Për katër vitet e ardhshme, në krye të Gjykatës së Apelit do të jetë një njëri i afërt me Partinë Demokratike të Kosovës. Hasan Shala, i zgjedhur të premten në këtë pozitë, i ishte rekomanduar më herët Adem Grabovcit për t’u zgjedhur për një detyrë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, me arsyetimin se me emërimin e tij, PDK “e zgjidh problemin” për rajonin e Dukagjinit.
Në dhjetor të vitit 2011, ish-shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, pranoi një telefonatë nga avokati dhe miku i tij, Idriz Ibraj. Ai i sugjeronte Grabovcit që të mbështesë kandidaturën e një personi të quajtur Hasan, për një detyrë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.
Sipas Ibrajt, me këtë lëvizje, Partia Demokratike e Kosovës do të kishte një njëri të besuar “qeknena” duke iu referuar rajonit të Dukagjinit.
Biseda mes Grabovcit e Ibraj është pjese e Dosjes së Shefave, një seri përgjimesh të publikuar nga Insajderi në vitin 2016, përmes së cilave argumentohet se si PDK ka ndikuar në emërimin e njerëzve të afërt me këtë parti në poste të rëndësishme të institucioneve publike.
“E pashë në gazetë qaty, se për një anëtar të Këshillit Gjyqësor duhet me qenë [dikush] prej Dukagjinit”, thotë Ibraj, dhe vazhdon: “A kish ba Hasanin me e shti aty?”
“Në daq me zgjidh problemin për qeknena, me e pas na një anëtar të fortë si me kanë i PDK-së”, vazhdon ai teksa tenton të bindë Grabovcin.
Grabovci pasi merr disa sqarime lidhur me këtë pozitë, i përgjigjet pozitivisht kërkesës së Ibrajt.
“Këqyr qysh shkojnë procedurat e më tregon, të lutem. Se qind për qind jam për Hasanin”.
Insajderi ka kuptuar se njeriu i rekomanduar tek Grabovci është Hasan Shala, i zgjedhur të premten në krye të Gjykatës së Apelit për një mandat katër vjeçar.
Për këtë arsye, redaksia ka kontaktuar me mikun e tij Idriz Ibraj, i cili më herët e kishte rekomanduar tek Grabovci, për të konfirmuar se bëhet fjalë për të njëjtin njëri që përmendet në bisedën telefonike.
Fillimisht, Ibraj ka pranuar të flasë, por kur është pyetur rreth Shalës, ai ka refuzuar që të vazhdojë bisedën me arsyetimin se është ditë pushimi.
Ai është pyetur nëse sërish ka ndihmuar që Hasan Shala të zgjidhet në postin e të parit të Apelit, por ai është përgjigjur se nuk dëshiron të komentojë dhe pastaj ka ndërprerë bisedën.
“Ama hiç, asnjë koment. Asnjë koment, s’kam kurfarr komenti”, ka thënë ai dukshëm i shqetësuar nga pyetja.
“Natën e mirë e bofsh!,” ka shtuar ai, edhe pse është telefonuar në orët e paradites.
Përveç kësaj, Shala përmbush kriterin e të qenit nga rajoni i Dukagjinit, ashtu siç në vitin 2011 sqarohej nga Ibraj si domosdoshmëri për pozitën në KGjK.
Bazuar në biografinë e tij, Hasan Shala në vitin 1999 u emërua gjyqtar për kundërvajtje në Gjykatën Komunale për Kundërvajtje në Pejë ndërsa një vit më vonë u emërua gjyqtar në Gjykatën Komunale, po ashtu në Pejë. Pasi ushtroi pesë vjet këtë detyrë, në vitin 2005 u bë gjyqtar në Gjykatën e Apelit.
Adem Grabovci, që pas disa protestave që pasuan publikimin e përgjimeve dha dorëheqje nga pozita e shefit të GP të PDK-së, ishte njeriu që kishte ndikuar që Sali Mekaj, ish-kryetar i Gjykatës së Apelit, të zgjidhej në këtë pozitë.
Po në vitin 2011, pas një bisede me një kushëri të tij, Adem Grabovci vendos që të punojë për të ndihmuar Sali Mekajn të fitojë pozitën.
“Çka me bë me Salihun, a me shti a jo” pyet Adem Grabovci kushëririn e tij, Xhevatin, i cili i përgjigjet se “atë e ke njërin ma të fortë në Pejë”, duke iu referuar Mekajt.
“Hajt e kryme është”, i ishte përgjigjur Adem Grabovcit kushëririt të tij.
Salih Mekaj, ishte akuzuar për shpërdorim të pozitës zyrtare, ushtrim të ndikimit dhe marrje të ryshfetit në tentativë. Po ashtu, ai akuzohet edhe për ndërmjetësim në biznesin e fajdeve për një të afërm të tij./Insajderi.com