Insajderi.com ka siguruar dosjen hetimore të një grupi që merret me tregtim barnash në mënyrë të paligjshme. Veprimtaria e grupit është udhëhequr nga pronari i kompanisë “Kusha Pharm”, Kastriot Vitia. Ai dyshohet se brenda një dite ka furnizuar 100 deri në 150 barnatore me barna ilegale
Kompania “Kusha Pharm” gjatë një dite të vetme ka furnizuar 100 deri në 150 barnatore në Kosovë me barna të kontrabanduara nga Serbia.
Këtë veprimtari e ka vazhduar shumë gjatë, deri ditën kur Policia e Kosovës ka arrestuar pronarin e saj, Kastriot Vitia i cili vetëm dy ditë është mbajtur brenda.
Është lënë i lirë me vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës së bashku me bashkëpunëtorët e dyshuar.
Insajderi.com ka siguruar dosjen hetimore të këtij grupi të arrestuarish që merren me tregtim barnash në mënyrë të paligjshme. Grupi i “dyshuar kriminal” përbëhet prej Kastriot Vitisë, Xhengis Haxhiskit, Arton Osmanit, Bashkim Ademit, Visar Ademit, Skender Rushitit, Adrian Ahmetit, Albert Ahmetit, Nezir Zogajt, Ali Bislimit dhe Amir Jetullahut. Me këtë veprimtari ata dyshohet se kanë kryer veprat penale të kontrabandimit të mallrave dhe ushtrim të paligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike.
Shteti pretendon se Kastriot Vitia, Xhengis Haxhiski që është në arrati, Arton Osmani, Bashkim Ademi, Visar Ademi dhe Skender Rushiti një kohë të gjatë, deri më 27 janar të këtij viti i janë shmangur tarifave doganore të importit të mallrave duke kontrabanduar barna nga Serbia.
Ata dyshohen se kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin duke shpërndarë dhe shitur barna dhe produkte tjera medicinave të pa licencuara nga Agjencisë Kosovare për Produkte Medicionale të cilat paraprakisht i kanë futur në Kosovë përmes rrugëve ilegale.
Kompania “Kusha Pharm” pronar dhe menaxher i së cilës është Kastriot Vitia, nuk është e regjistruar në AKPM. Ai ka blerë dhe shitur barna në mënyrë ilegale. Bashkëpunëtorët e tij Xhengis Haxhiski dhe Bashkim Ademi i kanë pranuar porositë ditore nga 100 deri 150 barnatore që operojnë në tërë e Kosovës.
Anëtarët e grupit gjatë pranimit të porosive janë prezantuar si “Kusha Pharm”. Porositë e pranuara për barna janë shpërndarë nga punëtorët tjerë të kësaj kompanie një ditë pas pranimit të porosive.
Ndërkaq Visar Ademi si pronar i barnatores “ Aura” në Prishtinë është furnizuar me barna që dyshohet se janë kontrabanduar nga kompania “Kusha Phram”. Këto barna ua ka shitur qytetarëve.
Adrian Ahmeti në cilësinë e menaxherit dhe Albert Ahmeti si ndihmës i tij dyshohet se i kanë pranuar porositë në depot e tyre farmaceutike “ICN-BM2” në Prishtinë dhe “Blu-Pharm” në Fushë Kosovë. Barnat e pranuara në këto depo të licencuara dyshohet se kanë qenë kontrabandë.
Në barnatoren e tyre me emrin “Green” në Prishtinë, Ardian dhe Alber Ahmeti kanë shitur barna dhe produkte medicinave në të zezën. Këto barna nuk figurojnë në listën zyrtare të AKPM-së si barna të licencuara.
Ndërkaq, Nezir Zogaj dyshohet se në depon e tij farmaceutike me emrin “Peja-Med” në Pejë dhe në barnatore e tij “Peja-Med 1” dhe “Peja-Med 2” prej një kohe të pacaktuar, deri më 26 janar 2016 ka shmangur kontrollin doganor. Këto barna të kontrabanduara i ka shpërndarë në barnatore.
Ali Bislimi dyshohet se prej 15 gushtit të vitit 2013, e deri më 27 janar 2016,ka kontrabanduar barna të shumta. Ato i ka vendosur në një shtëpi private që e ka marrë me qira apostafat për këtë qëllim nga Zijadin Berisha në rrugën Sheshi i Arbërit në Prishtinë. Shtëpia ka qenë ambient në të cilin nuk guxon të mbahen barnat. Policia në atë shtëpi ka konfiskuar mbi 800 produkte të ndryshme të mbi 65.000 barnave të cilat dyshohet se janë pronë e kompanisë “Kusha Pharm”.
Amir Jetullahu i ka vendosur në shtëpinë e tij në rrugën “Bajram Bahtiri” në Prishtinë mijëra lloje barnash për disa vjet veprimtari. Policia ia ka zënë atij gjatë bastisjes 1695 lloje të ndryshme të barnave dhe ampulave e të cilat dyshohet se janë pronë e kompanisë “Kusha Pharm”.