Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është duke e kompletuar kabinetin e tij. Të martën ka e emëruar Gazmend Sylën këshilltar për çështje të veteranëve të luftës. Por, Syla në shumë dosje hetimore përshkruhet si i dyshuar per lidhje me grupe të rrezikshme kriminale në Kosovë. Ai dyshohet se ishte pjesë e rastit të rrëmbimit të biznesmenit Azem Morina, së bashku me Bedri Krasniqin dhe dy truproje të Haradinajt. Po ashtu, Syla dyshohet se kishte lidhje të shumta me grupin e vrasësve të dy policëve në vitin 2004. Në kabinetin e Haradinajt pyetjet e Insajderit i kanë cilësuar “neveritëse dhe të pavërteta”.
Kryeministri Ramush Haradinaj, ka emëruar për këshilltar një të dyshuar për lidhje me shumë kriminelë.
Katër ditë pasi është zgjedhur kryeministër, Haradinaj ka emëruar këshilltar për çështje të veteranëve, Gazmend Sylën, një nga njerëzit e akuzuar për përfshirje në kidnapimin e biznesmenit, Azem Morina nga Gllareva e Klinës.
Dyshohet se grupi i udhëhequr prej Bedri Krasniqit, pos Gazmed Sylës kishte në përbërje edhe dy truproja të Ramush Haradinajt – Himë Krasniqin dhe Selman Gashin, tashmë të dënuar me më shumë se 20 vjet burgim.
Syla si pjesëmarrës në këtë grup ishte akuzuar për krim të organizuar dhe rrëmbim personi. Por, në mungesë të provave të bollshme, ishte dënuar vetëm për armë mbajtje pa leje.
Ndërkohë, dëshmitë hetimore tregonin për lidhje të shumta me grupin kriminal.
Syla, ishte nën hetime për pjesëmarrje në vrasje të ndryshme në rajonin e Dukagjinit si dhe për vrasjen e dy policëve në vitin 2004 në një fshat të Podujevës.
Insajderi posedon një seri dosjesh për veprimtarinë e Sylës, tashmë këshilltar i Ramush Haradinajt.
Njoftimin se Gazmend Syla – kryetar i Shoqatës së Veteraneve të Pejës, është bërë këshilltar i Haradinajt për çështje të veteranëve e ka dhënë deputeti i AAK-së, Bekë Berisha.
“Sot në takim me kryeministrin z. Ramush Haradinaj u vendos që zyrën e këshilltarit të kryeministrit për kategoritë e dala nga lufta ta përfaqësojë Gazmend Syla, si dhe morëm zotimin nga kryeministri se pensionet e veteranëve nuk do të jenë problem tash e tutje”, ka shkruar Berisha – një i dënuar për vrasje të një fqinji të vetë para lufte.
Insajderi ka kërkuar sqarime nga kabineti i Haradinajt për emërimin e Sylajt – këshilltar. Këshilltari tjetër i Haradinajt, Avni Arifi pyetjet e Insajderit i ka cilësuar neveritëse dhe të pavërteta.
“Unë edhe dje ju rekomandova që të kontaktoni zyrën për komunikim. Megjithatë komenti i vetëm për akuzat e përmendura se janë neveritëse dhe te pavërteta”, ka thënë Arifi.
Syla, që është djali i dajës së ish-deputetit të AAK-së, Lahi Ibrahimaj ka qenë në kërkim edhe nga Interpoli, derisa ishte arrestuar së bashku me Bedri Krasniqin (1979) nga fshati Tujakë i Pejës, Dervish Idrizajn (1984) nga fshati Kodrali i Deçanit, Hamdi Krasniqin, Ahmet Nezirajn (1978) nga fshati Gllogjan i komunës së Deçanit, Himë Krasniqin (1978) nga Peja, Selman Gashin (1979) nga Broliqi i Deçanit dhe Ilmi Lufaj (1980) nga fshati Strellc i Ulët, komuna e Deçanit. Pjesë ishte bërë edhe Muhamet Bojkaj (1976) nga fshati Isniq i Deçanit, vëllai i tij Ali Bojkaj dhe Gazmed Sylaj (1982) nga fshati Grabanicë Komuna e Klinës.
Gjykimi i këtij grupi ishte mbajtur në Burgun e Dubravës për shkak të rrezikshmërisë së tyre. Gjykata kishte shqiptuar 87.5 vjet burg dhe me gjobë në vlerë 1,130,000 euro.
Bedri Krasniqi, ishte dënuar më 17 vjet burgim dhe gjobë prej 200.000 euro.
Dervish Idrizaj, më 13 vjet burgim dhe 180. 000 euro gjobë.
Ahmet Neziraj, më 15 vjet burgim dhe 150.000 euro gjobë.
Hamdi Krasniqi, ishte është dënuar me 12 vjet burg dhe 150.000 euro gjobë.
Ilmi Lufaj, ishte dënuar me 10 vjet burg burgim dhe 150.000 euro gjobë.
Himë Krasniqi – truproje i Ramush Haradinajt në kohën e rrëmbimit të Azem Morinës ishte dënuar me 10 vjet e 6 muaj burgim dhe 150.000 euro gjobë.
Dhe truproja tjetër i Haradinajt, Selman Gashi me 10 vjet burg dhe 150.000 euro gjobë.
Tre milionë euro haraç për kokën e Azem Morinës
Historia e rrëmbimit, mbajtjes peng të Azem Morinës dhe marrëveshjes për pagesën e haraçit ishte rrëqethëse.
Djali i tij Bujari që ishte në komunikim me rrëmbyesit ishte pajtuar që për jetën e të atit të paguante me këste. 350 mijë euro do t’i kushtonte kësti i parë që do t’ua paguante rrëmbyesve për ta nxjerr të gjallë të atin 71 vjeçar. E vit për vit do të duhej t’i paguante nga 200 mijë euro derisa shuma të arrinte në tre milionë.
Grupi kishte arritur të merrte vetëm 230 mijë euro.
Gjysmë ore pas rrëmbimit, Azem Morina i kishte telefonuar të birit.
“Unë jam shëndosh e mirë. Këta (rrëmbyesit v.j.) po i kërkojnë tre milionë euro dhe të mos e lajmërosh Policinë”, i kishte thënë i ati nëpërmjet telefonit i cili ndodhej në atë moment në fshatin Baran të Pejës ku ishte dërguar nga rrëmbyesit i futur në bagazhin e një veture.
Babit i Bujarit, Azemi që drejton një biznes fitimprurës kryesisht prodhues në Klinë, ishte rrëmbyer mëngjesin e 21 shtator të vitit 2009. Tek pas 39 ditësh ai ishte liruar pas rënies së Policisë në gjurmët e rrëmbyesve dhe pagesës së 230 mijë eurove nga ana e Bujarit.
Lidhjet e këshilltarit të kryeministrit me kriminelin, Bedri Krasniqi
Syla ishte njëri nga të dyshuarit për vrasjen e dy policëve së bashku me Florim Ejupin dhe Bedri Krasniqin në vitin 2004. Ishte dënuar vetëm Shkumbin Mehmeti.
Policia e Kosovës dhe ajo e UNMIK-ut ishin vënë në kërkim të të dyshuarve për vrasje. 17 persona, mes tyre këshilltari i Haradinajt dyshoheshin për këtë krim.
Insajderi posedon gjithë dosjen e këtij rasti. Të dyshuar ishin Shkumbin Mehmeti, i njohur me nofkat: “Doktori”, “Llapi”, “Qorri, “Rroqi “; Florim Ejupi i njohur me nofkat: “Luli”, Mazuli”, “Surka”; Bajram Kiçmari me nofkat:“Kulleri”, “Lami”, Faik Shaqtri, me nofkën “Llapoqi”; Faton Sylejmani; Arben Ahmeti, me nofkën – “Ashti”; Arsim Rashiti me nofkën -“Atletika”; Xhavit Kosumi me nofkat – “Leqi” dhe “Vandami”, Irfan Ademi – “Tita”; Nezir Kelmendi – “Ruga” dhe “Rugova”; Osman Kelmendi, Xhafer Zymberaj – i vrarë në Kumanovë; Jeton Sylejmani, Bedri Krasniqi; Nazmi Kadriu; Rexhep Jashari dhe Gazmend Sylaj.
EULEX-i ka rihapur rastin e vrasjes së policëve. Javë më parë ka arrestuar Faik Shaqirin, Bajram Kiçmarin, dhe Alban Diznarin. Prokuroria ka ngritur aktakuzë kundër tyre, përfshirë Bedri Krasniqin.
Për të tjerët nuk ka mundur të ngrehë aktakuzë për shkak se ishin shpallur të pafajshëm nga një trup gjykues i UNMIK-ut. Aktakuza ka të bëjë me vrasjen e policit të UNMIK-ut, Possible Essuman, si dhe atij të Kosovës, Arsim Rrustolli.
Shaqiri dhe Kiqmari ishin arrestuar dhe akuzuar edhe më parë për të njëjtin rast, por ishin shpallur të pafajshëm, sikurse të akuzuarit tjerë, me përjashtim të Shkumbin Mehmetit, i cili më 2007 ishte dënuar 30 vjet burgim për sulmin ndaj UNMIK-ut.
Komunikimet telefonike
Në dosjen hetimore për vrasjen e policëve janë edhe komunikimet e Gazmend Syla me të dyshuarin, Florim Ejupi. Aty thuhet se Gazmed Syla ka strehuar të dyshuarit tjerë.
Biseda telefonike e datës 02.04.2006, 14:14:17, Florim Ejupi -Gazmend Sylaj.
Në këtë bisedë Florim Ejupi i thotë Gazmend Sylës se kotë e ka ndërruar numrin e telefonit. Syla i përgjigjet, se e ka kartën në xhep.
Ejupi më tej i thotë, duke përdorur kode, Gazmendit se gjendet në fshatin Jabllanicë me fjalët: ‘te shefi yt”.
Në dosje thuhet se Gazmendi e kupton dhe i thotë Florimit se sot është e premte dhe do të vijë të vizitoj.
“Nga biseda shihet se Gazmend Syla ka qenë shofer i Nazmi Ibrahimit, nga Jabllanica, dhe Florim Ejupi ka qenë i strehuar në Jabllanicë në shtëpinë e Arben Nezirajt, pasi që në sfond dëgjohet zëri i personit të tretë që thotë ‘e shpija jem’”, thuhet në dosje.
Biseda telefonike e datës 03.04.2004, 16:17:09, Florim Ejupi – Gazmend Syla.
Në këtë bisedë Gazmendi e njofton Florimin se, është takuar me “ata laperat” dhe se ‘puna’ është kryer.
Biseda telefonike e datës 04.04.2004, 17:05:51, personi me emrin Baton që është në shfrytëzim të telefonit të Gazmend Sylajt – Florim Ejupi.
“Personi me emrin Baton e informon Florimin që, janë në Prishtinë dhe se ai djali (duke aluduar në Gazmendin) ka shkuar deri në banesë, pasi ia kishte dhënë njëri çelësat. Kjo bisedë ka të bëjë me një porosi/detyrë që Florimi ia kishte dhënë Gazmend Sylës dhe të tjerëve t’ia kryenin në Prishtinë”, thuhet në dosjen hetimore.
Biseda telefonike e datës 05.04.2004, 12:22:46, Florim Ejupi – Gazmend Syla.
“Në këtë bisedë Gazmendi e informon Florimin se është në Gjakovë, se nuk kishin arritur ta realizojnë planin. Në këtë bisedë këta të dy përdorin kode si: ‘Femra’, ‘Shtëpia’ ‘Pllaci’ mirëpo dyshohet se Gazmendi me të tjerët… kanë qenë në pritje gjatë tërë natës të dikujt”, thoshte policia në dosjen hetimore.
Biseda telefonike e datës 05.04.2004, 17:59:29, Gazmend Syla Florim – Ejupi.
“Në këtë bisedë Gazmendi e informon Florimin, se për gjysmë ore do të shkojë në lokacionin e tij derisa në vazhdim të bisedës në telefonin e Florimit lajmërohet personi ‘Buki’ që dyshohet se është Bedri Krasniqi. Gazmendi e njofton ‘Bukin’ se ndodhej në Gjakovë dhe për gjysmë ore apo 40 minuta do të shkojnë në lokacionin e tyre. Ndërsa person,i Buki thotë që t’ua blinte 5 kutia cigare Marlboro”, shkruan në dosje.
Biseda telefonike e datës 08.04.2004, 12:58:50, Gazmend Syla – Florim Ejupi.
“Në këtë bisedë Gazmendi e pyet Florimin se si është ‘Doktori’ – Shkumbin Mehmeti, kurse Florimi përgjigjet: Kurqysh!… Pastaj e pyet edhe si është ‘Vandami’- Xhavit Kosumi. Florimi përgjigjet: mirë,… Nga biseda kuptohet se Gazmendi e di se, këta persona, për të cilët pyet, janë në arrati, dhe se, i njeh mirë”, thuhet në kallëzimin penal.
Bisedat telefonike e datës 08.04.2004, 17:49:02, të datës 09.04.2004, 20:33:45, 20:36:12 si dhe e datës 11.04.2004 ora 22:14:11 në mes të Gazmend Syla – Florim Ejupit.
“Tërë këto biseda kanë të bëjnë me një person i cili është i njohur për anëtarët e grupit dhe i cili ishte ardhur nga Zvicra, në pamundësi të takohej me Florimin, i kishte lënë Gazmendit një shumë të hollash për personat tjerë të grupit”, sqaron Policia.
Kjo dëshmon se grupi financohej nga jashtë.
Në dosje thuhet se nga analizat e hyrje-daljeve të numrit të Gazmend Sylajt 044/ 127-929, del se ka pasur kontakte të shpeshta me anëtarët tjerë të grupit, si Faik Shaqirin, Florim Ejupin dhe Shkumbin Mehmetin.
Hetimet për vrasje në rajonin e Dukagjinit
Një dosje tjetër hetimore të UNMIK-ut të vitit 2004 që është përmbledhje e hetimeve për vrasjet në rajonin e Dukagjinit, jepen detaje të shumta për Gazmend Sylajn.
Në pjesën hetimore për vrasjen e Sadik Musajt, Gazmend Syla përmendet si truproje i Ramush Haradinajt.
Aty përmendet se Gazmend Syla, ishte shok i ngushtë i Avni Elezajt, i vrarë në vitin 2002. Aty sqarohet se një grup tjetër i dyshuar kriminal po e kërkonte, Gazmend Sylajn.
“Më 17 korrik 2003, rreth orës 00.30, një informator/agjent ka qenë në restorantin ‘Ice Tea’. Ai ka vërejtur aktivitet të çuditshëm. Burimi e ka takuar shkurtimisht Gazmend Sylën (ish-truproje e Ramush Haradinajt) që pas pak është larguar”, shkruan në një dosje hetimore që posedon Insajderi.
Hetuesit dyshonin se ky grup donte ta vriste Gazmend Sylajn.
“Kemi informacione që ish-stafi i Ramush Haradinajt është duke kërkuar për anëtarë të grupit të Musajt. Bedri Krasniqi, Gazmend Syla, Fadil Nikqi janë shumë shpesh së bashku”, shkruan në dosjen e UNMIK-ut.
Aty ka detaje edhe për vrasjen e Tahir Zemajt dhe sulmet kundër tij. Edhe Zemaj cilësohet nga UNMIK-u si udhëheqës i një grupi kriminal.
“Më 4 janar 2003, rreth orës 17:30, Tahir Zemaj ka qenë duke drejtuar Nissanin e tij 239KS400 në drejtim të qendrës së Pejës kur ai është vënë në pritë në udhëkryqin kryesor në hyrje të Pejës nga dy vetura, dhe një numër të shtënash janë bërë në drejtim të tij. Tahir Zemaj është vrarë në vend, së bashku me dy pasagjerë të tjerë në veturë”, thuhet në dosje.
Të vdekur kishin mbetur Enis Zemaj – djali i Tahirit dhe Hasan Zemaj, kushëri i Tahir Zemajt dhe anëtar i LDK-së në kuvendin komunal të Deçanit.
“I vetmi përshkrim i veturave të të dyshuarve është se njëra ka qenë Opel Ascona ndërsa tjetra veturë ka qenë një Jeep i zi me tabela regjistrimi 125KS…”, shkruan në dosjen hetimore
Njësia kundër krimit të organizuar shkruan se në orët e para të 5 janarit 2003, Ali Nikqi, është arrestuar pasi është parë duke i përcjellë viktimat për së paku dy orë para vdekjes së tyre.
“Një kontroll i është bërë shtëpisë së tij, por nuk janë gjetur prova. Sidoqoftë, një numër fotografish janë gjetur ku shihet Nikqi duke vepruar si një lloj truproje i Ramush Haradinajt, dhe është e qartë se NIKQI është një simpatizues i madh i AAK-së”, dyshonin hetuesit.
Policia jep detaje për arrestimin e Gazmend Syla më 25 janar 2003. Ai ishte arrestuar gjatë një kontrolli të përbashkët mes KFOR-it, Policisë dhe Njësisë kundër krimit të akuzuar. Policia kishte ndaluar veturën Volkswagen, Golf 3, me targa 241 KS 188.
“Gjatë kontrollit, një armë ‘Skorpion’ është konfiskuar me 30 plumba nga Gazmend Sylaj. Brenda veturës kanë qenë dy persona të tjerë, një nga të cilët ka qenë Fadil Hysenaj. Ka pasur një urdhëarrest për të, por nuk është futur në databazë”, shkruan në dosje.
Sidoqoftë, Gazmed Syla pos tjerash ka edhe lidhje familjare me Ramush Haradinajn./Insajderi.com