Autoriteti Kosovar i Konkurrencës e ka vlerësuar si të paligjshme kontratën e lidhur mes Bankës Ekonomike dhe Komunës së Gjakovës. Nga kjo kontratë, Banka Ekonomike ka përfituar për një periudhë kohore prej tetë vjet e shtatë muajsh.
Përfitimet e Bankës Ekonomike nga Komuna e Gjakovës, të realizuara në një periudhë prej tetë vjet e shtatë muaj, kanë qenë të kundërligjshme, ka konstatuar Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.
Të dy palët kishin lidhur një kontratë më 25 mars të vitit 2008, në kohën kur Gjakova drejtohej nga Pal Lekaj. Kontrata parashihte shfrytëzimin e një lokali afarist nga Banka Ekonomike.
Komuna e Gjakovës në kundërshtim me parimet e ekonomisë së lirë të tregut, nuk kishte hapur tender publik për dhënien në shfrytëzim të këtij lokali në pronësi komunale.
Lokali u shfrytëzua deri në dhjetor të vitit 2016. Përfitimi i mëtejmë i Bankës Ekonomike u ndërpre nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.
Vendimi i këtij institucioni, i marrë më 6 dhjetor 2016, thotë se autoritetet komunale të Gjakovës vepruan kundërligjshëm kur vendosën ta lëshojnë me qira lokalin afarist të shfrytëzuar nga Banka Ekonomike.
“Konstatojmë se në Komunën e Gjakovës përmes një kontrate për qiranë e lokalit afarist është instaluar Banka Ekonomike, pa procedura konkurruese”, thuhet në këtë vendim.
Tutje në vendim thuhet se Autoriteti Kosovar i Konkurrencës kërkon nga Komuna e Gjakovës që ta shfuqizojë marrëveshjen me Bankën Ekonomike, për shkak se është lidhur pa procedura konkurruese.
Autoritetet komunale të Gjakovës, të drejtuar nga Mimoza Kusari-Lila, vepruan në përputhje me kërkesën e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.
“Mund të ju njoftojmë se komuna e Gjakovës e ka shkëputur kontratën që e ka pasur me Bankën Ekonomike, për dhënie me qira të një këndi prej 9 metra katrorë, kënd të cilin kjo bankë e ka shfrytëzuar si nëndegë të veten. Shkëputja e kontratës është bërë me kërkesë të komunës, menjëherë pasi e kemi pranuar Vendimin e Autoritetit Kosovar të konkurrencës”, ka thënë Artan Haraqia, zyrtar për informim i Komunës së Gjakovës.
Sipas tij, bazuar në këtë kontratë, Banka Ekonomike ia ka paguar Komunës së Gjakovës shumën prej 90 euro në muaj, për shfrytëzimin e këtij lokali.
Për tetë vjet e shtatë muaj, Banka Ekonomike i ka paguar Komunës së Gjakovës një shumë prej mbi 9 mijë e 500 eurosh, për shfrytëzimin e këtij lokali afarist.
Ai ka shtuar se kjo kontratë është nënshkruar në kohën e Pal Lekajt, i cili ka udhëhequr disa vjet më radhë Komunën e Gjakovës.
Sipas tij, qeverisja aktuale nuk ka shumë informacione për detajet e kësaj kontrate.
“Ne nuk mund të themi shumë në lidhje me dhënien apo përpilimin e kësaj kontrate, pasi e njëjta është nënshkruar në vitin 2008 nga një tjetër qeverisje dhe ne nuk kemi informacione rreth formës së nënshkrimit të saj dhe kritereve për përpilimin e saj”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Gjakovës.
Insajderi ka kontaktuar me Pal Lekajn. Ka kërkuar nga Lekaj një koment lidhur me vendimin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës. Lekaj nuk ka dashur të komentojë.
“Nuk jam fare në dijeni për këtë punë, pyeteni Zyrën e Prokurimit në Gjakovë”, ka pohuar Lekaj.
Ndërkaq, Banka Ekonomike ka konfirmuar respektimin e vendimit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.
Ndërkaq lidhur me ligjshmërinë e kësaj kontrate për shkak të mos aplikimit të procedurave konkurruese, zyrtarja e Bankës Ekonomike ka sugjeruar që të pyetet Komuna e Gjakovës.
“Pyetjet në fjalë do të duhej të adresohen tek Komuna e Gjakovës, pasi që këto janë procedura të Komunës”, ka pohuar zyrtarja e Bankës Ekonomike./Insajderi.com