Kryen punë presioni publik – Kurti e Vitia kthejnë sytë kah ‘Wuhani i Kosovës’

Kryen punë presioni publik – Kurti e Vitia kthejnë sytë kah ‘Wuhani i Kosovës’

Më në fund kryeministri në largim, Albin Kurti dhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia kanë kthyer sytë tashmë nga “Wuhani i Kosovës”, Malisheva.

Ndonëse kanë kaluar pothuajse një muaj nga paraqitja e parë me koronavirus në Komunën e Malishevës dhe është bërë vatra e të prekurve me gjithsej 61 persona, tek sot Ministri i Shëndetësisë tashmë në detyrë, tha se Komuna e Malishevës do të jetë prioritet për nivelin qendror.

Në një konferencë për media, Vitia u shpreh se me gjithë potencialin, niveli qendror dhe me prioritet të madh do të trajtojë Komuna e Malishevës, shkruan Gazeta Insajderi.

“Në rastin e Malishevës, natyrisht pas rritjes së numrit të infektuarve në këtë komunë, do të ketë prioritetin maksimal dhe në një bisedë që kam pas në kryetarin Begaj, sot për neve Ministria e Shëndetësisë, komuna e Malishevës, nga çdo aspekt është komuna kryesore dhe më e rëndësishmja për ne, dhe natyrisht i gjithë potenciali nga niveli qendror me prioritetin më të madh do të trajtojë së pari Malishevën”, ka thënë Vitia.

Ndersa kryeministri ne largim Kurti tha sot se:”Dje kam qenë në Gjilan sot në Klinë, Pejë edhe Gjakovë. Nuk shkova, sepse pardje ka qenë ministri Sfeçla, dhe nesër do ta vizitojë Malishevën”.

Për një vizitë të mundshme në Malishevë, Gazeta Insajderi gjatë ditës së djeshme kishte pyetur Zyrën e Kryeministrit se kur Kurti do ta vizitojë komunën me më së shumti të prekur nga Koronavirusi, por e njëjta ende nuk ka kthyer përgjigje.

I gjithë ky reflektim i ministrit Vitia vjen pas presionit të madh publik.

Qeveria tashmë në largim e drejtuar nga Albin Kurti u cilësua si raciste pasi që nuk është duke u marr seriozisht me vatrën e të prekurve me koronavirus në Kosovës.

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala gjatë ditës së djeshme kishte thënë se: “Qeveria e shkarkuar po vazhdon të trajtoj Malishevën dhe qytetarët e saj në mënyrë raciste”.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Shala kishte shkruar se është për tu habitur sesi kryeministri i shkarkuar injoron Malishevën dhe gjen kohë për vizita nëpër komuan tjera.

“Është e habitshme se si kryeministri i shkarkuar gjen kohë t’i vizitoj komunat tjera të cilat janë shumë më pak të prekura nga COVID-19, viziton besa edhe Radio Televizionin Publik (RTK) e kjo vizitë me qëllim të ushtrimit të presionit ndaj këtij mediumi publik, gjë të cilën tash të gjithë po e dinë, dhe ndër të tjera vazhdon ta injoron në tërësi këtë komunë”, kishte shkruar Shala.

Po ashtu, edhe kryetari i kësaj komune, Ragip Begaj ka pasur ankesa në drejtim të institucioneve qendrore pas gjendjes së krijuar në komunën e tij.

“Nuk kanë qenë mirë, kemi bërë ankesa shumë herë, prej dje ka ndryshuar pak gjendja kanë ardhur disa furnizime”, kishte thënë Begaj, shkruan Insajderi.

Po ashtu edhe kryetari i Nismës, Fatmir Limaj kishte akuzuar qeverinë në detyrë për mos ndihmesë të Malishevës pas numrit të madh të të prekurve me koronavirus.

Limaj kishte thënë se një barnatore e ka ndihmuar Malishevën më shumë sesa Qeveria e Kosovës.

“Kërkoj urgjent nga ministria e Shëndetësisë të merr masa dhe të bëj furnizime të plota për qendrën shëndetësore dhe për komunën e Malishevës. Duhet furnizim masiv dhe serioz dhe në shërbim të plotë të parandalimit të përhapjes së virusit. Është shumë e habitshme që një barnatore ka ndihmuar komunën më shumë se qeveria e Kosovës, është për çudi që ende ministri i Shëndetësisë ende nuk e ka kontaktuar komunën e Malishevës”, kishte thënë Limaj.

Që nga data 23 shkurt, numri i qytetarëve të kthyer nga Italia në Malishevë ishte 127. Ndersa aktualisht në Kosovë gjithsej të prekur me koronavirus janë 184 persona të infektuar, 30 persona të shëruar dhe pesë persona të vdekur. Ndërsa Wuhani ka qenë epiqendra e pandemisë COVID-19, një qytet në Kinë ku si pasojë e koronavorist kanë vdekur mijëra njerëz. /Insajderi.com