Profili i Kurtit | Një idealist që u transformua në makiavelist për të fituar pushtetin

Një prej më intrigueseve në historinë e politikës së pasluftës është ajo e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjës së tij. Një histori e ndarë në dy faza: Në dhjetëvjetëshin e parë që gjithçka bazohej në aktivisitët e idealit dhe në dekadën e dytë të operimit me kurs të ndryshuar: Marrjen e pushtetit me çdo kusht, duke ofruar afër vetës edhe njerëz të dyshimtë e të korruptuar që e mundësojnë këtë qëllim.

Profili i Kurtit | Një idealist që u transformua në makiavelist për të fituar pushtetin

Një takim mes dy armiqve të përbetuar politik pritet të zhvillohet këtë muaj. Mes Hashim Thaçit e Albin Kurtit.

Është takim formal. Presidentit ka për obligim që të mandatojë për kryeministër fituesin e zgjedhjeve.

Por, ky takim për shumëkënd ka simbolikë të madhe. Shumëkush pohon se është dorëzim pushtetit nga Thaçi, njeriu që “mbretëroi” në Kosovë për 12 vite në pushtet, te Kurti që pritet të jetë njeriu më i pushtetshëm në Kosovë, në dekadën e tretë të pasluftës.

Dekada e parë ishte mbizotëruar nga politikani i ndjerë Ibrahim Rugova, e dyta nga Hashim Thaçi dhe e treta parashikohet që të mbizotërohet nga Kurti, sipas optimistëve që e shohin liderin e VV-së si jetëgjatë në pushtet. Jo të gjithë e besojnë këtë. Shumëkush pandeh se Kurti do të çmitizohet brenda një periudhe dy vjeçare dhe nuk do të renditet te politikanët e pushtetshëm si Rugova e Thaçi, por do të ketë fatin e jetëshkurtëve në pushtet, rrethit të dytë të politikanëve të fuqishëm, si Isa Mustafa e Ramush Haradinaj.

Nuk dihet ende se cili do të jetë fati që do ta ndjekë Kurtin, por e kaluara e tij dhe e partisë që e udhëheqë është shumë intriguese. Ka qenë një rrugëtim prej një dekade e gjysmë që ka përshkuar herë mungesë fati e herë momente tejet fatlume.

Viti 1997, si u bë i famshëm Kurti?

Ishte viti 1997 kur Kurti për herë të parë ishte bërë i famshëm për publikun. Ishte një prej anëtarëve të organizatës studentore që kishte organizuar protestë të madhe kundër regjimit të Millosheviqit.

Megjithatë, ai nuk ishte kryeorganizator e as udhëheqës proteste. Ishte Bujar Dugolli, një ish-ministër i Haradinajt në Qeverinë e vitit 2004. Ka shumë versione se pse Kurti mbahet mend si kryeorganizator, dhe jo shokët e tij.

Por, ajo që dihet është fakti se Kurti kishte rënë në sy për guximin e tij, por edhe për pamjen prej djaloshi flokëgjatë e kaqurrelë.

Një foto e tij para një autoblinde të policisë së Millosheviqit ende rishpërndahet nga fanatikët e tij, në kohë të fushatave zgjedhore.

Baton Haxhiu, drejtor i televizionit Klan Kosova, pretendon se ai ishte njeriu që e bëri të famshëm Kurtin.

“Kam qenë unë, bashkë me disa miq dhe kolegë, që e kemi shndërruar në person publik më 1997. Dhe, pranoj se jam fajtor që e kam ndihmuar një person në imazhin publik për flokët dhe jo për dijen e tij dikur”, kishte thënë Haxhiu para dy vitesh në Debat Plus të TV Dukagjinit.

Kurti nuk e ka komentuar asnjëherë këtë deklaratë. Ai ka pohuar publikisht se nuk ka simpati për Haxhiun dhe se e konsideron njeri të urryer në Kosovë.

Partia e tij e ka quajtur Haxhiun njeri të Stanishiqit dhe ka refuzuar pjesëmarrjen në debatet televizive të organizuara nga ai, një veprim që nga komuniteti i mediave ka ngjallur frikë për mos respektin që ka Kurti për sistemin e pavarur medial.

Viti 1998, Kurti dhe UÇK-ja

Kishte kaluar një vit që nga afirmimi i Kurtit si student i guximshëm. Dukej se ai kërkonte diçka më shumë në rrugëtimin e tij drejt një politikani të sukseshëm.

I ishte bashkuar Adem Demaçit, i cili udhëhiqte zyrën e Përfaqësuesit të Përgjitshëm Politik të UÇK-së.

Kurti ishte përkthyes. Një vit më vonë ai u arrestua nga regjimi i Millosheviqit. Më 27 prill të vitit 1999, gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s.

Në gusht 1998, Kurti kishte filluar të punojë në zyrën e Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik (GPR) të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në kyre me Adem Demaçi, ku shërbeu si përkthyes.

Në fillim të marsit 1999, Kurti kishte lënë të gjitha aktivitetet në Unionin e Studentëve dhe në zyrën e UÇK-së për të vazhduar studimet e tij universitare.

Gjatë bombardimeve të NATO-s të Jugosllavisë, Kurti kishte mbetur në Prishtinë deri më 27 prill 1999, kur policia serbe e arrestoi atë.

Tre muaj ishte mbajtur në burgjet e asokohshme serbe në Kosovë. Në qershor ishte transferuar në burgjet në Serbi. Askush nuk e dinte se në cilin burg ndodhej. As familja e tij.

Fillet e Vetëvendosjes

Në vitin 2003 ishte themeluar një organizatë jo-qeveritare. Quhej Kosovo Network Action (KAN).

Nuk ishte shumë jetëgjatë. Më 2005 do të transformohej në lëvizje politike, të emërtuar “Vetëvendosje”.

Për UNMIK-un ishte kundërshtari më i zëshëm dhe më problematiku.  Ishte tmerri i UNMIK-ut.

Ishte kundër gjithçkafit. Edhe kundër mbajtjës së zgjedhjeve, një qëndrim që do të ndryshonte pas disa vitesh.

Aktivistët e VV-së kishin shkruar muret e ndërtesave të UNMIK-ut  me parullën “Jo negociata, vetëvendosje”.

Qindra aktivistë ishin arrestuar ndër vite. Ndër ta edhe Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje kërkonte një referendum për statusin e Kosovës. Ishte kundër planit të Ahtisarit e decentralizimit.

Kjo lëvizje kishte organizuar protestën më të famshme ndonjëherë në Kosovë. Ishte protesta e 10 shkurtit të 2007-es. Dy aktivistë të VV-së, Mon Balaj e Arben Xheladinin kishin humbur jetën nga plumbat e policëve rumun të UNMIK-ut. Për shumëkënd humbja e jetës së tyre ishte parë si ndjellje frike te lëvizja “Vetëvendosje”. Kishte ndodhur e kundërta. Kjo protestë e kishte bërë Kurtin e Vetëvendosjen faktor në Kosovë.

E që nga viti 2005, kur e themeloi Lëvizjen Vetëvendosje, kryeministri në ardhje është arrestuar rreth 20 herë, ndërsa ka qëndruar në burgje të ndryshme.

Ai ishte i arrestuar politik gjatë kohës së luftës në Kosovë ku ishte liruar me 7 dhjetor të vitit 2001. Ndërsa prej themelimit të Vetëvendosjes, Kurti është arrestuar për shkak të aktiviteteve të tij politike të cilat në shumicën e rasteve ishin sfidë për t’u menaxhuar nga organet e rendit.

Dekada e dytë e Kurtit: Si nisi transformimi?

Pas disa vitesh kryeneç, Kurti kishte nisur transformimin. I kishte rënë pishman disa prej qëndrimeve të tij. Kishte vendosur që të futej në zgjedhje parlamentare, të organizuara konform Pakos së Ahtisarit të kundërshtuar me vite nga ai.

Nuk kishte arritur të fitonte.

Kishte arritur të bëhej vetëm deputet dhe subjekt jo shumë i madh opozitar. Gjatë viteve të para të jetës opozitare, Kurti kishte udhëhequr komisionin parlamentar për Punë të Jashtme.

Nuk ka ndonjë sukses të shënuar në këtë post politik, për shkak që për një kohë të gjatë Kurti qëndroi në arrati pasi kërkohej nga organet e drejtësisë së Kosovës.

Pas disa vitesh si opozitar, Kurtit i ishin rritur ambiciet dhe besonte se do të fitonte pushtetin më 2014.

Nuk ia kishte dalë sërish. PDK-ja kishte dalë fituese e zgjedhjeve atëkohë. VV-ja e Kurtit kishte bërë koalicion paszgjedhor me AAK-në e Haradinajt dhe LDK-në e Isa Mustafës.

Dukej e sigurtë se PDK-ja do të shkonte në opozitë, por VLAN-in e kishte tradhtuar LDK-ja e Isa Mustafës, parti kjo që sot është partnere e Kurtit në qeverinë e ashtu quajtur “Qeveri e shpresës”.

Ndryshimi i dytë i Kurtit

Kurti i cili është duke pritur që të marr postin  kryeministrit kishte pësuar ndryshme si në bindje ashtu edhe në pamjen e tij fizike. Ai dhe partia e tij për një kohë kanë qenë kundër vendosjes së kravatave.

Por gjërat për Kurtin dhe partin e tij kanë ndryshuar në zgjedhjet e vitit 2017, kur ai doli në skenë me kravatë. Ndonëse lideri i Vetëvendosjes, veshjen me kravatë e shihet si formë shtypjeje, atë e kishte bërë të ndryshonte mendim një anëtari tij i partisë.

“Ky ka qenë urdhër i Besnik Bilsimit në 2017 dhe unë jam ushtar i mirë. Unë jam udhëheqës i mirë për shkak se jam ushtar i mirë”, ka deklaruar ai në T7.

E më 28 nëntor 2015, kur Kurti, kishte mbajtur një fjalim, në protestën “Manifestojmë për Republikën”, ai tallej me flamurin e Republikës së Kosovës. Atë e quante “lara-lara”.

Pak para se Kurti t’i fitonte zgjedhjet e parakohshme parlamentare, do të thotë gjatë fushatës zgjedhore ai me ton shumë më të zbutur se më 2015 ka folur për flamurin dhe himnin shtetëror.

“Unë i respektojë simbolet e Kosovës në institucione. Himnin dhe flamurin e Kosovës do t’i respektojë nesër ose pasnesër si kryeministër”.

Madje në një tubim të tij, duket, se për herë të parë – flamuri i Kosovës dhe ai i Shqipërisë ishin përkrah njëri-tjetrin.

Përplasja për postin e madh me shokët e idealit

Një përplasje brenda partisë, me shokët e idealit kishte quar Vetëvendosjen në ndarje. Në zgjedhjet kur ajo kishte dal si partia më e madhe politike me 32 ulëse, për më pak se një vit ajo mbeti me vetëm 19, pasi i ishin larguar 13 deputetë, 12 prej tyre kishin formuar “Grupin e Deputetëve të Pavarur”.

Nën akuzat që Kurti i mori nga anëtarët e tij të lëvizjes, i quajtur ndonjëherë edhe si diktator, të larguarit e partisë kishin qenë: Aida Dërguti, Visar Ymeri, Faton Topalli, Fisnik Ismaili, Dukagjin Gorani, Driton Çaushi, Dardan Sejdiu, Frashër Krasniqi, Dardan Molliqaj, Besa Baftiu, Salih Salihu dhe Shqipe Pantina dhe një numër i madh aktivistash.

Krejt kjo ndarje kishte ardh pas publikimit të disa mesazheve private, ku Aida Dërguti e kishte quajtur Albin Kurtin “mut”.

“E atë mu*in?”, kishte qenë reagimi i ish-deputetes së VV-së, Aida Dërguti, në një grup në rrjete sociale të Lëvizjes Vetëvendosje, pasi ishte dhënë njoftimi për arrestimin e Donika Kadaj-Bujupit, për gjuajte me gaz lotsjellës.

E nuk kishin shkuar as dy muaj dhe në maj të 2018-së ky grup parlamentar ishin bërë pjesë e Partisë Socialdemokrate (PSD). Kështu kjo parti me njerëz të dikurshëm të Vetëvendosjen dolën si dy subjekte të ndara.

Erdhi Dita, VV-ja si shprese dhe njerëzit që e rrethojnë

Derisa Lëvizja Vetëvendosje është duke u konsideruar një parti e shpresës, në vitin 2016, ajo nuk e mbante këtë cilësim pasi që i gjithë vendi ishte tronditur me vdekjen e aktivistit, Astrit Dehari, i cili ishte gjendur i vdekur në burg.

Arsyeja që Dehari ishte arrestuar kishin qenë akuzat ndaj tij dhe ish-aktivistëve të VV-së, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi, Egzon Haliti dhe Petrit Ademi, për sulmin e 9 gushtit të 2016-së ndaj Kuvendit të Kosovës me zollë.

Derisa Astrit me shokët e tjerë dhe disa nga fytyrat tjera të cilat janë konsideruar kyç në Lëvizjen Vetëvendosje e që kishin qenë, Visar Ymeri, Dardan Molliqaj, Shpend Ahmeti, dhe Kurtin e rrethonin kudo në tubime, por tashmë për rreth tij janë njerëz tjerë.

Në fjalimin e fitores së 6 tetorit kur Kurti fliste për luftën kundër korrupsionit afër tij të qeshur dhe për ta mbështetur shefin qëndronin Rexhep Selimi, ish-deputeti i Vetëvendosjes, Agim Bahtiri, i sapoaderuari nga AKR në Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila e Alternativës, kandidatja që pozitën e deputetes pretendon ta marrë përmes listës së Vetëvendosjes, zyrtarë këta të përfolur për vepra korruptive, shkruan Gazeta Insajderi.

Rexhep Selimi ka qenë në thumb të kritikave të opinionit për pasurimin e vëllezërve të tij, të cilët kanë privatizuar dhe kontrolluar ndërmarrje të rëndësishme shoqërore, Bahtiri si i dyshuar për keqpërdorim të tenderëve dhe kumbar i koalicionit PAN si dhe Kusari-Lila nën hetime për KEDS.

Nga rezultatet e preliminare fitimtare të këtyre zgjedhjeve doli Vetëvendosja e Albin Kurtit me rreth 25% të votave. /Insajderi.com