Nipi i Sali Mekajt i akuzuar për fajde, rrezikon ta humbasë licencën që e fitoi me dallavere

Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur hetime ndaj Asdren Mekajt për përfitimin në mënyrë të paligjshme të licencës së avokatit, sipas një kallëzimi penal të ngritur kundër tij nga Policia e Kosovës më 26 qershor të këtij viti. Ai është nipi i Sali Mekajt, ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit.

Nipi i Sali Mekajt i akuzuar për fajde, rrezikon ta humbasë licencën që e fitoi me dallavere

Asdren Mekaj rrezikon ta humbasë pozitën e avokatit të licencuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës, të cilën dyshohet se e fitoi me keqpërdorime.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur hetime ndaj Asdren Mekajt për përfitimin në mënyrë të paligjshme të licencës së avokatit, sipas një kallëzimi penal të ngritur kundër tij nga Policia e Kosovës më 26 qershor të këtij viti.

Insajderi ka siguruar kallëzimin penal të Policisë së Kosovës ndaj Asdren Mekajt. Aty thuhet se prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Merita Bina-Rugova, ka autorizuar Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar, për ushtrim të kallëzimit penal ndaj Mekajt.

Siç kishte raportuar emisioni InDoks, në dokumentarin “Republika e Fajdeve”, Asdren Mekaj, derisa ishte në proces gjyqësor si i akuzuar, kishte arritur edhe të bëhej avokat.

“Pasi që prokurorja [Merita, v.j] Bina-Rugova kishte analizuar dosjet, me datë 25/06/2019 me shkrim na ka autorizuar që ndaj të dyshuarit Asdren Mekaj, urgjentisht të ushtrohet Kallëzim Penal pranë Prokurorisë Themelore në Prishtinë”, thuhet në kallëzimin penal të Policisë.

Para se të fitonte licencën e avokatit, Mekaj dyshohet se ishte përfshirë në një ngjarje me elemente të krimit të organizuar. Ndaj avokatit të dyshimtë, Prokuroria kishte ngritur aktakuzë për veprën penale të fajdeve më 17 janar të vitit 2018.

Oda e Avokatëve të Kosovës kishte thënë se Mekaj, kur kishte aplikuar për këtë licencë, kishte paraqitur një certifikatë nga Gjykata në Pejë që ndaj tij nuk po zhvilloheshin procedura penale dhe nuk ishte i dënuar.

Ai po gjykohet ende në Prizren, për çka Oda është informuar pas licencimit dhe thotë se po pret konfirmim nga Prizreni.

Në një aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj, dalin të përmendur edhe grupi Kqiraj. Në këtë aktakuzë është i përfshirë edhe Osaj.

Sali Mekaj, ish-kryetar i Gjykatës së Apelit, që është xhaxhai i Asdren Mekajt, ishte përfshirë në këtë rast kur sipas aktakuzës kundër tij u takua me viktimat e rastit Kqira, Pal Gruda, për t’ia nxjerr 200 mijë euro që thuhet se ai ia kishte borxh të afërmit të tij, avokatit Asdren Mekaj.

Asdreni është i biri i Gjyqtares së Gjykatës Themelore të Prishtinës, Nushe Mekaj. 

Insajderi ka kontaktuar sot kryetarin e Odës së Avokatëve, Osman Havolli, për të sqaruar çështjen e Asdren Mekajt. Për të pyetur nëse Mekajt do t’i hiqet licenca e fituar në mënyrë të dyshimtë. Mirëpo, Havolli i ka thënë gazetës se ndodhet në pushim vjetor dhe se nuk mund të kthejë përgjigje. /Insajderi.com