Kompania e Behgjet Pacollit i ofron vetëm 20 mijë euro punëtorit të gjymtuar në Kazakistan

Në prill të vitit 2015, Besim Zeneli pësoi aksident në Astana të Kazakistanit, derisa po punonte për kompaninë e zëvendëskryeministrit, Behgjet Pacolli. Atij përveç hospitlaizimit në Astana nuk iu ofrua asgjë, ani pse para se ta merrte rrugën i kishin thënë se ka sigurim shëndetësor. Sigurimi, siç tregon ai iu bë një ditë pas rrëzimit. Gjashtë muaj pas aksidentit, atij i ofrohet një shumë prej 20 mijë euro për ta mbyllur gojën. Prej rrëzimit në Kazakistan, Zeneli është krejtësisht i paaftë për punë. Babai i shtatë fëmijëve jeton vetëm me ndihmë sociale. Ai po pret që Gjykata të vendos drejtësi. Kompania e Pacollit, ka vendosur të heshtë për këtë rast.

Kompania e Behgjet Pacollit i ofron vetëm 20 mijë euro punëtorit të gjymtuar në Kazakistan

Njëzetë mijë euro e ka vlerësuar gjymtimin e përjetshëm të një punëtori kompania e zëvendëskryeministrit, Behgjet Pacolli. Që nga prilli i vitit 2015, Besim Zeneli nga Lipjani, nuk mund t’i kontrollojë as nevojat fiziologjike si pasojë e dëmtimit të boshtit kurrizur pas rrëzimit nga një lartësi prej 20 metrash në një punishte ndërtimi në Astana të Kazakistanit.

Atë ditë të 23 prillit, Zeneli po punonte në punishten e quajtur “Hockey”, në Kazakistan. Kishte rënë nga një lartësi e madhe për të pësuar dëmtime të rënda të përjetshme.

Babai i shtatë fëmijëve që kishte shkuar në këtë shtet të ish-Bashkimit Sovjetik për të punuar si punëtor krahu, pos masave të munguara të sigurisë, nuk kishte as sigurim shëndetësor.

Një ditë pas rrëzimit, kompania “Mabco Construction”, në pronësi të kryediplomatit të Kosovës, Behgjet Pacolli, ia kishte bërë sigurimin shëndetësor si mbulesë ligjore. Polica e sigurimit nuk ishte e nënshkruar nga i “siguruari”.

Kësisoj, pak muaj pas daljes nga spitali në Astana dhe kthimit në Kosovë, Besimi, ka nisur një betejë ligjore – kompensimin për dëmtimet e përjetshme. Ka paditur kompaninë. Të enjten pritet të vazhdojë seanca në Gjykatën Themelore të Prishtinës – dega në Lipjan.

Në një rrëfim të gjatë për Insajderin, Besim Zeneli, tregon se si kishte shpresuar se me shkuarjen në Kazakistan do ta përmirësonte jetën e familjes.
Por, i kishte ndodhur e kundërta. Vetëm sa e ka rënduar me paaftësinë për të punuar. Jeton me ndihmë sociale nga shteti, që qeveriset edhe nga, Behgjet Pacolli.

“Momentalisht gjashtë fëmijë i kam në shkollë prej klasës së tretë e tutje, krejt po duhet me i shkollu për kjamet, me një social çka mundet me bo njeri” thotë ai.

Zeneli, ka rrëfyer për Insajderin gjithë ngjarjen, që nga punësimi në kompaninë “Mabetex”, deri në momentin që përfundoi duke jetuar me ndihmë sociale.

I detyruar të marrë rrugën e largët për në Kazakistan, Zeneli, shpjegon se si fillimisht kishte parë konkursin dhe pastaj së bashku me disa të afërm, kishin vendosur të aplikonin dhe të niseshin drejt Kazakistanit për një jetë më të mirë.
Ai tregon se me 16 mars të vitit 2015 kishte filluar punën për kompaninë “Mabco Construction”. Puna e tij nuk vazhdon gjatë dhe vetëm një muaj më pas, më 23 prill, ai pëson një aksident, i cili e lë të gjymtë për gjithë jetën.

Zeneli, tregon se ishte duke punuar në një lartësi prej më shumë se 20 metra kur një karrocë e quajtur “japoner”, e mbushur me zall e kishte goditur duke e hedhur në tokë.

“Fati në këtë fatkeqësi”, del të jetë se Zeneli, shpëton gjallë nga kjo rënie kaq e lartë, por mbetet i lënduar rëndë në pjesën e kurrizit. Sot e asaj dite e ka të mbushur me hekura. Megjithatë, pjesën e poshtme thotë se nuk e ndjenë më.
“Unë vazhdojë më pas dhimbtë, jam kanë me shtaga e me operacione e i paaftë për punë, po kurrkush nuk u ardhë me më pa”, rrëfen ai.

Zeneli, e kujton si gjest të mirë se si ishte vizituar në spital nga drejtues të kompanisë “Mabetex”. Ishin treguar të kujdesshëm. Por, pas ardhjes në Kosovë, thotë se situata ka ndryshuar.

Krejt çka i kanë ofruar janë 20 mijë euro kompensim për dëmtimet.

Diku shtatë muaj pas aksidentit, ai kishte marrë një përgjigje zhgënjyese nga kompania e zëvendëskryeministrit. I ishin ofruar 20 mijë euro në këmbim të mos ushtrimit të padisë.

Insajderi ka kontaktuar drejtuesit e kompanisë “Siguria”, në pronësi të Pacollit. Por, nuk ka marrë përgjigje rreth kësaj çështje, ka kërkuar që pyetjet t’i dërgohen me imell. Më vonë është lajmëruar një punëtor i tij duke kërkuar që atij t’i dërgohen pyetjet sepse drejtori është i zënë me punë të tjera. Megjithatë Insajderi nuk ka marrë ende asnjë përgjigje konkrete rreth këtij rasti.

Zeneli tregon se ju kishte thënë se nuk ka çfarë të bëjë me 20 mijë euro, kur ka mbetur i paaftë për punë.
Më problematike del te jetë momenti kur Besimi, kupton se sigurimi shëndetësor i bëhet një ditë pas rrëzimit. Ai pohon se para se të nisej për në Kazakistan, i kishin thënë se është i siguruar dhe gjithçka ishte në rregull.

“Për sigurim deri në momentin që kam ardhur këtu (Kosovë v.j.) më kanë thënë që ki sigurim, i ki të gjitha, por sigurimi është bërë një ditë pasi që jam rrëzuar” ka rrëfyer ai, për Insajderin.

“…me më pa si punëtor të tyre, e di që qejf s’kanë pas as ata as unë me ndodhë. Por qe më ka ndodhë, me thanë njeri me ardhë bile me të pa, me të vetë”, thotë ai.

I lodhur nga heshtja dhe papërgjegjësia e kompanisë që dikur e shihte si shpresë për një jetë më të mirë, Besim Zeneli vendos që me datën 10.06.2016, pra një vit më vonë, të ushtrojë padi kundër kësaj kompanie.

Padia e plotë (Dokument)

Ai ka treguar për Insajderin se ka qenë i pranishëm në 5 seanca dhe me 10 janar të këtij viti pritet të mbahet seanca e radhës. Besim,i po qëndron me shpresë që drejtësia të shkojë në vend dhe atij t’i jepet vetëm ajo çka i takon asgjë më shumë.

Kompania “Mabetex”, ka refuzuar të flasë për këtë rast. Drejtori i kompanisë, Mabetex, Valon Luka, është arsyetuar se tashmë janë festat e fundvitit dhe nuk mund të flasë.

Në një raport të kompanisë për aksidentin thuhet se më 23.04.2015 Besim Zeneli, sa ishte duke punuar në kantierin “Hockey” në kompaninë “Mabco Construcition” s.a në Astana të Kazakhstanit, pësoi një lëndim në punë gjatë orarit të punës dhe si pasojë ishte hospitalizuar për kurim në njërin prej spitaleve të Astanas.

Aty thuhet se Besim Zeneli filloi punën në “Mabco Construction” s.a me datën 16.03.2015 dhe ishte në Astanaderi më datën 31.08.2015 ku dhe udhëtoi për në Kosovë.

“Prej periudhës kur ka filluar të punoi pra prej 16.03.2015 deri më 31.08.2015 i janë paguar të gjitha pagat të cilat i ka realizuar gjatë punës , gjithashtu edhe pushimi mjekësor gjatë kohës sa ka qenë në Astana. Gjithashtu të gjitha shpenzimet e kurimit gjatë kohës sa ishte në spital (prej datës 23.04.2015 e deri te lëshimi i tij nga spitali) i ka kryer kompania ‘Mabco Construction’”, thuhet në raport.

Raporti i plotë i lëshuar nga Kompania Mabetex:

Sidoqoftë, kompania në këtë raport sqaron vetëm obligimet e kryera gjatë periudhës së hospitalizimit pas aksidentit dhe asnjë fjalë për kompensimin e lëndimit të pësuar në punishten e kompanisë. /Insajderi.com