Insajderi ka zbuluar se deputeti i LDK-së ka shpenzuar qindra mijëra euro në SHBA për të lobuar për të ardhmen e tij politike dhe për interesat e tij biznesore. Por, sa ishte i suksesshëm ky lobim i tij? Ai nuk kishte arritur që të bindte kompanitë amerikane që të punonin me të. Zhvillimet e fundit e kanë dëmtuar atë edhe në karrierën politike. Imazhi i tij është dëmtuar pas dyshimeve se është shndërruar në argat të Thaçit.
Imazhi i deputetit Naser Rugova është dëmtuar shumë pas përpjekjeve të dështuara për ta mashtruar opinionin, pas akuzave publike për tradhti të elektoratit të LDK-së.
Kritikët vlerësuan se Rugova është shndërruar në argat të Hashim Thaçit, duke mos votuar pro miratimit të një rezolutë që ia ndalonte atij negocimin e kufijve të Kosovës.
Zhvillimet e dy javëve të fundit duket se kanë zhvleftësuar investimet e mëdha financiare që deputeti i LDK-së ka bërë në një fushë specifike: Krijimin e imazhit prej një politikani të mirë.
Insajderi ka zbuluar se Rugova është kujdesur shumë që të ketë një imazh të mirë në publik. Ka shpenzuar qindra mijëra euro që para qytetarëve të duket se është politikani i duhur për të pasur hapësirë në skenën publike.
Duke ndjekur modelin që përzgjedhin politikanët e fuqishëm, edhe Naser Rugova kishte vendosur që të shpenzojë 187 mijë euro në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte takuar me lobistë të famshëm.
Insajderi ka zbuluar detajet e këtij lobimi të deputetit të LDK-së, i cili vendosi që të mos jetë i pranishëm në seancën kundër Thaçit. Pohoi fillimisht që kishte termin për vizë në Ambasadën e Hungarisë. Doli që atë ditë, më 1 nëntor, kjo ambasadë nuk punonte. Më pas, Rugova postoi vizën e tij në tentativën e dytë për ta mashtruar opinionin. Por, u tregua i pakujdesshëm. Datat që figuronin në vizë e demantonin Rugovën. Pasi që të gjithë e tallën për këtë gafë të tij, Rugova vendosi që ta fshijë postimin e tij.
Detajet e lobimit të Naser Rugovës në ShBA
Ishte viti 2007, muaji shkurt. Atëkohë, Naser Rugova kishte ndërmarrë një veprim të çuditshëm. Një veprim që e bëjnë zakonisht Qeveritë dhe partitë politike. Rugova e kishte bërë si individ. Pak kush e ka bërë këtë veprim në mënyrë individuale, për shkak të shumave të mëdha të parave që duhen paguar për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Rugova kishte kontraktuar kompaninë amerikane JWI L.L.C, me bazë në Washington. Insajderi ka siguruar raportet e aktiviteteve lobuese të kësaj kompanie. Emri i deputetit të LDK-së përmendet në raportin e vitit 2007. Shuma që Rugova kishte paguar, bazuar në këtë raport, është në vlerë prej 240 mijë dollarësh.
“240.000,00 $ për një periudhë prej gjashtë muajve e cila përfundon me 28 shkurt 2007”, shkruan në këtë raport.
Kompania lobuese tregon se kishte ndihmuar klientin e saj, Naser Rugovën, në shumë aspekte.
E kishte ndihmuar zhvillimin e marrëdhënieve me përfaqësues të mediave në SHBA, me zyrtarë të kongresit, me kongresmenë për të diskutuar lidhur me interesat e Rugovës, përfshirë edhe ato tregtare.
Raporti tregonte se zyrtarët e kësaj kompanie kishin biseduar me zyrtarët amerikanë të shtetit si: Frank Wisner, Bert Braun, Hans Binnendijk, Tomica Tilleman.
Interesat politike dhe biznesore të Naser Rugovës
Naser Rugova, në një deklarim të mëhershëm për Insajderin, kishte zbuluar arsyet e këtij shpenzimi prej qindra mijëra dollarësh. Kishte pohuar se shuma në euro e këtij investimi ishte në vlerë prej 187 mijë eurosh.
Ai kishte thënë për Gazetën Insajderi se këtë e ka bërë që ta promovojë vetën, duke kërkuar hapësira të reja politike.
“Kompaninë e kam angazhuar që ta promovoj veten, dmth personin tim, aso kohe një politikan i ri në kërkim të hapësirës dhe nuk ka të bëjë gjë me LDD”, kishte thënë Rugova.
Por, në raportin e amerikanëve, theksohej se Rugova kishte lobuar edhe për interesat e tij tregtare.
Rugova pranon se kishte pasur edhe ambicie të mëdha edhe biznesore.
“Interesat ekonomike kanë të bëjnë me përpjekjen time dhe të disa miqve të mi që të sigurojmë mbështetjen e ndonjë kompanie amerikane për të investuar në sektorin energjetik dhe atë të minierave dhe mineraleve”, kishte pohuar Rugova.
Megjithatë, ky lobim kishte rezultuar i pa suksesshëm. Rugova tregon arsyen e dështimit.
“… sepse këto kompani kërkonin partnerë me fuqi politike, që unë aso kohe nuk e kisha”, kishte thënë Rugova për Insajderin në një intervistë të realizuar në vitin 2017.
I pyetur aso kohe për të ardhurat e gjithë këtij investimi, Rugova kishte thënë se janë siguruar nga kursimet familjare dhe huazimet nga miqtë e tij.
“Mjetet i kemi siguruar nga katër burime: bizneset dhe kursimet familjare të asaj kohe, të miat dhe të pesë vëllezërve të mi, që më kanë mbështetur pa kursim, ndihma dhe hua simbolike nga miq të ndryshëm, shumat nuk më kujtohen, mjete nga afaristë të ndryshëm të cilët kanë qenë të interesuar që nëpërmjet meje të lidhen me kompani amerikane, dhe e kanë mbështetur pjesën e lobimit ekonomik”, kishte thënë Rugova.
Këtë investim 187 mijë eurosh, e kishte cilësuar si më të mençurin në gjithë karrierën e tij politike.
Por, sa ishte i mençur ky investim nga Rugova?
Kanë kaluar njëmbëdhjetë vjet prej se Rugova e realizoi këtë mision të madh. Ai e pranon edhe vetë se kishte dështuar në pjesën biznesore. Nuk kishte arritur të bindte kompanitë amerikane që të bëheshin partner të tij. Megjithatë, Rugova ende beson se ka qenë i suksesshëm për pjesën tjetër të lobimit: atë politike. Por, zhvillimet e këtij muaji shpërfaqin pikëpyetje të mëdha se a ka qenë i suksesshëm apo jo?
Njeriu që ka shpenzuar qindra mijëra euro në ShBA, para njëmbëdhjetë vitesh, tash ka imazhin e një argati të Thaçit dhe të një njeriu që ka mashtruar publikun duke e përdorur vizën hungareze si arsye të mospjesëmarrjes në një prej seancave më të rëndësishme parlamentare të vitit 2018.
(Artikullit i kontribuoi edhe Besian Beha)
Festa zyrtare hungareze që zbulon gënjeshtrën e Naser Rugovës