“Porsche Kosova” përfshihet në një skemë mashtrimi – veturën me shumë dëmtime e shet për të re

Firma e autorizuar për shitjen e veturave Porsche në Kosovë është përfshirë në një skemë të dyshimtë mashtrimi. Klienti i kompanisë, Labinot Dulaj akuzon firmën Porsche Kosova se në vitin 2012 ia shiti si të re një veturë me defekte paraprake. Insajderi ka siguruar dosjen e këtij rasti.

“Porsche Kosova” përfshihet në një skemë mashtrimi – veturën me shumë dëmtime e shet për të re

Kompania “Porsche Kosova”, i ka shitur një klienti një veturë të bërë ndeshje. Labinot Dulaj, ka paditur kompaninë që shet vetura “Volkswagen”, “Škoda”, “Audi”, “Seat”, dhe “Porsche”, për mashtrim.

Komunikimet ndërmjet klientit dhe kompanisë, në Prishtinë, Gjermani e Maqedoni, dëshmojnë se vetura “Golf 6”, ishte e dëmtuar.

Për ta mbyllur këtë rast, kompania i kishte ofruar klientit një veturë të re, “Golf 7”, për të cilën ai duhet të paguante edhe një shumë parash.

Por, klienti nuk e ka pranuar ofertën. Ka nisur procedurë në Gjykatë. Padia e ngritur rreth katër vite më parë e ka përfshirë kompaninë në një skemë të dyshimtë mashtrimi.

Klienti i kompanisë, Labinot Dulaj akuzon firmën Porsche Kosova se në vitin 2012 ia shiti si të re një veturë me dëmtime të shumta të cilat ishin sanuar duke u lyer me ngjyrë e duke iu ndërruar pjesët.

Dulaj pretendon se vetura e tipit “Golf 6”, për të cilën pagoi 17 mijë e 400 euro, ishte e ngjyrosur në tri pjesë të ndryshme dhe se kishte disa mangësi të tjera në brendësinë e saj, raporton Gazeta Online Insajderi.

Insajderi, ka siguruar dosjen e këtij rasti.

Rreth një vit pas blerjes së veturës së dyshimtë, klienti ishte drejtuar kompanisë ku e bleu veturën. U kishte kërkuar që të kontrollonin veturën në lidhje me dyshimet për defekte brenda saj.

Ndërkohë rreth tre vite më vonë, më 2015, në një kontrollim të veturës në kompaninë “Baki Automobile” – e cila po ashtu është e autorizuar për shitjen dhe servisimin e veturave të markës Volkswagen – doli që vetura e blerë në “Porsche Kosova” ishte më parë e ngjyrosur në mbrojtëset para dhe mbrapa.

Kjo kompani e autorizuar për servisimin e veturave të markës VW, konstatoi se vetura Golf 6 e klientit Labinot Dulaj, ishte e ngjyrosur edhe në njërën prej dyerve të saj. Madje krahu mbrapa i veturës, sipas konstatimit të kësaj firme, doli të ketë qenë dy herë i ngjyrosur.

Pas kontrollit teknik të veturës, Dulaj iu drejtua sërish kompanisë “Porsche Kosova” dhe përmes një e-maili shkruar zyrtarëve të kësaj firme, u kërkoi atyre llogari për, siç thotë ai, shitjen e veturës me defekte paraprake.

Përmes një letre elektronike dërguar klientit, “Porsche Kosova” deklaronte se “kompania prodhuese dhe ajo transportuese nuk posedojnë asnjë shënim që gjatë transportit ka ndodhur ndonjë dëmtim” në veturën “Golf 6”.

Megjithatë, kompania i kishte bërë një ofertë klientit: këmbimin e veturës “Golf 6” Trendeline me një veturë të një tipi më të ri, “Golf V6”, duke paguar shtesë edhe 6 mijë e 400 euro.

Ndonëse nuk arriti marrëveshje për kompensim të dëmit me “Porsche Kosovën” pas komunikimeve që pati me kompaninë në vitin 2015, Labinot Dulaj po kërkon që t’i kompensohet “dëmi material dhe shpirtëror” përmes një kontesti gjyqësor.

Në shtatorin e vitit 2015, Dulaj ngriti padi kundër “Porsche Kosova” në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Kërkojmë kompensim të dëmit të automjetit të ri si dhe kompensim të dëmit për shkak të dhimbjeve shpirtërore të pësuara me rastin e mashtrimit”, thuhet në kontestin ku është përfshirë “Porsche Kosova”, i cili ende nuk është shqyrtuar nga Gjykata.

Se veturën nuk e ka aksidentuar ai, Dulaj e dëshmon përmes një dokumenti të lëshuar nga Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS).

BKS përmes një shkrese zyrtare të lëshuar më 6 korrik të 2015-s, konfirmon se prej momentit kur është blerë vetura, e deri tek momenti kur ka filluar kontesti gjyqësor mes dy palëve, ajo nuk është përfshirë në asnjë aksident.

“Konfirmojmë se z. Dulaj, me numër të ID-së 117****** ka pasur sigurim TPL në kompani të ndryshme të sigurimeve, anëtare të BKS-së nga data 13.08.2012 deri 06.07.2015. Gjatë kësaj periudhe nuk ka të raportuar ndonjë aksident trafiku”, thuhet në konfirmimin e BKS-së.

Porsche Kosova” mohon akuzat – thotë se kanë dëshmi që vetura u shit pa defekte

Në kompaninë “Porsche Kosova” thonë se pretendimet e klientit të tyre janë të paqëndrueshme dhe se vetura e tipit Golf 6, e shitur në gushtin e vitit 2012, ishte e re dhe pa defekte.

Për këtë, kompania thotë se ka dëshmi nga sistemet e saj të logjistikës.

“Vetura e dorëzuar tek klienti ka qenë e re dhe e pa përdorur, gjë të cilën e dëshmojnë edhe sistemet tona të logjistikës”, thuhet në një përgjigje të kompanisë për Insajderin.

“Lidhur me këtë çështje është duke u zhvilluar proces gjyqësor dhe se duhet pritur epilogun përfundimtar te Gjykatës për kontestin në fjalë”.

Përfaqësuesit e kompanisë shprehen se aksidentet e mundshme që klienti mund t’i ketë shkaktuar pas blerjes së veturës, nuk mund t’i faturohen kompanisë.

“Duhet të keni parasysh që klienti vjen me këtë pretendim pas tri viteve që ka shfrytëzuar veturën, prandaj aksidentet që mund të jenë shkaktuar nga ana e klientit pas blerjes së veturës, nuk mund t’i faturohen Porsche Kosova”, thuhet në përgjigjen e Porsche-s.

Porsche ka thënë se sa i përket pretendimeve për gjendjen e veturës së klientit të saj, “siç e keni cekur edhe ju, lënda është në Procedurë Kontestimore dhe ne si ‘Porsche Kosova’ do t’i përgjigjemi me përgjegjësi të plotë secilit vendim të gjykatës.”

Porsche Kosova është kompani në pronësi të Porsche Holding nga Austria.

Ankesa e klientit drejtuar Porsche-s në Gjermani

Për të kërkuar sqarime dhe llogari për blerjen e një veture të dyshimtë, Labinot Dulaj i është drejtuar edhe selisë së “Porsche” në Gjermani.

Përmes një letre të gjatë, ai përmend pretendimet se vetura e blerë prej tij si e re, doli të ketë pasur një sërë defektesh.

“Emri im është Labinot Dulaj, unë jam klient besnik i firmës ‘Volkswagen’. Më 10.08.2012 kam blerë në Prishtinë, Kosovë, në ‘Porsche Kosova’ – kompani e autorizuar nga VË për shitje dhe servisim – një automjet të ri Golf 6 Trendeline”, thuhet në letrën e Dualjt, dërguar ‘Porschesë’ në Gjermani.

“Ky automjet më është shitur mua si i ri, por rezultoi se vetura ishte e përdorur ose kishte shumë defekte, për ç’gjë nuk mund të besoj se kjo mund të ndodhë nga një prodhues si ‘Volkswagen’”, shkruan klienti i “Porsche Kosova”.

Në këtë ankesë drejtuar selisë qendrore të Porsche-s, ai shprehet se ende pa zbuluar, siç pretendon ai, defektet kryesore të veturës, ajo kishte pasur probleme me rripin e sigurimit.

“Ditën e parë që automjeti më ishte dorëzuar mua kam parë që nuk kishte rrip të sigurimit në vendin e shoferit (nuk ishte instaluar fare). Dhe automjeti kishte gërvishtje në derën e shoferit. Dhe ‘Porsche Kosova’ i ka rregulluar këto gabime dhe më ka thënë se këto janë gabime të prodhuesve”, u shkruan Dulaj, selisë qendrore të Porsche-s.

“Por problemi kryesor për të cilin po ankohem është se pas disa vitesh kam dërguar makinën në një servis tjetër për një kontroll të përgjithshëm në ‘BAKI Automobile’ dhe doli se shumë pjesë të makinës nuk kishin ngjyrën e fabrikës, por ishin të ngjyrosura më vonë”, thuhet në letër. “Pjesët e ngjyrosura ishin të dyerve të pasme, mbrojtëseve para dhe prapa etj”.

Mirëpo, Dulaj nuk mori përgjigje nga selia e Porsche në Gjermani.

Tani zgjidhja e rastit i mbetet Gjykatës Themelore në Prishtinë, pasi kontesti mes klientit Dulaj dhe ‘Porsche Kosova’ të shqyrtohet nga gjykata.

Firma ‘Porsche Kosova’ ka thënë se do t’i përgjigjet me përgjegjësi secilit vendim të Gjykatës. /Insajderi.com