Ministrja Hoxha shpenzon rreth 50 mijë euro të taksapaguesve për udhëtime jashtë vendit

Mbi 80 mijë euro të taksapaguesve kosovarë janë shpenzuar për udhëtime jashtë vendit, karburante dhe telefonave për Ministrinë e Integrimeve Evropiane e cila udhëhiqet nga Dhurata Hoxha. Pas udhëtimeve jashtë vendit të ministres Hoxha, që arrin shifrën e mbi 45 mijë euro, mbi 30 mijë euro janë shpenzuar për karburante dhe për shpenzimet dhe blerjen e telefonave mobil nga kjo ministri.

Ministrja Hoxha shpenzon rreth 50 mijë euro të taksapaguesve për udhëtime jashtë vendit

Dhurata Hoxha, Ministrja e Integrimeve Evropiane për tre vjet ka shpenzuar një shumë prej 45 mijë e 563 euro për udhëtime jashtë vendit duke përfshirë këtu, mëditjen, akomodimin dhe shpenzimet tjera të udhëtimit. Ndërsa zëvendësi i saj, Lirak Çelaj brenda dy viteve, prej kur e ka marr këtë post për udhëtime jashtë vendit ka shpenzuar 4 mijë e 363 euro.

Bazuar në të dhënat e siguruara nga Gazeta Insajderi ministrja Hoxha vetëm në vitin 2017 ka shpenzuar 9 mijë e 453 euro për të udhëtuar jashtë vendit. Ndërsa viti 2018 në bazë të këtyre të dhëna ka qenë më i ngarkuar me udhëtime për ministren, brenda kësaj periudhe kohore ajo ka shpenzuar gjithsej 28 mijë e 539 euro.

Kurse për tre muajt e parë të viti 2019, 7 mijë e 571 euro të taksapaguesve kosovarë ministrja Hoxha ka shpenzuar për udhëtime jashtë vendit, shkruan Gazeta Insajderi.

Ndërsa zëvendësi i vetëm i ministres së Integrimeve, Lirak Çelaj për vetëm dy vite ka shpenzuar 4,363 euro për udhëtimet e tij jashtë vendit, duke përfshirë mëditje, akomodim dhe shpenzime tjera.

Në listën e shpenzimeve të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi, Çelaj në vitin 2018 ka shpenzuar 1,488 euro për udhëtime jashtë vendit, kurse në tre muajt e parë të vitit 2019 ai ka shpenzuar mbi 2 mijë euro nga taksapaguesit kosovarë për udhëtimet e tij.

Mbi 30 mijë për shpenzimet për telefona e karburante

Por mijëra euro tjera janë shpenzuar nga buxheti i shtetit për karburante për tërë Ministrinë e Integrimeve Evropiane. Fiks 27 mijë e 911 euro kjo ministri ka shpenzuar për karburante brenda tre vjetëve.

11 mijë e 519 euro janë shpenzuar në vitin 2017 ndërsa në vitin 2018 gjithsej 13 mijë e 25 euro, kurse brenda tre muajve të këtij viti shuma e shpenzimeve për karburant ka arritur shifrën 3,366.85 euro, shkruan Insajderi.

Gati 4 mijë euro kjo ministri ka shpenzuar për telefona mobil. 1,210 euro janë shpenzuar vetëm në vitin 2017 ndërsa në vitin 2018 kosto e shpenzimeve për telefona mobil është fishuar për disa qinshe.  1,680 euro Ministria e Integrimeve ka shpenzuar për blerjen e telefonave.

Ndërsa në vitin që sapo kemi filluar kjo ministri ka shpenzuar 955 euro për blerjen e telefonave.

Kujtojmë se kjo ministri është ministria e vetme që udhëhiqet nga një grua dhe ka numrin më të vogël të zëvendësministrave, me vetëm një zëvendës.

Ministria e Integrimeve Evropiane, e udhëhequr nga Dhurata Hoxha, është njëra prej ministrive me më së paku kredibilitet tek qytetarët.

Ministrja Hoxha ka premtuar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës rreth dy vjet më parë, por premtimet e saj ende nuk janë përmbushur. /Insajderi.com