Lekaj me zëvendësministra shpenzojnë mbi 90 mijë euro për paga e shpenzime operative

Lekaj me zëvendësministra shpenzojnë mbi 90 mijë euro për paga e shpenzime operative

Në total 91 mijë euro ka shpenzuar Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, për ministrin Pal Lekaj dhe tre zëvendësit e tij, vitin e kaluar.

Kjo ministri ka treguar vetëm shumën totale që ka shpenzuar ministri Lekaj dhe tre zëvendësministrat, Rexhep Kadriu, Fehmi Mujota e Idriz Selimaj, jo edhe kategoritë për secilin shpenzim të bërë.

Ministri Pal Lekaj ka marrë pagë dhe meditje në shumën prej 21 mijë e 503 euro, ndërsa shpenzime operative, sic i kanë cilësuar ministria ka pasur në shumën e 17 mijë e 174 euro.

Zv/ministri Rexhep Kadriu ka marrë 12 mijë euro pagë e meditje, ndërsa shpenzime operativë ka pasur mbi 9 mijë euro.

Fahmi Mujota ka marrë pagë 13 mijë e 433 ndërsa si shpenzime i janë shënuar  rreth 3 mijë euro.

Zv/ministri Idriz Selimaj ka marrë mbi 12 mijë euro ndërsa shpenzime mbi 2 mijë euro.

Gazeta Insajderi, ka nisur serinë e shkrimeve për shpenzimet ministrave dhe zëvendësmistrave. Deri tash kërkesave për qasje në dokumente publike i janë përgjigjur vetëm shtatë ministri. Zyra e Kryeministrit është arsyetuar se nuk ka përfunduar ende raporti financiar ndërsa 13 ministritë e tjera ende nuk janë përgjigjur.

Kujtojmë se rreth 300 mijë euro ka shpenzuar vetëm Ministria e Financave e drejtuar nga Bedri Hamza, për paga, meditje, udhëtime zyrtare, dreka, darka e karburante.

25 mijë euro kanë shpenzuar gjatë vitit të kaluar ministri i i shkarkuar i Bujqësisë, Nenad Rikallo dhe katër zëvendësit e tij për shpenzime të reprezentacionit, udhëtime jashtë vendit dhe mëditje.

Rreth 20 mijë euro (19.496) të taksapaguesve kosovarë kanë shpenzuar kabineti i ministrit dhe zëvendësministrave të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete përgjatë vitit 2018. Dalibor Jevtiq, bashkë me vartësit e tij bërë këto shpenzime për telefona, udhëtime jashtë vendit, dreka zyrtare e mëditje.

Mbi 10 mijë euro të taksapaguesve kosovarë janë shpenzuar për dreka dhe darka zyrtare, nga ministri dhe zëvendësministrat e Zhvillimit Rajonal gjatë vitit 2018.

Përveç mijëra eurove të harxhuara në shpenzime të reprezentacionit, ministri dhe tre zëvendësministrat të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal (MZHR) kanë shpenzuar edhe disa mijëra euro të tjerë në udhëtime zyrtare. Rreth 5 mijë sosh janë shpenzuar për udhëtime zyrtare jashtë vendit.