Mesnata, sërish pikë qëndrore e vendimeve të Kurtit

Për kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, duket se mesnata është periudha e duhur e vendimeve dhe veprimeve të mëdha. Vendimet që deri tash e kanë ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve politike në vend, gjatë kësaj qeverie, janë marrë pikërisht në mesnatë apo para mesnatës.

Mesnata, sërish pikë qëndrore e vendimeve të Kurtit

Kryeministri në detyrë nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti sonte mori vendim para medieve që taksa ndaj produkteve serbe do të hiqet tërësisht dhe do të zëvendësohet me reciprocitet. Ai deklaroi se edhe heqja e taksës, do të bëhet sonte para mesnatës dhe do të mbetet deri më 15 qershor, shkruan Gazeta Online Insajderi.

“Këtë vendim që po e marrim sonte detyrohen ta zbatojnë Policinë Kufitare, Dogana e Kosovës, Agjencia e Veterinarisë dhe institucionet e tjera. Në këtë mënyrë ne po e sjellim vendimin që hyn në fuqi menjëherë me rastin e nënshkrimit, ndërkohë që mbledhja do të zgjasë deri në orën 22:00”, deklaroi Kurti.

E përpos këtij vendimi, Kurti kishte vendosur ta shkarkonte ministrin e Punëve të Brendshme dhe nënkryetarin e LDK-së, Agim Veliun në mesnatën e 18 marsit. Shkarkimi u bë me arsyen se Veliu kishte dalur pro deklarimeve të Presidentit Thaçi se duhej shpallur gjendja e jashtëzakonshme. Në konferencën e jashtëzakonshme, Kryeministri në detyrë Kurti, e kishte përmendur disa herë se ministri Veliu, kishte kërkuar të shpallej gjendja e jashtëzakonshme në mesnatë.

Ky shkarkim çoi në një krizë të thellë mes dy partnerëve të koalicionit, LDK-VV, dhe përfundimisht, paralajmërohej rrëzimi i Qeverisë.

Disa ditë më pas, respektivisht më 25 mars, opozita e Kuvendit të Kosovës së bashku me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ishte mbledhur pikërisht për ta rrëzuar Albin Kurti nga poltroni i kryeministrit.

“Rrëzimi” i tij erdhi para mesnatës, me 82 vota për.

E pas rënies, Kurti iu hakmor ashpër LDK-së. Ai, në pikërisht në mesnatë, mori vendim dhe e  shkarkoi zëvendëskryeministrin e parë të Qeverisë, Avdullah Hotin. Për këtë shkarkim, për dallim të atij të  Agim Veliut, për Hotin nuk u dha arsyetim. Komunikata e Qeverisë ishte vetëm njoftimi për lirimin e postit.

“Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë vendim për lirimin nga posti i zëvendëskryeministrit të parë në detyrë, z. Avdullah Hoti”, ishte fjalia e vetme në komunikatë, ku bashkëngjitur me të ishte edhe vendimi në formë dokumenti.

Albin Kurtit nuk i kanë mbetur edhe shumë ditë në postin e Kryeministrit ndërsa gjatë kësaj kohë, mbetet të shihet se a do të merr ndonjë vendim, para apo pas mesnatës./Insajderi.com/