Pretendimet e Z-Mobile – dëmet nga numri i prostitutës dhe refuzimet e Vala-s

Insajderi ka siguruar padinë e kompanisë Z-Mobile kundër Telekomit të Kosovës, nëpërmjet të cilës kërkon mbi 44 milionë euro dëmshpërblim. Z-Mobile pretendon se është shkatërruar qëllimshëm nga drejtuesit e Telekomit të Kosovës. Drejtuesit e ndërmarrjes publike, Rexhë Gjonbalaj e Agron Mustafa, vlerësojnë se pretendimet e kësaj kompanie janë të padrejta dhe ta pabaza.

Pretendimet e Z-Mobile – dëmet nga numri i prostitutës dhe refuzimet e Vala-s

Rexhë Gjonbalaj, Shyqyri Haxha dhe Blerim Devolli janë gëzuar së bashku për të njëjtën arsye para tri vitesh, më 28 qershor të vitit 2013.  Atë ditë, gjyqi kishte hedhur poshtë aktakuzën kundër tyre, pas një procesi të gjatë gjyqësor që përfshinte Postë-Telekomin e Kosovës dhe kompaninë Z-Mobile. Por, ka gjasa që të tretë të jenë pjesë e një procesi të ri gjyqësorë.

[facebook id=”2022874167938403″ align=”center” mode=”normal” autoplay=”yes” maxwidth=”680″]

Por tash nuk do të jenë në të njejtën anë. Do të jenë kundër njëri tjetrit. Devolli do të jetë kundër Gjonbalajt, kryetar i bordit të Telekomit të Kosovës dhe Haxhës, ish-drejtor i kësaj ndërmarrje. Derisa në procesin e parë gjyqësor të tretë akuzoheshin se kanë dëmtuar Telekomin e Kosovës, procesi i ri do të zhvillohet nën pretendimet se është dëmtuar kompania Z-Mobile.

Pretendimet e kësaj kompanie peshojnë mbi 44 milionë euro. Bazuar në padinë e dorëzuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit,  Z-Mobile është dëmtuar nga refuzimi i PTK-së për të ofruar Sim Kartela të reja, numra të rinj, shërbimin 3G dhe 4G dhe si dhe për të ofruar shërbime cilësore edhe për konsumatorët e kësaj kompanie.

Dëmet, sipas padisë, janë shkaktuar përgjatë periudhës 2011-2014. Z-Mobile kërkon dëmshpërblim prej 44 milionë e 408 mijë eurosh, plus interesin.

Viti 2014- Nisja e përplasjeve për shërbimin 3G/4G

Disa muaj pas lansimit të këtij shërbimi nga kompania IPKO, edhe ndërmarrja publike VALA e kishte bërë të njëjtin shërbim. Lansimin e shërbimit 3G/4G nuk ka mundur ta bëjë edhe Z-Mobile. Avokatët e kësaj kompanie, në padinë e dorëzuar në Arbitrazh,  kanë renditur pretendimet që, sipas tyre, tregojnë se Vala është dashur që të ofrojë këtë shërbim edhe për konsumatorët e Z-Mobile. Sipas tyre, kjo parashihej në marrëveshjen për operator virtual të lidhur më 2009 mes këtyre dy kompanive.

“Për shkak të mungesës së këtij shërbimi, Z- Mobile nuk ishte interesante për klientë sepse askush nuk dëshiron të regjistrohet në një teknologji të vjetër me shërbim të dobët”, thuhet në padi.

Bazuar në këtë padi, Telekomi i Kosovës kishte bërë me dije se shërbimi 3G/4G do të jetë jashtë tavolinës për aq kohë sa paditësi (Z-Mobile)  punon  dhe vepron në kundërshtim me interesat vitale të PTK-së. Në shkresën zyrtare që PTK i kishte dërguar kompanisë Z-Mobile kishte shënuar se “interesi vital i PTK-së është rrezikuar në momentin kur Z-Mobile nuk pranoi të paguante për shfrytëzimin e kodit telefonik dhe kur kishte konkurruar në tenderët e mëdhenj që ishin synuar edhe nga Vala”.

Pas kësaj, Milot Gjikolli, drejtor ekzekutiv i Z-Mobile, i ishte përgjigjur drejtuesve të PTK-së.

“Unë kërkoj nga ju që ta keni në konsideratë se çdo  marrëveshje e brendshme e lidhur  mes nesh lidhur për koordinimin e aktiviteteve në tenderët publik, do të përbënte shkelje të rëndë të ligjit”, theksohet në padi.

Derisa Gjikolli bazohet në ligjin e prokurimit publik që ndalon një marrëveshje të tillë, ndërmarrja publike lidhur me këtë çështje i është referuar faktit se Z-Mobile është krijuar si operator virtual për ta ndihmuar Vala-n , e jo për të vepruar si i vetëm dhe të ofertojë me çmime më të volitshme se sa vetë ndërmarrja publike.

VALA 4G

Gjonbalaj: Vala nuk e ka obligim që të ofrojë shërbimin 3G/4G edhe për Z-Mobile

Në padinë e Z-Mobile, njeriu ndaj të cilit drejtohen akuzat është Rexhë Gjonbalaj. Ai është kryetari i bordit të Telekomit të Kosovës, dhe ka qenë në të njëjtën pozitë edhe më 2009 kur u nënshkruar marrëveshja për operator virtual. Gjonbalaj pohon se, bazuar në këtë marrëveshje, kompanisë Z-Mobile nuk i takon automatikisht shërbimi 3G/46.

“Nuk iu takojnë ato shërbime në bazë të kontratës. Por kjo duhet negociuar për shkak të investimeve të mëdha që ka bërë Telekomi i Kosovës në shërbimin 3G/4G”, thotë Gjonbalaj.

Ai shton se drejtuesit e Z-Mobile kanë refuzuar ftesat e menaxhmentit të PTK-së për të diskutuar lidhur me këtë shërbim.

“Zotërinjtë nga Z-Mobile kanë pasur ftesë disa here nga menaxhmenti për të diskutuar këtë çështje. Por, nga informatat qe ka Bordi i Drejtorëve,  ata (Z-Mobile) asnjëherë nuk janë përgjigjur me gatishmëri për marrjen e shërbimeve. Sipas ekspertëve tanë dhe menaxhmentit, atyre nuk iu takojnë ato shërbime në bazë të kontratës”, thotë Gjonbalaj.

Gjonbalaj

Rexhë Gjonbalaj/ Foto: Facebook

Kontesti për Sim Kartelat

Dy pika tjera për të cilat Z-Mobile pretendon se i janë shkaktuar dëme janë mungesa e Sim Kartelave dhe numrave të rinj. Kur kjo kompani kishte hyrë në treg kishte në posedim 50 mijë Sim Kartela. Shitja e shpejtë e tyre, sipas padisë, kishte detyruar kompaninë që të kërkoi edhe 50 mijë tjera. Ishte refuzuar më 2013, tri vite pas bërjës së kërkesës.

Kompania Z-Mobile, sipas padisë, pretendon se refuzimi i PTK-së nuk ishte e bazuar në argumente.

“I padituri (Telekomi i Kosovës)  refuzoi që të ndante Sim Kartela për paditësin (Z- Mobile) me arsyetimin se nuk kishte bashkëpunuar në luftimin e aktivitetit Sim to Sim. Ky është një aktivitet ilegal që qarkullon thirrje, duke anashkaluar Monacon, nëpërmjet vendosjes së Sim Kartelave në kompjuterë. Kjo është e pavërtetë pasi që paditësi (Z-Mobile) ka bllokuar 70 mijë numra vetëm me kërkesë të VALA-s, pa ndonjë urdhër të lëshuar nga ART-ja”, thuhet në padinë e kompanisë Z-Mobile.

Në padi përmendet një shkresë e ish-kryeshefit të PTK-së, Shyqyri Haxha. Sipas padisë, kjo përgjigje tregonte se ndërmarrja publike nuk ishte e interesuar ta ndihmonte operatorin e saj virtual, kompaninë Z-Mobile.

“Unë kërkoj nga ju.. mos e mërzisni nivelin e lartë me këto çështje”, citohet të ketë thënë Haxha, bazuar në padinë e Z-Mobile.

Në padi përmendet një rast që, sipas Z-Mobile, paraqet më së miri dëmin që ia ka shkaktuar ndërmarrja publike Vala duke mos e pajisur me Sim Kartela. Z-Mobile kishte fituar nga Korporata Energjetike e Kosovës tenderin për ofrimin e shërbimeve telefonike dhe i kërkohej që të posedonte 16 mijë Sim Kartela. Bazuar në këtë padi, refuzimi i VALA-s kishte ndikuar që Z-Mobile ta kishte të pamundur ta nënshkruante kontratën me KEK-un.

Z-Mobile: Jemi dëmtuar nga numri i përdorur nga një prostitutë dhe ikja e diasporës

Përveç mos furnizimit me Sim Kartela, Z-Mobile pretendon se është dëmtuar edhe nga mos aktivizimi me kohë i numrave telefonik. Teknikisht pas furnizimit me Sim Kartela duhet të aktivizohen  nga Vala numrat që ndahen për kompaninë Z-Mobile. Vala, sipas padisë, disa herë nuk i aktivizoi me kohë numrat e ofruar për shfrytëzim. Marrëveshja e vitit 2009 parasheh aktivizimin brenda 60 ditëve nga dorëzimi i tyre, pretendon Z-Mobile.

“Pasojat ishin shkatërruese në operacionet e Z- Mobile. Kompania humbte klientët ekzistues dhe nuk ishte në gjendje që të bënte abonime të reja”, thuhet në padi. Bazuar në këtë padi, kishte ndodhur që disa herë të refuzohej kërkesa për 100 numra të rinj që kërkoheshin nga Z-Mobile.

Z-Mobile kishte kërkuar nga Autoriteti Rregullativ i Telekomit që të ndërhynte. ART kishte ndërhyrë. Kishte urdhëruar që të ndaheshin 100 mijë numra të rinj për kompaninë Z-Mobile. VALA nuk e kishte respektuar këtë urdhër.

Bazuar në këtë padi, Vala kishte ngritur padi ndaj ART-së në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Ishte refuzuar padia më 5 gusht 2013. VALA ishte ankuar në Gjykatën e Apelit. Ngjashëm kishte vendosur edhe Apeli më 27 nëntor 2013. Në mungesë të numrave të rinj, kompania Z-Mobile ankohet se ishte detyruar që të fuste në përdorim numrat që i kishte shitur një herë, por që nuk përdoreshin më nga blerësit.

“Kjo ka shkaktuar trafik të papërshtatshëm; për shembull një vajzë nëntë vjeçare ka përfunduar duke marrë mesazhe të destinuara për një prostitutë e cila e kishte përdorur  të njëjtin numër më herët. Të gjithë numrat e Z-Mobile ishin përdorur më shumë se 5 ose 6 herë”, thuhet në padi. Po ashtu, bazuar në këtë padi Z-Mobile ishte detyruar  që të shkurtonte periudhën e skadimit të numrit.

“Kjo shkaktoi zemërim tek shumë klientë. Për shembull, diaspora kosovare, e cila ka përdorur numrat e Z- Mobile, kur kanë ardhur me pushime, nuk kanë mundur ta përdorin atë numër kur janë kthyer vitin tjetër. Ose është dashur ta mbushin me kredi pa e përdorur fare. Kjo ka shkaktuar një nervozë tek shumë klientë dhe humbje të madhe për ne. Z – Mobile u shndërrua në një ofrues të shëmtuar për shumë njerëz”, thuhet në padi.

Po ashtu, në padi thuhet se Telekomi i Kosovës kishte kërkuar ndryshimin e marrëveshjes së vitit 2009, duke kërkuar që të obligohet edhe Z-Mobile që të paguante për shfrytëzimin e kodit telefonik. Telekomi i Kosovës i paguan miliona euro në vit kompanisë “Monaco International”, për shfrytëzimin e kodit telefonik për shkak të mungesës së kodit shtetëror të Kosovës. Pagesën për “Monaco International”, Telekomi i Kosovës kishte kërkuar që ta bënte bashkë me Z-Mobile, bazuar në padinë e ngritur nga kjo kompani.

“ART vendosi që kompania Z-Mobile nuk obligohet që të paguajë për shfrytëzimin e kodit telefonik”, thuhet në padi. Refuzimi për të mos e paguar kodin, sipas padisë së Z-Mobile, është përdorur si pretekst nga PTK-ja për të mos përmbushur obligimet që i ka ndaj operatorit virtual të telefonisë mobile, që përfshijnë pajisjen me Sim Kartela, numra dhe ofrimin e shërbimit 3G/4G.

Mustafa: Pretendimet e Z-Mobile janë të padrejta dhe të pabaza

Por, pretendimet e kësaj kompanie kundërshton nga Vala. Drejtori Menaxhues i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, në maj të këtij viti, pati deklaruar për Radio Televizionin e Kosovës, pretendimet e Z-Mobile janë të pabaza dhe të padrejta.

“Kemi një ekip të brendshëm ligjor, por kemi angazhuar edhe ekipe ndërkombëtare dhe presim të kemi sukses”, pati pohuar Mustafa. Megjithatë, ishte ankuar se përkundër mobilizimit të Vala-s për tu mbrojtur, dy ish-përgjegjës të saj nuk kanë pranuar ta mbrojnë ndërmarrjen publike. Nuk i kishte përmendur me emra. Por kishte pohuar se bëhej fjalë për dy ish-paraardhësit e tij, të cilët drejtuan ndërmarrjen publike gjatë viteve 2009- 2011 dhe nga viti 2012 deri në 2014.

Përgjatë këtyre periudhave kohore, ndërmarrjen publike e kishin drejtuar Shyqyri Haxha dhe Ejup Qerimi. “Ftoj nënshkruesin e kontratës me “Z mobile” dhe drejtorin tjetër që ka menaxhuar pas tij që të vijnë dhe të jenë dëshmitarë për Telekomin e Kosovës në Arbitrazh. Ne edhe më herët i kemi ftuar ata duke i’u dërguar ftesën, por nuk kanë dhënë asnjë sinjal”,  pati pohuar Mustafa. Ndaj këtij deklarimi të tij, nuk ka pasur ndonjë reagim publik të ish-drejtorëve Ejup Qerimi e Shyqyri Haxha.

Agron Mustafa

 

Të premtën në Insajderi mund të lexoni:

Pse Z-Mobile pretendon se Rexhë Gjonbalaj ka kërcënuar  dhe fyer pronarin e kompanisë, Blerim Devollin?

Pse, sipas kësaj kompanie, me kërcënime e fyerje nga Rexhë Gjonbalaj, kryetar i bordit të Telekomit të Kosovës,  dhe Ejup Qerimi, ish-kryeshef i PTK-së, u përballë edhe Milot Gjikolli, drejtor ekzekutiv i Z-Mobile?

Cili është arsyetimi i Rexhë Gjonbalajt?