Pjesëtari i AKSH-së i kapur me 12 kilogram eksploziv TNT – lirohen në shtëpi

Sheremet Jashari, Avdullah Rama dhe Naser Veseli, kanë qenë nën përgjim dhe vëzhgim të drejtorisë kundër krimit të organizuar të Policisë së Kosovës. Ata janë kapur me një sasi të madhe eksplozivi TNT që llogaritet si eksplozivi më i rrezikshëm. Prokuroria për ta ka propozuar vetëm arrest shtëpie

Pjesëtari i AKSH-së i kapur me 12 kilogram eksploziv TNT – lirohen në shtëpi

Një grup prej tre personash, përfshirë një pjesëtar të të ashtuquajturës Armata Kombëtare Shqiptare janë zënë më 12 kilogramë e gjysmë eksploziv të llojit TNT dhe dy pushkë mitraloz të kalibrit të madh të hënën në Fushë-Kosovë.

Por një ditë më vonë, ata janë liruar nën masën e arrestit shtëpiak. Të mjaftueshme këtë masë e ka vlerësuar Prokuroria Themelore e Mitrovicës.

Sheremet Jashari (1955) nga Klina e Mesme e Skenderajt, Avdullah Rama (1968) nga Sankoci dhe Naser Veseli nga fshati Braboniq i Mitrovicës kanë qenë rreth dy muaj muaj nën përgjim dhe vëzhgim të drejtorisë kundër krimit të organizuar të Policisë së Kosovës.

Të dyshuarit – me të kaluar kriminale dhe me lidhje me organizatën e shpallur terroriste – AKSH, janë kapur me këtë sasi të madhe eksplozivi dhe me armë të pajisura me dylbi.

Pavarësisht kësaj, prokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Njazi Rexha ka propozuar vetëm masë të arrestit shtëpiak si masë të mjaftueshme, ani se në këtë kërkesë i cilëson si grup të organizuar kriminal.

Mbi këtë kërkesë ka vendosur gjyqtari i procedurës paraprake, Ali Kutllovci, duke aprovuar propozimin.

Të arrestuarit kanë të kaluar kriminale. Sheremet Jashari e ka pranuar publikisht se ka qenë pjesëtar i AKSH-së, organizatë kjo e shpallur terroriste me një vendim të UNMIK-ut. Ka më shumë se 11 raste të veprave penale.

Sheremet Jashari dhe Avdullah Rama ishin ndaluar kohë më parë nga Policia e Kosovës së bashku me anëtarin e Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muhamet Kelmendin. Ata, ndodheshin në një kombibus duke shkuar në ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të Isa Boletinit. Dyshoheshin për përgatitje të një sulmi terrorist. Kelmendi më vonë ishte liruar.

Gazeta online Insajderi ka siguruar dosjen hetimore kundër të pandehurve që ishin përgjuar. Ditën që ishin arrestuar në Fushë-Kosovë, kishin planifikuar të shkonin në fshatin Shankoc të Drenasit për të marrë sasinë e eksplozivit.

“Gjatë përgjimit është kuptuar se Sheremet Jashari furnizohet me armë nga persona të ndryshëm. Ai bashkëpunon me Naser Veselin dhe Avdullah Ramën si dhe një person të katërt të cilët kanë planifikuar dërgesën e armëve dhe eksplozivit më 30 janar 2016”, thuhet në kërkesën e prokurorit për arrest shtëpie.

Gjatë bisedës telefonike në mes të Naser Veselit dhe Sheremet Jasharit në lidhje me armët përmendet edhe një person me emrin Genc. Ata merren vesh për paratë dhe pagesat që duhet tu bëheshin ndërmjetësve.

Më 30 janar Naser Veseli niset nga Mitrovica për në Skenderaj me një kombibus. Aty takon Sheremet Jasharin dhe fillojnë rrugën në drejtim të Drenasit ku e marrin Avdullah Ramën për të vazhduar në drejtim të Komaranit. Nga aty nisen në drejtim të një rruge që shpinte në fshatin Sankoc dhe hyjnë në një rrugicë malore.

Aty marrin ngarkesën e eksplozivit dhe armëve dhe më pas nisen në drejtim të Komoranit. Gjatë tërë kohës ata kanë qenë nën vëzhgim të hetuesve. Diku rreth 14. 40 minuta, kombibusi që drejtohej nga Naser Veseli merr drejtimin e autostradës për Fushë-Kosovë. Në ora 15 ndalet nga njësia patrulluese e stacionit të Fushë-Kosovës. Fillimisht vetura është kontrolluar nga patrulla policore dhe pas kontrollit është gjetur në tapicerinë e derës një sasi e madhe eksplozivi TNT dhe dy pushkë mitraloz. Kontrolli është bërë në prani të Naser Veselit dhe Sheremet Jasharit. Aty janë gjetur 62 pako eksploziv që peshojnë 12 kilogram e 400 gram TNT dhe dy pushkë mitraloz.

Në shtëpinë e Sheremet Jasharit, Policia ka gjetur një kartelë ushtarake të AKSH-së në emër të Rexhep Luanit.

“Kemi të bëjmë me një grup kriminal të organizuar mirë për shitjen, furnizimin, transportimin e armëve i cili është zënë vetëm në saje të përgjimeve sipas Urdhëresës së Gjykatës… Kemi të bëjmë me armë me fuqi shkatërruese – eksplozive në peshë 12 kg e 400 gramë, me pushkë mitraloz”, ka thënë prokurori në kërkesën për arrest shtëpiak. Ka përmendur veprimet kriminale të Sheremet Jasharit.

“Nga baza e të dhënave të policisë rezulton se i pandehuri Sheremet Jashari është i evidentuar në cilësinë e të dyshuarit gjithsejtë në njëmbëdhjetë raste përfshirë edhe veprat penale posedim ilegal i armëve”.

Megjithëkëtë rrezikshmëri, prokurori ka propozuar vetëm arrest shtëpiak.

Hetuesit që kanë punuar këtë rast kanë mbetur të habitur me veprimet e Prokurorisë që ka propozuar masë të arrestit shtëpiak. Ata kanë thënë në kushte anonimiteti se me këtë Prokuroria ka rrezikuar një punë shumë të gjatë për kapjen e këtyre personave që konsiderohen shumë të rrezikshëm.

Por, prokurori i rastit, Njazi Rexha, ka mohuar se ka pasur ndonjë ndërhyrje për të propozuar këtë masë. Ai ka thënë për gazetën Insajderi se dikush po mundohet ta degradojë dhe sulmojë atë.

“Kallëzimi penal prej 4 faqesh më ka ardhur vetëm 30 minuta para përfundimit të afatit ligjor. E kam marrë edhe kam hyrë në seancë. Unë e kam vlerësuar se kjo masë është e mjaftueshme”, ka thënë prokurori Rexha.

“Policia punon sipas urdhrave të mia dhe nuk mund të më tregojë se si të bëjë punën”, ka thënë prerazi ai.

Dy prej të arrestuarve kanë mohuar se kanë kryer veprën penale, derisa Sheremet Jashari e ka pranuar atë.

“Krejt ajo që shtjelloi prokurori është e vërtetë dhe nuk kam çka të shtoj”, ka thënë Sheremet Jashari.

Naser Veseli ka thënë se punon me kombibus dhe se dy të tjerët i ka marrë si udhëtar. Ka thënë se nuk e ka ditur se eksplozivi dhe armët janë vendosur në automjet./Insajderi.com