Kompania nga Shqipëria hedh akuza për abuzime në tenderin milionësh të Ibër-Lepencit

Njomza Salihi

Kompania nga Shqipëria hedh akuza për abuzime në tenderin milionësh të Ibër-Lepencit

 

Kompania “Pe-vla-ku” i ka çuar ankesë kryeministrit Albin Kurti për tenderin milionësh të shpallur nga Ndërmarrja Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”. Aty akuzon këtë të fundit se tenderin e ka përgatitur për një kompani të veçantë – madje thuhet se njëjta pretendon të shpallë ofertën më të shtrenjtë, për të paktën 1 deri mbi 3 milionë euro.

 

Kryeministri Albin Kurti ka pranuar një letër pak më ndryshe në zyrën e tij.

Atë e ka marrë nga “Pe-vla-ku”, një kompani ndërtimi që operon në Shqipëri dhe Kosovë.

E njëjta e ka njoftuar kryeministrin e vendit se ka marrë pjesë në një tender të shpallur në nëntor nga Ndërmarrja Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, dhe është ankuar se krejt procesi është përcjell me parregullsi të shumta: pabarazi, diskriminim dhe korrupsion.

“Shpresojmë që të gjejmë zgjidhje si ne, e poashtu edhe ju për këtë çështje për të cilën po ju vëmë në dijeni…” thuhet në letrën e kompanisë drejtuar kryeministrit më 24 shkurt 2020, të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi.

“Mbesim me shpresë edhe duke u bazuar në programin e qeverisë tuaj për t’i thënë stop korrupsionit dhe pandershmërisë”.

Në letrën e gjatë “Pe-vla-ku” akuzon “Ibër-Lepencin” se tenderin e ka përgatitur për një kompani të veçantë.

“…po marrim iniciativën të ju drejtohemi juve në lidhje me dyshimet që kompania jonë ka në lidhje me abuzimin që është bërë dhe vazhdon të bëhet që nga hapja e procedurave të tenderit të publikuar më datë 26.11.2019, na faqen zyrtare të Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” Sh.A. me titull: “Punimet e Rehabilitimit për kanalet e Ibër-Lepencit”, Autoritet Kontaktues Ndërmarrja Hidroekonomike “Ibër Lepenci” SH.A., financuar nga Banka Botërore, në të cilin kompania jonë ka shprehur interesim për pjesëmarrje”, thuhet në letër-ankesën e komapnisë, shkruan Insajderi.

“Gjithashtu jemi të informuar që kriteret e vendosura në këtë tender, që në fillim të shpalljes së tenderit janë vendosur në mënyrë sekektive për të bërë të mundur favorizimin dhe përcaktimin e kompanisë fituese”.

Insajderi ka çuar pyetje edhe në drejtim të kompanisë “Pe-vla-ku”. Të njëjtit ende nuk kanë dhënë përgjigje se për cilën kompani dyshojnë se është përgatitur tenderi.

Madje kompania shqiptare ndonëse thotë se ka dalë e para në mesin e gjashtë ofertuesve si më e lira, shpreh dyshimin se “Ibër-Lepenci” do ta shpallë ofertën më të shtrenjtë, për të paktën 1 deri në mbi 3 milionë euro.

Gazeta Insajderi i ka shkruar “Ibër-Lepencit” rreth akuzave që kanë shkuar në drejtim të tyrë, të njëjtit ende nuk janë përgjigjur.

“Pe-vla-ku” pretendon se kriteret e këtij tenderi janë përcaktuar në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit të Bankës Botërore dhe Ligjin e Prokurimit të Republikës së Kosovës.

Gazeta Insajderi për këtë çështje ka kërkuar përgjigje edhe nga financuesi, Banka Botërore.

“Kompania “Ibër Lepenci”, në cilësinë e agjencisë implementuese të Projektit  Siguria e Ujit dhe Mbrojtja e Kanalit, është në proces të vlerësimit të ofertave, dhe të gjithë ofertuesit, përfshirë edhe ofertuesin të cilit i jeni referuar, do të njoftohen sapo të përfundojë procesi i vlerësimit. Aplikohen rregullat e prokurimit të Bankës Botërore për ofertim konkurrues ndërkombëtar”, thuhet në përgjigjen e Bankës Botërore për Insajderin.

Ky projekt për të cilin është shpallur tenderi ka për qëllim kthimin e Kanalit të Ibrit, kanalit kryesor të ujit në Kosovë, në kapacitetin origjinal, që do të sigurojë furnizim me ujë dhe cilësi më të mirë të ujit për rreth 500 mijë  njerëz që jetojnë në pellgun e kanalit në Kosovën Qendrore.

Kanali i Ibrit poashtu furnizon ujin që përdoret për prodhim të energjisë, mihje, industri, bujqësi dhe amvisëri.

I ndërtuar në vitet e 1970-ta, infrastruktura e kanalit është përkeqësuar me kalimin e viteve për shkak të dëmtimeve fizike, por edhe nga ndotja.

Dyshimet e “Pe-vla-ku”-t për tenderin milionësh të “Ibër-Lepenci”-t

Kompania nga Shqipëria e cila ka marrë pjesë në tenderin milionësh të “Ibër-Lepenci”-t pretendon se qysh nga nisja e procedurave ka pasur shumë parregullsi në këtë proces.

“Dyshimet tona për abuzim dhe konkurrencë të parregullt për këtë tender, kanë lindur që në momentin e përgatitjes së dosjes së tenderit dhe analizimit të saj, ku ne të kemi hasur në disa kritere që janë në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit të Bankës Botërore dhe Ligjin e Prokurimit të Republikës së Kosovës të cilat çojnë në diskriminimin e kompanive të cilat marrin pjesë në tender dhe bëjnë të mundur favorizimin e kompanive të caktuara”, thuhet në letër, shkruan Insajderi.

Kompania më 3 shkurt 2020 ka kërkuar sqarime nga Autoriteti Kontraktues në lidhje me disa nga pikat e kërkuara në dosjen e tenderit.

“Vihet re qartë se disa nga kriteret e kërkuara nuk përputhen me kërkesat që kërkohen për zbatimin e punimeve në objekt”, pretendon kompania.

Një ditë më pas kompania ka marrë një përgjigjigje të shkurtër nga Autoriteti Kontraktues, këtë rast Banka Botërore.

Në të thuhet se BB do të lëshojë një sqarim në të cilin do të kenë qasje të gjithë ofertuesit.

Duke mos marrë përgjigjen që do, “Pe-vla-ku”, sërish për këtë çështje, më 4 shkurt 2020, i ka shkruar Këshilltarit të Prokurimit të Bankës Botërore, Deb Mujumdar.

I njëjti po atë ditë është përgjigjur shkurt, duke mos dhënë sqarime mbi procedurën e tenderimit.

“Ju lutemi prisni përgjigje sqaruese e cila do të lëshohet zyrtarisht së shpejti. Duhet të keni parasysh që Dokumenti i Ofertave (përfshirë detajet e të gjitha kritereve të kualifikimit) janë aprovuar në Bankën Botërore përpara përfundimit dhe lëshimit zyrtar të ofertuesve”.

“Përgjigjet nuk u jepen drejtpërdrejt ofertuesve (një nga një) për një kërkesë të tillë, po presim që t’i marrim të gjitha pyetje dhe t’u kthejmë një përgjigje të përbashkët sqarimi”.

Kompania “Pe-vla-ku” për krejt procesin e tenderimit ka marrë një përgjigje tjetër më 6 shkurt 2020 nga Koordinatori i Projektit, Vigan Syla.

“Në përgjigjen  dhënë shihet qartë, se mënyra e përgatitjes së tenderit nga ana e Punëdhënësit – ndërmarrja Hidroekonomike “Ibër Lepenc” SH.A, ka për qëllim favorizimin e kompanive të caktuara për përfitime personale të individëve të caktuar, ku rrjedhimisht shihet qatë lënia e hapësirave për ndryshim të kushteve të punës dhe të çmimeve gjatë fazës së ndërtimit”, pretendon “Pe-vla-ku”.

“Është mjaft e dukshme dhe vihet re qartë edhe në sqarimet e bërë nga Autoriteti Kontraktues, ku thuhet shprehimisht dhe qartë që kriteret janë vendosur në bazë të asaj që ka paraparë punëdhënësi si të nevojshme, por nuk është gjithëpërfshirëse e të gjitha pajisjeve ndërtimore që kërkohen për zbatim. E gjithë kjo të çon në mendimin që në vendosjen e kritereve të këtij tenderi ka vend për abuzim dhe favorizim të kompanive të përcaktuara”.

Megjithatë në letrën e siguruar nga Insajderi ata shpjegojnë tutje dyshimet e tyre për “manipulim të tenderit”.

“Referuar emërtimit të kontratës për të cilin është shpallur tenderi, me titull: Punimet e Rehabilitimit për kanalet e Ibër-Lepencit”, vihet re që kriteret e kërkuara për realizimin e punimeve janë jokorrekte, pasi punimt për realizimin e këtij projekti kanë të bëjnë më ndërtimin e kanaleve të Iber-Lepencit, dhe jo në ndërtimin e urave dhe mureve”.

“Gjithsesi edhe pse nuk gjetëm sqarim nga kërkesa e drejtuara Autoritet Kontraktues, kompania jonë u paraqit  në tender duke vendosur punë të ngjashme të cilat i përmbushin dhe tejkalojnë sasitë e kërkuara në tender”.

Kompania “Ibër Lepenci”, ende është në proces të vlerësimit të ofertave, dhe të gjithë ofertuesit, do të njoftohen sapo të përfundojë procesi i vlerësimit./Insajderi.com