Kulmi i krizës, Qeveria ende pa një plan për pagat e punonjësve privatë

Njomza Salihi

Kulmi i krizës, Qeveria ende pa një plan për pagat e punonjësve privatë

Tash kur fundi i muajit ka ofruar punonjësit e gastronomisë, por edhe rreth 280 mijë qytetarë që janë të punësuar në sektorin privat mund të mbesin pa paga për shkak të vendimeve që ka marrë qeveria në parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Derisa pagat e sektorit publik janë ekzekutuar dje nga Qeveria në dorëheqje e Republikës, nuk dihet nëse pagat do t’i marrin edhe punëtorët e sektorit privat.

Tashmë shumë kompani kanë dalë haptazi dhe kanë treguar se nuk mund t’i paguajnë punonjësit e tyre për shkak masave që janë marrë nga Qeveria.

Madje disa nga ata thonë se nëse kjo gjendje vazhdon, të njëjtit mund edhe të kolapsojnë.

Një reagim po rreth kësaj gjendjeje e ka bërë sot edhe Shoqata e Gastronomëve.

“Sektori publik vazhdon të gëzojë benefitet e taksave të paguara nga sektori privat. Është paradoksale për besë. Krejt çka dëgjuam në Parlament ishte popullizëm, patetizëm, provincializëm, asgjë më shume, në vend të diskutimeve përmbajtjesore për shpëtimin e ekonomisë”, thuhet në reagimin e tyre.

“Asnjë politikan nuk i duhet shtetit pa ekonomi dhe pa sektor privat. Minimumi i pritjeve tona është një pagë e dinjitetshme për punëtorët e sektorit privat, për kohën që nuk po punojnë, si pasojë e pandemisë. Koha për të vepruar është tani”.

Qeveria e Kosovës e ka dhënë një përgjigje rreth kësaj kërkese, por edhe ndaj shumë të tjerave të ngjashme sikur kjo.

“Është duke u diskutuar në nivel të ministrive të linjës, mundësia e mbulimit të pagave në disa sektorë, sidomos në ato të cilat janë prekur drejtpërdrejtë nga vendimet e Qeverisë.Trajtim do të ketë edhe ndaj bizneseve përkatëse të cilat janë prekura nga vendimet e Qeverisë në kuadër të masave për parandalimin e shpërndarjes së virusit Korona COVID 19”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë për Gazetën Insajderi.

Megjithatë qeveria njofton se deri më sot, më “27.03., të gjitha masat e lartpërmendura vazhdojnë të jenë në nivel të propozimeve dhe diskutimeve për aq koha sa nuk ka një vendim të nënshkruar nga institucionet përgjegjëse”.

Zyra e Kryeministrit njofton se shumë shpejt Ministria e Financave dhe Transfereve do të dalë me njoftime publike për këtë çështje.

Qeveria thotë se për këtë çështje është duke punuar intensivisht.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e vetëdijshme për vështirësitë e të operuarit dhe humbjet

ekonomike në disa sektorë. Për këtë qëllim, Ministria e Financave dhe Transfereve është duke përpiluar një plan emergjent të ndërhyrjeve për ndërmarrjet dhe amvisëritë më të goditura”,

“Deri më tani, kemi njoftuar komunitetin e biznesit se Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave dhe Transfereve, është duke punuar intensivisht, në bashkëpunim dhe me mekanizma financiar ndërkombëtar, për gjetjen e fondeve të mjaftueshme të cilat do t’i shërbenin prodhuesit dhe ndërmarrësit vendor”.

Qeveria ka njoftuar se po punojnë edhe në një mbështetje fiskale – në mënyrë që menjëherë pas përfundimit të situatës – sa ma shpejt të ringjallet ekonomia.

“Një nga masat të cilat parashihen është mundësia e kredive të subvencionuara, pa kamatë, për bizenese të cilat kanë nevojë për kredi shtesë për blerje të lëndës së parë, për eksportim apo për zgjerim të kapaciteteve prodhuese”.

Odat Ekonomike: Qeveria të alokojë së paku 300 milionë euro për fazën emergjente të mbështetjes së sektorit privat

Pas shpërthimit të pandemisë COVID-19, dhe situatës ekonomike të krijuar në vend, kanë reaguar edhe Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, Këshilli i Investitorëve Evropianë dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës.

Të njëjtit bashkarisht kanë kërkuar nga Qeveria në detyrë që të prezantojë me prioritet pakon e masave emergjente në mbështetje të ndërmarrjeve dhe punonjësve të goditur nga masat e ndërmarra për përhapjen e pandemisë.

Organizatat e biznesit i kërkojnë Qeverisë që jo më larg se këtë javë të aprovojë programin e likuiditetit i cili do të përfshinte: (1) Një pako financiare në vlerë prej së paku 300 milionë eurosh për fazën emergjente, (2) Subvencionimin e pagave për punonjësit e të gjitha ndërmarrjeve, aktiviteti i të cilave është ndërprerë apo vështirësuar në masë të madhe, (3) Subvencionimin e pagesave të qirasë për të gjitha ndërmarrjet, aktiviteti i të cilave është ndë rprerë apo vështirësuar në masë të madhe, dhe (4) Subvencionimin e të gjitha shpenzimeve të tjera operative për të gjitha ndërmarrjet aktiviteti i të cilave është ndërprerë apo vështirësuar në masë të madhe.

Aktualisht në Kosovë është raportuar për 86 persona të infektuar me Covid-19, ndërsa një pacient ka vdekur.

insajderi.com