“Pronto” – a do të guxojë Gjykata t’i dënojë njerëzit më të fuqishëm të PDK-së?

Gati katër vjet pas publikimit të përgjimeve të aferës “Pronto” nga Insajderi, prokurorja speciale, Drita Hajdari dhe të akuzuarit janë ballafaquar për herë të fundit në gjykatë. Prokurorja, ka kërkuar dënimin me burg të të gjithë të akuzuarve, derisa të akuzuarit kanë kërkuar hedhjen e aktakuzës. Rasti tash është në dorën e trupit gjykues i udhëhequr nga Shasivar Hoti. Ata, pritet të tregojnë nëse janë të guximshëm dhe të pandikueshëm profesionalisht që këtij rasti të madh penal t’i japin përgjigje meritore.

“Pronto” – a do të guxojë Gjykata t’i dënojë njerëzit më të fuqishëm të PDK-së?

Adem Grabovcin dikur të gjithë e thërrisnin “shef”. I tillë ishte me veprime kur është fjala për të shpërdoruar autoritetin zyrtar.

Fuqia e tij dhe strukturës së Partisë Demokratike të Kosovës është dëshmuar me serinë përgjimeve telefonike të publikuara tri vjet më parë nga Insajderi. Kjo bëri që Prokuroria të vihej në veprim. Prokurorja Drita Hajdari, kishte guxuar që për herë të parë një strukturë të fuqishme politike ta çonte para drejtësisë, duke akuzuar ish-shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ish-ministrin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, deputetin e PDK-së, Zenun Pajaziti, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, ish-shefen e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti, ish-sekretarin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi, ish-zëvendësministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltarin politik në MPB, Sedat Gashi, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj dhe Rexhë Abazi.

Tash, Grabovci nuk është më shef. Nuk ka as fuqi politike. Ai është vetëm shef i grupit të të akuzuarve, të cilët të hënën kanë dhënë fjalët përfundimtare para se Gjykata të shpallë verdiktin. Ky verdikt ende nuk dihet se cili do të jetë.

Megjithatë, prokurorja Drita Hajdari, ka kërkuar dënimin e të gjithëve.

Në fjalën përfundimtare, ajo ka dekonstruktuar përfundimisht strukturën politike të përfshirë në vepra penale.

Prokurorja speciale, Drita Hajdari ka thënë para trupit gjykues se rasti “Pronto” nxori në dritë faktin se të gjithë ata që duan të punësohen, duhet pasur ndonjë politikan të fuqishëm.

“Prokurori i Shtetit konsideron se në këtë shqyrtim gjyqësor është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale. Në tërësi u vërtetua se të akuzuarit, duke shfrytëzuar influencën e partisë politike në pushtet, kanë bashkëpunuar mes vete për punësimin e individëve të ndryshëm, sipas njohjeve dhe raporteve personale, përkundër dijes, aftësisë, kualifikimeve dhe meritave të personave, të cilët sipas Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë”, ka thënë Hajdari.

Hajdari, ka thënë se është vërtetuar se të akuzuarit kanë shkelur edhe normat morale të shoqërisë dhe se ky rast nxori në dritë se të gjithë ata që duan të punësohen, duhet të kenë ndonjë politikanë të fuqishëm.

Prokurorja speciale ka thënë se dëgjimi i incizimeve që vërtetojnë veprimet e të akuzuarve është refuzuar nga ana e trupit gjykues.

“Ndaj Grabovcit në rastin MTI, prokuroria mësoj se në rastin MTI gjenden përgjimet që nuk janë përdorur në asnjë rast penal, madje prokurori kërkoj nga policia e Kosovës që ato incizime të transkriptohen. Bisedat janë analizuar veç e veç dhe u provua se në veprimet e të akuzuarve ekzistojnë veprat penale si në aktakuzë. Për shkak të përmbajtjes së këtyre bisedave për vërtetimin e plotë të gjendjes faktike prokuroria ka kërkuar që të dëgjohet në shqyrtim gjyqësor, por për fat të keq kjo është refuzuar nga ana e trupit gjykues”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, nëse këto incizime do të dëgjoheshin, do të kuptohej se akteri kryesor i komunikimeve për ndarjen e posteve është i akuzuari Adem Grabovci.

“Nëse këto incizime do të dëgjoheshin, do të dëgjonim raportet e të akuzuarve, mënyrën e komunikimet dhe bashkëpunimit për ndarjen e posteve”, ka thënë ajo.

“Akteri kryesor i komunikimeve është i akuzuari Grabovci në kohën kur ai ishte deputet dhe kryetar i grupit parlamentar të PDK-së, pra person nga struktura politike dhe padyshim person me autoritet që influencon punësimin e individëve të caktuar, që rezulton mes bisedave të zhvilluara mes tij edhe të akuzuare tjerë. Ai ka koordinuar mes bisedave telefonike me persona tjerë si jarani, shefi, dost i madh, për punësimin e personave të ndryshme ne ndërmarrje publike, ku disa të akuzuarve i drejtohen Grabovcit me “shef” apo “shef i shefave””, ka thënë Hajdari.

Sipas Hajdarit, përgjimet zbuluan se Grabovci me të akuzuarën Pajaziti ndikonte në përzgjedhjen e komisionit, i cili do të siguronte pozitën e saj të krye shefit ekzekutiv të produkteve medicinale.

“Grabovci bashkëpunonte me të akuzuarit tjerë për përzgjedhjen e tyre në borde sipas përkatësisë politike. Gjatë bisedave të akuzuarit nuk udhëheqësin me kriterin e dijes dhe aftësisë, por kriteri i vetëm i tyre ishte, siç thonë ata, i joni apo nuk është i joni. Kështu i akuzuari Grabovci përmes bisedës telefonike i prezanton listat e gjata të drejtorëve të bordeve dhe lidhë marrëveshje me të akuzuarit e tjerë sipas kandidatëve”, ka thënë prokurorja.

Sipas Hajdarit, në një rast e përzgjedhin kriterin se njëri prej tyre është burrë i mirë, ndërsa në një rast tjetër se e ka kryer fakulteti.

“Në kohën derisa ishte në fuqi konkursi për bordin e ndërmarrjeve publike dhe kryeshef në PTK, Grabovi dhe Beqaj bisedojnë për anulimin e konkursit dhe shpalljen e tyre. Bisedat telefonike të realizuara në mes të akuzuarve prokurori i shtetit i ka verifikuar përmes provave materiale në atë mënyrë që nga Qeveria e Kosovës dhe institucione të tjera ka siguruar prova dhe informacione relevante për hapjen e konkurseve përbërjen e komisioneve, listën e kandidatëve që kanë konkurruar dhe përzgjedhjen e tyre”, ka shtuar ajo.

Ajo pretendon se nga shqyrtimi gjyqësor është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale nga aktakuza.

“Vërtetohet se disa të akuzuar ishin në listën e kandidatëve në konkurset publike, vërtetohet përbërja e komisionit si dhe vërtetohet prezenca në lista dhe konkurse e kandidatëve për të cilët bisedojnë të akuzuarit në mesin e tyre janë edhe disa të akuzuar të cilët e propozojnë vetveten për drejtor bordi. Të gjithë të akuzuarit në kohën e kryerjes së veprës penale ishin persona zyrtarë, andaj nga pozita që ushtronin kanë pasur njohuri”, ka deklaruar Hajdari

“Të akuzuarit, me sjelljen e tyre, përveç shkeljeve ligjore kanë shkelur edhe normat morale e shoqërisë sonë, sepse ky rast nxori në dritë që të gjithë ata që duan të punësohen duhet të kenë ndonjë politikan të fuqishëm”.

Rasti nga aktakuza u zbulua përmes përgjimit të telekomunikimeve të aplikuara në mënyrë të ligjshme, me urdhrin e gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndaj të akuzuarit Adem Grabovci, në një çështje tjetër penale e quajtur rasti i “MTI”-së.

Ajo ka renditur manipulimin që kishte kryer kjo strukturë politike.

Sipas saj, përgjimet ligjore zbuluan se i akuzuari Adem Grabovci së bashku me të akuzuarën Arbenita Pajaziti ndikonte drejt për drejtë në përzgjedhjen e komisionit i cili do të siguronte përzgjedhjen e saj në pozitën Kryeshef në Agjencinë e Kosovës për Produkte Medicinale.

Në disa raste tjera, i akuzuari Adem Grabovci bashkëpunonte me të akuzuarit të tjerë për përzgjedhjen e drejtorëve në Borde të ndërmarrjeve publike, sipas kriterit të raportit personal apo sipas përkatësisë partiake të kandidatëve që kishin aplikuar në konkurse.

“Gjatë bisedave dhe marrëveshjeve të tyre për punësim, të akuzuarit nuk udhëheqëshin me kriterin e dijës, aftësisë dhe meritave të personave që kanë konkurruar, por kriteri i vetëm i tyre ishte, siç thonë ata: ‘i joni’ apo ‘nuk është i joni’”, ka thënë Prokurorja.

Prokurorja Hajdari ka thënë se i akuzuari Adem Grabovci, përmes bisedës telefonike i prezanton lista të gjata të kandidatëve për drejtorë të Bordeve dhe lidhë marrëveshje me të akuzuarit të tjerë për kandidatët sipas kritereve të tyre të ngushta personale dhe partiake.

“Për shembull, në një rast ata e përzgjedhin kandidatin sipas kriterit se është ‘burrë i mirë’ e në një rast tjetër kandidatin i cili ‘paska fakultetin juridik të kryer’, madje në bisedë me të akuzuarin Adem Grabovci, i akuzuari Zenun Pajaziti deklarohet që në Bord të ndërmarrjes publike të hyj edhe vëllai i tij Gëzim Pajaziti”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, në konkursin për pozitën Kryeshef Ekzekutiv në Agjencinë e Regjistrimit Civil në MBP, Ilhami Gashi në bisedë telefonike thotë që kandidati Blerim Camaj “për menaxher nuk o i aftë…”  Mirëpo, përkundër kësaj, kandidati Blerim Camaj ishte poentuar me pika maksimale dhe është emëruar në këtë  pozitë.

Në një rast tjetër, në kohën deri sa ishte në fuqi konkursi për drejtor në Borde të ndërmarrjeve publike dhe konkursi për pozitën Kryshef në Posten dhe Telekomin e Kosovës, të akuzuarit Adem Grabovci dhe Besim Beqaj bisedojnë për anulimin e konkursit dhe rishpalljem e tyre, si dhe në ditën kur zhvillohej procedura ligjore për caktimin e ushtruesit detyre Kryshef në Posten dhe Telekomin e Kosovës, ata dërgojnë një mesazh të fuqishëm:” as nji vendim, as nji hap gjatë ushtrimit të detyrës, veç ka me ushtru detyrën”.

“Me fjalë tjera, përgjimet ligjore zbuluan anën e errët të punësimeve dhe mënyrën e ushtrimit të detyrave të caktuara, përmes influencës dhe kontrollit politik, që bazoheshin në nevojat të ngushta personale dhe partiake, e jo bazuar në interesin e gjerë shoqëror dhe kriteret ligjore të përcaktuara në Ligjin për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës për Procedurat e emërimit në pozita të larta drejtuese në shërbimin civil të Republikës së Kosovës”, ka shtuar Hajdari.

Ajo ka thënë se bisedat telefonike të realizuara në mes të akuzuarve, Prokurori i Shtetit i ka verifikuar përmes provave materiale, në atë mënyrë që nga Qeveria e Kosovës dhe institucione të tjera përkatëse, ka siguruar prova dhe informacione relevante lidhur me hapjen e konkurseve të caktuara, përbërjen e komisioneve, listën e kandidatëve që kanë aplikuar dhe përzgjedhjen e kandidatëve në pozita të caktuara.

“Si përfundim, bazuar në bisedat e të akuzuarve, për secilin rast veç e veç, dhe në lidhshmëri me provat materiale, Prokurori i Shtetit konsideron se në shqyrtimin gjyqësor në tërësi është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale nga aktakuza”.

Mbrojtjen janë duke vazhduar ta japin të akuzuarit dhe avokatët e tyre të cilët kanë kërkuar nga trupi gjykues hedhjen e aktakuzës. Ata, e kanë akuzuar prokuroren si të ndikuar politikisht, ani se thuajse të gjithë të akuzuarit janë njerëzit më të fuqishëm politikë të lidhur me PDK-në.

Rasti tash është në dorën e trupit gjykues i udhëhequr nga Shasivar Hoti. Ata, pritet të tregojnë nëse janë të guximshëm dhe të pandikueshëm profesionalisht që këtij rasti të madh penal t’i japin përgjigje meritore. /Insajderi.com

Dosja e Shefave: Shteti në dorë të nëntokës

Dosja e Shefave II: Shefi e bën anëtar të KOSTT-it prokurorin Bahri Hyseni pa konkurruar