Personave mbi 65 vjeçar nuk u ofrohen sigurime shëndetësore – Avokati i Popullit nis hetime kundër kompanive të sigurimeve

Kompanitë e Sigurimeve në Kosovë, nuk pranojnë që t’u ofrojnë sigurime shëndetësore personave të moshës mbi 65 vjeç. Krejt kjo për shkak se mundësia e sëmundjes së tyre është shumë e lartë dhe ata rrezikojnë të humbin financiarisht. Pasi që, ky veprim është në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën, pas interesimit të Gazetës Insajderi, Zyra e Avokatit të Popullit, ka nis hetimet kundër këtyre kompanive.

Personave mbi 65 vjeçar nuk u ofrohen sigurime shëndetësore – Avokati i Popullit nis hetime kundër kompanive të sigurimeve

Asnjë kompani sigurimesh në Kosovë nuk pranon që t’u ofrojë sigurime shëndetësore personave të moshës mbi 65 vjeç.

Këtë e bëjnë për shkak se mundësia e sëmundjes së tyre është shumë e lartë dhe rrezikojnë të humbin financiarisht. Ky veprim është në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën – që sanksionojnë diskriminimin.

Kjo praktikë e shkeljes flagrante të të drejtave të njeriut është duke vazhduar pa asnjë pengesë për shumë vjet në Kosovë.

Refuzimi i klientëve mbi moshën 65 vjeç për t’i pranuar në sigurim, është në kundërshtim me Ligjin për Sigurime Shëndetësore në Kosovë, i miratuar në vitin 2013-të. Ky ligj ofron qasje universale, shkruan Gazeta Insajderi.

Këtë problem, Zyra e Avokatit të Popullit, e ka konsideruar shkelje të të drejtave të njeriut dhe për këtë çështje pas interesimit të Gazetës Insajderi, ka hapur rast.

Edhe pse në këtë zyrë nuk është ankuar askush më parë, deri në  interesimin e Gazetës Insajderi.

“Institucioni i Avokatit të Popullit në lidhje me pyetjen që ju keni parashtruar nuk ka pranuar asnjë ankesë nga qytetarët për një problem të tillë. Megjithatë, Institucioni i Avokatit të Popullit, në pajtim me rolin kushtetues dhe kompetencat e përgjegjësitë e përcaktuara me Ligjin për Avokatin e Popullit, do të hap rast ex-officio për çështjen që ju keni ngritur”, thuhet në përgjigjen dhënë Insajderit nga zyrtari për Komunikim në Institucionin e Avokatit të Popullit, Petrit Çollaku.

Ligji për Sigurime Shëndetësore në Kosovë, i miratuar në vitin 2013-të, ofron qasje universale të qytetarëve dhe banorëve të Republikës së Kosovës, shkruan Gazeta Insajderi.

Sigurimet shëndetësore në Republikën e Kosovës organizohen dhe zbatohen si sigurime shëndetësore të obligueshme dhe sigurime shëndetësore vullnetare. Neni 8 i Ligjit për Sigurime Shëndetësore, që paraqet “Sigurimin Shëndetësor Vullnetar”, në pikën 1 thotë se qytetarët dhe banorët e Republikës së Kosovës, punonjësit e huaj në Republikën e Kosovës, si dhe të gjithë të tjerët, kanë të drejtë të kenë sigurim shëndetësor vullnetar plotësues. Ndërsa pika 3 e nenit të 8 të këtij ligji, thotë se sigurimi shëndetësor vullnetar plotësues realizohet nëpërmjet kontratës individuale në mes të siguruarit vullnetar ose/dhe përfaqësuesit të tij të emëruar ligjor, dhe kompanisë private të sigurimeve shëndetësore, në pajtim me ligjin.

Ky ligj në asnjë nen nuk përjashton ndonjë qytetar nga sigurimi vullnetar në bazë të moshës.

Megjithatë, kompanitë e sigurimeve kriter kryesor e kanë këtë. Mosha mbi 65 vjeç për ta “paraqet rrezik”, për çka nuk ua mundësojnë pensionistëve që të lidhin kontratë sigurimi.

Sipas Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, është e vullnetit të lirë, pasi që përfshinë edhe vullnetin e lirë të kompanive se a duan të marrin përsipër një pensionist në sigurim apo jo.

Sipas tyre, kjo çështje bazohet në politikat individuale të secilës kompani të sigurimit.

“Sigurimi i shëndetit është produkt i sigurimit vullnetar i cili kontraktohet nën kushtet e vullnetit të lirë të të gjitha palëve kontraktuese, atëherë kur ato vlerësojnë se interesat e tyre përmbushen me lidhjen e kontratës përkatëse”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen dhënë Gazetës Insajderi, nga Shoqata e Sigurimeve të Kosovës.

Përveç kësaj, sipas Shoqatës së Sigurimeve, siguruesit e vlerësojnë rrezikun të cilin e marrin përsipër dhe ata mund të mos e marrin përsipër një rrezik të tillë.

“Në secilin rast, siguruesit vlerësojnë rrezikun të cilin e marrin përsipër karshi primit të sigurimit të cilin ata e pranojnë dhe në rastet e përgjithshme, përfshirë shembullin që ju keni trajtuar përmes pyetjes, në rastet kur ekspozimi ndaj rrezikut është i lartë, siguruesit mund të mos e marrim përsipër një rrezik të tillë. Duke qenë produkt vullnetar i sigurimit, është nën diskrecionin e palëve nëse marrëdhënia civilo-juridike do të themelohet ose jo”, përfundon përgjigja e Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës.

Reklamat televizive të kompanive të Sigurimeve Shëndetësore, janë shumë joshëse. Madje motot e tyre me shumë bindje thonë se “Tek ne mund të mbështeteni gjithmonë, sepse ne kujdesemi për ju”,   “Pranë jush”.

Por me këtë shkelje ndaj pensionistëve që bëjnë këto kompani, këto moto duket ta thonë të kundërtën.

Gazeta Insajderi, përgjatë dy javëve ka dërguar pyetje drejtuar tri kompanive, mirëpo asnjëra nga këto kompani nuk janë përgjigjur.

Banka Qendrore, si institucion mbikëqyrës i tregut bankar, jobankar dhe të sigurimeve, ka thënë se ky proces bëhet në pajtim me kushtet e kontratës së sigurimit të siguruesit.

“Produkti i sigurimit të shëndetit (shëndetësor), bënë pjesë në grupin e produkteve të sigurimeve vullnetare, prandaj edhe procesi i marrjes në sigurim të rreziqeve bëhet në pajtim me kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të kontratës së sigurimit të siguruesit”, i ka thënë Insajderit Kushtrim Ahmeti, zëdhënës i BQK-së.

Ndërkohë, në Kosovë ende nuk ka sigurime shëndetësore shtetërore të detyrueshme. Pengesë kryesore po konsiderohet mungesa e sistemit informativ shëndetësor. / Insajderi.com