Përmes tri kontratave të ndryshme, Qeveria e Kosovës Ministria e Jashtme dhe Zyra e Presidentit të Kosovës synojnë të forcojnë lidhjet e tyre me autoritetet e SHBA-ve ndërmjet kompanive private amerikane. Të tri këto kontrata kapin vlera milionëshe. Insajderi ka siguruar dokumente nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA, të cilat zbulojnë detaje të këtyre marrëveshjeve.
Tri kompani amerikane përfitojnë miliona euro nga autoritetet kosovare për këshillim dhe lobim në favor të politikave të Qeverisë së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Përmes tri kontratave të ndryshme, Qeveria e Kosovës Ministria e Jashtme dhe Zyra e Presidentit të Kosovës synojnë të forcojnë lidhjet e tyre me autoritetet e SHBA-ve ndërmjet kompanive private amerikane. Të tri këto kontrata kapin vlera milionëshe.
Qeveria e Kosovës – Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Punëve të Jashtme – kanë lidhur kontrata me dy kompani me seli në Uashington: “Pillsbury, Winthrop” dhe “Chartwell Strategy Group”. Kompania “Pillsbury Winthrop et al” ka një kontratë një-vjeçare me Qeverinë e Kosovës dhe përfiton rreth 50 mijë euro në muaj.
Ndërkaq, Zyra e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ka nënshkruar vitin e kaluar një marrëveshje me kompaninë lobuese amerikane “Ballard Partners” në vlerë prej mbi 500 mijë eurove.
Insajderi raportoi vitin e kaluar për marrëveshjen e presidentit Thaçi me firmën që udhëhiqet nga Brian Ballard, ish-politikan amerikan i cili shquhet për afërsinë e tij me presidentin e ShBA-ve Donald Trump. Presidenca kishte tentuar t’i mbante të fshehta disa fakte të marrëveshjes gjysmë milionëshe.
Mirëpo, Insajderi ka siguruar dokumente nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA, të cilat zbulojnë këto detaje. Dokumentet të cilat janë paraqitur në Aktin e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA) – e cila është pjesë e Departamenti i Drejtësisë i SHBA – zbulojnë komunikime mes Zyrës së Presidentit dhe kompanisë “Ballard Partners”.
Në njërin prej dokumenteve të paraqitura pranë Departamentit të Drejtësisë në SHBA nga kompania e Brian Ballard, zbulohet se presidenti Thaçi kishte informuar dhe kërkuar ndihmë nga “Ballard Partners” për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL dhe synimin e vendit për t’u anëtarësuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).
“Kosova synon të bëhet anëtare e NATO-s dhe e OKB-së. Kryeministri i Kosovës Haradinaj ka thënë se Forcat e Sigurisë së Kosovës janë të gatshme të marrin përgjegjësitë e veta si ushtri në përputhje me standardet e NATO-s”, thuhet në dokumentin që e ka siguruar Insajderi. “Kosova shpreson të bëhet anëtare e INTERPOL-it këtë vjeshtë, pasi që tani ka fituar mbështetjen e një shumice prej vendeve anëtare”.
Kompania që paguhet për të këshilluar presidentin Thaçi, përmend edhe përpjekjet e presidentit të Kosovës për të arritur një marrëveshje me Serbinë. Nuk përmend idenë e Thaçit për korrigjimin e kufijve.
“Presidenti i Kosovës Thaçi po përpiqet të ndërtojë marrëdhënie më të mira me Serbinë, duke thënë se ‘ne nuk mund të mbetemi viktimë e së kaluarës, por duhet të shikojmë përpara. Ky është momentumi i duhur'”, citohet Thaçi në dokumentin e firmës “Ballard Partners”.
Në një dokument tjetër të paraqitur nga firma “Ballard Partners” pranë Departamentit të Drejtësisë, kompania lobuese me seli në Uashington njofton autoritetet amerikane në lidhje me lobimet në favor të politikave të Zyrës së Presidentit të Kosovës. Thekson orientimin pro-perëndimor të presidentit Thaçi. Përmend takimet e Thaçit me homolog evropianë.
Kontrata e qeverisë- Kryeministri Haradinaj kërkon ndihmë për taksën
Teksa presidenti Thaçi kërkonte ndihmë nga kompanitë lobuese amerikane lidhur me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në OKB dhe INTERPOL, kryeministri Ramush Haradinaj ka vetëm një hall: taksën ndaj produkteve serbe dhe boshnjake – për të cilën ndodhet në presion ndërkombëtar.
Qeveria e Kosovës, në dhjetor të vitit të kaluar, kishte informuar kompaninë lobuese amerikane “Pillsbury Winthrop” pse kishte vendosur taksë ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.
Nga të dhënat që kompania “Pillsbury Winthrop” ka paraqitur pranë Departamentit të Drejtësisë në SHBA, Qeveria e Ramush Haradinajt përmes një komunikimi me e-mail njofton kompaninë amerikane lidhur me vendimin e qeverisë së tij për taksën ndaj produkteve serbe.
“Kryeministri i Kosovës Haradinaj ka deklaruar se këto tarifa do të mbeten derisa Serbia dhe Bosnja do të ndalojnë sjelljen e tyre agresive dhe ta njohin Kosovën”, thuhet në dokumentin e kompanisë amerikane “Pillsbury Winthrop”. “Sidoqoftë, ai po u kërkon gjithashtu të gjitha palëve të mblidhen së bashku për të punuar drejt një marrëveshjeje që zgjidh kontestet e pazgjidhura në përputhje me kushtetutën e Kosovës”.
Po ashtu, në Departamentin Amerikan të Shtetit është paraqitur edhe kontrata e nënshkruar mes “Pillsbury Winthrop” dhe Qeverisë së Kosovës. Janë publikuar edhe detajet e kontratës.
Qeveria e Kosovës do t’i paguajë 45 mijë euro në muaj kompanisë me bazë në Uashington “Pillsbury Winthrop”.
Sipas Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të SHBA-së, agjentët që përfaqësojnë shtetet e huaja në “kapacitet politik ose kuazi politik” duhet të zbulojnë detajet e marrëdhënieve të tyre pranë Departamentit të Drejtësisë në SHBA.
Dy liderë ballkanik angazhuan të njëjtën kompani si Thaçi
Para fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, kompania e lobimit “Ballard Partners” nuk ishte ende e njohur në masë të madhe për punën e saj. Firma e Brian Ballard kishte zyrën kryesore në një qytet të vogël të Floridas – në Tallahasse.
Por, pas triumfit që e çoi Trumpin në Shtëpinë e Bardhë, në Washington D.C, edhe kompania e Ballard hapi seli në kryeqytetin amerikan.Që nga atëherë, “Ballard Partners” ka nënshkruar kontrata milionëshe me organizata dhe institucione të njohura botërore.
Në mesin e këtyre marrëveshjeve milionëshe, futen edhe dy kontratat që firma e Brian Ballard ka nënshkruar me Presidencën e Republikës së Turqisë, që drejtohet nga Rexhep Taip Erdogan dhe Partinë Socialiste të Shqipërisë, që udhëhiqet nga kryeministri Edi Rama. Të dy këta liderë të afërm me Hashim Thaçin në lidhjet e tij politike.
Partia Socialiste në Shqipëri, e kryeministrit Edi Rama, në prill të para dy vitesh punësoi kompaninë “Ballard Partners”. Konsulenca e “Ballard Partners” do t’i kushtojë 240 mijë dollarë partisë shqiptare, nëse kontrata zgjat aq sa është parashikuar, për një vit.
Disa muaj më vonë, edhe Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan e kontraktoi këtë kompani për shërbime konsulence.
Gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara, të kryer në muajin maj të vitit të kaluar, presidenti turk shfrytëzoi rastin që të punësonte kompaninë e biznesmenit Ballard.
Ndryshe nga Hashim Thaçi dhe Edi Rama, Presidenti i Turqisë ka angazhuar lobuesin Brian Ballard për të ndikuar dhe bindur Administratën Trump që t’i vihen pas dhe të ekstradojnë në Turqi klerikun turk, Fethullah Gulen.
Turqia akuzon Gulenin për puçin e dështuar që ndodhi para rreth dy vjetëve. /Insajderi.com