Lidhjet e Thaçit dhe PDK-së me milionat PTK-së

Rënia e vlerës dhe shkatërrimi i PTK-së ka ndodhur nën kontrollin dhe pushtetin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Hashim Thaçit. Drejtues të këtij subjekti kanë hise në secilën kontratë të dëmshme për PTK-në. Ata po ashtu kanë lidhje edhe me vëllezërit Devolli. Humbjet e ndërmarrjes publike si pasojë e keqmenaxhimit janë duke e dërguar atë drejtë humnerës. Insajderi sjell një hulumtim për këto lidhje dhe përfitime multimilionëshe në kurriz të PTK-së.

Lidhjet e Thaçit dhe PDK-së me milionat PTK-së

Asnjë procedurë kontraktuese ndërmjet PTK-së dhe Dardafon.net nuk është kryer pa pjesëmarrjen e zyrtarëve më të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës.

Mes njerëzve që kanë hise të madhe është edhe ish-kryeministri dhe ish-lideri i kësaj partie, Hashim Thaçi.

Thaçi ishte përmendur në vitin 2011 si njeriu kryesor nga Shyqyri Haxha që kishte ushtruar presion për nënshkrimin e një kontrate për themelimin e kompanisë virtuale të telefonisë mobile “Z-Mobile”, asokohe pronë e vëllezërve Shkëlqim dhe Blerim Devolli.

Detajet e këtij presioni i kishte zbuluar ish-drejtori i Postës dhe Telekomit të Kosovës, gjatë intervistimit nga hetuesit e EULEX-it që po hetonin këtë kontratë të cilësuar si të dëmshme për ndërmarrjen publike, e cila fitonte vetëm 22 për qind. Më vonë, kontrata ishte ndryshuar në favor të PTK-së, që i jepte asaj 27 për qind të fitimit.

Presioni i Thaçit mbi drejtorin e PTK-së, ishte zbuluar nga ish-prokurori i EULEX-it, Joachim Stollberg gjatë intervistimit të Haxhës në cilësinë e të dyshuarit.

Dëshmia e Haxhës

Haxha u kishte thënë hetuesve të EULEX-it se ishte detyruar nga ish-kryeministri Hashim Thaçi që ta nënshkruante kontratën me kompaninë Dardafon.net.

Por disa muaj më vonë gjatë intervistës që i ka dhënë prokurorit në cilësinë e të dyshuarit për tri vepra penale, Shyqyri Haxha nuk e kishte përmendur presionin e ushtruar nga Thaçi.

Pasi prokurori ia kishte lexuar të drejtat dhe ishte pyetur për shumë çështje nga jeta personale deri në ditën e ardhjes në krye të PTK-së, prokurori special i kishte pyetur Haxhën për këtë presion.

“Gjatë hetimit ju keni thënë hetuesve të EULEX-it se keni pranuar një telefonatë nga Hashim Thaçi gjatë së cilës ai ju ka ‘inkurajuar’ që ta nënshkruani kontratën me Dardafon.net. Ju lutem shpjegojeni këtë”, i kishte thënë prokurori ndërkombëtar.

Haxha ishte bërë sikur për herë të parë po e dëgjonte këtë.

“Kjo është hera e parë që dëgjoj për këtë”, kishte thënë Haxha, ani se nuk e kishte mohuar kontaktin me kryeministrin.

“E kam thirrur Hashim Thaçin kur jemi përballur me problemin e Ardianit (Shatkut v.j.) Adi Sparkes (Ish-ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë v.j.) më sugjeroi ta thërrisja Thaçin. E thirra dhe i thash se imazhi i kompanisë po dëmtohet sepse kemi mësuar se dy aksionarë kanë probleme. Ai më tha se ky nuk ishte problemi i tij dhe se unë duhet ta zgjidhja atë. Ai nuk deshi të përfshihej në këtë”, i kishte thënë Haxha prokurorit.

“Nuk është e vërtetë se Thaçi më ka thirrur në telefon. Kam përjetuar një padrejtësi të madhe gjatë këtij procesi dhe kjo ka qenë qasje e përjashtuar dhe ka nxitur hetimin”, kishte thënë ai më tej.

Akuzat për dëmtim multimilionësh të PTK-së

Haxha, ishte akuzuar së bashku me vëllezërit Devolli, kryetarin e Bordit të PTK-së Rexhë Gjonbalaj dhe përfaqësuesin ligjor të kompanisë nga Peja, Ismet Bojku.

Akuzat kundër ish-kryeshefit të PTK-së Shyqyri Haxha dhe kryetarit të Bordit Rexhë Gjonbalaj kishin të bënin me lidhja e kontratave të dëmshme, shpërdorimi i pozitës zyrtare dhe Keqpërdorim i Autorizimeve në Ekonomi. Ndërsa akuzat kundër Blerim Devollit, Shkelqim Devollit dhe Ismet Bojku, kanë qenë për mashtrim, lidhja e kontratave të dëmshme, keqpërdorim i besimit, falsifikimi i dokumenteve dhe krim të organizuar.

Ata akuzoheshin lidhur me një kontratë për operatorin e rrjetit mobil virtual (MVNO) të lidhur në mes të PTK-së dhe Dardafon.net dhe transferimin e mëvonshëm të licencës siç thuhej në mënyrë të paligjshme për Dardafon.net në vitin 2008 dhe 2009.

Por, pas një gjykimi të gjatë, të gjitha këto akuza kishin rënë poshtë. Bile, trupi gjykues i udhëhequr nga një gjyqtar i EULEX-it, kishte thënë se kjo aktakuzë ishte ngritur krejtësisht e panevojshme sepse sipas tij, nuk kishte asnjë element të veprës penale. Aktgjykimi ishte shpallur në vitin 2013 në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

E, Prokuroria nga ana tjetër insistonte se dëmi që kishte pësuar PTK-ja, kalonte vlerën e 200 milion eurove.

Kontrata

Mbi këto dyshime Prokuroria kishte ngritur aktakuzë. Haxha akuzohej se kishte nënshkruar kontratën pavarësisht se kishte qenë ekonomikisht e pafavorshme për PTK-në dhe shkelte obligimet parakontraktuare ndaj Dardafone LLC. Prokuroria pretendonte se Haxha e kishte lidhur këtë marrëveshje duke shkelur obligimet e tij si kryeshef në kushte të presionit që kishte marrë nga jashtë për të nënshkruar marrëveshjen.

“Pasi që z. Haxha ka nënshkruar marrëveshjen me Dardafon.net LLC dhe jo me Dardafon LLC, kjo ka rezultuar me dëmtimin e Dardafon LLC duke tejkaluar 2.500, 00 dhe i ka siguruar Dardafon.net LLC një përfitim material që tejkalon 5.000,00 euro”.

Rexhë Gjonbalaj si kryesues i bordit të PTK-së akuzohej se kishte bërë presion në Bordin e Drejtorëve në tetor 2008 në Prishtinë që të aprovohet kontrata ndërmjet Dardafon LLC dhe PTK në favor të Dardafon LLC mbi bazë se ishte aprovuar vetëm një anëtar i Task Forcës 1.

Kryetari i Bordit të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj ishte cilësuar nga prokurorët si njeri i “fuqishëm” i cili kishte bërë presion të vazhdueshëm mbi anëtarët e Bordit për t’i thënë “po” marrëveshjes me vëllezërit Devolli nga Peja. Sipas Prokurorisë presioni i Gjonbalajt mbi anëtarët e Bordit të PTK-së për të miratuar marrëveshjen ndërmjet PTK-së dhe Dardafon LLC dëshmohet nga procesverbali i datës 20 tetor 2008. Sipas këtij procesverbali, Gjonbalaj kishte tentuar që të mos ua mundësonte anëtarëve të Bordit që të lexonin raportin e Task Force 2 që jepte vërejtje për kontratën.

“Kur puna kishte ardhur tek votimi, një anëtar kishte abstenuar nga votimi, një tjetër kishte votuar kundër dhe një anëtar kishte votuar me rezerva dhe kishte kërkuar shqyrtimin e përqindjeve të ndarjes së fitimit. Megjithatë vendimi ishte marrë 22-78 në dëm të PTK-së”, thuhej në aktakuzë.

Hetimi kishte nisur pas një denoncimi që kishte bërë, Ardian Shatku. Shatku i kishte shkruar një letër në janar të 2009-s PTK-së për ta informuar rreth statusit të MVNO-së. Letrën ia kishte kthyer Gjonbalaj i cili e kishte shtyrë Shatkun që të besonte se marrëveshja me MVNO-në ishte ende e pa përfunduar.

“Shatku u mbajt i mashtruar deri në korrik 2009 kur më në fund e kuptoi se marrëveshja ishte përmbyllur nga burime tjera. Korrespodenca pas kësaj dëshmon për reagimin e fortë të Shatkut”, pretendonte Prokuroria.

Shatku, ishte njeriu që i kishte shkaktuar dëm PTK-së me shërbimet ilegale ‘SIM to SIM’, që është vjedhje e impulseve.

Dëmi prej 30 milion eurosh

Ky dëm i pretenduar tashmë nuk përmendet pas aktgjykimit lirues. Një tjetër dëm prej 30 milion eurosh është shkaktuar këto ditë si pasojë e moszbatimit të asaj kontrate nga PTK-ja.

Drejtuesit e ndërmarrjes publike kanë refuzuar ta zbatojnë kontratën e nënshkruar nga vetë ata. Nuk i kanë ofruar kompanisë në pronësi të Shkëlqim Devollit, shërbimet e internetit 3 dhe 4G si dhe nuk i kanë ofruar numra të rinj.

Të drejtën e tij të bazuar në kontratë, Devolli e ka realizuar në Gjykatën e Arbitrazhit në Paris, e cila ka llogaritur një dëm prej 30 milion eurosh të pësuar nga operatori virtual, Z-Mobile. Kundër zbatimit të kësaj kontrate ishte pozicionuar vetë Rexhë Gjonbalaj, i cili ishte kryetar i Bordit të PTK-së kur ishte votuar kontrata me Dardafon.net.

Kompania publike që drejtohet nga Agron Mustafa, duhet që menjëherë ta kompensojë kompaninë e Blerim Devollit për dëmin e shkaktuar dhe t’ia ofrojë të gjitha shërbimet që i ofron vetë Vala për konsumatorët.

Megjithatë, lidhjet dhe ndikimi i Partisë Demokratike në PTK dhe në kompanitë e vëllezërve Devolli ka qenë dhe është i madh.

Lidhjet e PDK-së me PTK-në dhe vëllezërit Devolli

Rexhë Gjonbalaj, ka qenë drejtues i PDK-së në Pejë. Ai cilësohej nga Prokuroria si njeri tepër i fuqishëm. Ndikimi i Thaçit, Adem Grabovcit, Besim Beqajt, Xhavit Halitit është dëshmuar edhe në përgjimet telefonike të botuara nga Insajderi në gusht të këtij viti.

Ky ndikim shihej në kohën e emërimit të Nuredin Krasniqit, për ushtrues detyre të PTK-së. Ai ishte emëruar me urdhër të Thaçit.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të PTK-së, nuk do të guxonte të merrte asnjë vendim pa lejen paraprake të Adem Grabovcit dhe Besim Beqajt. Krasniqi, ishte zgjedhur për ushtrues detyre në vitin 2011 pas largimit të Shyqyri Haxhës nga kjo pozitë.

Caktimin e Krasniqit, e kishin bërë ish-kryeministri, Hashim Thaçi, ish-ministri i Ekonomisë, Besim Beqaj dhe ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci. Këto veprime konfirmohen nga dy përgjime telefonike të Besim Beqajt me Adem Grabovcin, që Insajderi i kishte sjell në serinë e XXVI-të Dosjes së Shefave.

Për të emëruar Krasniqin në krye të PTK-së, Grabovci e Beqaj kishin autorizime të plota prej Hashim Thaçit.

Beqajt i duhej mendimi i ish-kryeministrit Hashim Thaçi, se kë do ta emëronte për ushtrues detyre të PTK-së. Ai, së bashku me Thaçin e Grabovcin do t’ia diktonin Bordit të PTK-së, që vazhdon të drejtohet nga Rexhë Gjonbalaj, emërimin e Nuredin Krasniqit për ushtrues detyre. Krasniqi është mik i afërt i Xhavit Halitit.

“Edhe ni çështje, nëse e sheh kta sot, kryeministrin… Nesër Bordi i PTK-së, duhet me marr vendim për ushtrues detyre”, thotë Beqaj.

“Okej okej, sot bisedoj me to”, i përgjigjet Grabovci.

“Bisedo me to, do të thotë jonë tri katër çështje t’cilat duheni me marr vendim sot që mos me…”, vazhdon Beqaj.

“Hajt se kur takohum bisedojmë bashkë jarani jem”, thotë Grabovci.

Kjo bisedë është zhvilluar më 12 dhjetor 2011. Një ditë më vonë, ata flasin për të njëjtën çështje.

“Qe unë, do biseda t’u i bo, qashtu qysh…, unë jom qashtu qysh bisedum dje, qysh ke bisedu ti edhe me atë dostin e unë e krejt…”, thotë Grabovci.

“Po de”, përgjigjet Beqaj.

Grabovci tregon se e kishte thirrur në zyrë, Nuredin Krasniqi. Tregonte se Krasniqi kishte frikë.

“E thirra edhe vetë kta, se kta u tutshin. N’zyrë e kom qitu… E, po ja thom edhe kti do, do llafe, se duhet…”, shton Grabovci.

Beqaj thoshte se duhet të takohen sepse kështu kishte urdhëruar edhe shefi, duke aluduar tek Hashim Thaçi.

“Duhet me u taku edhe unë me to, se m’ka thonë edhe shefi… Edhe duhet m’i thanë që as ni vendim… Thuja, lirisht, as ni vendim. As ni hap gjatë ushtrimit t’detyrës, veç ka me ushtru detyrë”, kërkonte Beqaj, teksa merrte konfirmimin nga Grabovci.

“Okej, okej. Ani a del ti sot mrena dite, a qysh”, pyet Grabovci.

Ndikim dhe lidhje kaq të fuqishme drejtuesit e PDK-së, kishin edhe me Shkelqim Devollin, i cili në kohën e nënshkrimit të kontratës për themelimin e Z-Mobile ishte bashkëpronar së bashku me vëllanë e tij, Blerimin.

Shkelqim Devolli, është njëri prej miqve më të afërm të Adem Grabovcit. Në kuadër të këtyre lidhjeve, Grabovci i kishte bërë një shërbim drejtorit të kompanisë së Devollit, Xhelal Radoniqit të cilin e kishte bërë anëtar të Bordit të Universitetit, Haxhi Zeka në Pejë. Radoniqi aktualisht është drejtor i Devolli Group, pronë e Blerim Devollit.

Radoniqi, ndonëse ishte emëruar anëtar i Bordit, nuk e dinte se çfarë pune duhej të kryente. Në një bisedë të 16 dhjetorit 2011 në mes të Adem Grabovcit e Shkelqim Devollit, inkuadrohej edhe Xhelal Radoniqi, të cilit i referohen si Xhelë.

“Ramin, Xhelalit ja kom jep. I kallxova parzit, qyre se u kry. Thojke je ka bon hajgare, i thash o po vallahin u kry”, thotë Devolli.

“Nuk besojke a”, e pyeste Grabovci, për të nisur bisedën me Radoniqin.

“Ku je zoti themelues i Universitetit, t’parë, t’Pejës”, thoshte Grabovci, teksa e pyeste Radoniqin se a e kishte nënshkruar detyrën e re në Universitet.

Devolli, ndërkohë i përgjigjet Grabovcit se gjithçka ishte kryer.

“O shef… U kry ajo, e ka marrë, e ka nënshkrua”, saktësonte Shkelqim Devolli.

“A e kanë nënshkru qashtu, për qata”, pyeste Grabovci.

“Po po e ka nënshkrua”, shton Devolli.

Për emërimin e Radoniqit si anëtar i Bordit kishte folur edhe ish-ministri i Arsimit, Ramë Buja si dhe ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi. Gashi, ishte emëruar po ashtu anëtar i Bordit të Universitet. Mirëpo, nuk e kishte falënderuar, Ramë Bujën për çka buja ishte prekur dhe e quante faqezi, Gashin. Biseda është publikuar në pjesën e dytë të serisë së V-të të Dosjes së Shefave.

Në një bisedë tjetër që është publikuar në serinë e VI-të të Dosjes së Shefave, Gashi i tregon Grabovcit se si Xhelal Radoniqi nuk e dinte se çfarë do të bënte në Universitet.

Edhe në këtë bisedë, Grabovci thotë se Xhelal Radoniqi do të hyjë në histori si themelues i Universitetit.

“Hehehe…, i thash le more thash se hin në histori t’Universitetit, themelus i Universitetit, thash o ti”, i thoshte Grabovci, Gashit./Insajderi.com