fbpx

Pagat e majme të drejtuesve të Univeritetit të Prishtinës

Myrvete Badivuku-Pantina, Prorektore dhe profesoreshë në UP, vitin e kaluar ka marrë mbi 43 mijë euro pagë nga shteti. Ajo ka marrë pagë vjetore më të lartë sesa rektori i Marjan Dema, i cili në vitin 2018 në total ka marrë mbi 37 mijë euro. Pavarsisht pagave të larta menaxhmenti i UP-së kishin hyrë në grevë duke bllokuar procesin e paraqitjes së provimeve dhe mbajtjen e tyre.

Pagat e majme të drejtuesve të Univeritetit të Prishtinës

Vetëm në muajin dhjetor të vitit të kaluar, Prorektorja për Financa e Universitetin e Prishtinës, Myrvete Badivuku-Pantina ka marrë 5 mijë e 22 euro, përfshirë honoraret dhe pagën e saj si prorektore në vlerën prej 450 euro. Në total ajo gjatë vitit 2018 ka marrë 43 mijë 540 euro pagë.

Kjo dëshmohet nga lista e pagave të të punësuarve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi.

Më pak sesa prorektorja Badivuku-Pantina, pagë ka marrë rektori Marjan Dema. Sipas kësaj liste ai vitin e kaluar ka pasur pagën vjetore në shumën prej 37 mijë 394. Paga e tij mujore sillet nga 2800 deri në 3700 eruo, shkruan Insajderi.

Sipas llogaritjeve del se gjatë vitit 2018 vetëm për pagat e menaxhmentit të Universitetit janë shpenzuar mbi 200 mijë euro, përfshirë pagat si prorektorë që kanë qenë  450 euro dhe angazhimet si profesorë.

Shumën prej 32 mijë 252 euro si pagë vjetore e ka marrë Faton Berisha, Prorektor për kërkime shkencore në UP dhe profesor.

Hysen Bytyqi  ka marrë 34 mijë e 671 euro për një vit, përfshirë angazhimin e tij si Prorektor për mësim dhe cështje për student dhe profesor i rregullt.

Dashamir Bërxuli  ka marrë nga UP-ja pagë vjetrore 24 mijë 859 euro përfshi rrogën si profesor, prodekan dhe prorektor për bashkëpunim ndërkombëtar.

Kurse sekretari i UP-së, Esat Kelmendi ka marrë pagë vjetore prej 31 mijë e 440 euro.

Paga si prorektorë për disa muaj kanë marrë edhe Teuta Pustina Krasniqi dhe Naser Sahiti, shkruan Insajderi.

Teuta Pustina Krasniqi, e cila ushtronte detyrën e Prorektores për Bashkëpunim Ndërkombëtar ishte shkarkuar në muajin mars për shkak të deklaratave skandaloze rreth veshjes së studentëve në Universitetin e  Prishtinës.

Pati thënë që “gjininë femërore, studentëve, stafit akademik, stafit administrav  ju apeloj që mos të provokojnë, mos të vishën në mënyrë provokative, sepse ky është një efekt psikologjik, i cili mund të ndikojë shumë negativisht në rrethin në të cilën një student i caktuar kryen ushtrimet, ligjëratat”.

Për tre muajt e parë të vitit të kaluar ajo ka marrë 6 mijë e 227 euro derisa u shkarkua.

Ndërsa Naser Sahiti, si Prorektori për mësimdhënie dhe çështje të studentëve ka marrë pagë 24 mijë e 463 euro.

Ai kishte dhënë dorëheqje në muajin shtator, pasi pati thënë se ka pasur mospajtime me rektorin Marjan Dema.

Por pavarsisht pagave të larta menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” kishte marrë vendim t`i bashkohet grevës së thirrur nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Përmes komunikatës për media UP-ja njoftonte se ky qëndrim unanim ka dalë pas takimit të zhvilluar në rektorat ku morën pjesë menaxhmenti i lartë i Universitetit, dekanët e njësive akademike dhe përfaqësues nga SBASHK-u.

“Në këtë takim, dekanët njoftuan që si pasojë e grevës, në të gjitha njësitë akademike të Universitetit të Prishtinës janë pezulluar në mënyrë të tërësishme të gjitha proceset administrative dhe akademike. Situata e krijuar ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha tek palët brenda dhe jashtë Universitetit, të cilat kërkojnë ekzekutimin e kërkesave të tyre, në veçanti të kërkesave të adresuara në mënyrë emergjente”, thuhej në njoftimin e UP-së.

Greva ishte ndërprerë vetëm pasi që SBASHK arriti marrëveshje me qeverinë, në fund të javës së kaluar. UP-ja pas kësaj njoftoi se provimet do të mbahen që nga data 6 shkurt, ndërsa u dha mundësi studentëve që të parqesin provimet gjatë dative 4 dhe 5 shkurt. /Insajderi.com