Këshilli Gjyqësor llogaritë gabimisht kompensimin e ish të burgosurit –Kërkon nga avokatja t`ua kthejë mbi 17 mijë euro

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, kishte kompensuar me mbi  21 mijë euro një ish të burgosur për kohën e kaluar padrejtësisht në paraburgim. Por kishte bërë përllogaritje të gabuar, në vend të 259 ditëve e kishte kompensuar për 1290 ditë. Tash ky institucion 17 mijë euro po kërkon nga avokatja që e mbronte të burgosurin. Përmes përmbaruesit privat i ka bllokuar llogarinë avokates Hedije Adem, pas këtij veprimi ajo e ka paditur KGJK-në.

Këshilli Gjyqësor llogaritë gabimisht kompensimin e ish të burgosurit –Kërkon nga avokatja t`ua kthejë mbi 17 mijë euro

Një shumë prej 21 mijë e 620 euro, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ia kishte kompensuar një ish të burgosuri vitin e kaluar, për ditët e kaluar padrejtësisht në burg.

Avokatja Hedije Ademi, në emër të klientit të saj Jeton Tahiri  në tetor të vitit 2016, kishte dëshmuar me dokumentacione se klienti i saj kishte qëndruar padrejtësisht 259 ditë në paraburgim dhe për këtë kërkonte kompensimin material në shumën prej 19 mijë e 904 euro, shkruan Insajderi.

“Jeton Tahiri pa arsye është mbajtur në paraburgim nga data 28.11.2010 deri me datën 13.06.2014,  ose gjithsej 8 muaj e 13 ditë ( 259) ditë, çka do të thotë se nga vetë muajt dhe ditët e përgjithshme të qëndrimit në paraburgim janë të sakta dhe për 259 ditë është kërkesa për kompensim”, thuhej në kërkesën  e saj.

Pas shqyrtimit të kësaj kërkese, anëtarët e  Komisioni për Kompensimin e Dëmit për Personat  e Dënuar ose arrestuar  pa arsye dhe sekretarit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kishin marrë vendimin për kompensim. Komisioni kishte vendosur që shuma e kompensimit ndaj Jeton Tahirit të jetë 21 mijë e 620 euro.

Paratë i kishin deponuar në llogarinë e avokates me datën 17 korrik 2017, sipas dokumentacionit të siguruar nga Insajderi.

Por me shumë se një vit pas këtij vendimi, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka gjetur se komisioni kishte bërë gabime gjatë llogaritjeve. Në vend të 259 ditëve i kishte llogaritur 1290 ditë.

Pasi ka vërejtur këtë gabim KGJK ka bërë përpjekje që ta rregulloj duke i kërkuar paratë nga avokatja.

Në muajin shtator të këtij viti, i kishte dërguar një kërkesë avokates për kthimin e 17 mijë e brenda një periudhë prej tre ditësh, shkruan Insajderi.

Avokatja Ademi ka kundërshtuar fuqishëm kërkesën e KGJK-së. Në përgjigjen e dërguar KGJK-së kishte thënë se ajo nuk e kishte bërë llogaritjen e kompensimit e as nuk e ka marrë vendimin për kompensim.

Thotë se ajo vetëm ka dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm.

“Llogaritjen e ka bërë shërbimi përkatës i Këshillit Gjyqësor, është vendosur në panel që fare nuk jam ftuar, paneli ka qenë i përbërë nga 3 gjyqtarë , dosjen e kanë pasur komplet me të gjitha aktgjykimet dhe aktvendimet e nevojshme, andaj për vendim të marrë dhe të nënshkruar përgjigjet paneli dhe shërbimet që e ka bërë llogaritjen”.

“Andaj është i paqëndrueshëm pretendimi juaj eventual se unë kam obligim të korrigjoj këtë qe e ka vendosur paneli prej 3 gjyqtarëve dhe përfaqësuesi i Këshillit Gjyqësor”, thuhet në përgjigjen e avokates Ademi dërguar KGJK-së.

Pas kësaj Këshilli Gjyqësor i Kosovës e dërgoi rastin në përmbarim.

Përmbaruesi bllokon llogarinë e avokates

KGJK pretendon se avokatja Hedije Ademi, si përfaqësuese e Jeton Tahirit e cila kishte kërkuar kompensimin e dëmit për 259 ditë, në momentin që e nënshkrimit të Ujdisë Jashtëgjyqësore ka qenë në njohuri për këtë lëshim të Komisionit. Por edhe përkundër kësaj sipas KGJK-së ajo e nënshkruan Marrëveshjen jashtëgjyqësore për 1290 ditë.

KGJK gjithashtu përmend faktin se nga nënshkrimi i marrëveshjes e cila është lëshuar me 5 qershor 2017, e deri në ekzekutimin definitive të pagesës nga Departamenti për Buxhet dhe Financa me 17 korrik 2017 ka kaluar një periudhë kohore prej 39 ditëve.

“Çka znj. Ademi gjatë kësaj periudhe  kohore ka mundur që ta informoj Komisionin për këtë lëshim teknik mirëpo duke e ditur këtë fakt e ka mbajt në heshtje”, thuhet në Urdhrin përmbarimor të KGJK-së.

Komisioni ka nxjerrë aktvendimin për anulimin e pjesshëm të ujdisë jashtë gjyqësore.

Ndërsa përmbaruesi privat në bazë të pretendimeve të KGJK-së me 15 tetor me urdhrin përmbarimor ka ekzekutuar bllokimin e llogarisë së avokates.

Por pretendimet e Këshillit Gjyqësor dhe urdhrin përmbarimore, i ka kundërshtuar avokatja Hedije Ademi përmes së drejtës së prapësimit me 26 tetor.

Në këtë dokument thuhet se pretendimet janë të paqëndrueshme pasi që avokatja as që ka qenë ftuar në seancën gjatë së cilës gjyqtarët kishin vendosur për kërkesën e saj.

“Si nuk e panë katër persona të obliguar sipas ligjit që ta llogaritin drejtë, saktë dhe pa gabime për të cilën punë marrin të ardhura nga Buxheti i Kosovës, e kërkojnë dhe pa të drejtë e fajësojnë avokaten e cila as që është ftuar për të prezentuar në shqyrtimin e bërë nga komisioni”, thuhet në prapsim.

Më tej thuhet se avokatja nuk mund të konsiderohet se ka qenë në dijeni të gabimit të komsionit pasi që shuma e kërkuar për kompensim ka qenë e përafërt me atë që është vendosur nga KGJK.

“Është për tu çuditur së tre gjyqtar insistojnë që avokatet ta kontrollojnë punën e tyre, por çuditërisht fare nuk cekun shumën në total që ka kërkuar avokatja në emër të Jeton Tahirit, e ajo është 19.904.00 euro, pra është shumë e përafërt më atë të akceptuar, andaj ,  nuk mund të konstatohet së ka qenë në dijeni për këtë gabim të çuditshëm të anëtarëve të Komisionit” .

Për më tepër thuhet se KGJK, nuk u është përmbajtur rekomandimit të dhënë në Kërkesën për kthimin e mjeteve siç është cekur: “Vlenë të theksohet së në rast të mos dhënies përgjigje lidhur më këtë kërkesë jemi të obliguar që të fillojmë procedurë gjyqësore ndaj jush duke ushtruar padi për pasurim pa bazë.”

“Andaj, është dashur të kihet parasysh së Ujdia Jashtëgjyqësore mund të anulohet vetëm në procedurën gjyqësore më padi për anulim dhe atë ndaj palës Jeton Tahiri, që i janë dedikuar të hollat dhe i ka pranuar, e jo ndaj përfaqësueses së palës respektivisht avokates”, thuhet në dokumentin e prapësimit.

Bazuar në këtë avokatja Ademi në tërësi e konteston propozimin për ekzekutimin për përmbarim lidhur me kthimin e 17,215 eurove.

KGJK – paratë i kemi deponuar në emër të avokates

Në Këshillim Gjyqësor të Kosovës, thonë se pasi e kanë vërejtur se kanë bërë gabim në llogaritjen e parave të cilat duhej kompensuar Jeton Tahirin, për shkak që ka qenë i paraburgosur jashtëligjshëm, kanë kërkuar që këto mjetet të kthehen.

Sipas zëdhënëses së KGJK-së Aishe Qorraj, kërkesën për kthimin e parave e kanë bazuar në ligjin për procedurë të përgjithshme administrative dhe   procedurës përmbarimore.

“Komisioni në bazë të ligjit 05/L-031 të Procedurës së Përgjithshëm Administrativë respektivisht neneve 54-59. Më konkretisht neni 59  parasheh kthimin e mjeteve në rast të anulimit të një akti administrativ. Po ashtu neni 22 paragrafi 1.2, neni 23 paragrafi 2 dhe neni 24. Paragrafi 3 i Ligjit për Procedurën Përmbarimore parashohin  qartë këtë çështje”, tha Qorraj.

Në KGJK e pranojnë se zyrtarët e saj kanë bërë llogaritje të gabuar matematikore por nuk kanë treguar nëse kanë kërkuar përgjegjësi nga komisionin.

“Komisioni gjatë shqyrtimit të kësaj çështje ka bërë gabim në llogaritjen matematikore të shumës gjë kjo që mundet me t`i ndodh çdo kujt. Në momentin që është vërejtur gabimi Komisioni ka marre të gjitha veprimet konform legjislacionit  në fuqi për kthimin e mjeteve”, thuhet në përgjigjen e Aishe Qorrat.

Kur janë pyetur nga Gazeta Insajderi, pse ato nuk i kanë kërkuar nga personi të cilit ia kanë kompensuar, Qorraj tha se paratë janë përcjellur në llogarinë e avokates Ademi.

”Komisioni ka konstatuar se te hollat për paraburgim pa bazë ligjore dhe pa arsye për z.JetonTahirin janë transferuar në xhirollogarinë e avokates znj.Hedije Ademi, përfaqësuese e autorizuar e tij si dhe znj.Ademi nuk ofruar asnjë dëshmi që të hollat ja ka transferuar z.JetonTahiri përmes trasnferit bankar”.

Avokatja Hadije Ademi ka pranuar se paratë nga llogaria e KGJK-së kanë kaluar në llogarinë e saj, por ka mohuar pretendimet e KGJK-së se ajo nuk ka ofruar dëshmi se paratë i ka transferuar të klienti i saj.

“Me qenë se pala Jeton Tahiri u deklarua se nuk ka xhillogari të rregullt valide në asnjë bankë, atëherë sipas autorizimit të hollat kanë dalur në llogarinë time, mirëpo me datën 17.07.2017, janë tërhequr të hollat në shume prej 21.500 euro, dhe kane mbetur 120 euro”.

“Sipas marrëveshjes këtë shumë ia kam dorëzuar në dore me vërtetim të cilën është nënshkruar nga Jeton Tahiri dhe unë Hedije Ademi, dhe në pranin e  dëshmitarit  Ramë Dreshaj, avokat nga Prishtina të cilin pranim dorëzim e kemi nënshkruar që të tretë dhe atë në zyrën time”, tha avokatja Ademi.

“Këtë tërheqje të shumës së t’hollave nga banka dhe pranim dorëzimin e justifikojnë këto prova: Dëftesë pagesa nga Arka e datës 17.07.2017, Letërnjoftimi për të cilin janë destinuar të hollat,Vërtetimin e datës 17.07.2017”, tha ajo.

Avokatja Ademi ia ka ofruar Gazetës këto dokument me të cilat vërteton se ajo në praninë e avokatit Ramë Dreshaj i ka dorëzuar 21 mijë e 500 euro klientit të tij, ndërsa në emër të shërbimit juridik ka ndaluar 120 euro.

Fatura dhe vërtetim për dorëzimin e mjeteve mbanë të njëjtën datë, pra 17 korrik 2017.

Avokatja paditë KGJK-në për bllokimin e llogarisë

Avokatja Hadije Ademi me 29 tetor ka ushtruar padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës, kundër vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për Aktvendimit për përmbarim.

Në padinë e saj thuhet është konstatuar se komisioni në mënyrë të kundërligjshme ka nxjerr aktvendimin mbi anulimin e pjesshëm të Ujdisë Jashtëgjyqësore, dhe ushtrimin e  propozimit për përmbarim me bazë të titullit përmbarimorë të po këtij aktvendimi administrative

“Nga se Ujdia Jashtëgjyqësore mund të kërkohet anulimi i tërësishëm apo i pjesshëm i saj  respektivisht kundër Jeton Tahiri, vetëm më padi dhe atë për të cilin kanë qenë  të dedikuara të hollat, e  jo ndaj avokates përfaqësuese e palës së dëmtuar,  e cila nuk mund të përgjigjet për palën dhe për gabimet e tre gjyqtarëve dhe sekretarit të KGJK-së,   siç ka vepruar  më aktvendim  për të cilin është propozuar  përmbarimi”.

“Andaj nuk janë plotësuar kushtet ligjore për t’u lejuar përmbarimi sipas dispozitës së lartë shënuar nga së debitori nuk mund të jetë subjekt i përmbarimit dhe vetë dokumenti nuk është i besueshëm për përmbarim nga së më këtë dokument nuk mund të është anuluar pjesërisht Ujdija Jashtëgjyqësor e cila mund të anulohet vetëm më padi dhe duhet të jetë kundër palës Jeton Tahiri e jo ndaj avokatë”, thuhet në prapsmini e urdhrit përmbarimor.

Bazuar në këto pretendime, avokatja Ademi kërkon nga Gjykata anulimin e  Aktvendimit Administrativ-titull përmbarimorë të datës 25 shtator 2018. /Insajderi.com