është dërguar dy ditë para se drejtori të na largonte nga puna, me 13.03.2020”, tha Alushaj.

Ai tregon edhe përgjigjën të cilën e kanë marrë nga drejtori i Spitalit Xhevdet Shoshi.

“Përgjigja e kërkesës sonë për ngritje page ishte se kërkesa jonë është e papranushme madje as e diskutushme, duke mos ndarë as edhe një minut kohë për të na dëgjuar. Ne mendojmë që pakënaqësitë tona shprehur në kërkesën drejtuar drejtorit te spitalit ishte arsyeja që ne na largoi nga puna”, shtoi ai.

Alushaj thotë se përveç largimit nga puna pa paralajmërim pavarësisht kontratës që kanë pasur, ka edhe një mori shkeljesh tjera ligjore drejtori i Spitalit ua ka bërë atyre.

“Vet largimi jonë nga puna pa paralajmërim përkundër kontratave 1 vjeçare të punës këtu është shkelje e ligjit, pastaj këtu kemi të bëjmë me shkelje tjera ku ndër to janë: Nuk paguhet pushimi mjekësore përkundër faktit që kemi me kontratë një gjë të tillë, Pushimin vjetor jemi të detyruar ta shfrytëzojmë sipas tyre (kur numri i pacientave bie) jo kur ne planifikojmë, Muajt sezonal kur numri i pacienteve rritet jemi të detyruar të punojmë 30 ditë pa pushim, kur numri i pacientave bie ne dalim në pushim të detyrueshëm pa pagesë etj”, tregon fizioterapeutisti Alushaj.

Ata kanë lajmëruar inspektoriatin e punës në Pejë dhe duke u konsultuar me ta kanë dërguar një kërkesë te drejtori për t’iu dhënë arsyen e largimit të tyre nga puna në mënyrë zyrtare.

Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje edhe në emailin zyrtarë të Spitalit Special për Terapi Fizikale me Rehabilitim ONIX SPA L.L.C, por as pas një javë pritje nuk kanë kthyer përgjigje, e as nuk janë përgjigjur në thirrjet telefonike. /Insajderi.com