Ndikimi i Mekajve në Gjyqësor – Nushe Mekaj i bashkohet gjykatës që po gjykon djalin e saj

Fuqia e Mekajve në gjyqësor është ende e madhe. Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka vendosur ta transferojë nga Gjykata e Pejës në atë të Prishtinës, gjyqtaren Nushe Mekaj. Ajo është paraqitur vullnetare. Vullnetin e saj e ka përfillur kryetari i Gjykatës së Pejës, Kreshnik Radoniqi dhe Këshilli Gjyqësor. Në gjykatën që do të punojë Nushe Mekaj, është duke u gjykuar djali i saj, Asdreni, dhe familjari i saj, Salih Mekaj. Nushe Mekaj së bashku me bashkëshortin e saj, Zenel Mekaj, kishte shoqëruar Salih Mekajn në një takim në Katedralën e Prishtinës. Aty ndërmjetrësohet kthimi i fajdeve për Asdren Mekajn, djalin e gjyqtares. Historia e Mekajve dhe lidhjet e tyre me kriminelë janë të shumta. Insajderi sjell në detaje këto lidhje.

Ndikimi i Mekajve në Gjyqësor – Nushe Mekaj i bashkohet gjykatës që po gjykon djalin e saj

Gjykata Themelore e Prishtinës është “përforcuar” me një gjyqtare nga Peja, djali i së cilës po gjykohet për vepra të rënda penale, përfshirë mashtrim dhe fajde.

Nushe Mekaj, nëna e të akuzuarit Asdren Mekaj, është transferuar nga Gjykata Themelore e Pejës në atë të Prishtinës për gjashtë muaj.

Ajo pritet t’u ndihmojë kolegëve të saj të ngarkuar me lëndë të shumta në Prishtinë.

Gjyqtarja Mekaj është paraqitur vullnetare për të ardhur në Prishtinë, në kohën kur kjo Gjykatë po e gjykon birin e saj si dhe familjarin tjetër të saj, Salih Mekaj.

Vendimin për transferim e ka marrë Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhjetë ditë më parë.

Nushe Mekaj ka qenë avokate së bashku me bashkëshortin e saj Zenelin, kur mbronin një grup të akuzuar për vrasje. Salih Mekaj, ndërkohë akuzohet se po përpiqej t’i nxirrte ata nga burgu duke ndryshuar cilësimet e veprave penale në këmbim të ryshfetit dhe seksit.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, e ka konfirmuar transferimin. Ka thënë se nuk ka qenë i informuar për lidhjet e saj me Asdren Mekajn dhe Salih Mekajn.

“Ne kemi kërkuar prej kryetarëve të gjykatave një transferim përkohësisht për gjashtë muaj sepse numri më i madh i lëndëve është në Gjykatën e Prishtinës”, ka thënë Idrizi për Insajderin.

Ai ka treguar se vendimi i cili nuk është publik në faqen e KGJK-së, është marrë në mbledhjen e fundit para dhjetë ditësh.

Kur është pyetur se a është i informuar se djali i gjyqtares Mekaj, Asdreni, është i akuzuar, Idrizi ka thënë se nuk ka pasur informacione.

“Tybe drejt me thanë informacione nuk kam, nuk e di. Nuk e di”, ka thënë Idrizi për Insajderin.

“Drejt me thanë unë nuk e di. Ne kemi kërkuar prej gjykatave, gjykata i ka dërguar emrat, këtë dhe njëfarë Murat Ulën, por Murati ndërkohë është tërhequr. Unë ma shumë kam qenë për Muratin, por ai u tërhoq dhe ka mbetur vetëm kjo”, ka sqaruar ai.

Ardhja e Nushe Mekajt paraqet konflikt interesi. Në rastet kur familjarë të gjyqtarëve janë të akuzuar, ata gjykohen në gjykata tjera të Kosovës e jo në gjykatën ku punon familjari i saj.

“Tash nuk e di unë pasi e mora vesh. Na duhet me e shiku, nëse është konflikt interesi mund të rishikohet”, ka thënë ai.

Kryetari i Gjykatës Themelore të Pejës, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se gjyqtarja Mekaj është ofruar si vullnetare për t’u transferuar në Prishtinë.

“E kemi mbajtur një mbledhje të kolegjiumit dhe ashtu na është kërkuar prej këshillit që me e propozu ndonjë emër. Unë e kam mbajt një mbledhje të kolegjiumit e kam shtru çështjen dhe kam pyet a ka ndonjë vullnetar që do se kurrkush s’po don me u transferu”, ka thënë Radoniqi për Insajderin.

Radoniqi ka treguar se gjyqtarja Mekaj është shprehur e interesuar që të transferohet duke dalë vullnetare.

“Dy kanë dalë vullnetarë por ndërkohë njëri e ka ndërru mendjen dhe unë e kam dërgu propozimin në Këshill dhe Këshilli e ka aprovuar”, ka thënë ai.

Radoniqi ka thënë se e di që dy familjarë të gjyqtares Mekaj po gjykohen në Gjykatën që do të punojë për gjashtë muaj, por nuk e ka komentuar këtë fakt.

“Nuk du me komentu unë. Ajo është gjyqtare e Gjykatës Themelore në Pejë. Ka qenë kërkesë e Këshillit për me u transferu nga një gjyqtar, ka qenë vullnetare dhe është marrë vendimi”, ka thënë Radoniqi.

Dosja e Shefave VIII: Telefonata që solli Salih Mekajn në krye të Gjykatës së Apelit

17 përmendjet e Nushe Mekajt në aktakuzën kundër Salih Mekajt

Emri i gjyqtares Nushe Mekaj përmendet fiks 17 herë në aktakuzën kundër Salih Mekajt, Vlora Goranit, Mentor Seferajt dhe Ali Seferajt.

Salih Mekaj, si person ka shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë kundërligjore për vete dhe për persona të tjerë.

Mekaj akuzohet se në periudhën janar – korrik 2015, ka realizuar raporte të afërta me të pandehurën Vlora Gorani, e cila ka pasur interes të drejtpërdrejtë në dy lëndë penale që zhvillohen pranë Gjykatës Themelore në Pejë, prej të cilave njëra lëndë ka të bëjë me bashkëshortin e saj, Fahri Deçani, për veprën penale të shtytjes në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe veprën penale të vrasjes në tentativë, si dhe një lëndë tjetër që ka të bëjë me mikun e saj Mentor Seferaj, për veprën penale që lidhet me narkotikët në formë të krimit të organizuar.

Sipas Prokurorisë Speciale, i pandehuri Salih Mekaj i ka premtuar të pandehurës Vlora Gorani se do të angazhohet për caktimin e shqyrtimit gjyqësor, si dhe ricilësimin juridik të veprave penale, për të cilat ngarkohen të pandehurit Fahri Deçani dhe Mentor Seferaj, nga veprat penale më të rënda në ato më të lehta, në mënyrë që ata të lirohen nga paraburgimi

Mekaj më 16 korrik 2015 është takuar në Prishtinë me Lumturije Muhaxherin, gjyqtare e çështjes në Gjykatën Themelore në Pejë. Nga ajo ka kërkuar që ta caktojë shqyrtimin gjyqësor në lëndën e të pandehurit Fahri Deçani, edhe pse ka ditur që një gjë e tillë është në kundërshtim me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës, PAKR nr. 100/2013 të datës 26.11.2013, që lënda kundër të pandehurit Fahri Deçani nuk mund të veçohet dhe kjo lëndë duhet të bashkohet me lëndët për të njëjtën çështje penale ndaj të pandarëve Haki Gjocaj dhe Florim Gjocaj.

Në kohën që Mekaj ka qenë kryetar i Gjykatës së Qarkut në Pejë, kishte nisur procesi i gjykimit ndaj  Fahri Deçanit dhe dy vëllezërve të tij, Haki dhe Florim Gjocaj,  për vrasje në bashkëpunim.

Asokohe avokatë të tyre ishin familjarët e ngushtë të Mekajt. I biri i Salih Lekajt, Yll Mekaj, ishte avokat i Fahri Deçanit. Gruaja e djalit të axhës së Salih Mekajt, Nushe Kukaj – Mekaj, mbronte Haki Gjocajn. Burri i saj, Zenel Mekaj, kishte mbrojtur Florim Gjocajn.

Fahri Deçani asokohe kishte ndërruar mbiemrin nga Gjocaj në Deçani.

Vëllezërit ishin të akuzuar për vrasjen e Bekim Krasniqit, 34 vjeç nga Gjakova.

Mekaj akuzohej edhe për ndërmjetësim në fajde të djalit të gjyqtares, Nushe Mekaj. Kjo akuzë ishte hedhur poshtë nga Gjykata e Apelit të cilën e kishte drejtuar një kohë të gjatë vetë Mekaj.

Salih Mekaj ishte incizuar në Katedralën e Prishtinës duke ndërmjetësuar për një shumë parash prej 200 mijë eurosh në emër të kushëririt të tij, Asdren Mekaj.

Prokuroria pretendonte se ndërmjetësimi kishte të bënte me fajde, e ish-kryetari i Gjykatës së Apelit pretendon se ka qenë një borxh.

Djali i gjyqtares gjendej në arrati. Ai ishte dënuar për një rast të detyrimit dhe zhvatjes më 6 vjet burgim. Ai ishte liruar nga paraburgimi pak kohë pasi rasti ishte kthyer në rigjykim.

Pas lirimit ka vazhduar me veprime tjera kriminale, përfshirë fajdet. Kundër tij është lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar.

Krimet e djalit të gjyqtares, Nushe Mekaj

Ndërkohë, pas rënies së akuzës për rastin e Katedrales kundër Salih Mekaj, Asdren Mekaj ishte kthyer nga Amerika. Ai, ndërkohë po gjykohet në Gjykatën e Prizrenit për një rast të krimit të organizuar.

Mekaj ishte filmuar me kamerë nga Policia e Kosovës duke hyrë në Katedralen e Prishtinës dhe gjatë gjithë takimit. Aty, viktima para tij kishte rrëfyer se si Asdren Mekaj me grupin e tij e kishin rrëmbyer, e kishin futur në bagazh të veturës, e kishte kërcënuar e sulmuar. Mekaj, qeshte gjatë kohës sa ai rrëfente.

Prokuroria asokohe po kryente hetime kundër Tunë Kqirës nga Prizreni, Kastriot Kqirës nga fshati Sërbicë e Eperme, Gjon Kqirës, Gjekson Kqirës e Benson Buza që të gjithë nga Prizreni, Besfort Omaj nga Zhuri dhe Asdren Mekaj nga Peja për shkak të dyshimit se kishin kryer veprën penale të fajdes. Tunë, Kastriot, Gjon dhe Gjekson Kqira po hetoheshin edhe për veprën penale të detyrimit. Tunë Kqiraj dyshohej se kishte organizuar skemat piramidale dhe bixhozit të paligjshëm. Të gjithëve u ishte caktuar masa e paraburgimit, pos Asdren Mekaj që ndodhej në arrati.

“Gjatë aplikimit të masave të fshehta dhe teknike është hetuar se me datën 11 prill 2015 derisa ishte duke u monitoruar viktima e rastit në një takim të organizuar në mes të viktimës dhe disa të afërmve të të pandehurit Asdren Mekaj nga një makinë zyrtare e Këshillit Gjyqësor të Kosovës e monitoruar ka zbritur Salih Mekaj, gjyqtar – kryetar i Gjykatës së Apelit dhe Nushe Mekaj së bashku me bashkëshortin e saj, Zenel Mekaj. Nushe Mekaj është gjyqtare e Gjykatës Themelore të Pejës, ndërsa Zenel Mekaj është avokat”, thuhet në aktakuzë.

“Salih Mekaj së bashku me një person të tretë është takuar me palën e dëmtuar në Prishtinë si dhe sipas provave që gjenden në shkresat e lëndës gjyqtari Salih Mekaj familjar i Asdrenit ka kërkuar nga viktima paratë në emër të Asdrenit”, thuhet në aktakuzë.

“Ky gjyqtar ka hyrë në brendësi të katedrales. Ekzistojnë incizime tonike me të cilat vërtetohet se në emër të Asdren Mekajt nga pala e dëmtuar ka kërkuar para të cilat gjoja pala e dëmtuar ia kishte borxh Asdren Mekës”, shkruan në dosjen e lëndës.

Masat e fshehta të përgjimit ligjor ndaj të Vlora Goranit kanë zbuluar se e pandehura ishte duke zhvilluar kontakte fizike dhe telefonike me ish-kryetarin e Gjykatës së Apelit të Kosovës Salih Mekaj. Pas çdo takimi me Mekajn, Vlora Gorani i telefononte të burgosurit Mentor Seferajt dhe bashkëshortit të saj Fahri Deçani të cilëve u kishte thënë se i ka dhënë Sali Mekajt 20.000 euro para kesh, në mënyrë që të ndikojë tek gjyqtarja e çështjes Lumturije Muhaxheri për ricilësimin e veprave penale për të cilat ngarkohen.

Dënimi i djalit të gjyqtares më 6 vjet burgim

Asdren Mekaj, së bashku me V. Mustafën, një zyrtare e Raiffeisen Bank ishin dënuar me nga gjashtë vjet burgim në vitin 2009.

Gjatë muajit mars-gusht të vitit 2008 si menaxhere e nëndegës së III në Raiffeisen Bank në Prishtinë, V. Mustafa kishte përvetësuar paratë që ishin besuar në bazë të detyrës së saj me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për personin tjetër. Si shefe e stafit në fund të orarit të punës, ajo kishte marrë 223,580,10 euro të cilat ia ka dhënë Asdren Mekajt, me të cilin ishte në lidhje dashurie. Me këtë veprim kishte kryer veprën penale përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës për çka ishte dënuar me 6 vjet burgim.

Asdren Mekaj gjatë muajit mars – gusht 2008 kishte kërcënuar të dëmtuarën V. Mustafa se do ta zbulojë lidhjen intime që kishte me të tek bashkëshorti dhe familja e saj. Në këtë mënyrë e kishte detyruar që nga banka të nxirrte shumën e parave prej 223,580,10 euro dhe t’ia jepte atij për të hapur biznes. Me këtë veprim ka kryer veprën penale shantazh dhe është dënuar me gjashtë vjet burgim.

Paraburgimi ndaj të akuzuarve ishte vazhduar deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit. V. Mustafa kishte pranuar se kishte marrë këtë shumë parash të cilat ia ka dorëzuar Asren Mekajt.

Mekaj e kishte pranuar se nga V. Mustafa ka marrë 120 mijë euro me të cilat kishte blerë vetura, kishte shkuar në pushime vjetore. 20 mijë euro kishte thënë se ia kishte dhënë një mjeku në Gjakovë për të hapur një ordinancë, por kishte mohuar se kishte kërcënuar apo shantazhuar V. Mustafën.

Nga mesazhet telefonike ishte vërtetuar se Asdren Mekaj më 14 maj 2008 kishte kërkuar rrogë nga V. Mustafa. Ai kishte kërcënuar duke i thënë “krejt ti q… jetën ta shkatërrojë”. Ai kishte kërkuar nga Mustafa që t’i paguante këstin e kredisë për motrën e tij dhe nënën të cilat ekonomikisht qëndronin mirë.

Një seri vendimesh të Gjykatës Supreme kishin pasuar pas këtij dënimi. Në të gjitha vendimmarrës ishte gjyqtari Avdi Dinaj. Thuajse asnjë prej këtyre aktvendimeve nuk kanë arsyetim, pos që thuhej se “kanë pushuar arsyet”. Dinaj ka qenë gjyqtar edhe në rastin e paraburgimit të Salih Mekajt, që kishte sulmuar rëndë Gjykatën Themelore të Prishtinës pse ia kishte caktuar paraburgimin ish-kryetarit të Apelit.

Më 12 gusht 2009 Gjykata Supreme kishte kthyer rastin në rigjykim, mirëpo Asdren Mekajt dhe V. Mustafës ia kishte vazhduar paraburgimin.

“Vendimi mbi vazhdimin e paraburgimit kundër të akuzuarve u mor ngase Gjykata Supreme ka gjetur se akoma ekzistojnë arsye për të cilat kundër tyre është caktuar paraburgimi”, thuhej në aktvendim.

Vetëm një muaj më vonë, një kolegj tjetër i Gjykatës Supreme i përbërë prej Fejzullah Hasanit, Miftar Jasiqit, Tahir Rrecaj dhe Vjosa Nimani – Zylfiu më 16 tetor 2009 kishte pranuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë së mbrojtësit të të akuzuarit Asdren Mekaj. Masa e paraburgimit i ishte zëvendësuar me paraqitjen në stacionin policor në Pejë për çdo të premte.

“Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme konkludimi i Gjykatës së shkallës së parë dhe i asaj të shkallës së dytë se i akuzuari mund të fshihet ose të arratiset dhe në këtë mënyrë të pengojë zhvillimin normal të procedurës penale është i drejtë, mirëpo bazuar në faktin se i akuzuari Asdren Mekaj ka vendbanim dhe adresë të saktë i cili është i njohur për Gjykatën si dhe se ai vetë është paraqit te organet policore kur ata e kanë kërkuar, kjo Gjykatë vlerëson se në këto rrethana është e mjaftueshme masa alternative, e detyrimit të të akuzuarit që të paraqitet në stacionin policor”, thuhet në këtë aktgjykim.

Asdren Mekaj, pos që kishte kryer vepra tjera penale pas lirimit nga paraburgimi, ai ishte arratisur në Amerikë. Ky fakt dëshmonte se Gjykata Supreme nuk e kishte vlerësuar drejtë personalitetin e Asdren Mekajt./Insajderi.com