Ish-komandanti i UÇK-së, i cili ishte gjykuar në Tribunalin Ndërkombëtar nga viti 2005 deri më 2012, kishte arritur që gjatë kohës sa ishte duke u gjykuar në Hagë të diplomonte në Kolegjin "Iliria" në Prishtinë.
Përkundër stresit nga një dënim i mundshëm me burg, kur akuzohej nga Tribunalin Ndërkombëtar i Hagës, ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Lahi Brahimaj, kishte arritur me lehtësi t’i kryente studimet “Bachelor” në një kolegj privat.
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i cili ishte gjykuar në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës nga viti 2005 lidhur me akuzat për krime lufte, kishte arritur që gjatë kohës sa ishte duke u gjykuar në Hagë të diplomonte në Kolegjin “Iliria” në Prishtinë.
Dokumentet që ka siguruar Insajderi dëshmojnë se Brahimaj kishte përfunduar studimet në programin juridik të kolegjit privat “Iliria”.
Ai kishte diplomuar në vitin 2013, rreth një vit pasi ishte liruar nga akuzat në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës.
Certifikata që Lahi Brahimaj kishte pranuar më 2013
Por, ish-dekani i Kolegjit “Iliria”, Kadri Bicaj, i cili ka qenë edhe ligjërues në këtë institucion privat, thotë se Brahimaj ka ndjekur rregullisht ligjëratat në Kolegjin “Iliria”. Në një bisedë telefonike me Insajderin të enjten, Bicaj ka lavdëruar studentin Lahi Brahimaj.
“Në parim po e them, pasi ka ardhë prej Hagës ai i ka vazhdu studimet edhe mund të them me përgjegjësi të plotë që ka qenë student i dalluar tek unë”, ka thënë Bicaj. “Ka qenë në ligjërata; ka qenë jashtëzakonisht i interesuar.”
I pyetur nëse ka pasur periudha kur Lahi Brahimaj ka pauzuar nga studimet dhe nuk i ka ndjekur ato rregullisht, ish-dekani i Kolegjit “Iliria” është shprehur se nuk ka pasur informata të sakta për këtë gjë.
“Besomni që nuk e di a ka pauzu. Nëpërmjet televizionit e kam ditë edhe unë”, ka deklaruar Bicaj për Insajderin.
Por, një procesverbal i një seance gjyqësore kundër Lahi Brahimajt në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës të cilin e posedon Insajderi, paraqet Richard Harveyn, avokatin mbrojtës të ish-komandantit të UÇK-së, duke përmendur nevojën për studime të Brahimajt.
“Lahi Brahimaj do të gjykohet jo fajtor dhe do t’i lejohet t’ vazhdojë studimet e veta ligjin dhe të drejtat e njeriut në Kolegjin Iliria në Prishtinë”, thoshte Harvey më 27 qershor të 2012-s.
Lahi Brahimaj ishte liruar nga akuzat për krime lufte në Hagë, në nëntor të vitit 2012. Ai ishte liruar nga akuzat në një rigjykim nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, së bashku me nipin e tij Ramush Haradinaj dhe një tjetër ish-anëtar të UÇK-së, Idriz Balaj.
Ndërkaq, Kolegjit “Iliria”, në të cilin Lahi Brahimaj diplomoi më 2013, nuk i është akredituar asnjë program për vitin akademik 2019/2020, sipas një vendimi të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC).
Këshilli i Cilësisë, që vepron në kuadër të Agjencisë së Akreditimit vendosi që në bazë të raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë, t’u tërhiqet akreditimi për vitin akademik 2019/2020 edhe Universiteteve Publike; “Ukshin Hoti” në Prizren, “Isa Boletini” në Mitrovicë dhe “Haxhi Zeka” në Pejë. /Insajderi.com