Kontratat multimilionëshe të VALA-s që pritet të hetohen nga komisioni parlamentar e prokuroria

Janë një sërë kontratash të mëdha që “Telekomi i Kosovës”, i ka lidhur ndër vite me kompani të ndryshme private. Ato do t’i nënshtrohen hetimeve parlamentare. Dyshohet se Telekomi i Kosovës është në prag të falimentimit për shkak të milionave të shpërndara në kompani të fuqishme private në Kosovë. Insajderi sjell listën e kontratave që po hetohen.

Kontratat multimilionëshe të VALA-s që pritet të hetohen nga komisioni parlamentar e prokuroria

Skaneri i komisionit hetimor parlamentar do të përfshijë një numër të madh të kontratave të Telekomit të Kosovës të lidhura ndër vite me kompani të fuqishme private. Materialet e shqyrtuara nga ky komision i udhëhequr nga Visar Imeri e Milaim Zeka do t’i procedohen për hetim të mëtutjeshëm Prokurorisë së Shtetit.

Insajderi ka zbuluar se cilat janë kontratat që i janë kërkuar Telekomit të Kosovës nga ky komision.

Aty përfshihen kontrata me vlerë prej miliona eurove, duke nisur nga kontrata e famshme me “Z-Mobile”, “IPKO”-në, kompaninë private “Cactus”, kompaninë “Interadria”, si dhe kontratën me djemtë e Adem Grabovcit.

Nesër Kuvendi i Kosovë do të mbajë seancë të jashtëzakonshme. Aty do të shqyrtohen këto kontrata, duke nisur nga kontrata e famshme me “Z-Mobile”, për të cilën deputetët e këtij komisioni dyshojnë se e ka dëmtuar financiarisht ndërmarrjen publike.

Kontrata e dyshimtë me IPKO-në

Ishte data 20 korrik e vitit 2011, kur ishte zbuluar një skandal që përfshinte ndërmarrjen publike dhe kompaninë private “IPKO”.

Në emër të kryeshefit të atëhershëm Shyqyri Haxhës ishte dërguar një kumtesë për media.

Haxha thoshte se ishte detyruar që ta nënshkruante një kontratë të tillë, të cilën e vlerësonte si të dëmshme. I referohej kontratës për dhënien në shfrytëzim të fijeve optike të ndërmarrjes publike për këtë kompani private. Pohonte se nga kjo kontratë ndërmarrjes publike do t’i shkaktoheshin humbje në vlerë prej 1 milionë eurosh.

Disa orë më vonë, Haxha kishte dërguar një e-mail tjetër. Kishte thënë se dikush ka keqpërdorur e-mailin e tij dhe se ai nuk kishte thënë asnjëherë se kontrata me IPKO-në ishte e dëmshme.

Sqarime të detajuara lidhur me këtë kontratë nuk kishin dhënë asnjëra prej palëve. As “Telekomi i Kosovës” e as “Ipko”.

Një çështje tjetër që përfshinë IPKO-në dhe që do të shqyrtohet nga komisioni parlamentar është edhe marrëveshja me “Digitalb”.

Menaxhmentët e ndërmarrjes publike nuk kishin bërë shumë përpjekje që ta thyenin monopolin e krijuar. Vetëm “IPKO” ka të drejtën e shfrytëzimit të materialeve të “Digitalb”, duke krijuar pozitë monopoliste në treg.

Kjo çështje ishte ngritur vetëm njëherë në publik nga ish-kryeshefi i “Telekomit të Kosovës”, Agron Mustafa. Ai në një intervistë për “Tribuna Chanel”, kishte thënë se “Është ironike pasi operatori i dytë hyri në Kosovë me një prej arsyetimeve për të thyer monopolin e Vala-s. Sapo filloi punën, krijoi një monopolin IPKO-Digjitalb. Ky monopol nuk lejon askënd tjetër të transmetojë kanalet televizive”.

Kjo çështje ishte trajtuar edhe nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës. Kompania në pronësi të shtetit slloven “IPKO”, kishte mbrojtur vetën duke u thirrur në të drejtën ligjore për ekskluzivitetin e blerë nga “Digitalb”.

Kjo ishte hera e vetme që një drejtues i ndërmarrjes publike kishte përmendur këtë problem me konkurrentin direkt të telefonisë mobile. Më pas, kjo çështje nuk ishte ngritur nga asnjë prej drejtuesve të ardhshëm të kompanisë publike.

Djemtë e Adem Grabovcit

Njëra prej kontratave më të dyshimta të ndërmarrjes publike është ajo me djemtë e ish-politikanit të fuqishëm të PDK-së, Adem Grabovcit.

Ishte nënshkruar në kohën kur ndërmarrja udhëhiqej nga Agron Mustafa që kishte ardhur në këtë pozitë i deleguar nga PDK-ja.

Kontrata me kompaninë “Flexus”, në pronësi të djemve të  Grabovcit është lidhur në vitin 2015.

Ata marrin nga 5 mijë euro për çdo muaj. Deri më tash ata kanë përfituar nga “Vala”, një shumë prej afro 400 mijë eurosh.

“Kohavisioni”, pati raportuar se në shtator të vitit të kaluar, ndonëse ndërmarrja po shkonte drejt krizës, ndërmarrja publike nuk i kishte lënë anash djemtë e Grabovcit. Sipas KTV-së, kompania e tyre kishte pranuar një shumë prej 31 mijë eurosh nga VALA.

Pagesat multimilionëshe për kompanitë “Interadria” dhe “Cactus” 

Dokumentet e siguruara nga Insajderi dëshmojnë se në periudhën tetëvjeçare prej vitit 2002 deri më 2010 kompania franceze “Alcatel Lucent”, kishte përfituar rreth 130 milionë euro nga Postë-Telekomi i Kosovës, nëpërmjet tenderëve një burimor.

Ndërmarrja publike kishte arsyetuar tenderët një burimor, duke pohuar se ky veprim nuk përbente shkelje ligjore.

Mirëpo në vitin 2009 kishin pasur një problem të madh me këtë kompani franceze. Menaxhmenti i atëhershëm i drejtuar nga Shyqyri Haxha kishte gjobitur “Alcatel”in në vlerë prej 9.5 milionë euro.

Dënimi i kësaj kompanie kishte ardhur pas mosplotësimit të kontratës 25 milionëshe, e cila ka pas për detyrim ndërtimin e infrastrukturës për zbatimin e fazës së pestë të telefonisë mobile “Vala”.  Kjo fazë përfshinte zgjerimin e rrjetit telefonik për futjen e mbi 1 milionë klientëve të rinj në operatorin e telefonisë mobile “Vala”.

Mirëpo ky fakt nuk i kishte penguar drejtuesit e mëvonshëm të Telekomit të Kosovës që të kontraktonin sërish të njëjtën kompani. Në mars të vitit 2014 ishte angazhuar sërish nëpërmjet tenderit një burimor.

Konzorciumi “Alcatel Lucent & Cacttus”, ishte shpallur fituesi tenderit “Mirëmbajtja e pajisjeve të Valës”. Vlera e këtij tenderi ishte mbi 3 milionë euro. Kompania “Cactus”, është partneri lokal i kompanisë franceze dhe është në pronësi të pesë afaristëve kosovarë.

Komisioni parlamentar që po e heton “Telekomin e Kosovës”, ka kërkuar informata edhe për një partneritet tjetër të ndërmarrjes publike me dy kompani private.

Prej vitit 2006 deri në vitin 2017 dy kompani private, “Interadria” dhe “Interadria L.L.C”, kanë përfituar afro 11 milionë euro nga ndërmarrja publike.

“Kohavisioni”, pati raportuar vitin e kaluar se kompania private “Interadria L.L.C”,  vetëm gjatë viteve 2017 e 2018 ka pranuar afër 1.8 milionë euro nga ndërmarrja publike, ndonëse këto vite llogaritet si vite të krizës për “Telekomin e Kosovës”. KTV-ja pati raportuar se “Telekomi i Kosovës” dhe kompania private nuk ishin pranuar që të shpalosnin për publikun detajet financiare të marrëveshjeve të tyre.

Megjithatë, detajet e tilla e kanë për obligim që t’i shpalosin para deputetëve që janë pjesë e komisionit hetimor parlamentar për kontrata e dyshimta të “Telekomit të Kosovës”.

Konflikti i interesit në komisionin parlamentar që po e heton “Telekomin e Kosovës”

Deri më tash anëtarët e këtij komisioni parlamentar nuk kanë bërë ndonjë zbulim serioz për keqpërdorimet që kanë ndodhur në ndërmarrjen publike, “Telekomi i Kosovës”.  Kryetari i komisionit, deputeti Visar Ymeri, është ankuar se menaxhmenti i ndërmarrjes publike është duke refuzuar që të dorëzojë në komision të dhënat e plota për marrëveshjet milionëshe.

“Është e papranueshme që menaxhmenti i ka treguar komisionit se çka të bëjë me këtë dokumentacion. Nuk kemi pranuar asnjë dokumentacion nga Telekomi”, ka thënë Ymeri më 4 prill të këtij viti.

Menaxhmenti i ndërmarrjes publike kanë njoftuar se afati i dhënë nga komisioni ka qenë tejet i shkurtër për kompletim të dokumentacionit. Ka qenë vetëm tri ditë.

Megjithatë, ekziston rreziku që puna e këtij komisioni të komprometohet për shkak se pjesë e tij është edhe Milaim Zeka. Ai në këtë rast është në rolin e hetuesit të ndërmarrjes publike, ndërsa ka qenë përfitues i fondeve të saj për vite më radhë.

“Dije që kam shumë sene të randa për ty, që bash kapaku i kokës ka të livrit prej vendit”, ishte kërcënimi që Zeka i kishte bërë ish-kryeshefit të “Telekomit të Kosovës”, Agron Mustafës, pasi që ky kishte refuzuar të nënshkruante kontratë marketingu me një portal lajmesh në pronësi të deputetit të “Nisma për Kosovën”. /Insajderi.com