Ministria e Jashtme shkel rregulloren – nuk ua paguan konsujve të shkarkuar bileta kthyese

14 konsujt e shkarkuar nga Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca të cilët ishin me misione diplomatike në shtete të ndryshme, kanë filluar të kthehen në Kosovë. Por pavarësisht se një udhëzim administrativ i MPJ-së thotë se konsujve dhe familjeve të tyre u paguhen biletat në fillim dhe përfundim të mandatit në mision, ata u detyruan t`i paguajnë vet. Zyrtarë të MPJ-së janë arsyetuar duke thënë se këta konsuj ishin emëruar me vendim të paligjshëm.

Ministria e Jashtme shkel rregulloren – nuk ua paguan konsujve të shkarkuar bileta kthyese

Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca para dy jave ka shkarkuar nga detyrat diplomatike 14 konsuj të Kosovës në shtete të ndryshme.

Xheraldina Rexhepi, Festim Lushtaku, Kadri Balaj, Henor Pakashtica, Xhavit Gerbeshi, Ngadhnjim Makolli, Ramiz Ismajli, Ismet Hajdini, Modesta Imeri, Eshref Haxhiu, Kadri Gërvalla, Lutfi Bilalli, Liridon Sadrija dhe Diellza Hoti, tashmë kanë filluar t`i lënë vendet ku ishin konsuj.

Por konsujve ministria, nuk ua ka paguar shpenzimet e kthimit ani pse për këtë janë të obliguar me një udhëzim administrativ, shkruan Gazeta Insajderi.

Njoftimin për mos pagesën e shpenzimeve për kthim, Ministria e Punëve të Jashtme ua ka bërë të ditur konsujve të shkarkuar përmes një emaili dërguar atyre.

Në këtë email që e ka siguruar Insajderi, Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme,  ia ka dërguar shefave të misioneve diplomatike, me datës 26 Shkurt 2020, thuhet se “në pajtim me vendimet e marra nga ministri Konjufca, ministria nuk i mbulon shpenzimet e udhëtimit si dhe bartjen e gjësendeve të tyre”.

“Më lejoni të ju njoftoj së në pajtim me vendimet e marra nga Ministri Konjufca për konsujt që kanë të bëjnë me kthimin e tyre nga misioni, luteni të i informoni se Ministria nuk i mbulon shpenzimet e udhëtimit si dhe bartjen e gjësendeve të tyre. Faleminderit për bashkëpunim”, thuhet në këtë e-mail dërguar shefave të misioneve nga zyra e sekretarit.

Ky veprim i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, bie ndesh me Udhëzimin Administrativ 03/2012, neni 6, paragrafi 1, i cili e detyron ministrin e Jashtme t’ia mbulojë shpenzimet e udhëtimeve të përfaqësuesve diplomatike a konsullore dhe të familjarëve të tyre.

“Ministria mbulon shpenzimet e udhëtimeve të përfaqësuesve diplomatike a konsullor dhe të familjarëve të tyre, vetëm në fillim dhe përfundim të mandatit në mision dhe vetëm në klasën ekonomike”, thuhet në nenin 6 të Udhëzimit Administrativ 03/2012.

Zyrtarë të MPJ-së e kanë arsyetuar këtë veprim të tyre. Ata thonë se këta konsuj ishin emëruar me vendim të paligjshëm.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës nuk ka asnjë obligim ndaj bartësve të pozitave me vendime të paligjshme, meqë asnjëherë nuk kanë qenë diplomatë apo shërbyes civilë të ligjshëm”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për Insajderin.

Njeri prej konsujve të shkarkuar, i kontaktuar nga Insajderi, por që nuk ka dashur t`i publikohet emri, ka thënë se për shkak të mos zbatimit të Udhëzimi Administrativ nga MPJ, është detyruar që të paguaj shuma me vlerë prej qindra eurove për kilogram të tepërt nëpër aeroporte.

“Unë si konsull jam detyruar që për shkak të vendimit mos zbatimit të këtij udhëzimi administrative, t`i le prapa gjësendet me vlere dhe të paguaj në aeroport shumë me vlerë prej qindra eurove”, thotë njëri nga Konsujt.

Ai gjithashtu shprehet se të gjithë konsujt kanë qenë diplomat të akredituar dhe se kanë gëzuar imunitet diplomatik në shtetet pranuese.

“Gjithë konsujt kanë qenë diplomat të akredituar në shtetet pranuese, kane një vendim me datë dhe numër reference (numër Protokoli) dhe janë të nënshkruar nga ministri i Punëve të Jashtme si dhe gjithë konsujt  kanë  poseduar ID diplomatke dhe kanë gëzuar imunitet diplomatik në shtetet pranuese”, thotë ai.

Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe me njohësin e proceseve ligjore, Mazllum Baraliu për të pyetur për këtë mosrespektim të këtij neni. Ai thotë se ky vendim ose është çështje e mos informimit ose keqkuptimit, përndryshe, kjo është  mosrespektim i akteve normative që i kanë miratuar vetë ministria.

“Kjo është mosrespektim i akteve normative që i kanë miratuar vetë ministria. Akti i tillë, është akt nënligjor që e ka miratuar ministria përkatëse për punonjësit e saj në përputhje me ligjin dhe është e detyruar kjo ministri apo cila do ministri tjetër, që ajo që parashihet në ligj dhe në aktet nën ligjore, siç janë udhëzimet e tilla administrative t’i respektojë dhe t’i zbatojë”.

“Detyrimisht nuk ka zgjidhje tjetër dhe mendoj se është ose çështje e mos informimit ose keqkuptimit, përndryshe nuk ka asnjë kuptim që ministria, diçka që e ka në akt normative, të mos ja njohë të drejtën”, shprehet Baraliu.

Baraliu, gjithashtu ka shtuar se brenda ministrisë së Jashtme është komisioni i ankesave dhe se këta punonjësit kanë të drejtë ta padisin ministrinë.

“Me ligj është e paraparë që të ankohen, në radhë të parë në adresën brenda ministrisë dhe në qoftëse komisioni nuk merr vendim në frymën e aktit normativ, atëherë punonjësi i ministrisë përkatëse në këtë rast i punëve të Jashtme, ka të drejtë që t’i drejtohet organeve tjera për mbrojtjen e ligjorë, gjithësisht organeve gjyqësore, ta padisë ministrinë për dëmin e shkaktuar, gjithashtu për mosrespektimin e aktit normativ përkatës” ka përfunduar Baraliu. /Insajderi.com