Prokurori që “ia fali” mbi 29 mijë euro Afrim Muçiqit avancohet në Prokurorinë Speciale

Nëse prokurori, Atdhe Dema, do ta kryente punën deri në fund bazuar në gjetjet e ATK-së, atëherë buxheti i shtetit do të mbushej për 45 mijë e 625 euro vetëm nga këngëtari Afrim Muçiqi. Deri tash, shuma e shmangies bashkë me ndëshkime ka arritur në 80 mijë euro. Por, prokurori Dema, e ka akuzuar Muçiqin vetëm për 15 mijë e 857 euro shmangie nga tatimi. Ka bërë marrëveshje më të që dënimin me burg prej 5 muajsh ta paguar me para. Prokurori nuk e ka pranuar një raport final të ATK-së, që konstatonte se Muçiqi kishte mbi 45 mijë euro shmangie nga tatimi. Si pasojë, shteti ka humbur mbi 29 mijë euro. Me gjithë këto lëshime, prokurori Dema prej muajsh është avancuar në Prokurorinë Speciale. Javë me parë ai është ngarkuar me lëndën e Milaim Zekës për mashtrim më viza.

Prokurori që “ia fali” mbi 29 mijë euro Afrim Muçiqit avancohet në Prokurorinë Speciale

Prokurori Special, Atdhe Dema, ia ka falur fiks 29 mijë e 750 euro borxh tatimor këngëtarit të zhanrit turbofol, Afrim Muçiqi.

Dema, ishte i ngarkuar me hetimin e estradës për shmangie nga tatimi. Në hetimin penal kundër Muçiqit, nuk e ka pranuar raportin final të Administratës Tatimore të Kosovës, por raportin fillestar që kapte shumën 15 mijë e 875 euro.

Raporti i dytë përfundimtar kapte shumën prej 45 mijë e 625 eurove. Kur hetuesit ia kishin dërguar këtë raport, ai i kishte qortuar se nuk i duhej më sepse tashmë kishte bërë marrëveshje me Muçiqin për pranim të fajësisë.

“Kemi marrë shumë kritika dhe qortime prej prokurorit për shkak të raportit të dytë. Na ka thënë bëni çka të doni më të sepse unë kam bërë marrëveshje”, ka treguar njëri prej hetuesve në kushte anonimiteti.

Kësisoj, raporti ka mbetur i pa trajtuar penalisht deri tash duke mos arritur që shteti t’i inkasojë mbi 29 mijë euro borxh.

Asnjëra shumë nuk është paguar. Vlera e shmangies bashkë me ndëshkimin ka arritur në 80 mijë euro, ka zbuluar Insajderi.

Se nuk e ka pranuar raportin e dytë e ka pohuar edhe vetë prokurori. Megjithatë, ai insiston se ATK-ja ka mundur të bëjë kallëzim penal të veçantë dhe ta dërgojë në Prokurori.

Megjithatë, prokuror i rastit ishte vetë Dema i cili paraprakisht e kishte refuzuar këtë raport të shmangies nga tatimi, vepër e dënueshme deri në 8 vjet burgim.

Nën hetime vazhdojnë të jenë edhe kolegët e Muçiqit, Sinan Vllasaliu, Blerim Muharremi – Blero dhe Nora Istrefi.

Pavarësisht këtyre lëshimeve gjatë punës në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, Dema është avancuar muaj më parë në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Bakshishet në sofrën e Afrim Muçiqit, në dasmën e futbollistit, Samir Ujkani. 

Para pak javësh është ngarkuar me një nga lëndët me të mëdha të mashtrimit, që përfshinë edhe veprën penale të shmangies nga tatimi dhe pastrimit të parave. Në atë rast i akuzuar është deputeti Milaim Zeka, partneri i tij, Ilir Krasniqi dhe biznesmeni, Edmond Kërliu. Zeka e Krasniqi akuzohen për mashtrim të mbi 900 kosovarëve me viza pune në Gjermani. Pos shmangies nga tatimi në vlerë totale afër 200 mijë euro dhe pastrim parash, akuzohen edhe për mashtrim.

Kërliu ndërkaq, akuzohet për pastrim parash.

Në një bisedë për Insajderin, prokurori i rastit e ka pohuar faktin se nuk e ka pranuar raportin e dytë, por arsyetohet se nuk i ka penguar hetuesit të bëjnë kallëzim penal të veçantë.

“Fillimisht rasti është regjistruar si PPN, me qellim të grumbullimit të informatave, e me ç’rast është angazhuar Njësia Hetimore e ATK-se, ajo e Policisë si dhe Njësia e Inteligjencës Financiare, për të vepruar në këtë drejtim”, ka thënë Dema.

Prokurori ka thënë se kishte shkuar në Amerikë për një vjet për studime. Kur ishte kthyer rasti nuk ishte marrë nga prokurorët tjerë. Ka thënë se pasi i dyshuari nuk kishte pranuar se ka ndonjë borxh apo shmangie tatimore, hetuesia e ATK-se është udhëzuar që të vazhdojë me grumbullimin e informatave.

“Pas grumbullimit të informatave, është arritur në konkludim se i dyshuari ka shmangie tatimore në shumë prej 15 e 875 euro”, ka thënë prokurori Dema.

Bazuar në këtë raport, ai ka treguar se gjate muajit shtator 2016, ka nxjerr aktvendim për fillimin e hetimeve.

Insiston se pas fillimit të hetimeve ka lëshuar autorizim për hetuesinë e ATK-se, Policinë dhe Njësinë e Inteligjencës Financiare.

“Pas periudhës 17 mujore prej momentit të sjelljes se aktvendimit për fillim të hetimit, konkretisht në muajin Janar 2018, pas konsultimeve intensive me hetuesit e ATK-së, është intervistuar Afrim Muqiqi në cilësi të të pandehurit. I njëjti ka pranuar fajësinë dhe nëpërmjet avokatit të tij ka propozuar fillimin e negociatave për marrëveshje për pranim të fajësisë. Pas këtij veprimi, me pëlqimin e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtine, kemi filluar negociatat”, ka thënë Dema.

Ai ka thënë se i pandehuri Muçiqi, ka pranuar ofertën e Prokurorisë lidhur me arritjen e marrëveshjes. Ka treguar po ashtu se i ka propozuar Gjykatës dënim prej 5 muaj burgim dhe mundësia që burgu efektiv të zëvendësohet me dënim me gjobë, të cilën do ta paguaj i pandehuri gjithë obligimin tatimor.

“Më pas është ngritur aktakuza më 25 janar 2018 me shumën e shmangies tatimore prej 15 e 875 euro. Është bashkangjitur marrëveshja për pranim të fajësisë dhe rasti është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për gjykim”, ka sqaruar ai.

Prokurori Atdhe Dema, ka thënë se dy muaj pas ngritjes së aktakuzë – më 30 mars 2018, e ka pranuar nëpërmjet postës elektronike zyrtare raportin e ATK-së lidhur me Muçiqin për periudhën e njëjtë kohore, por me vlerë tjetër të shmangies nga tatimi e cila arrinte vlerën në 45 mijë e 625 euro.

“Me të pranuar këtë informatë edhe pse paraprakisht kanë qenë të informuar edhe njëherë i kam shpjeguar hetuesve të ATK-se si dhe drejtorit të NJHTI-se së ATK-së, se aktakuza për të njëjtin është ngritur në muajin Janar, me informatat te cilat I kam poseduar deri në atë moment”, ka deklaruar për Insajderin, prokurori Dema.

“Kurse për sa i përket raportit konkret të tyre, pra rrethanave të reja të cilat janë paraqitur pas ngritjes se aktakuzës, të bëjnë kallëzim penal shtesë apo te ri, me qellim që të procedohet tutje, konform dispozitave procedurale penale në fuqi”, ka thënë ai.

Këtë ka thënë se ua ka dhënë gojarisht e jo me shkrim.

Dema, është ankuar se dikush po dëshiron ta shkatërron atë dhe ta pengojë në punën e tij në Prokurorinë Speciale, që sipas tij është e mirë.

Ka refuzuar të tregojë se kush janë ata që duan shkatërrimin e tij.

Në ATK nuk kanë pranuar të flasin zyrtarisht për rastin me arsyetimin se për këtë mund të flas vetëm Prokuroria.

“Meqenëse rasti i estradës është trajtuar sipas autorizimit të Prokurorisë, ATK në bazë të nenit 84, Ligji Nr. 03/L-222, ‘Konfidencialiteti i informatave tatimore’, nuk mund të japë asnjë informacion sa i përket veprimeve tona, sepse vetëm Prokuroria është kompetente, pasi që rasti është hetuar për vepër penale”, ka thënë ATK nëpërmjet një përgjigje me shkrim.

Nga ana tjetër, dëmtuesi i shtetit për 46 mijë euro, Afrim Muçiqi nuk ka dashur të flasë për rastin.

“Unë jam në pritje të vendimit nga Gjykata për shkak se kam dal para gjykatës, kështu që kur të marrë vendimin mund të flasim”, ka thënë ai për Insajderin./Insajder.com