Në emër të ‘Vetëvendosjes’ – Nga demonstrata të përgjakshme në dialog me Serbinë

Ky 13-të vjetor është nga më të veçantit. ‘Kryengritësi’ tash është në pushtet. Ai shkeli të gjitha deklaratat që i bëri para qytetarëve që u nisën pas tij për të demonstruar kundër ‘Pakos së Ahtisaarit’, dhe negociatave të Prishtinës me Beogradin.

Në emër të ‘Vetëvendosjes’ – Nga demonstrata të përgjakshme në dialog me Serbinë

“…Se pas vdekjes ndriti jeta, dhe kudo gjëmon trumbeta, ngrihuni…”, janë vargjet e Fan Nolit, me të cilat Lëvizja Vetëvendosje, publikoi mbrëmë një dokumentar për demonstratën e 10 shkurtit të vitit 2007, në të cilën mbetën të vdekur Arben Xheladini dhe Mon Balaj.

Ndonëse në vargje thuhet të ngrihet një popull i tërë në këmbë, ani pse do të vdesin, dhe se pas vdekjes ndrit jeta, kurrë nuk u ngritën më Xheladini e Balaj. Sot, 13 vite pas kësaj demonstrate të përgjakshme, në pushtet erdhi po kjo Lëvizje që thërriste popullin që të “Vetëvendosin”, madje me vendosmërinë për të mos shkuar në dialog me Serbinë, shkruan Gazeta Insajderi.

Ky 13-të vjetor është nga më të veçantit. ‘Kryengritësi’ tash është në pushtet. Ai shkeli të gjitha deklaratat që i bëri para qytetarëve që u nisën pas tij për të demonstruar kundër ‘Pakos së Ahtisaarit’, dhe negociatave të Prishtinës me Beogradin.

Përballë një kordoni të madh të forcave policore, ishin mijëra qytetarë të Kosovës, që udhëhiqeshin nga Albin Kurti – lider i kësaj Lëvizje. Edhe pse, policia ishte përballë tyre duke mos i lënë që të afroheshin afër institucioneve të Kosovës, me një thirrje të vetme të Kurtit, turma ia mësyu atyre, ashtu siç e kishin planifikuar.

Demonstrata thuhej se do të ishte e qetë. Por, nuk doli ashtu.

“Decentralizimi është ndarje, ndarja është luftë”, “Poshtë grupit negociator”, ishin disa nga thirrjet mbi të cilat u nis kjo demonstratë.

“E vetmja rrugë për neve, mbetet kjo që e kemi zgjedh sot”, ishin fjalët e tashmë kryeministrit Albin Kurti, i cili ftoi turmën që t’i thyejnë barrikadat për t’iu afruar institucioneve.

Gjithmonë duke prirë, Kurti, filloi t’i shtyjë policinë duke iu bërë vend edhe qytetarëve të tjerë.

Pas kësaj eskalon gjithçka.

Gaz lotsjellës, plumba gome, dhunë, gjak e krejt në fund vrasje, ishin fjalët kryesore që përshkuan demonstratën e 10 shkurtit. Në emër të ‘vetëvendosjes’ mbetën të vrarë Arben Xheladini e Mon Balaj, nga forcat policore rumune.

Në emër të kundërshtimit të pakos së Ahtisaarit, në emër të kundërshtimit të negociatave me Serbinë, në emër të lirisë e demokracisë, në këtë demonstratë mbetën edhe mbi 80 qytetarë të tjerë të plagosur.

Dy ditë pas kësaj, kishte dhënë  dorëheqje ish-ministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Rexhepi, njëherësh edhe ish-anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai e kishte quajtur veprimit e tij të drejtë.

“Vendimi ishte i drejtë, shikuar nga plani moral dhe politik duke i kontribuar vendit”, kishte thënë ai.

13 vite pas, në emër të të gjitha këtyre, Lëvizja Vetëvendosje, me liderin e saj Albin Kurti, vijnë në krye të institucioneve të Kosovës. Pas një maratone të diskutimeve me partinë e dytë që doli pas tyre në zgjedhjet e 6 tetorit 2019-të, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, arriti të bëjë koalicion dhe kështu kryeministër i Republikës së Kosovës, u zgjodh Albin Kurti.

Duke thirrur ta kundërshtojnë ‘Pakon e Ahtisaarit’, Lëvizja Vetëvendosje, erdhi në pushtet. Kështu pranoi edhe të shkojë në dialog me Serbinë.

Madje, në deklarimet e fundit kryeministri Kurti, thotë se nuk do të lejojë që të dështojë sërish Kosova në dialog.

Kurti, thotë se ai do të jetë udhëheqës i dialogut me Serbinë. Ashtu siç udhëhoqi demonstratat e protestat e kësaj Lëvizje, thuajse që nga themelimi i saj.

“Unë do ta udhëheq ekipin e Kosovës për bisedime me Serbinë, si kryeministër i Republikës së Kosovës. Ne, në parim, jemi për dialog me parime dhe besoj që nuk e kemi luksin që të dështojmë sërish në dialog, prandaj besoj që edhe ekipi i Serbisë edhe yni duhet t’i bëjnë përgatitjet e duhura përmes diskutimeve me Brukselin sa i përket formatit, agjendës, kornizës etj”, tha Kurti, tri ditë më parë në një intervistë për REL.

Ndërkohë, që ende nuk dihet kur do të fillojë dialogu, ajo çka dihet është se shumë shpejt pritet që taksa 100% ndaj produkteve serbe do të zëvendësohet me reciprocitet. E kur të bëhet kjo, atëherë edhe dialogu merr dritën jeshile.

E gjersa të merren masat e reciprocitetit, sot gjatë ditës në 13-vjetorin e rënies së Xheladinit e Balajt, kryeministri Kurti, bëri homazhet tek varret e tyre dhe tek vendin ku ata kanë rënë. Ndërsa nesër, çdo gjë kthehet në ‘normalitet’. Duke ‘Vetëvendosur’, merret një vendim se kur do të rifillojë dialogu me Serbinë./ Insajderi.com