Në raportin e Ekspertëve të Huaj, të angazhuar nga Agjencia Kosovare e Akreditimit (AKA), renditen mangësitë që kanë gjetur ekspertët gjatë inspektimit të Kolegjit të Shkencave të Aplikuara "Tempulli" më 15 dhe 16 maj të këtij viti.
Ekipi i Ekspertëve të Agjencisë Kosovare të Akreditimit (AKA), i përbërë nga ekspertët e huaj: Anca Prisacariu dhe Keti Tsotniashvili ka vlerësuar se institucioni privat i arsimit të lartë, Kolegji “Tempulli”, mund të lëshojë vetëm certifikata dhe të bërë trajnime, por jo të lëshojë diploma të arsimit të lartë.
Në raportin e Ekspertëve të Huaj, të angazhuar nga Agjencia Kosovare e Akreditimit (AKA), renditen mangësitë që kanë gjetur ekspertët gjatë inspektimit të Kolegjit të Shkencave të Aplikuara “Tempulli” më 15 dhe 16 maj të këtij viti.
Gazeta Insajderi ka siguruar raportin vlerësues të Ekipit të Ekspertëve të AKA-së. Aty specifikohen çështje si: misioni i paqartë i Kolegjit, ndarja në mënyrë jo të përshtatshme të mjeteve financiare, mangësitë në procedurat e rekrutimit të stafit akademik dhe atij administrativ.
Në faqet e para të raportit, Ekipi i Ekspertëve shkruan për paqartësinë e deklaratës së misionit të Kolegjit “Tempulli”. Ekipi rekomandon institucionin privat që të publikojë një version të vetëm të misionit.
“Sigurohuni që të ketë vetëm një version të deklaratës së misionit dhe ai të pasqyrohet në dokumentacionin zyrtar të institucionit”, thuhet në raportin vlerësues të Ekipit të Ekspertëve të AKA-s për Kolegjin “Tempulli”.
Po ashtu, Ekipi i Ekspertëve rekomandon Kolegjin që “të sigurohet që rishikimi i deklaratës së misionit të bëhet në bazë të konsultimeve me palët e brendshme dhe të jashtme, stafin, punëdhënësit dhe përfaqësuesit e tregut të punës”.
Në një tjetër pikë të raportit, atë të “Integritetit akademik dhe të përgjegjësive publike”, dalin në pah mangësitë e kolegjit të shkencave të aplikuara në lidhje me integritetin akademik. Lidhur me këtë çështje, ekspertët kanë gjetur se nuk është zbatuar Kodi i Sjelljes, i përpiluar nga kolegji.
“Institucioni ka zhvilluar një Kod të Sjelljes që përcakton veprimet e përgjithshme për sjelljen në përputhje me vlerat morale dhe etike. Megjithatë, kodi është i zbatueshëm vetëm për stafin akademik dhe shkencor; nuk janë identifikuar dispozita të ngjashme për studentët dhe stafin administrativ”, thuhet në raportin vlerësues të ekspertëve.
Po ashtu, raporti ka vënë në pah edhe mungesën e shërbimeve në internet.
“Gjithashtu, institucioni nuk publikon në faqen e vet të internetit rregulloret, procedurat, raportet e vetëvlerësimit dhe kërkesat e organeve qeverisëse”, thuhet në raportin e zyrtarëve të angazhuar nga Agjencia Kosovare e Akreditimit.
Një nga faktet më të çuditshme që tregojnë gjendjen e Kolegjit Tempulli, është mënyra e funksionimit të zyrtarit për Sigurimin e Cilësisë në këtë institucion privat. Sipas raportit, nuk dihet se kujt i raporton ky zyrtar.
“Ekziston një paqartësi në lidhje me procesin e raportimit të zyrtarit të Sigurimit të Cilësisë: Raporti Vetëvlerësues tregon se Zyra e Sigurimit të Cilësisë ndodhet nën varësinë e dekanit; së dyti, Raporti Vetëvlerësues i Kolegjit përmend se zyrtari i sigurimit të cilësisë i raporton drejtorit; së treti, përshkrimi i punës i zyrtarit për sigurimin e cilësisë përmend se zyrtari i raporton sekretarit”, thuhet në raport.
Po ashtu, zyrtari për Sigurimin e Cilësisë në Kolegjin “Tempulli” ka edhe një detyrë tjetër brenda institucionit.
“Personi përgjegjës për funksionet e sigurimit të cilësisë është gjithashtu përgjegjës për marrëdhëniet ndërkombëtare. Ekipi i Ekspertëve sugjeron se është e papërshtatshme që një person të marrë të dyja këto përgjegjësi”, thuhet në raportin e ekspertëve të huaj.
Ndonëse në deklaratën e misionit, Kolegji “Tempulli” thekson rëndësinë e hulumtimeve shkencore, raporti i ekspertëve të huaj ka gjetur mangësi edhe në këtë drejtim. Madje, buxheti që institucioni privat ka ndarë për këtë sektor, konsiderohet shumë i vogël.
“Buxheti institucional nuk shfaq një linjë të veçantë për aktivitetet e hulumtimeve shkencore. Ekipi i Ekspertëve ka mësuar gjatë vizitës në terren se kolegji mbështet stafin e saj akademik në lidhje me botimin e hulumtimeve shkencore”, thuhet në raport.
“Buxheti për vitin 2019 përfshin një linjë për ‘shpenzimet profesionale të punës’, e cila 5. 678 euro janë alokuar”, kanë gjetur ekspertët e huaj.
Mangësi të tjera janë gjetur në procedurat e rekrutimit të stafit akademik dhe administrativ.
“Kolegji nuk ka hartuar një doracak të punësimit që shfaq të drejtat, përgjegjësitë dhe proceset e rekrutimit si për stafin akademik ashtu edhe për atë administrativ. Asnjë nga këto nuk janë definuar, ndërsa të tjerët janë të shpërndara nëpër rregullore të ndryshme”, thuhet në raport. “Nuk ka procese zyrtare të rekrutimit për çdo kategori të stafit”.
Në përfundimin e raportit, theksohet se niveli i cilësisë në Kolegjin “Tempulli” nuk është i mjaftueshëm për t’u akredituar si institucion i arsimit të lartë.
Ekipi i Ekspertëve ka vlerësuar se Kolegji “Tempulli”, mund të lëshojë vetëm certifikata dhe të bërë trajnime, por jo të lëshojë diploma të arsimit të lartë.
“Ekipi i Ekspertëve fuqimisht beson se niveli i cilësisë është aktualisht i papërshtatshëm për një institucion të arsimit të lartë. Tempulli mund të zgjedhë shumë mirë që të sigurojë vetëm certifikatat, trajnimin dhe institucionin profesional të arsimit”, përfundon raporti.
Këshilli Shtetëror i Cilësisë tërhoqi akreditimin për Universitetin e Mitrovicës dhe dy universitete të tjera publike, ato Pejës dhe të Prizrenit, në një vendim të publikuar të hënën.
Këshilli i Cilësisë, që vepron në kuadër të Agjencisë së Akreditimit vendosi që në bazë të raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë, t’u tërhiqet akreditimi për vitin akademik 2019/2020, Universiteteve Publike; “Ukshin Hoti” në Prizren, “Isa Boletini” në Mitrovicë dhe “Haxhi Zeka” në Pejë.
Sipas këtij vendimi, këto universitete nuk mund të regjistrojnë studentë të rinj për këtë vit akademik, ndërsa vazhdon mësimi për studentët që tashmë janë në vitin e dytë dhe të tretë të studimeve. /Insajderi.com