Ndryshimi i notës mesatare e deri te shkelja e Statutit – detaje nga padia për Rektorin

Nga ndryshimi i notës mesatare të kandidatit e deri te shkeljet e Rregulloreve dhe Statutit të UP-së, Gazeta Insajderi sjell detaje tjera dhe arsyet pse Inspektorati i Arsimit dorëzoi kallëzimin penal ndaj Universitetit të Prishtinës dhe rektorit, Marjan Dema, në të cilën, bazuar në provat e tyre, kërkon që të ngrihet aktakuzë.

Konkursi i 30 tetorit 2016 për Fakultetin e Arteve nuk kishte shkuar edhe aq mirë. U doli telashe me pozitën për mësimdhënës për lëndën Teoria e filmit niveli baçelor dhe mastër. Aplikuan nëntë kandidatë, ndër ta edhe Bekim Sele.

Komisioni vlerësues vendosi të mos e përzgjedhë atë për këtë pozitë. Ai bëri ankesë në Rektorat, duke konsideruar se i është bërë e padrejtë. Iu vonua përgjigjja, vendoi të ankohet në Inspektoratin e Arsimit në MAShT.

Inspektorati i Arsimin, pas inspektimit nxjerr shkelje të mëdha. Në raportin e 30 jaranit 2017, të cilin e ka siguruar Gazeta Insajderi, thuhet se kandidatit Bekim Sele, ndër tjera, i është ndryshuar nota mesatare.

“… në rubrikën e notës mesatare për kandidatin, Bekim Sele, është dhënë nota mesatare jo e saktë për studimet Master, ku ka figuruar 7.28, që nuk korrespondon me notën mesatare të lëndëve të studimeve në pasqyrën e notave për studimet Mastër, e cila del të jetë 9.4”, thuhet në raport.

Rreth ndryshimit të notës mesatare, sekretari i përgjithshëm i UP-së, Esat Kelmendi, ishte munduar t’i arsyetohej Inspektoratit të Arsimit, duke e quajtur atë si ‘lëshim teknik’, duke thënë se nota mesatare nuk ka qenë kriter në konkurs. Por kjo nuk përbënte argument për Inspektoratin.

“Ndryshimi i notës mesatare të studimeve master për kandidatin Bekim Sele si 7.28 në vend se 9.4 dhe konstatimi i Sekretarit të UP-së në përgjigjen e tij, se kjo ka qenë një lëshim teknik dhe se komisioni nuk e ka marrë parasysh notën mesatare të kandidatëve, është e paqëndrueshme kundrejt faktit se nota ishte kërkuar në të dhënat e përgjithshme për secilin kandidat dhe se Statuti parasheh që nota mesatare duhet të jetë jo më pak se 8 (tetë)”, thuhet në raportin e inspektimit të Ministrisë së Arsimit.

Pavarësisht kësaj, Senati i UP-së, në vendimin e 7 shkurtit, e refuzon ankesën e kandidatit Bekim Sele. Ndër tjera, Senati e merr si provë atë se kandidati Bekim Sele nuk ka recension pozitiv.

“Senati në bazë të të dhënave të raportit të Komisionit për Ankesa dhe Parashtresa ka konstatuar se recensioni për kandidatin Bekim Sele nuk është pozitiv në pozitën për të cilën ka parashtruar ankesë dhe Senati ka marr vendim për angazhimin e kandidatit adekuat”, thuhet në vendimin e Senatit, të cilin e ka siguruar Insajderi.

Ky vendim, sipas Inspektoratit të Arsimit, nuk përmban bazë ligjore dhe as këshillë juridike për palën.

Në fakt, Komisioni vlerësues nuk kishte hartuar fare recension për kandidatin Bekim Sele, edhe pse ishte i obliguar ta bënte këtë. Rrjedhimisht, vendimi i Senatit është bazuar në një dokument që nuk ekziston.

“Komisioni vlerësues është i obliguar që të shkruajë raport edhe për kandidatët kur nuk rekomandon apo i plotësojnë kriteret me një arsyetim përcjellës për secilin kandidat”, thuhet në udhëzuesin për procedurat e zgjedhjes-rizgjedhjes dhe avancimit të personelit akademik në UP.

Mos-hartimin e recensioneve për të gjithë kandidatët, Inspektorati i Arsimit e kishte konstatuar si shkelje.

“Raporti i Komisionit vlerësues të Fakultetit të Arteve, nuk është bërë vlerësim për kandidatët që janë refuzuar, që është në kundërshtim me pikën 12 dhe 18 të kapitullit të IV, të Udhëzuesit për procedurat e zgjedhjes – rizgjedhjes dhe avancimit të personelit akademik në Universitetin e Prishtinës, pa datë dhe numër protokolli. Në mungesë të këtij vlerësimi, pala nuk është sqaruar për përparësitë dhe mangësitë e kandidurës së tij”, thuhet në raport.

Madje raporti i Inspektoratit të Arsimit konstaton se Komisioni vlerësues në këtë proces i është referuar një Rregulloreje të vitit 2004, e cila nuk do të duhej të ishte në fuqi.

Kjo për faktin se të gjitha rregulloret e UP-së do të duhej të harmonizoheshin me Statutin e Universitetit më së largu gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi.

Statuti i UP-së ka hyrë në fuqi qysh në vitin 2012.

“Kjo rregullore mban nr. prot. 3/736, datë 26.11.2004 dhe nuk është harmonizuar me Statutin e ri të UP të vitit 2012, që bie në kundërshtim me nenin 180 të Statutit të UP, që thotë se ‘Senati nxjerr Rregullore të veçantë për ekuivalentimin e personelit akademik të Fakultetit të Arteve, me propozim të Këshillit të Fakultetit të Arteve, në pajtim me dispozitat e këtij Statuti, brenda 6 muajve pas hyrjes në fuqi të këtij Statuti’”, konstatohet në raportin e Inspektoratit të Arsimit.

Por kandidati Bekim Sele ka thënë se, marrë për bazë të gjitha raportet dhe vendimet e UP-së, shihet qartë tendenca në këtë proces.

“Ndryshimi i notës mesatare; vendimi i Rektorit që thirret në një dokument inekzistent (recensionin negativ) të cilën as vetë komisionin recensues nuk e ka përpiluar (bazuar në raportet e inspektimit); rregullorja e brendshme e Fakultetit të Arteve e cila është nuk është e harmonizuar me dispozitat e Statutit të UP-së, shihen pastër tendencat dhe mbështetja e gjithë kësaj parregullsie”, ka thënë kandidati Sele për Gazetën Insajderi.

Gazeta Insajderi ka kërkuar sqarim nga Rektorati për këtë situatë, por ka thënë se janë duke i analizuar raportet e Inspektoratit të Punës dhe atij të Arsimit.

“Menaxhmeti i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” është duke i analizuar përfundimet e Inspektoratit të Punës dhe Inspektoratit të Arsimit në lidhje me Ankesën e z. Bekim Seles dhe të njëjtëve do të ju përgjigjet brenda afateve të parapara ligjore. Varësisht nga rezultati i komunikimit me këto dy instanca dhe përfundimeve të nxjerra, menaxhmenti do ta informoj Senatin me qëllim të marrjes së vendimit respektiv”, thuhet në përgjigjen e Rektoratit dhënë për Insajderin.

Në fakt, Rektorati përmes Sekretarit të saj, Esat Kelmendit, ishte ankuar në shkallën e dytë të Inspektoratit në Ministrinë e Arsimit. Por ajo e kishte refuzuar atë.

“Refuzohet si e pabazuar ankesa e sekretarit të përgjithshëm të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”… Mbetet në fuqi vendimi … i nxjerrë nga inspektorja e arsimit”, thuhet në vendimin e Zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të MAShT-it.

Insajderi ka kërkuar edhe sqarime tjera nga Ministria e Arsimit, por ajo nuk ka kthyer përgjigje.

Po ashtu, përgjigje për këtë rast nuk ka kthyer as dekani i Fakultetit të Arteve, Agim Selimi.

Marrë për bazë këto të gjetura, Inspektorati i Arsimit ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë kundër Universitetit të Prishtinës dhe rektorit Marjan Dema.

Në këtë kallëzim penal, të cilin e ka siguruar Gazeta Insajderi, bazuar në të gjeturat e Inspektoratit, kërkohet që të ngrihet aktakuzë.

Por për kallëzim penal të ushtruar ndaj tij, rektori thotë se nuk është në dijeni.

“Unë personalisht nuk kam kurrfarë njohuri për këtë, por sigurisht që secili ka të drejtë të ngrit shqetësime për çështjet në Universitet, duke e ditur gjithashtu se për akuza të pabazuara do të bartë edhe përgjegjësi ligjore”, ka thënë për Insajderin rektori Dema.