Qeveria s’i publikon vendimet për karantinimin e dy komunave veriore

Qeveria s’i publikon vendimet për karantinimin e dy komunave veriore

Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti ka vendosur të mos i bëjë publike vendimet për karantinimin e dy komunave veriore.

Pavarësisht insistimit të Qeverisë se të njëjta ekzistojnë, akoma s’është bërë i ditur asnjë detaj prej atyre vendimeve – datat kur janë merr, apo edhe specifika të tjera për komunat me shumicë serbe: Zveçanin dhe Mitrovicën Veriore.

Gazeta Insajderi i ka kërkuar këto vendime sot nga Zyra e Kryeministrit, po e njëjta nuk ka kthyer asnjë përgjigje deri më tash.

Si për të dëshmuar se vendimet ekzistojnë U.d së ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, doli mbrëmë me to në dorë gjatë një interviste dhe tha se Qeveria ka vendosur që t’i fus në karantinë Mitrovicën Veriore dhe Zveçanin.

“Dy komuna atje janë futur në karantinë me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë pas kërkesës së IKSHPK-së. Institucionet e Kosovës janë të angazhuara të mbrojnë çdo qytetar, pavarësisht gjuhës, nacionalitetit apo religjionit që i takojnë”.

“Të gjendur para një situate kur kemi një armik të padukshëm, të gjitha instancat janë duke bashkëpunuar shumë mirë mes vete. MSH-ja, IKSHPK-ja dhe Policia e Kosovës atje janë në bashkëpunim të vazhdueshëm me ato komuna”, tha tutje Sveçla, shkruan Insajderi.

Ai tha se vendimi për t’i futur në karantinë ato dy komuna është marrë më herët, dhe nuk është se ka qëndruar në heshtje.

“S’kemi dashur që këto vendime t’i japim me tupan dhe s’kemi dashur të ngjallim ndonjë reagim atje. Në fillim as që kemi dashur të reagojmë ndaj akuzave këtu, që s’kanë marrë parasysh fare elementin njerëzor dhe atë shëndetësor, por kanë kaluar në sulme të drejtpërdrejta”.

Por ana tjetër e medaljes duket krejt ndryshe.

Mitrovica Veriore dhe Zveçani janë futur në karantinë qysh nga 3 prilli, bazuar në një vendim të Shtabit të Krizës në veri, organ ky që dirigjohet nga shteti serb, shkruan Gazeta Insajderi.

Sipas këtij dokumenti që është publik, edhe mbi 200 qytetarë në pesë komuna të vendit janë detyruar të izolohen.

Kjo nënkupton se asnjë qytetar nuk mund të hyjë dhe as të dalë nga kjo komunë, përjashto rastet emergjente.

Shtabi i Krizës në veri të Mitrovicës, ka deklaruar se të gjithë të prekurit me koronavirus do të dërgohen për trajtim të mëtutjeshëm në Spitalin e Nishit në Serbi, shkruan Gazeta Insajderi

Nga radhët e komunitetit serb, janë infektuar 33 persona, ndërsa një ka vdekur – këto statistika nuk janë pjesë e Institutit të Shëndetit – rastet e veta veriu i bënë të ditura vetëm në Serbi.

insajderi.com