Prokuroria është duke hetuar drejtues e zyrtarë të një organizate nën dyshimin se kanë krijuar skema piramidale, nëpërmjet të cilave kanë mashtruar fermerë të shumtë. Insajderi ka intervistuar fermerët që kanë deponuar ankesa për mashtrim kundër drejtuesve të kësaj organizate. Sipas tyre, QAD-i pasi i shpallte fitues të granteve iu kërkonte një shumë parash si participim në projekt. Sipas fermerëve, përkundër që paratë e participimit janë dorëzuar në QAD, projektet e premtuara nuk janë realizuar.
Naim Tahiri, fermer nga fshati Novosell i Pejës ndihet i mashtruar nga drejtuesit e organizatës jo-qeveritare Qendra për Avokim dhe Diplomaci (QAD).
Ai tregon se në muajin gusht të 2016-ës ishte shpallur nga organizata QAD përfitues i një granti për zhvillimin e bletarisë, në vlerë prej 30 mijë eurosh.
Sipas tij, nga drejtuesit e QAD i ishte kërkuar që të participonte me 28 për qind të shumës së përgjithshme të projektit. Ai tha se ka paguar faturën prej 8 mijë e 379 euro, ashtu siç i ishte kërkuar.
“Zyrtaret e kësaj organizate na mashtruan pasi edhe pasi paguam participimin, ata gati një muaj na vonuan kontratën”, tha Tahiri për Insajderin.
Ai ka shtuar se ende nuk ka asnjë informatë nga udhëheqës të QAD-it se a do të realizohet projekti, për të cilin ka shpenzuar mbi 8 mijë euro.
Njësoj sikur Tahirit, ankohen edhe fermerë tjerë me të cilët ka kontaktuar Insajderi. Ata thonë se u mashtruan nga Qendra për Avokim dhe Diplomaci, duke humbur mijëra euro për të qenë përfitues të granteve.
Tefik Krasniqi nga Kolovica e Prishtinës, në muajin gusht të vitit 2016, ishte përfitues i projektit për mbjelljen e drurit “Paulownia”, shuma e të cilit ishte 20 mijë euro. I kontaktuar nga Insajderi ai ka treguar se i është dashur të paguaj shumën prej 5 mijë e 594 euro.
“Pagesën kemi pas afat me krye brenda 5 ditëve, qysh kena mujt i kena ba ato të holla edhe ja kena pague. Do i kemi marre borxh, do i kemi pas ku kemi mujt, për me arrit diçka brenda 3-4 vjetëve se bajagi te ardhura goxha t`mira kena mendu se na kthehen nga mbjellja e këtij druri”, tha Krasniqi.
Ai thotë se pas pagesës së participimit nuk ka marrë më informata nga drejtuesit e QAD-it se çfarë do të bëhet me grantin që ka përfituar.
Po ashtu, ngjashëm ankohet edhe Naim Makolli.
Ai në gusht të vitit të kaluar ishte shpallur nga QAD përfitues i projektit për mbjelljen e arrave për 60 ari tokë. Kishte planifikuar që në këtë projekt të punonte bashkë me vëllezërit e tij. Shuma e këtij projekti arrinte vlerën e 5 mijë eurove.
Ai thotë se ka paguar 1 mijë 330 euro për 28% që i është kërkuar nga QAD dhe 250 euro për kompletimin e dokumenteve për të aplikuar.
“Kushtet e konkursit kanë qenë me ba planin e projektit dhe analizat e tokës. Bashkë me vëllezërit, e kemi ba planin që na ka kushtu 200 euro dhe analizat e toket rreth 50 euro”, tha Makolli.
Makolli tregon se zyrtarët e QAD i kishin thënë se ky si fermer ka obligim që të paguaj participimin, ndërsa blerjen e fidanëve, mbjelljes se tyre, hapjen e pusetave dhe thurjen e tokës do ta kryenin ata.
Ai pohoi për Insajderin se pas pagesës së participimit nuk ka mundur më të kontaktoj ndonjë prej drejtuesve të QAD-it, për ta pyetur se a do të ec tutje projekti.
Ndonëse përfitues të projekteve të ndryshme- Tahiri, Makolli e Krasniqi kanë një të përbashkët. Pas participimit nga ana e tyre, ata nuk kishin marrë më lajme nga QAD. Organizata që i kishte shpallur fitues të granteve nuk ka realizuar premtimin e dhënë.
Të dyshuarit për skema piramidale: Mund të kemi pasur gabime gjatë rrugëtimit tonë
Pas ankesave të fermerëve ishte mobilizuar Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e Policisë së Kosovës.
Në dhjetor të muajit të kaluar, ishte ndërmarrë një aksion i gjerë i bastisjes së lokacioneve ku ndodhen degët e organizatës QAD.
Tetë zyrtarë të saj ishin arrestuar.
Dy drejtuesit, drejtori Valmir Hajrullahu zëvëndës drejtori Freskim Buçaj si dhe gjashtë zyrtarë tjerë të kësaj organizate dyshohen për organizimin e skemave piramidale.
Gjatë bastisjes së selisë së saj në Malishevë dhe degëve të saj në Prishtine, Ferizaj, Lipjan, Shtime dhe Suharekë policia pati sekuestruar si prova materiale një veturë, një kompjuter dhe shumë dokumente.
Ndërsa, të arrestuarve u ishte caktuar masa e arrestit shtëpiakë që nga 3 dhjetori.
“Ndaj të njëjtëve janë duke u zhvilluar hetimet nga Prokuroria, dhe varësisht nga rezultati i hetimeve do të veprohet konform dispozitave ligjore”, thuhet në një përgjigje të Prokurorisë së Shtetit, dhënë për Insajderin.
Pas arrestimit dhe bastisjes së lokacioneve të Qendrës për Avokim dhe Diplomaci, zyrat ishin mbyllur ndërsa fermerët nuk kishin mundur të kontaktojnë me zyrtarët e saj, vetëm me njërin nga punëtorët e saj përmes rrjeteve sociale.
Ata thonë se e kuptuan që llogaritë e organizatës ishin bllokuar shkaku i hetimeve, por që nuk e dinin se çfarë do të ndodhë me mjetet që kanë paguar dhe me grantet për të cilat ishin shpallur fitues.
Pikërisht nëpërmjet Facebook-ut organizata QAD ka dhënë një njoftim dy ditë pas bastisjeve.
Reagimi i tyre ju drejtohej aplikuesve, përfituesve, bashkëpunëtorëve dhe medieve.
“QAD-i është duke u hetuar siç pretendohet për shkelje ligjore nga organet e drejtësisë, kështu që aktualisht zyrat tona nuk janë funksionale deri në dëshmimin e të kundërtës”, thuhet në këtë reagim.
QAD-i njoftonte se asnjëri prej zyrtarëve të organizatës nuk ishte i arrestuar, por vetëm ishin intervistuar nga organet e ndjekjes.
“Ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë me kauzën tonë të drejtë dhe punën tonë të cilen nuk e kontestojmë që mund të ketë pasur gabime gjatë rrugëtimit tonë, rrugëtim i cili është mjaftë i vështirë dhe duhet shumë mund për të arritur në qëllimin tonë. Ne falënderojmë të gjithë ata që na qëndruan dhe po qëndrojnë afer nesh në këto ditë të hetimit, po ashtu ju lusim për qetësin tuaj dhe të bëni kujdes në deklaratat e juaja”, thuhej në këtë reagim.
Avokati i Buqajt: Nuk ka kurrgjë të vërtetë në dyshimet ndaj QAD-it
Qendra për Avokim dhe Diplomaci përmes një përgjigje që ka kthyer pas publikimit të tekstit kanë mohuar se kanë organizuar skema piramidale, por e pranojnë se nga të gjithë fermerët kanë marrë 28% të shumës totale të projekteve.
Sipas tyre ata janë organizatë joqeveritare që fushëveprimtari kryesore kanë bujqesinë, e jo organizatë “kriminale, as piramidiale, as ska të bëjë me bixhoz siç është pretenduar”.
“E gjithe kjo eshte inicuar nga perona te caktuar te cilet nuk deshirojne zhvillimin e vendit. Zyrtaret tane jane intervistuar dhe ju eshte shqiptuar masa e arrestit shtepiak per 1muaj, tashme kjo mase ju eshte hequr, tani masa qe ju eshte shqiptuar eshte paraqitja e tyre nje here ne jave ne Stacionin policor, deri te perfundojne herimet nga ana e Prokurorise”, thuhet në përgjigjen e QAD.
Thonë se po presin përfundimin e hetimeve për të vazhduar realizimin e projekteve.
Insajderi ka kontaktuar edhe me Nuhi Krasniqin, avokatin mbrojtës të Freskim Buçajt, i cili e mbanë pozitën e zëvendësdrejtorit në këtë organizatë.
Krasniqi tha se klienti i tij ishte në arrest shtëpiak që nga data 2 dhjetor e vitit të kaluar.
Por kjo masë, sipas tij, tashmë është zbutur.
“Klienti im është njoftuar se i është ndryshuar masa nga arresti shtëpiak në paraqitje të detyrueshme në polici një herë në javë, mirëpo për shkak të festës unë ende nuk e kam marrë vendimin me shkrim”, tha Krasniqi.
Avokati Krasniqi tha se klienti i tij është zotuar se do t`i përfundojnë projektet sapo të zhbllokohen llogaritë bankare të organizatës.
“Sa i përket mjeteve të participimit nga fermerët unë kam biseduar me klientin tim edhe më ka thënë se jemi në proces të realizimit të projekteve edhe nëse zhbllokohet kontot jemi të sigurt se kemi me i krye të gjitha ato projekte”.
“Sipas tij [Freskim Buqaj] gjithçka që lidhet me projektet i kanë me kontrata, është biznes i regjistruar, ka vepruar legalisht, i kanë zyrat, janë në dyshime por momentalisht kurrgjë nuk ka të vërtet”, tha Krasniqi.
Insajderi ka kërkuar të dijë nga Policia e Kosovës, Departamenti i Krimeve Ekonomike se deri ku kanë shkuar hetimet për këtë rast, mirëpo ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Përveç operimit si organizatë jo-qeveritare, QAD është e regjistruar edhe si biznes në Agjencinë për Regjistrimin e Biznesit. Drejtori i QAD-it, Valmir Hajrullahu, figuron të jetë pronar i biznesit privat me emër të ngjashëm si të organizatës jo-qeveritare. /Insajderi.com
Tekstit i kontribuoi edhe Agan Kosumi.