Shpenzimi i mbi 600 mijë eurove për festimet e dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës, është bërë pa asnjë kontatë me operatorët ekonomik.
Zyra e Auditorit ka gjetur se Ministria e Kulturës, përmes së cilës janë shpenzuar mbi 800 mijë euro, nuk ka nënshkruar paraprakisht asnjë kontratë me kompanitë e kontraktuara për festimet, ashtu siç është e obliguar me ligjit për Shpenzimin e parave publike, shkruan Insajderi.
Me ligj kërkohet që zyrtari i financave, nuk mund ta certifikojë asnjë dokument për pagesë, nëse nuk fillimisht nuk i dorëzohet kërkesa shpalljen e tenderit apo urdhërblerja, pas kësaj të të sigurohet se kushtet e zbatueshme të një kontrate publike të jenë përmbushur.
Krejt në fund në bazë të ligjit, duhet t`i ofrohet siguria se janë zbatuar të gjitha nivelet e kontrollit të brendshëm financiar, për të proceduar me pagesat.
Në rastin e shpenzimeve të dhjetëvjetorit nuk janë ndjekur këta hapa të paraparë me ligj.
Sipas Zyrës Kombëtare të Auditorit, në të paktën 9 pagesa të testuara, të cilat kapin vlerën e 668 mijë eurove, MKRS nuk kishte lidhur paraprakisht ndonjë kontratë apo marrëveshje me operatorët ekonomik, madje nuk ka pasur as përcaktim të shërbimeve apo punë që do të realizoheshin si dhe çmimet që do të paguhen për to.
ZAP alarmon se pagesat e tilla pa kontratë paraprake, rrisin rrezikun që paratë publike të shpenzohen pa kontrollë.
“Planifikimi jo i mirë dhe realizimi i aktiviteteve në mungesë të kontratave të definuara qartë për shërbimet dhe çmimet që do të kryhen, rrit rrezikun që kostoja e shërbimeve të pranuara të jetë më e lartë sesa kostoja e tregut, dhe njëherësh mund të rezultojë në dëmtim të buxhetit”, thuhet në gjetjen e ZAP.
Zyra Kombëtare e Auditorit ka kërkuar nga Ministria e Kulturës, që të siguroj se aktivitetet e caktuara dhe buxheti për realizimin e tyre planifikohen me kohë.
“Njëherit para realizimit të aktiviteteve duhet të zhvillohen procedurat përkatëse, në mënyrë që në kontrata/marrëveshje përcaktohen qartë shërbimet që do të realizohen si dhe çmimi i tyre”, thuhet në raportin e ZAP.
Gazeta Insajderi ka raportuar në vazhdimësi rreth shpenzimeve të dhjetëvjetorit.
Mbi 600 mijë eurot e ndara fillimisht nga Qeveria për shënimin e dhjetëvjetorit të Pavarësisë, nuk kishin ë mjaftuar për të mbuluar të gjitha shpenzimet. Edhe rreth 250 mijë euro të tjera është dashur të shtohen. Në total shteti ka shpenzuar 842 mijë e 679 euro të taksapaguesve për të paguar të gjitha faturat.
Rreth 400 mijë euro ishin shpenzuar vetëm për organizimin e koncertit kryesor të dhjetëvjetorit të Pavarësisë, ku për më pak se një orë performoi këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora.
Kompanisë “NSh AMC” e cila është përkujdesur për pjesën teknike të oragnizimit qendrorë të kësaj feste, shteti i ka paguar në tri pagesa të ndara shumën prej 394 mijë e 852 euro. Kurse në një faturë tjetër të lëshuar për kompaninë “AMC Corporation”, Ministria e Kulturës ka paguar shumën prej 45 mijë euro, shkruan Insajderi.
Një tjetër kompani që ka fituar mbi 250 mijë euro, është kompania “VM3”. Ministria e Kulturës bazuar në listën e pagesave ka paguar dhjetë fatura të kësaj kompania, që në total arrinë vlerën e 252 mijë e 472 euro.
33 mijë euro për akomodimin e Rita Orës dhe mysafirëve në hotelin e Pacollit
Akomodimi i Rita Orës, stafit të saj dhe mysafirëve të ftuar për dhjetëvjetrorin e Pavarësisë është bërë në hotelin luksoz të zëvendëskryesminitrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, Sëiss Diamond Hotel.
Në shtatë fatura të ndara shteti i ka paguar hotelit të zëvendëskryeministrit Pacolli shumën prej 33 mijë 652 euro, shkruan Insajderi.
Nga shuma totale e krejt shpenzimeve një faturë në shumën prej 25 mijë e 960 euro i është paguar kompanisë “ZeroPozitiv SHPK”, 24 mijë euro për fishekzjarret e kompanisë Panda T dhe 18 mijë e 172 euro shtypshkronja NTG ”Blendi”.
Sipas listës se pagesave që Ministria e Kulturës i ka ofruar Insajderit 10 mijë e 882 euro janë bërë pagesa sipas listës, por që nuk specifikohet se çfarë liste.
Lista e shpenzimeve tjera:
Besa Security – në tri fatura të ndara i është paguar shuma prej 6 mijë 998 euro.
Ansamblit Shota – 4 mijë e 880 euro.
Shoqata e artistëve interpret – 3 mijë e 600 euro.
Eliza Hoxhës – 3 mijë e 520 euro.
Hotel Garden – 6 mijë e 303 euro.
Hotel Begolli – 1 mijë e 500 euro.
Project Graphics – 119 euro.
Studio forma – 359 euro.
Autosalloni Shotani -1 mijë e 400 euro.
Vavads LLC – 4 mijë e 500 euro.
Caza Moda DPT – 3 mijë e 780 euro.
Lexo më shumë rreth kësaj teme:
Afro 1 milion euro për 10 vjetorin e pavarësisë – Si u shpenzuan mbi 200 mijë euro jashtë buxhetit?
Shteti fsheh faturat e shpenzimeve për 10-vjetorin e pavarësisë