“Pronto” drejt fundit në gjykatë dhe prapaskenat që i shpëtuan nga ndjekja shefat e vërtetë të “Dosjes së Shefave”

Procesi gjyqësor i nisur pas publikimit të një serie raportesh të faktuara edhe me audio-incizime nga Insajderi, me emrin “Dosja e Shefave”, është drejt fundit. I njohur në publik si “Rasti Pronto”, ky proces gjyqësor ka edhe krejt pak kohë që të marrë një epilog. Janë duke u dhënë edhe fjalët përfundimtare të Prokurorisë e mbrojtjes. Por, si i shpëtuan ndjekjes shefat e vërtetë të kësaj afere- liderët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi e Kadri Veseli?

Disa audio-incizime të përgjimeve telefonike që ishin bërë në rastin e aferave me tenderë në Ministrinë e Transportit të drejtuar në atë kohë nga Fatmir Limaj dolën në publik nga burime anonime. Ato video të publikuara në YouTube janë ende aty.

Më shumë se sa afera e tenderëve në ministrinë e Limajt, atë kohë Nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) të udhëhequr nga Hashim Thaçi, ato ekspozuan aparatin e shtetit të drejtuar kryesisht nga kjo parti – se si funksiononte ai. Si mafia italiane.

“Pronto” aferës nuk ia dha emrin dikush tjetër. Ia dhanë vetë protagonistët që përshëndesnin njëri-tjetrin me këtë frazë filmash me krimin e organizuar italian.

Me pak seriozitet ishin trajtuar këto fakte të nxjerra në publik në mënyrë anonime. Madje EULEX-i që kishte kryer atë hetim dhe i kishte në dosje ato audio-incizime përgjimesh gati e kishte hedhur poshtë krejt rastin.

Krejt situata do të përmbysej kur Gazeta Insajderi, filloi publikimin e një seri raportesh të mbështetura me fakte nga incizimet të titulluar “Dosja e Shefave”.

Një hetim i Prokurorisë Speciale do të niste pastaj.

Pas një hetimi të gjatë një aktakuzë u ngrit kundër Adem Grabovcit, ish-deputet, Besim Beqajt, ish-ministër në Qeveritë Thaçi e Hardianj, Zenun Pajazitit, ish-ministër e deputet i PDK-së, Fatmir Shurdhajt, ish-zëvendës ministër në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Sedat Gashit, ish-këshilltar politik në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Xhavit Dakajt, ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Njazi Kryeziut, ish-Kryesues i Kuvendit në Komunën e Prizrenit dhe më vonë këshilltar i Kadri Veselit në Kuvend, Arbenita Pajazitit, ish shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilhami Gashit, ish-sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ismet Nezirajt, ish drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini”,  Rexhë Abazit, ish drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike “Hidro-Drini” në Pejë.

Ata u akuzuan për kryerjen e veprës penale shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Përgjimet e publikuara nga Insajderi te “Dosja e Shefave” zbulonte se si PDK-ja e Hashim Thaçit  do ta katapultonte në krye të ndërmarrjes shumë profitlabile, Postelekomin e Kosovës, në krye të bordit të saj, Rexhë Gjonbalajn. Për një kohë ai e kishte drejtuar partinë e Hashim Thaçit në Pejë.

Nga kjo ndërmarrje PDK-ja nuk do ti hiqte kurrë duart. Më tutje do të ndikonte përmes Adem Grabovcit e Besim Beqajt që të vendoste në pikat kyçe të saj militantët e devotshëm të partisë. Por, nuk do të ndalej me kaq.

Përgjimet e “Dosjes së Shefave” të publikuara nga Insajderi zbulojnë se Grabovci e Beqaj kishin marrë kompetenca të plota nga Hashim Thaçi, që në krye të tri ndërmarrjeve publike, PTK, Infrakos dhe Traikos të vendoseshin njerëzit që përfaqësonin interesat e tyre dhe po ashtu dëshmojnë se këto plane që ishin finalizuar me emërime.

Dosja pati zbuluar se ky grup njerëzish me bekimin e Thaçit kishin arritur që të ndikonin edhe në emërime brenda sistemit të drejtësisë në vend. “Drejtësia në rrjetin e merimangës” është një dokumentar i InDoks, prodhim i Insajderit, që e shpjegon këtë fenomen.

Shumë seanca gjyqësore janë mbajtur. Por, këta zyrtarë të shtetit, shumica e të cilëve të lidhur ngushtë me PDK-në e drejtuar nga Thaçi, e më vonë të marrë nën drejtim nga Kadri Veseli, kurrë nuk i dorëzuan para drejtësisë shefat e vërtetë të tyre. Këta dy të fundit.

Hetimin për këtë rast, pos që nuk arriti t’i kapte kryetarët e PDK-së, e bëri me të ekspozuar në publik kur u mor vesh se edhe Kryeprokurori Aleksandër Lumezi nuk kishte qëndruar larg presioneve kundër prokurorëve që e bënë hetimin, Drita Hajdari, Elez Blakaj dhe Lulzim Sylejmani.

Lumezi edhe në publik e kishte sqaruar këtë presion ndaj tyre.

“Te pjesa e ‘Pronto’-s, ai ka qenë një prej prokurorëve të cilin unë e kam iniciuar bashkë me partnerët ndërkombëtarë dhe e kam formuar një ekip të prokurorëve për hetimin e këtij rasti, ka qenë: Drita Hajdari, Elez Blakaj dhe Lulzim Sylejmani. Mbasi që është ngritë aktakuza unë i kam thirr në zyrën time me ma shpejgu se cilat janë provat dhe faktet që e kanë mbështetur dyshimin e bazuar për me ngritë aktakuzën. Në këtë takim kanë fol me rend prokurorët dhe kur ka ardhë rendi tek Elez Blakaj, ky ka thënë që unë nuk e kam ndërmarrë asnjë veprim e as nuk e kam lexuar aktakuzën, por unë e mbështes Drita Hajdarin në tërësi”, kishte thënë Lumezi.

Reagimi i tij kishte ardhur pasi që ish-Prokurori Special, Elez Blakaj që e braktisi vendin për të shkuar në Amerikë. Nga Amerika ai kishte shkruar disa letra që drejtonin akuza të rënda edhe kundër Lumezit për presion në favor të Besim Beqajt, një njeri shumë i fuqishëm në PDK.

“Madje edhe duke ulëritur pse kemi ngritur aktakuzë, e po ashtu kërkonte të rikthehet apo rishikohet aktakuza e cila ishte dërguar në gjykatë!!! Në këtë takim i njëjti pa fije turpi na tregonte se si është takuar me disa nga njerëzit tani të akuzuar (siç ishte Besim Beqaj) dhe se rezultati i punës nuk i pëlqente duke urdhëruar njërin nga prokurorët e zyrës se tij – z. Lulzim Sylejmani TË MBANTE NJË SHENIM ZYRTAR, sepse disa nga NE nuk po pranonim ta rishikonim vendimin e marrë lidhur me aktakuzën e cila veç ishte dërguar në gjykatë!”, thuhej në letrën e Blakajt.

Lumezi po ashtu e kishte pranuar se është takuar me Besim Beqajn dhe kanë diskutuar për rastin “Pronto”, ani pse Beqaj është i akuzuar në këtë rast.

Në fjalën përfundimtare të saj, në seancën e së hënës, 30 dhjetor 2019, prokurorja speciale Drita Hajdari ka thënë se politika e punësimit në Kosovë akoma karakterizohet me nepotizëm, çka sipas saj po e rrënon imazhin e Kosovës.

“Veprat penale nga aktakuza janë kryer në vitin 2011. Nuk është sekret që politika e punësimit në Kosovë akoma karakterizohet me nepotizmin që e rrënon imazhin e Kosovës në botë, duke na krahasuar me vendet me të dobëta në botë”, ka thënë Hajdari. Sipas saj, gjykata ka mundësi që përmes ndëshkimit të të akuzuarve, të ndikojë në parandalimin e veprave penale të tilla në të ardhmen, siç raporton “Betimi për drejtësi” nga seanca.

“Me shpalljen fajtor dhe dënimet e të akuzuarve gjykata ka mundësi të mirë që përmes ndëshkimit të të akuzuarve të ndikojë në parandalimin e veprave penale të tilla në të ardhmen, që rastet e tilla të mos përsëriten”, ka përfunduar fjalën e saj përfundimtare prokurorja Hajdari.

Gjatë fjalës së saj, prokurorja speciale ka thënë edhe se rasti “Pronto” nxori në dritë faktin se të gjithë ata që duan të punësohen, duhet pasur ndonjë politikan të fuqishëm dhe se është vërtetuar se të akuzuarit kanë shkelur edhe normat morale të shoqërisë.

Fjala përfundimtare për këtë rast është duke vazhduar edhe me të akuzuarit tjerë.

Në maj të këtij viti, Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës, duke e lënë kështu në fuqi aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, në aktvendimin e kundërshtuar, gjykata e shkallës së parë, ka dhënë në mënyrë të mjaftueshme për këtë fazë të procedurës penale, arsye lidhur me dyshimin e bazuar mirë, rreth provave të kundërshtuara, dhe se drejt ka vërtetuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme të pranueshme në aspektin ligjor-procedural, për të vazhduar më tutje.

Sipas Apelit, se a do të vërtetohet fajësia e tyre, mbetet të shqyrtohet gjatë fazave të ardhshme të procedurës penale dhe shqyrtimit kryesor të çështjes, e që në këtë fazë të procedurës penale fajësia nuk mund të supozohet as nga gjykata, e as nga palët.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 3 prill 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Adem Grabovcit, Besim Beqajt, Zenun Pajazitit dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, pasi që kishte refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave./ Insajderi.com