MPB nën kthetrat e krimit – trafikantë ndërkombëtar të drogës pajisen me shtetësi të Kosovës

Të paktën tre trafikantë të drogës, një vrasës me pagesë, dhe një e dënuar me dhjetë vjet burgim në Turqi, kanë arritur të bëhen shtetas të Kosovës, duke u pajisur me të gjitha dokumentet. Turku i gjetur i vdekur në Prishtinë, Nejdet Cesuroglu, në banesën e të cilit ishin gjetur 113 kilogramë heroinë, ka marrë dy identitete në Kosovë. Njërin me emrin Lavdim Nimani dhe tjetrin, Ljuljzim Shalja. Iskender Sale, kishte marrë po ashtu dy identitete, Xhemaj Shala dhe Skender Sheremeti. Vrasësi malazias, Mario Millosheviq, kishte marrë shtetësinë kosovare nën emrin, Miroslav Kostiq. Ndërkaq, turkja, Ozden Gur, kishte marrë shtetësi me emrin Filloreta Rama. Këta persona shtetësinë e kanë marrë duke paguar e korruptuar zyrtar të MPB-së.

MPB nën kthetrat e krimit – trafikantë ndërkombëtar të drogës pajisen me shtetësi të Kosovës

Nehat Nimani, ishte shokuar kur e kishte marrë lajmin se një shtetas turk ishte gjetur i vdekur në një banesë në Prishtinë.

Tronditjen ia kishte shkaktuar fakti se i vdekuri mbante identitetin e vëllait të Nehatit, Lavdimit i cili jeton në Suedi.

Ai nuk po mund ta kuptonte se si ky turk i vdekur i kërkuar nga Interpoli për trafikim droge, në banesën e të cilit ishin gjetur 113 kilogramë heroinë, kishte emrin, mbiemrin, datën e lindjes, vendin e lindjes dhe numrin personal të vëllait të tij.

Të vërtetën e kishte kuptuar disa javë më vonë, kur një polic i kishte telefonuar për t’i treguar se vëllait të tij, i ishte vjedhur identiteti dhe i ishte shitur një trafikanti të drogës, shkruan Insajderi.

I shpalluri në kërkim, Nejdet Cesuroglu alias Lavdërim Limani, i dyshuar si pjesë e një grupi të madh trafikantësh të drogës, ishte gjetur i vdekur më 2 dhjetor të vitit të kaluar në një banesë në Prishtinë.

Përveç përvetësimit të identitetit të Lavdim Nimanit, Nejdet Cesuroglu kishte marrë edhe identitetin e Ljuljzim Shalja, një kosovar tjetër që jeton në Londër.

Nëpërmjet grupeve të krimit të organizuar të lidhura me Ministrinë e Punëve të Brendshme, ai ka arritur që me të njëjtën fotografi dhe të njëjtat shenja të gishtërinjve të marrë dy shtetësi me të gjitha dokumentet në Kosovë, shkruan Insajderi.

Certifikata e lindjes e Lavdim Nimanit

Nehat Nimani, (1983) nga fshati Çabër mbanë në duar certifikatën e lindjes së vëllait të tij, Lavdimit, i cili jeton në Suedi që nga viti 1992.

Certifikata që mbanë në duar dëshmon ekzistencën e të vëllait me të gjitha të dhënat e nevojshme.

“Vllau nuk ka pasur dokument deri në 2017, kur iu ka dashtë me u martu me një vajzë të Klinës. E ka provu me nxjerrë certifikatë në Çabër, por nuk ka mundur ta marrë sepse kanë kërkuar një dokument të paraluftës të cilat na janë djegë. Ka shkuar në Klinë dhe e ka marrë certifikatën dhe ka ba kunor”, shpjegon ai.

Nehati, i cili arrin të sigurojë ekzistencën e familjes me shitje drush, tregon se një vit më herët e ka kuptuar se një turk e ka identitetin e vëllait të tij.

“Unë vjet kam ni që një turku i është dhanë identiteti i vëllaut. E kam njoftu vëllun. Më ka thanë s`di kurrgja. E kemi lanë pak si mas dore. Vëllu ka ardhë dy herë mas këtij rasti përmes aeroportit në Kosovë, por që asnjëherë se kanë kontaktu, as policia as kërkush”, shton ai, i shqetësuar me mundësinë që edhe vëllai i tij mund të pësojë nga kjo gjë.

Ai, madje thotë se kurrë vëllai i tij nuk është thirrur për të dhënë dëshmi.

Nuk është vetëm Nejdet Cesuroglu, trafikanti i vetëm i drogës që ka marrë shtetësi në Kosovë, shkruan Insajderi.

Identitetet e trafikantit turk: Iskender Sale, Cemail Sale, Xhemaj Shala, Skender Sheremeti

Shtetasi tjetër turk, Iskender Sale i lindur 03 janar 1983 në Turqi, ka arritur që të pajiset me dokumente dhe shtetësi të Kosovës.

Insajderi ka zbuluar se më 31 nëntor 2018 ka arritur të nxjerr letërnjoftimin, pasaportën dhe patentë shoferin në emër të Mehmet Gjinit, i lindur më 29 dhjetor 1982 në fshatin Bukosh të Suharekës.

Të gjitha këto dokumente ai i ka marrë me fotografi të vetë dhe shenja të gishtërinjve.

Trafikanti tjetër i heroinës dhe kokainës,  Cemal Sale, ka dy shtetësi kosovare, me të njëjtën ditëlindje 29 prill 1950, i lindur në Ozdrim të Pejës. Emri tjetër i tij është Xhemajl Shala. Ai është i lindur në Turqi, por ka prejardhje nga Kosova.

Nëpërmjet krimit të organizuar ka arritur të aplikojë me fotografi të vetën dhe gjurmë të gishtërinjve të tij për pasaportë dhe letërnjoftimin me emrin Skender Sheremeti – lindur më 18 shkurt 1950, në fshatin Sheremet të Gjakovës.

Përveç kësaj, ai ka arritur që ta ndërrojë vendbanimin nga Gjakova, në Obiliq, nën emrin Skender Sheremeti.

Dokumentet e tij janë prodhuar më 3 dhjetor 2018 në Ministrinë e Punëve të Jashtme, por nuk ka arritur t’i tërheq ato për shkak se ishte arrestuar një ditë më herët, derisa bashkëveprimtari i tij, Nejdet Cesuroglu që kishte dy identitete kosovare, njërin me emrin Lavdim Nimani dhe Ljuljzim Shalja, ishte gjetur i vdekur në lagjen Mat në Prishtinë. Në banesën e tij ishin gjetur 113 kg narkotikë të llojit heroinë.

Ata, janë pjesë e një grupi ndërkombëtar të drogës të lidhur me Shqipëri, Turqi, Kolumbi, dhe vende tjera perëndimore.

Hetimet e para

Informata të besueshme për këtë grup trafikantësh ishin deponuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës, në dhjetor të vitit 2017. Prokurorja, Florie Shamolli, ishte ngarkuar me rastin.

Në janar 2018 ishte hapur zyrtarisht hetimi me emrin “Firma”. Hetimet po i kryente njësia kundër drogës në Policinë e Kosovës. Dyshohej se persona të ndryshëm ishin të përfshirë në krim të organizuar dhe me substanca narkotike të llojit heroinë.

Në këtë grup kishte kosovarë, turq, dhe shtetas të Shqipërisë.

Ndërkohë, me 19 tetor 2018 në Has të Shqipërisë, Policia kishte zbuluar një laborator të prodhimit dhe përpunimit të heroinës dhe kokainës si dhe kishte konfiskuar 180 kilogramë heroinë.

Trafikanti i drogës, Admir Hoxha prej shumë vjetësh në Shqipëri është njohur si biznesmen. Mirëpo, ai besohet se drejtonte një grup të madh trafikantësh. Kishte lidhje të fuqishme me politikanë nga Shqipëria, përfshirë kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako.

Hoxha, kishte ndërtuar një laborator në shtëpinë e familjes Shuti në Has. Hetimet në Shqipëri kanë zbuluar se ai ishte ideatori i ngritjes së laboratorit, shkruan Insajderi.

Hetimet e Prokurorisë së Shqipërisë, kanë zbuluar se biznesmeni i shpallur në kërkim, kishte kontaktuar me dy shtetas turq dhe një kosovar, të shpallur në kërkim, duke lidhur marrëveshje me ta për sjelljen në Shqipëri të lëndës së parë për prodhimin e kokainës dhe heroinës dhe për të prodhuar drogat e forta.

Laboratori i drogës në Has të Shqipërisë

Admir Hoxha, i kishte takuar ata në hotelin e tij në Rinas. Iskander Sale dhe Nedjet Cesuroglu, të dy të pajisur me shtetësi kosovare. Njëri nën emrin Xhemal Shala dhe tjetri Lavdim Nimani.

Sipas Prokurorisë së Shqipërisë, Admir Hoxha siguronte shitjen e drogës. Grupi që do ta blinte ishte ai i Shijakut. Lidhja mes tij dhe këtij grupi të Shijakut ishte bërë nëpërmjet Saimir Gjepalit dhe Hekuran Hoxhës.

Nga përgjimet telefonike rezultonte se biznesmeni kishte komunikim të shpeshtë me dy personat, anëtarë të grupit të Shijakut që trafikonte kokainë, heroinë e kanabis brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Ishte po grupi i Shijakut që merrej më pas me shpërndarjen në tre grupe të tjera, në Lezhë, Fier e Sarandë.

Destinacioni i drogës edhe për këta grupe ishte tregu i brendshëm dhe vende si Anglia, Gjermania, Norvegjia, Holandë dhe Itali.

Grupi i Lezhës e trafikonte drogën nëpërmjet plazhit të Shëngjinit. Ai, sipas hetimeve të prokurorisë, bashkëpunonte me grupin e Barajve në Shkodër, të cilët kishin aktivitet në trafikun e drogës në Holandë dhe Belgjikë.

Grupi i Fierit e transportonte drogën nga plazhi i Semanit. Ndërsa edhe grupi i Sarandës rezulton të ishte më aktiv, pasi trafikonte sasi të mëdha jashtë vendit.

Policia ka shpallur në kërkim biznesmenin Admir Hoxha. Pjesë e këtij grupi besohet se janë mbi 50 persona. Tashmë në kërkim janë 17, derisa 27 ishin arrestuar në Shqipëri, përfshirë dy deputetë socialistë.

Ndërkohë në Kosovë ishte arrestuar një grup tjetër.

Burime nga hetuesia i kanë thënë Insajderit, se turqit kanë paguar nga pesë mijë euro për të marrë shtetësi të Kosovës.

Deri tash vetëm një person është arrestuar në Kosovë si i dyshuar për lidhje me shitjen e identiteteve. Ai është Alban Gashi, i cili dyshohet së është personi kyç dhe ndërmjetësues për nxjerrjen e dokumenteve për kriminelë të huaj.

Insajderi ka zbuluar se Prokuroria po kryen një hetim në Ministrinë e Punëve të Brendshme, përkatësisht në Drejtorinë për prodhimin e dokumenteve dhe regjistrimit civil.

Nuk janë vetëm këta persona që kanë arritur të marrin shtetësi.

Vrasësi malazias me pagesë

Mario Millosheviq, malazezi nga Podgorica ishte arrestuar në Prishtinë me urdhërarrest të Interpolit, dhe në koordinim me policitë rajonale. Millosheviq ishte i kërkuar nga Interpoli për vrasjen e Radomir Gjuriçkoviqit, i cili u vra në tetor të vitit 2016. Millosheviq ka qenë i shoqëruar nga Gjorgje Paviqeviq i cili është i dënuar me pesë vjet burg për kidnapim dhe zhvatje dhe shtetasen shqiptare Laureta Zyba.

Javën e kaluar ai është ekstraduar në Mal të Zi.

Mirëpo, në Kosovë ai ka jetuar me identitet tjetër. Quhej Miroslav Kostiq, me vendlindje në Mitrovicë. Në Mal të Zi konsiderohet njeriu më i rrezikshëm. Megjithatë, në Kosovë jetonte pa problem me dokumente kosovare i pa shqetësuar deri ditën e arrestimit.

Shtetasja turke, Ozden Gur, ka jetuar në Kosovë rreth dy vjet me identitet të një vajze nga Gjakova. Kërkohej nga Interpoli për shkak të një dënimi prej dhjetë vjetësh në Turqi.

Në lagjen Mat në Prishtinë jetonte e qetë nën emrin, Filloreta Rama, e lindur më 16 tetor 1985 në Gjakovë. Ndërkaq, Filloreta e vërtetë jeton në Gjermani.

Nesër:

Si kishin arritur të aplikonin për shtetësi dhe dokumente kriminelët turq? Çfarë thuhet në dosjet e tyre? Çfarë thonë në Ministrinë e Punëve të Brendshme? Çfarë roli kishte në këtë grup, shoferi i Gani Thaçit? Si u dha tender 21 milionë euro për ndaljen e këtyre manipulimeve? Lexoni vazhdimin e hulumtimit ekskluziv për kapjen e shtetit nga trafikantë të drogës.