Miliona të dyshimta në tregun financiar të Kosovës

Një hulumtim i Insajderit, ka zbuluar se miliona euro të dyshimta kanë hyrë në tregun e Kosovës. Me to janë hapur institucione financiare të lidhura direkt me njerëz të fuqishëm të Rusisë të cilët janë në listën e e sanksioneve të Amerikës. Insajderi, zbulon se si udhëheqësi i platformës “Mintos”, është i lidhur me shërbimin rus. Kjo veprimtari në Kosovë ka alarmuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe AKI-në. Ndërkohë, Prokuroria po kryen hetime. Të dyshuar janë edhe zyrtarë të BQK-së.

Miliona të dyshimta në tregun financiar të Kosovës

Martins Valters, po konsiderohet si njëri prej personave që përbën rrezik të madh për Kosovën. Ai, ka futur dhe qarkulluar miliona euro në tregun e Kosovës, nëpërmjet dy institucioneve financiare për kredi të shpejta, “Monego” dhe “IuteCredit”.

Të dy këto institucione janë mbyllur javë më parë nga Banka Qendrore e Kosovës, me arsyetimin se kanë shkelur ligjin dhe përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare.

Pjesë e këtij rrjeti është edhe “Mogo”, e cila ende nuk është mbyllur.

Një hulumtim i Insajderit, ka gjetur se si veprojnë këto kompani të lidhura me Rusinë, Qipron dhe aferën e Panamasë.

Martins Valters, pronar i “Mintos”, është vënë nën llupën e shërbimeve perëndimore, AKI-së dhe institucioneve tjera të sigurisë në Kosovë. Tashmë, pas mbylljes së dy prej tyre në Kosovë, Prokuroria po heton veprimtarinë e tyre.

Prokurori special, Atdhe Dema, është ngarkuar me këtë detyrë. Ai, tashmë ka ndërmarrë veprime të cilat çojnë edhe në implikimin e zyrtarëve të Bankës Qendrore të Kosovës, institucion ky që ka licencuar dhe mbikëqyrur “Monegon” dhe “IuteCredit”. Tashmë ka zyrtarë të dyshuar të cilët kanë lejuar këtë veprimtari.

Banka Qendrore e Kosovës, kishte vendosur t’i mbyllte ato.

Insajderi mëson se kjo ka ardhur pas paralajmërimeve për rrezik të madh të sigurisë kombëtare.

“Mintos”, e drejtuar nga  Martins Valters është në pronësi të tij dhe disa aksionarëve të tjerë. Bazuar në dokumente sekrete dhe burime të hapura, Insajderi zbulon se kjo platformë përdoret nga investitorë rusë përmes institucioneve financiare nga Rusia.

Institucionet nga Rusia ofrojnë shërbime të investimeve, përmes valutës Rubla në “Mintos” në Estoni dhe nga atje futen si investime në në “Mintos” Lituani. Prej atje, këto fonte kanë hyrë në Kosovë nëpërmjet  “Monego”, “IuteCredit” dhe “Mogo Leasing”. Origjina e parave është nga Rusia.

Ndonëse përfaqësues të “Monegos” dhe “IuteCredit” në Kosovë e kanë mohuar se kanë lidhje me të njëjtin pronar, Insajderi ka zbuluar se Martins Valters, ka paditur këto dy subjekte për shkak të humbjes së licencës në Kosovë.

Ai po ua kërkon 11 milionë euro kompensim.

Insajderi ka zbuluar se, Valters, i cili sipas AKI-së dhe shërbimeve perëndimore është i lidhur me shërbimin sekret rus, ka ushtruar padi më 3 janar 2020.

“Mintos” ka kërkesa kreditore të mëdha. Ai prej “Monego” po kërkon 9,000,000,00 euro, derisa prej “IuteCredit”, po kërkon 3,000,000,00 euro.

Një raport i institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, ka siguruar një kopje të pasaportës së Martins Valters. Në raport pretendohet se qëndron një vulë e shërbimit rus.

“Në pasaportën e tij janë gjetur edhe vula dhe viza të ndryshme ku ka udhëtuar disa herë në destinacione të largëta në një afat të shkurtër kohor. Një fakt tjetër i rëndësishëm është se përveç që ka viza për hyrje në Rusi, ai ka edhe një vulë të stampuar, në të cilën shkruarën me shkronja cirilike FSB Rusi. Autoritet i vetëm në Rusi si FSB është ai i Federal Security Service që është pasardhës i KGB-së ruse”, shkruan në këtë dokument të autoriteteve kosovare.

 

Martins Valters

Në pjesën e parë të këtij hulumtimi, Insajderi zbulon lidhjet e këtyre institucioneve me subjekte tjera të cilat janë të lidhura direkt me Rusinë dhe subjekte që janë nën sanksione të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, deputetë rusë, e firma të lidhura në trafikimin ndërkombëtar të armëve dhe municioneve.

Insajderi ka zbuluar se “IuteCredit” në Kosovë ka pranuar para nga “SWEDSKE BANK”. Kjo bankë është akuzuar dhe është në procese hetimi pikërisht për lejimin e apo krijimin e kushteve për të vepruar bizneset të cilat janë të ndërlidhura me oligarkë dhe struktura shtetërore ruse që kanë tendenca të ndryshme destabilizimi në rajon. Këtë tendencë dyshohet se e ka pasur “IuteCredit Europe”, “IuteCredit Kosovo” dhe biznese të tjera që ndërlidhen me pronarët e tyre.

Nga të gjeturat tjera për pronarët e subjektit “IuteCredit Kosovë”, rezulton të jetë subjekti juridik “IuteCredit Europe”.

Insajderi, ka zbuluar se pronarë të “IuteCredit Europe” janë Tramo Sild dhe Allar Niinepuu. Megjithatë, në një reagim të “IuteCredit Europe”, të 3 dhjetorit 2019, thuhet se se aksionar kryesor është Alarmo Kapital me 89.81% të aksioneve. Aty thuhet se Tramo Sild është shef ekzekutiv dhe Allar Niinepuu – shef i bordit drejtues.

Ky reagim dëshmon për lidhjen e “Alarmo Kapital” me personat Tarmo Sild dhe “IuteCredit Europe”.

“ALMARO KAPITAL” është në pronësi të aksionarëve Tarmo Sild dhe Allar Niinepeuu.

Një lidhje e subjektit juridik “ALARMO KAPITAL OU”, është me subjektin juridik “ARCO VARA”. “ALARMO KAPITAL OU” rezulton se është aksionari i 27 % të aksioneve në subjektin juridik “ACRO VARA”.

“ACRO VARA”, është themeluar nga Arti Arakas, një sipërmarrës i dyshimtë.

Sipas informacioneve të siguruara nga Insajderi, ky subjekt juridik është marrë  me transportimin e mjeteve luftarake si municion e eksploziv përmes transportit detar nga Libia, Tunizia, Italia, Greqia, Kroacia dhe Ukraina.

Në vitin 2013 subjekti juridik “ARCO VERA” është shitur për 650,000 euro. Kjo shumë konsiderohet e vogël krahas veprimtarisë së saj.

Tash, “ACRO VARA” është në pronësi të disa aksionarëve.  “ALARMO KAPITAL”,  “LOHMUSHOLDING AS”, që është edhe aksionar kryesor i “LHV Prank” dhe “Larmmus Holding AS”, “Baltplast AS”,Firebird Republics Fund LTD” dhe personi fizik Hillar-Peeter Luitsalu.

Shef ekzekutiv apo drejtor është Tarmo Sild – njëri nga pronarët e “IuteCredit JSC” dhe “Iute Credit Europe”.

Ndërkohë, subjekti “ACRO VARA”, përveç Estonisë operon edhe në shtet tjera si Lituania, Bullgaria. Veprimtaria kryesore e këtij subjekti është shitblerja e patundshmërive dhe ndërtimi I objekteve për banim kolektiv.

Projektet e këtij subjekti janë financuar nga banka të ndryshme. I fundit projekt është ai i dy subjekteve rezidenciale që do të ndërtohen në Talin dhe Tartu të Estonisë. Ky projekt do të financohet nga “CoopPank AS”.

Sipas dokumenteve dhe të dhënave që ka siguruar Insajderi, “CoopPank AS” deri në fund të vitit 2018 ka qenë në listën e sanksioneve të Departamentit amerikan të Thesarit.

Arsyeja pse “CoopPank” është futur në listën e sanksioneve ka të bëjë me faktin se është e lidhur me regjimin e Putinit. Kjo kompani ka hise edhe në Bankën e Moskës.

Ndërkaq, aksionari “Baltplast AS” ka përfituar aksione nga një ish aksionare e quajtur Mari Tool. Ajo është bashkëshortja e Toomas Tool, një biznesmeni estonez, kontrovers, i dënuar për manipulim tregjesh, i cili në vitet e 90-ta ka privatizuar fabrikën e plastikës “Polymer” e cila në të kaluarën është quajtur “TEGUR”.

Kjo fabrikë tash quhet “Balplast”.

Toomas Tool dhe Jaak Roosippuu kanë qenë aksionarë në “Talin Bank”, e cila është në hetim për pastrim të parave.

Insajderi zbulon se aksionet e Maria Tool janë blerë sërish nga subjekti juridik “Balplast AS” në pronësi të bashkëshortit të saj Toomas Tool.

“Firebird Republics Found LTD”, është një fond privat, sovran i investimeve kapitale në ish shtete të Bashkimit Sovjetik dhe Evropën Lindore.

Nga informatat e mbledhura, “Firebird Republics Fund LTD” është regjistruar në një juridiksion “offshore” më saktësisht në Cayman Island, në adresën e subjektit “Trident Trust”.

Kutia postare e saj është e njëjtë me “Trident Trust”, që tregon se janë të njëjta. Pos kësaj, edhe numri i telefonit kontaktues është i njëjtë i të dy kompanive.

“Triden Trust” është një kompani që ka degët e saj në gjitha vendet “offshore” dhe konsiderohen parajsa fiskale ku privatësia e pronarëve përfitues është problem për t’u zbuluar. Shtetet ku operon “Trident Trust” janë Ishujtë e virgjër britanik (Britsh Virgjin Islands), Qipro, Caymen Islands, Bahamas, Belize, etj.

Dokumentet e siguruara nga Insajderi tregojnë se “Trident Trust” është e lidhur me “PsyGroup”, e cila lidhet me figura politike të afërta me presidentin rus, Vladimir Putin dhe oligarkë rusë.

Lidhjet e “PsyGroup” çojnë në degën e “Trident Trust” të Qipros. “Protexer” është degëzuar me 15 filialet e tjerë të “Trident” në Qipro, një ofrues i shërbimeve korporatave, besimi dhe administrimi të fondeve për sektorin e shërbimeve financiare.

“Trident” ofron shërbime për mijëra kompani në të gjithë botën, por dega e saj në Qipro vepron si aksionar i vetëm në 16 kompani në Qipro dhe Ishujt e Virgjër Britanikë. Të gjitha këto kompani kanë lidhje me bankat ruse.

Pronari i “PsyGroup”, është “IOCO Limited” në Qipro. Para se të kishte në pronësi të “Protexer”, IOCO ishte në pronësi të “Prime Nominees Limited” dhe “Sea Holdings Limited”, të regjistruara në Ishujt e Virgjër Britanikë.

Mediat ndërkombëtare kanë raportuar se kompania mëmë e “PsyGroup” është regjistruar në Ishujt e Virgjër Britanikë e quajtur “Protexer Limited”. Të gjitha lidhjet e tyre dërgojnë në Rusi.

Kompania “Protexer”, është e lidhur me “Financial Service Limited”, e cila kontrollohet nga “Grupi Metropol” në Moskë, një konsorcium rus me kapital shumë miliardë dollarësh.

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe oligarku dhe ish-deputeti, Mikhail Slipenchuk

“Metropol” kontrollohet nga miliarderi rus Mikhail Slipenchuk, anëtar i Dumës Ruse nga viti 2011, deri në fillim të vitit 2016. Ai po ashtu është anëtar i partisë së Vladimir Putinit, Rusia e Bashkuar.

Pasi perandoria “offshor” e Slipenchuk u zbulua në 2016 nga Panama Papers, biznesmeni vendosi të mos kandidojë në rizgjedhje më.

Megjithëse nuk konsiderohet si një nga oligarkët kryesor të Rusisë të lidhur me Putin, Slipenchuk është i lidhur mirë në botën e biznesit dhe politikës në Rusisë.

Kontrolli i Slipenchuk mbi MGTM, zbulon kontrollin e tij mbi “Metropol” dhe kompaninë mëmë “PsyGroup”, e “Protexer”.

Bazuar në dokumentet e Insajderit, subjekti juridik “Firebird Republics Found LTD”, aksionar i së cilës është “Acro Vara”, menaxhohet nga Tarmo Sild – pronari i “IuteCredit Europe”. Ai ka pasur marrëdhënie biznesore me “LM Moor SpIvensment” dhe me “SV Company LTD”.

Subjekti “LM Moor SpIvensment”, është një subjekt i hapur në një territor “ Offshore” dhe i njëjti është zbuluar në aferën e “PanamaPapers”. Sipas informatave të siguruara nga baza e të dhënave të “PanamaPapers” subjekti juridik “LM Moor Sp Ivensment” është aksionar në “Ros Euro Development Holdin Corporateion”. Aksionar tjerë dhe drejtor në subjektin juridik “Ros Euro Development Holding Corporateion”, është Grishin Sergey.

Grishin Sergey, është një ish bankier kontrovers i përfshirë në aktivitetet të ndryshme që ndërlidhen me skema të subjekteve të ndryshme ruse. Ai, në vitin 2018 ka kërkuar nga presidenti amerikan, Donalt Trump që në këmbim të shtetësisë amerikane t’i ofrojë informacione të shumta që kanë të bëjnë me krimin e organizuar rus dhe politikanët rusë.

Ai, sipas Projektit për Raportim të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Organizuar, së bashku me subjektin “Ros Bank Euro” të cilën e ka drejtuar, kanë pasur rol kryesor në të ashtuquajturën “Russina Landromat”.

Të gjitha këto kompani dhe lidhje të padukshme, shpijnë në Kosovë me subjektet e mbyllura, “Monego” dhe IuteCredit”.

Nesër: Çfarë qarkullimi bankar kanë pasur “Monego” dhe IuteCredit”? Nga cilat kompani kishin ardhur paratë e tyre në Kosovë? Si u bë që 16 persona në Kosovë t’i jepnin para me fajde “IuteCredit”? Cilat janë lidhjet e “Monegos” me një prej oligarkëve me më ndikim rus?/Insajderi.com