Ramush Haradinaj ka kërkuar mbështetje për kryeministër edhe nga njëri prej kriminelëve kryesor të veriut të Kosovës. Haradinaj, ka takuar Milan Radojiçiq – babanë e gruas se Zvonko Veselinoviqit, i hetuar një kohë të gjatë në Kosovë dhe i dënuar në Serbi. Pas burgosjes së Veselinoviqit në Serbi, kontrollin në veri të Kosovës e ka marrë Radioçiq. Radojiçiq ka qenë i dënuar për vjedhje më gjashtë muaj burgim. Ndërkohë, ishte arrestuar për kërcënim me vdekje të policëve të Kosovës.
Në përpjekje për t’u bërë kryeministër, Ramush Haradinaj ka takuar thuajse të gjithë ata që kanë ndikim në bërjen e votave.
Mes tyre, njëri prej kriminelëve kryesor të veriut të Kosovës, Milan Radojiçiq.
Radojiçiq është babai i gruas se Zvonko Veselinoviqit, i hetuar një kohë të gjatë në Kosovë dhe i dënuar në Serbi. Pas burgosjes së Veselinoviqit në Serbi, kontrollin në veri të Kosovës e ka marrë Radojiç.
Sipas informatave të Insajderit brenda Policisë, ai është njeriu kryesor që kontrollon pakicën serbe në veri të Kosovës, përfshirë subjektin politik Lista Serbe.
Insajderi posedon dosje të Njësisë kundër krimit të organizuar të EULEX-it që kanë hetuar Veselinoviqin, përfshirë vjehrrin e tij, Radojiçiq. Mes krimeve të tij siç është kontrabanda e naftës, drogës, e mallrave tjera, Radojiçiq ka kërcënuar dhe rrahur në shumë raste policë të Kosovës.
Ai ka qenë i dënuar në vitin 2003 me vendim të formës së prerë me gjashtë muaj burgim për vjedhje të rëndë.
Ndërkohë, shumica e këtyre veprave të kryera prej tij janë amnistuar me miratimin e ligjit për amnisti vite më parë. Ky ligj ishte pjesë e marrëveshjeve në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit.
Burime nga Prokuroria në Mitrovicë i kanë thënë Insajderit se Milan Radojiçiq ka mbi 50 dosje kriminale.
Por, këto veprime të dyshuara të Radionçiqit nuk kanë qenë pengesë për të nominuarin për kryeministër të koalicionit PAN, Ramush Haradinaj.
Gazeta Express ka publikuar më 31 korrik të këtij viti një fotografi të Haradinajt me Radojiçiq, duke biseduar në restorantin “Tiffany”, në Prishtinë.
Burime të Gazetës Express bëjnë me dije se gjatë takimit në mes të Haradinajt dhe Radojiçiq, është diskutuar lidhur me përfshirjen e Listës Serbe në Qeverinë e drejtuar nga Haradinaj.
“Siç mëson Express palët kanë rënë dakord që serbët e Kosovës të përfshihen në Qeverinë e drejtuar nga Ramush Haradinaj”, shkruante gazeta.
Insajderi posedon një dosje të EULEX-it që kishte hetuar grupin kriminal të Veselinoviqit. Provat e shoqëruara me përgjime dhe video, ishin dërguar në Prokurori. Por, këto vepra janë amnistuar me ligj. Kësisoj. Grupi ka mbetur i pagjykuar.
Hetuesit përshkruanin mysafirin e Haradinajt si shumë të rrezikshëm. Ai sulmonte dhe kërcënonte policët që guxonin të merreshin me të. Për një rast ishte arrestuar dhe dërguar në Gjykatë. Por, një prokurore vendëse e korruptuar e kishte liruar atë, pasi sipas EULEX-it ishte paguar nga grupi i Veselinoviqit.
Bëhet fjalë për ish-prokuroren, Vahide Badivuku e dënuar për marrje ryshfeti.
Në një raport vëzhgimi të hetimeve thuhej se më 30 korrik 2009, Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radojiçiq kishin kërcënuar me vdekje një polic serb të Kosovës derisa ishte në detyrë.
Një hetim zyrtar ishte hapur dhe një njësi hetimi e Policisë së Kosovës nga stacioni Policor i Veriut të Mitrovicës ishte vendosur në krye të këtij rasti.
“Prokurorja publike në detyrë, Vahide Badivuku kishte dhënë udhëzime hetuesve për të arrestuar dy të dyshuarit dhe për t’i dërguar te ajo. Më vonë, në fillim të gushtit 2009, Zhelko Bojiq dhe Milan Ristoviq të dy zyrtarë të Policisë së Kosovës të caktuar në Task Force në veri të Mitrovicës ishin parë në jug të Mitrovicës së bashku me Vahide Badivukun”, thuhet në raport.
“Prokurorja ishte ulur brenda automjetit Golf 5 të Policisë së Kosovës duke negociuar me ta”.
Sipas EULEX-it, Zhelko Bojiq dhe Milan Risteviq kishin një takim jozyrtar me prokuroren për të negociuar në emër të Zvonko Veselinoviqit me qëllim që të caktimit të gjykatësit për të minimizuar dënimin, para arrestimit.
“Më 14 gusht 2009 Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radojiçiq u dorëzuan në Polici me vetiniciativë. Gjatë marrjes së deklaratës hetuesit kontrolluan bazën e të dhënave përmes zyrtarit të tyre për operativë dhe kuptuan Zvonko Veselinoviq është i kërkuar sipas një urdhërese gjyqësore për veprat penale që daton nga 2003 dhe duhet të sillej në Gjykatën Komunale në Mitrovicë. Po ashtu edhe Milan Radojiçiq duhet të paraqitet në Gjykatën Komunale në Prishtinë me qëllim të njoftimit të vendimit me të cilin ai u dënua me gjashtë muaj burgim për vjedhje të rëndë”, shkruan në dosje.
Veselinoviq ishte identifikuar nga inteligjenca e Policisë ndërkombëtare në Kosovë si kriminel, aktivist i politikës radikale. Policia thotë se ka filluar karrierën si vjedhës i veturave por ka avancuar shumë shpejt në kontrabandë me karburante, drogë dhe trafikim armësh. Në gjithë këtë veprimtari ka punuar me shqiptarë.
Policia shkruante se duhet të kushtohet kujdes për shkak se Veselinoviq ka prirje për dhunë, si dhe për faktin se ai është personalisht, ose nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tij i lidhur me zbatuesit e korruptuar të ligjit. Hetuesit thonë se më 14 gusht 2009, Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radojiçiq, ishin dorëzuar me vetiniciativë në stacionin e Policisë në veri dhe sipas udhëzimeve të prokurores, Vahide Badivuku, Zvonko Veselinoviq, pas intervistës ishte liruar.
Haradinaj, ndërkohë ka arritur ta sigurojë votën e Teuta Rugovës për kryeministër. Insajderi ka raportuar se kjo ka ndodhur me ndërmjetësimin e Adem Grabovcit, Dardan Gashit, Astrit Haraqisë e Daut Haradinajt.
Sekserët janë duke vazhduar të negociojnë edhe me deputetin Labinot Tahiri. Tri ditë më parë edhe lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli ka dhënë sinjale afrimi e bashkëpunimi me PAN-in./Insajderi.com