fbpx

Qeverisja e VV-së në Prizren përsëritë skandalet e PDK-së – drejtorët politikë të shkollave

Më 21 shtator të këtij viti, Komuna e Prizrenit publikoi emrat e 31 drejtorëve të rinjë të shkollave. Përkundër se depolitizmi i shkollave ka qenë zotim kryesor i Mytaher Haskukës, duket se as qeverisja e tij nuk ka mundur t’i rezistojë emërimeve politike. Insajderi ka gjetur se një numër i madh i drejtorëve të përzgjedhur kanë lidhje me dy nga partitë në pushtet, Vetëvendosjen dhe Nismën.

Qeverisja e VV-së në Prizren përsëritë skandalet e PDK-së – drejtorët politikë të shkollave

Kur Vetëvendosja i kishte hyrë serizozisht garës për ta fituar “Jerusalemin e PDK-së”, Prizrenin, kryetari i kësaj komune, Ramadan Muja po ballafaqohej me gjykatën. Ai akuzohej për mashtrime me prona, ku veç tij ishin të akuzuar edhe disa drejtorë komunalë.

Mytaher Haskuka aso kohe kandidat i VV-së për kryetar, kërkonte votën e prizrenasve me premtimin se qeverisja e tij do të ishte ndryshe nga ajo e PDK-së për vite me radhë.

Në mesin e 4 qëllimeve kryesore dhe 43 zotimeve që i paraqiste Haskuka, ndër më kryesorët ishte edhe depolitizmi i shkollave, duke e cilësuar si një nga problemet më të mëdha të arsimit në vend.

Me këto premtime Haskuka e kishte nisur edhe mandatin pasi triumfoi në zgjedhje lokale. Në prillin e këtij viti ai kishte shkruar në facebook se përzgjedhja e drejtorëve nga partitë, është degradim i arsimit.

“Politizimi i shkollave, duke i përzgjedhur drejtorët e mësimdhënësit e “dëgjueshëm” dhe jo sipas kritereve profesionale, ka qenë shkaktari i drejpërdrejtë i degradimit social dhe ekonomik i vendit. Shkollat e dobëta krijojnë shtete të dobëta”, ishte zotuar Haskuka disa muaj pas marrjes së mandatit.

Por pesë muaj më pas, dhe një vit pas premtimeve krenare të Mytaher Haskukës, emërimi i drejtorëve të shkollave në Prizren po del se është bërë tërësisht në baza politike, shkruan Insajderi.

Nga 31 drejtorët e përzgjedhur, shumica prej tyre janë të partisë që udhëheq me drejtorinë e Arsimit në Prizren, Nismës Socialdemokrate, e disa edhe të partisë së kryetarit, Vetëvendosjes.

Konkursi i parë për përzgjedhjen e drejtorëve në muajin prill, ishte anuluar nga vetë kryetari i komunës, me arsyetimin se kishte pasur “shkelje teknike”.

“Si kryetar i Komunës, në bazë të të gjeturave gjatë procesit të përzgjedhjes së drejtorëve, uroj DKA-në për përkushtimin për të pasur një përzgjedhje të drejtë të personelit udhëheqës arsimor në shkollat e Komunës së Prizrenit, gjersa ka vërejtur lëshime teknike nga ana e Komisionit përzgjedhës, të cilat kanë sfiduar procesin e këtillë”, thuhej në vendimin e Haskukës.

Kurse rezultatet e konkursit të dytë dolën ditë më parë. Gazeta Insajderi ka arritur të gjejë disa nga emrat e drejtorëve të rinjë, që janë anëtarë të partive në pushtet.

Njërën nga shkollat më të mëdha në Prizren do ta drejtojë Islam Bajrami. Ky i fundit është përzgjedhur si drejtor i shkollës “Lidhja e Prizrenit” me 71 pikë.

Nga disa fotografi të publikuara në rrjetin social facebook, Bajrami shihet me ministrin e arsimit që vjen nga Nisma, Shyqiri Bytyqi dhe deputetja e kësaj partie, Albulena Balaj-Halimaj.

Drejtor i një shkolle është bërë edhe Fidan Axhillari. Njeriu që është shumë i afërt me Zafir Berishën e Nismës, do ta drejtojë shkollën “Fadil Hisari”.

Kurse anëtari tjetër i Nismës, Vigan Dervishaj do të ulet në karrigen e drejtorit të shkollës “Fatmir Berisha”.

Në pozitën e drejtorëve janë rehatuar edhe Osman Shala e Ismet Buduri, ky i fundit që në foton e profilit e mbanë shefin e Nismës në Prizren, Zafir Berishën.

Buduri do ta udhëheq shkollën që mban mbiemrin e tij “Nazim Buduri”. Kurse Shala do ta drejtojë shkollën “Mic Sokoli”

Nga pushteti i partisë së tyre, kanë përfituar edhe dy anëtarë tjerë të partisë së Fatmir Limajt.

Imen Ajazaj ka triumfuar në garën për drejtor të shkollës “Dëshmorët e Zhurit”, kurse Flurim Gashi në shkollën “Dëshmorët e Vërrinit”.

Në gjithë këto emërime, vend ka pasur edhe për disa anëtarë të Vetëvendosjes. Madje njëri nga ta ka qenë edhe kandidat i VV-së për asamblist.

Fjala është për Sedat Shkurtin që është emëruar drejtor i shkollës “Motrat Qiriazi”.

Image may contain: 1 person, suit and text

Kurse anëtari tjetër i Vetëvendosjes, Jeronim Susuri do të jetë drejtorë në shkollën “Gjon Buzuku”.

Për gjithë konkursin dhe emërimet e drejtorëve, Gazeta Insajderi ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Por ai për disa herë me radhë nuk është përgjigjur në telefon.

LDK-ja konfirmon “uzurpimin e shkollave” nga partnerët e koalicionit:

Se drejtorët e emëruar në shkollat e Prizrenit janë shumica të anëëtarë të partive politike, po e konfirmon edhe LDK-ja, që bashkë me VV-në e Nismën qeverisin bashkë në këtë qytet.

Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh dilemat e veta për përgatitjen profesionale të këtyre kandidatëve.

Fatmir Memaj zyrtar i LDK-së në Prizren dhe drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, thotë se partia e tij është totalisht e pakënaqur me këto përzgjedje

“Për të VV-së nuk kemi dyshime, mundet me qenë ndonjë por s’kemi dilema.Ne s’kemi dilema as për ata të Nismas por konsiderohen që nuk janë profesional. Ne po dyshojmë që është numër i madh i anëtarëve të Nismës që janë bërë drejtorë, edhe pse unë personalisht nuk i njoh por mundemi me shiku kush janë apo qysh janë. Ne jemi të pakënaqur si pjesë të koalicionit.Po besojmë që Nisma e ka uzurpuar këtë lëmi”, ka thënë Memaj për Gazetën Insajderi.

Madje ai ka bërë të ditur se LDK-ja po e shqyrton pozicionin e vetë në koalicion.

“Ne jemi në diskutime të brendshme, për pozicionin tonë në koalicion”, deklaroi Fatmir Memaj

Drejtori i Nismës mohon akuzat:

Akuzat për emërimet politike dhe rehatimin e anëtarëve të Nismës, po i mohon drejtori i arsimit në këtë komunë që vie pikërisht nga kjo parti, Skënder Susuri.

Susuri ka thënë për Insajderin se në konkursin për emërimin e drejtorëve janë respektuar të gjitha procedurat.

“Për sa i përket institucionit të konkursit për drejtor të shkollave në Komunën e Prizrenit, procesi ka qenë më shumë se transparent, në perputhje me procedurat e përcaktuara me dispozitat ligjore konkretisht UA nr. 08/2014”, deklaroi fillimisht ai.

Image may contain: 5 people, people standing

Duke i komentuar akuzat edhe nga partneri i koalicionit, Susuri tha se në LDK ka pasur vetëm qëndrime individuale e jo të partisë. Kërkoi nga ta argumente për këto pretendime.

“Asnjë reagim zyrtar të LDK-së, nuk ka patur.Individët sigurisht mund të kenë mendime ndryshe, është e drejtë e tyre, por duhet të ofrojnë argumente”, deklaroi Susuri.

Ai arsyetoi edhe emërimin e drejtorit që ka qenë kandidat për asamblist.Tha se një veprim i tillë nuk përbën shkelje ligjore e as politizim.

“Nëse ndonjë nga kandidatët e propozuar për drejtor shkolle është gjendur në listën për kuvendar, kjo nuk përbën shkelje ligjore, as edhe politizim, përkundrazi  partitë politike marrin pjesë dhe përfaqësohen me individ/kandidat më të mirë të mundshëm”, përfundoi drejtori i Arsimit në Prizren.

Gazeta Insajderi ka rapotuar për emërimet politike të drejtorëve në shkolla edhe më herët, në komunën e Suharekës.

Depolitizmi i shkollave gjithmonë ka qenë si premtim kryesor i ministrave të arsimit, por deri më tani po del se ka mbetur vetëm në letër. /Insajderi.com