Milionat e shtetit në duar të zyrtarëve të korruptuar nga Natali Velijaj

Disa zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, vazhdojnë të jenë të paprekshëm, ani se mbi ta hidhen dyshime se janë të përfshirë në aferën e korrupsionit të pasaportave. Ky grup zyrtarësh kanë negociuar dhe nënshkruar një kontratë 20 milionë euro. 7 milionë euro nga kjo kontratë nuk dihet se ku shkojnë. Thuhet se me to mirëmbahen makineri dhe sistemi i prodhimit të dokumenteve. Por, këto makineri kanë garancion dhe nuk e kalojnë vlerën e 1.5 milionë eurove. MPB vazhdon të mos ofrojë dëshmi se çfarë punësh ka kryer kompania fituese e tenderit.

Milionat e shtetit në duar të zyrtarëve të korruptuar nga Natali Velijaj

Njerëzit që vendosin për tenderë multimilionësh në Ministrinë e Punëve të Brendshme, janë personazhet kryesore të një afere korrupsioni vite më parë.

Natali Velijaj, e dënuar me burgim për tenderin e pasaportave ndërmjet MPB-së dhe kompanisë austriake OeSD, ka zbuluar për Insajderin kohë më parë se si i kishte korruptuar zyrtarët e shtetit.

Velijaj, kishte treguar se ish-shefit të prodhimit në Ministri të Punëve të Brendshme, Besnik Berisha ia kishte dhënë 650 mijë euro para të thata.

Ajo kishte treguar se shumën e dhënë prej 650 mijë eurosh, Besnik Berisha i kishte ndarë më zyrtarët tjerë të Ministrisë së Punëve të Brendshme: Arben Osmani – drejtor i Regjistrit të Gjendjes Civile, Bekim Hoxha – drejtori aktual i Agjencisë së Regjistrimit Civil, Agim Fejzullahu – drejtor i Zyrës së Prokurimit në MPB dhe Abedin Mehmetin, kryeshef i Agjencisë së Regjistrimit Civil.

“Po e përsëris: 650 mijë euro janë dhënë për zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme”, kishte thënë ajo.

“Bekim Hoxhës bile ja pata ble një lapotop ‘HP’, si temin edhe e di që i ka dy çika binake. Qaq jam familajrizu unë me ta, që krejt au di senet”, kishte treguar ajo.

Ryshfeti për zyrtarët e MPB-së është dhënë, sipas saj për të bërë lëshime për kompaninë austriake. Thuajse të gjitha kërkesat e kompanisë plotësoheshin nga MPB.

“Prej 1 milion e 400 mijë eurove që janë paguar nga MPB, 30 mijë ia kam dhënë kesh Bashkim Shalës, 650 mijë Besnik Berishës. 150 mijë i kam qit në llogari të Bujar Canollit në emër të rinovimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, 160 mijë janë paguar Doganë edhe TVSH”, saktësonte ajo.

Si rezultat i ryshfetit për zyrtarë të MPB-së, Velija kishte thënë se janë pranuar makinat, siç i quan ajo, bërllok.

Ajo tregonte se dëshmitare e kishte një punëtore të saj, Albulena Jasharin, e cila në gjykim nuk ka guxuar të dëshmojë për shkak të kërcënimeve.

Pikërisht, disa prej këtyre eksponentëve vazhdojnë të jenë njerëzit kryesor për tenderët tjerë në MPB.

Nëpër duart e tyre kalojnë miliona të shtetit. Vendosin për tenderë e projekte të ndryshme. Ata madje kanë autoritet për të vendosur për tenderë të negociuar sic është tenderi me kompaninë gjermane, “Veridos”. Tenderi është i dyshimtë për shkak se ka shkuar me procedura të negociuara dhe për shkak të një shume prej 7 milionë eurosh për mirëmbajtje sistemesh e pajisjesh që kanë garancion dhe nuk e kalojnë vlerën e 1.5 milionë eurove.

Agim Fejzullahu, të cilit Velijaj thotë se i ka dhënë para kesh është njëri prej nënshkruesve të kontratës.

Tenderi i negociuar për prodhimin e pasaportave, letërnjoftimeve dhe patentë-shoferëve, që peshon afro 20 milionë euro, hedh dyshime se dikush është duke përfituar miliona euro për punë që nuk ekzistojnë.

Një nen i kontratës shtetit të Kosovës i kushton 7 milionë e 498 mijë euro për pesë vjet sa zgjatë kontrata.

Barra për këtë kontratë bie mbi ish-ministrin e Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ish-sekretarin e MPB-së, Driton Gashi, ish-drejtorin e Agjencisë së Regjistrimit Civil, Lulzim Ejupi dhe shefin e prokurimit, Agim Fejzullahu.

Driton Gashi, nga pozita e sekretarit kishte shkuar në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës. Vendin e tij e kishte zënë, Lulzim Ejupi.

Se kontrata e dytë është e dyshimtë dhe shumë e shtrenjtë dëshmohet edhe me kontratën paraprake që Ministria e Punëve të Brendshme kishte me kompaninë gjermane “Veridos”.

Kontrata e parë për prodhimin e pasaportave peshonte 6 milionë e 631 mijë e 896 euro me kohëzgjatje prej 3 vjetësh. Ndërkaq, kontrata për “Furnizim me letërnjoftime elektronike dhe sisteme (softuer dhe harduer) për personalizimin e letërnjoftimeve”, kishte vlerë prej 7 milionë e 879 euro.

Nuk kishte asnjë nen që parashihte mirëmbajtjen. E dyta që zgjatë 5 vjet kushton hiç më pak se 19 milionë e 817 mijë e 750 euro.

Vetëm mirëmbajtja në kontratën e dytë është më shtrenjtë sesa gjithë kontrata e parë për prodhimin e pasaportave.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme nuk kanë treguar arsyet përse procedura e prokurimit ka qenë e negociuar dhe pse është kufizuar konkurrenca.

MPB-ja nuk ka mundur ta arsyetojë shumën prej shtatë milionë eurosh për mirëmbajtje. Ndonëse kanë thënë se ka shumëçka për t’u mirëmbajtur, nuk kanë ofruar dokumente se çfarë shërbimesh ka kryer kompania.

Burime brenda MPB-së kanë treguar se kompania gjermane nuk ka kryer kurrfarë mirëmbajtjeje. Kanë treguar se mirëmbajtjen e pajisjeve dhe sistemeve e kryejnë zyrtarët, Arben Osmani dhe Driton Salihu. Ata paguhen rreth 1400 euro në muaj për punën që bëjnë.

“Është e rëndësishme të dihet se kush e ka mirëmbajtur sistemin dhe pajisjet në kontratën e parë. Natyrisht se këta dy zyrtarë. Në kontratën e parë nuk ka qenë kurrkund e përfshirë mirëmbajtja. Kontrata e dytë e parasheh një gjë të tillë, ndërkohë që nuk ka kurrfarë mirëmbajtje”, kanë thënë burime brenda MPB-së.

Burimet kanë treguar se pikërisht për këtë çështje ka pasur mosmarrëveshje brenda zyrtarëve të MPB-së, atyre që janë kundër që shteti të paguaj shtatë milionë euro mirëmbajtje, dhe atyre pro./Insajderi.com

Vijon

Tenderi i dyshimtë i pasaportave, 7 milionë euro mirëmbajtja e pajisjeve që kanë garancion

Natali Velijaj zbulon skemën kriminale – njerëzve të lidhur me politikën u dhash ryshfet me urdhër të austriakëve

Velija zbulon vjedhjen e organizuar të parave të shtetit

Velijaj: Shefi i prokurimit në MPB kërkoi 100 mijë euro për shtimin e faqeve të pasaportës