Raporti i gazetarëve me institucionet- Qasje shpërfillëse, tërheqje zvarrë e kërcënime nga truprojat e politikanëve

Ekziston një numër i vogël i institucioneve që janë bashkëpunuese me gazetarët. Shembull i mirë është Zyra e Auditorit të Përgjithshëm. Institucionet tjera janë refuzuese në kërkesat për qasje në dokumente publike. Kanë qasje shpërfillëse ndaj gazetarëve. Po ashtu, gazetarët përballen edhe me largim fizik nga hapësirat e rezervuara për raportim dhe kërcënohen nga pjesëtarët e sigurimit të politikanëve të fuqishëm.

Raporti i gazetarëve me institucionet- Qasje shpërfillëse, tërheqje zvarrë e kërcënime nga truprojat e politikanëve

Tërheqje zvarrë e gazetarëve, mos dhënia e informatave me kohë, refuzimi i kërkesave për qasje në dokumentet zyrtare, mbyllja e seancave gjyqësore dhe kufizimi i raportimit nga to, janë vetëm disa nga ngjarjet me të cilat përballen gazetarët në Kosovë.  Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, organizata për mbrojtjen e gazetarëve në vazhdimësi ka kërkuara nga institucionet garantimin e lirisë dhe mos pengimin e medieve në qasjen në informacione.

Por, paradoksalisht një prej shkelësve më të mëdhenj është institucioni i cili ligjërisht është garantues i kësaj të drejte. Është institucioni i Kuvendit të Kosovës, i cili në disa raste ka penguar punën e gazetarëve në raportimin nga seancat plenare dhe takimet në këtë institucion. Vetëm gjatë këtij viti në dy raste kufizoi mediat në raportim.

Me 31 mars të këtij viti, ditën kur pritej të votohej marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, derisa sigurimi i kuvendit largonte nga salla deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje të cilët kishin hedhur gaz lotsjellës në sallë, dikush nga sigurimi që ndodhej lart te hapësira e rezervuar për mediet, pengoi pamjet duke i larguar kamerat nga fokusi.

Paraprakisht sigurimi i kuvendit kishte larguar gazetarët nga kjo hapësirë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës menjëherë e dënoi aktin e pengimit të qasjes së medieve në informacion dhe censurimit të pamjeve nga momenti i arrestimit të deputetëve në Kuvend.

AGK Konstatoi u bë shkelje e nenit 42 të Kushtetutës, që garanton lirinë e medieve. Madje kërkoi nga kreu i Kuvendit që të mos lejoj veprime të tilla por të ndërmerr masa për lejimin e papenguar të qasjes së gazetarëve në informacion.

Tërheqja zvarrë e gazetarit nga sigurimi i Kuvendit

Vetëm një muaj para këtij rasti, gazetari i KALLXO.com, Taulant Osmanaj ishte larguar me forcë nga ndërtesa e Kuvendit nga një pjesëtarë i sigurimit. Në kohën kur është nxjerrë jashtë, ai kishte qenë duke qëndruar në korridorin e Kuvendit, përballë zyrës së kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Taulant Osmani tha për Insajderin se ishte tërheqë zvarrë nga sigurimi vetëm pse ka qenë duke fotografuar “takimet e fshehta në mes të përfaqësueseve të partive politike”.

Osmani që ka përcjellur në vazhdimësi seancat e kuvendit, thotë se administrata e kuvendit në disa raste janë korrekt në komunikim me gazetarët, mirëpo gjatë këtij viti janë vonuar në akreditimin e gazetarëve. Mos akreditimi me kohë po u merr kohë edhe në identifikimin e tyre para nisjes së seancave.

“Një fakt tjetër i rëndësishëm është se gazetarët humbasin kohë gjatë verifikimit për të hy në kuvend, veç pse ky institucion ende si ka bërë akredimet. Pra jemi në fillim të muajit të pestë dhe ne ende duhet të shpenzojmë minuta për të gjetur emrin në listat e shumta në hyrje të kuvendit”, tha ai.

Kuvendi përmes një sqarimi për media pati thënë se personat të cilët kanë larguar me forcë gazetarin Osmani nuk kanë qenë sigurim i kryetarit të kuvendit, Kadri Veseli.

“Dëshirojmë të theksojmë se nuk ka qenë ‘sigurimi i kryetarit Veseli’ siç thuhet në raportime, që e ka larguar, por sigurimi i Kuvendit, që i përgjigjet Policisë së Kosovës. Për këtë ne kemi kërkuar edhe një raport nga Policia e Kosovës”, thuhej në komunikatë.

Ndër tjerash në komunikatë thuhet se “në çdo hapësirë tjetër të Kuvendit, çfarëdo zyre, në këtë rast edhe Zyra e Kryetarit të Kuvendit, nuk lejohet qasja kur nuk ka ftesë zyrtare dërguar për media apo takim të paracaktuar me kabinetin”.

Kërcënimi nga truporja e zëvëndës kryeministrit Fatmir Limaj

Një sulm tjetër i cenimit të lirisë së shprehjes dhe pengimit të punës së gazetarëve i ka ndodhur, pikërisht në hollin e kuvendit, edhe gazetarit të “Gazeta Express”, Mentor Gjergjaj.

Gjergjaj ishte kërcënua nga truproja i zëvendëskryeministrit, Fatmir Limaj natën kur Kuvendi i Kosovës bënte përpjekje për të mbajtur seancë të jashtëzakonshme për shfuqizimin e Ligjit të Gjykatës Speciale.

Gjergjaj thotë se gjatë kohës sa kishte qenë duke e fotografuar zëvendëskryeministrin Limaj, i cili po shkonte në takim me presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, ka dëgjuar një ton të lartë duke bërtitur në drejtim të tij, duke e “urdhëruar” të mos incizojë, teksa në atë moment truproja i zv.kryeminstrit Limaj, Shpëtim Telaku e ka kapur për krahu.

“Ai vazhdonte të provonte që më dhunë të ma merrte telefonin nga dora. I kam thënë që jam gazetar dhe ia kam kujtuar se nuk guxon të ndodhë një veprim i tillë, duke ia shfaqur edhe ID-kartelën e punës. Mirëpo, i njëjti në mënyrë kërcënuese me thoshte ta hapja telefonin dhe t’i fshija fotografitë dhe incizimet”, tregon Gjergjaj.

Institucionet e mbyllura dhe institucioni që bashkëpunon me gazetarët

Të mbyllur për gazetarët dhe mediat janë treguar edhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë. Gazeta Insajderi kishte kërkuar informata lidhur me largimin nga puna të zyrtarëve të kësaj agjencie, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.

Pavarësisht këtyre rasteve, ka edhe institucione që janë treguar korrekte me gazetarët dhe mediat duke u ofruar qasje në informata dhe dokumente zyrtare. E tillë është treguar Zyra Kombëtare e Auditimit.

Në një përgjigje për Insajderi, Qëndresa Mulaj udhëheqëse e kabinetit të Auditorit të Përgjithshëm, tha se ky institucion ka për synim që të jetë burim i besueshëm i mendimit të pavarur dhe objektiv dhe në vazhdimësi ka kultivuar një komunikim korrekt me gazetarët dhe mediat në përgjithësi.

“Nuk ka asnjë rast kur Zyra Kombëtare e Auditimit nuk është përgjigjur në pyetjet/ kërkesat e gazetarëve. Ne gjithmonë kemi qenë të gatshëm që me kohë tu përgjigjemi kërkesave nga mediat. Marrë parasysh volumin dhe kompleksitetin e punës sonë në rastet kur përgatitja e përgjigjeve në pyetjet e gazetarëve ka marrë kohë më shumë sesa një ditë pune ne i kemi njoftuar ata paraprakisht se kur do t’ua dërgojmë përgjigjet. Po ashtu ne kemi inkurajuar gazetarët që të na kontaktojnë sa herë që kanë nevojë për sqarime shtesë”, thuhet në përgjigjen e Mulajt.

Por, përkundër këtij shembulli të mirë numri i institucioneve që refuzojnë qasjen është më i madh.

Gazeta Insajderi ka gati tre muaj që pret t`i ofrohet qasje në shpenzimet e dhjetë vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Qeveria pati ndarë 600 mijë euro për festimet, por për mënyrën se si janë shpenzuar ato institucionet nuk ka ofruar dokumentacionin me fatura.

Në ministrinë e Kulturës thonë se ende nuk e kanë raportin me shpenzime, pasi që sipas zyrtarit për komunikim Osman Gashi operatorët nuk i kanë dërguar faturat e shpenzimeve.

“Për shpenzimet e dhjetëvjetorit të pavarësisë, ende nuk është hartuar raporti final sepse ende ka fatura që nuk janë dorëzuar nga operatorët. Në momentin që hartohet ky raport do t’ua përcjellim”, tha Gashi.

Për dallim nga kjo ministri Zyra Kombëtare e Auditimit, është treguar shumë e hapur në kërkesat e dërguar nga Gazeta Insajderi. Rasti i fundit ka qenë në prill të këtij viti, kur gazeta pati kërkuar dokumente lidhur me një të gjetur të auditorit, në të cilën kërkesë kemi marrë përgjigje brenda dy ditësh.

Qëndresa Mulaj nga ZAP tha se numri i kërkesave nga gazetarët dhe mediat në përgjithësi, duke iu referuar trendëve të dy viteve të fundit janë në rritje të vazhdueshme.

“Meqenëse raportet tona të auditimit janë publike, lehtë të qasshme dhe përmbajnë mjaft informacion, mediat u referohen të gjeturave të prezantuara në këto raporte pa pasur nevojë për një kërkesë formale. Megjithatë në vazhdimësi pranojmë kërkesa për sqarime dhe pyetje nga gazetarët si dhe kërkesa për intervistë, paraqitje në emisione të ndryshme në radio dhe televizione”, tha ajo.

Institucionet në vazhdimësi janë treguar të mbyllura kur u është kërkuar qasje në dokumente zyrtare, sikurse në rastin e BIRN kur zyra e kryeministrit kishte refuzuar të ofroj dëshmitë e shpenzimeve të zyrtarëve publik.

Kjo zyrë mos qasjen në dokumente e kishte arsyetuar me  mbrojtjen e të dhënave personale.

BIRN e pati paditur zyrën e kryeministrit në vitin 2013. Gjykata Themelore e Prishtinës në maj të vitit 2015 i jep të drejtë BIRN-it në qasjen në shpenzime, me arsyetimin e shpenzimet e zyrtarëve e veçanërisht zyrtarëve të lartë, janë para të mbledhura nga taksat dhe tatimet që paguajnë qytetarët e Kosovës.

“dhe nga ky aspekt ata kanë drejtpërsëdrejti interes të arsyeshëm të informohen për çdo cent, se ku i shpenzojnë zyrtarët publik të cilëve u janë besuar autorizimet publike dhe nga ky fakt ata duhet të mbahen përgjegjës për ato shpenzime”, thuhet në aktgjykim.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik për gjatë dy viteve nuk i ishte përgjigjur pozitivisht kërkesave të Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID).

Organizatat anëtare të KOSID, gjatë periudhës 2011-2013 kishin parashtruar me dhjetëra kërkesa për qasje në dokumente publike në proceset e privatizimit. Sipas KOSID-it, të gjitha kërkesat janë refuzuar nga MZhE me arsyetimin se ato dokumente janë drafte dhe janë dokumente te klasifikuara për të cilat nuk lejohet qasje.

Pikërisht për këtë shkak, më 3 qershor 2013, Instituti GAP në emër të KOSID-it, ka ushtruar padi kundër MZhE-së për moslejim të qasjes në dokumente publike.

Por në dhjetor të vitit 2017, Gjykata Themelore e Prishtinës, i kishte hedhur poshtë arsyetime e MZHE-së, duke i dhënë të drejtë GAP-it në kërkesa.

“Aprovohet si e bazuar kërkesëpadia e Institutit për Studime të Avancuara GAP. Detyrohet i padituri Ministria e Zhvillimit Ekonomik në Prishtinë që brenda 30 ditëve nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi, t’i lejohet paditësit Instituti për Studime të Avancuara GAP me seli në Prishtinë, të ketë qasje në dokumentet publike që lidhen me procesin e privatizimit të KEDS-së dhe Ofertimit të Projektit “Kosova e Re”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, që mban datën 12 dhjetor 2017.

Pas këtij veprimi të gjykatës, në janar të këtij viti Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka bërë publike marrëveshjet komerciale të nënshkruara ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë “Contour Global”.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha çdo vonesë e publikimit është si pasojë e aprovimit të publikimit të saj edhe nga ana e investitorit “Contour Global”. 

Në mars të këtij viti Lëvizja FOL ka fituar rastin e padisë ndaj Ministrisë së Infrastrukturës e cila para tetë viteve i kishte refuzuar kërkesën për qasje në dokumentet publike, konkretisht qasjes në kontratën për ndërtimin e autostradës Morinë- Merdare.

Gjykatës Themelore të Prishtinës, i dha të drejtë në padisë së “Lëvizjes FOL”, duke detyruar Ministria e Infrastrukturës që brenda 30 ditëve t`i lejoj qasje në “Dosjen e tenderit për ndërtimin e autostradës për ndërtimin e autostradës Morinë-Merdare dhe kopjen e kontratës për ndërtimin e kësaj autostrade”.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, organizata për mbrojtjen e gazetarëve në Kosovë, është njoftuar me disa nga raste kur gazetarëve iu është refuzuar kërkesa për qasje në dokumente publike.

Në një përgjigje të këtij asociacioni dhënë Insajderit thuhet se në momentin kur gazetarët kanë raportuar në lidhje me këto raste, AGK ka reaguar, me ç’rast ka kërkuar që institucionet të jenë të hapura dhe transparente për qasje në dokumente publike si dhe më bashkëpunuese në kthimin e përgjigjeve për mediet dhe gazetarët.

Madje AGK në raportin “Treguesit e nivelit të lirisë së medieve dhe sigurisë së gazetarëve” për vitin 2016, ka anketuar mbi 50 gazetarë të cilët ishin anketuar për këtë raport

“ 78 % e tyre kishin theksuar se institucionet kanë refuzuar t’u japin atyre dokumentet e kërkuara”, thuhet në përgjigjen e AGK-së për Insajderi.

Por në të njëjtin raport AGK ka cituar një raport të Zyrës së Kryeministrit për vitin 2016 për realizimin e qasjes në dokumente publike nga të gjitha institucionet shtetërore. Aty thuhet se nga 2169 kërkesa sa janë ushtruar në Institucionet publike, 2050 kanë marrë përgjigje pozitive. Ndërsa janë refuzuar 22 kërkesa, 12 prej të cilave u është lejuar qasje e kufizuar.

Ndërsa në këtë raport thuhet se në zyrën e Avokatit të Popullit për vitin 2016 janë trajtuar 26 ankesa lidhur me kufizimin e të drejtës për qasje në dokumente publike, nga të cilat vetëm dy janë bërë nga gazetarët.

Mbyllja e seancave gjyqësore

Pavarësisht interesit të madh publik për përcjelljen e seancave gjyqësore ku janë të përfshirë njerëz të fuqishëm të politikës, gjyqësori në shumë raste i ka mbyllur ato për mediat.

Seancat e mbyllura kanë qenë kryesisht në gjykimin ndaj ish-kryetarit të Apelit Salih Mekaj, ish-deputetit Azem Syla, ish-kryetarit të Prizrenit Ramadan Muja, organizatës “syri i popullit” etj.

Arsyetimet kryesisht kanë qenë, mbrojtja e dëshmitarëve, mbrojtja e jetës personale, akuzat për dhunim, mungesa e hapësirave për gazetarët etj.

Seanca gjyqësore ndaj ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj që nga fillimi është gjykuar me dyer të mbyllura për mediat dhe publikun.  Mekaj akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Vendimi për mbylljen e  seancave për publikun është marrë me 20 tetor të vitit 2016 nga gjyqtari Shashivar Hoti. Këtë vendim të tij, Hoti e ka arsyetuar me mbrojtjen e jetës personale të të akuzuarve, dëmtuarve dhe pjesëmarrësve të tjerë në këtë procedurë.

Ky vendim ishte kundërshtuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), sipas të cilëve arsyetimi i gjykatësit nuk është i qëndrueshëm. AGK kishte kërkuar që ky rast të rihapej për opinionin, me kërkesën që të mbetej i mbyllur vetëm për një pjesë, jo i gjithë procesi gjyqësor.

Mbyllja e seancave gjyqësore sipas Kodit të Procedurës Penale mund të bëhet vetëm kur bëhet fjalë për ruajtjen e fshehtësisë zyrtare, ruajtjen e informacionit të fshehtë i cili do të rrezikohej nga shqyrtimi i hapur, “ruajtjen e rendit dhe respektimin e ligjit, pastaj mbrojtjen e jetës personale ose familjare të të akuzuarit, të dëmtuarit ose të pjesëmarrësve të tjerë në procedurë, mbrojtjen e interesave të fëmijëve, ose mbrojtjen e të dëmtuarve, dëshmitarëve bashkëpunues ose dëshmitarëve”.

Ne secilin rast duhet të dëgjohen palët në proces dhe nëse vendoset që të përjashtojë publikun gjatë gjithë shqyrtimit gjyqësor ose vetëm për një pjesë të caktuar, duhet që gjyqtari i vetëm ose trupi gjykues të ketë arsyeje bindëse për një vendim të tillë.

Blerta Iberdemaj nga BIRN, e cila në vazhdimësi ka raportuar nga seancat gjyqësore ka thënë se monitoruesit e KALLXO.com gjatë monitorimit të seancave gjyqësore shpeshherë kanë hasur në raste kur gjykata ka vendosur që disa seanca të mbyllen për publikun dhe mediat.

“Arsyet për mbylljen e këtyre seancave kanë qenë të ndryshme, nga ato për të cilat është vendosur që të mbyllej i tërë shqyrtimi gjyqësor deri te raste në të cilat përjashtimi i mjeteve të informimit u bë vetëm për pjesë të caktuara të gjykimit”, tha Iberdemaj.

Sipas Iberdemajt një rast tjetër që ishte mbyllur për publikun ishte shfaqja e videos nga vrasja e dy të rinjve te Parku i Qytetit në Prishtinë.

Arsyetimi i trupit gjykues për përjashtimin e publikut ishte se pamjet që do të transmetoheshin janë të ndjeshme.

Së fundi i mbyllur për publikun ka qenë séance gjyqësore ndaj grupit të organizatës “Syri i popullit”.

Dhjetë persona, përfshirë Murat Jashari, Avni Llumnicën, Sadri Ramabajën etj, akuzohen nga prokuroria për veprat penale hakmarrje në ndihmë, dhunim, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe hakmarrje.

Në seancën fillestare gjyqtarja e këtij rasti Naime Jashanica kishte kërkuar nga prokurori i çështjes Sylë Hoxha që seancë të mbyllet për publikun dhe mediat. Prokurori Hoxha i ishte përgjigjur pozitivisht duke kërkuar që shqyrtimi gjyqësor të mbyllej për publikun dhe mediat.

Seanca u mbyll për arsyetimin se në një pikë të aktakuzës, Avni Llumnica akuzohet edhe për dhunim.

“Ndonëse arsyetimi i mbylljes u mor fakti se njëri nga të akuzuarit akuzohet për dhunim, vetë avokati i të njëjtit, gjatë seancës fillestare e kishte kundërshtuar këtë vendim pasi që sipas avokatit i mbrojturi i tij ndihej plotësisht  i pafajshëm në lidhje me aktakuzën e cila i vihej në barrë”, tha Blerta Iberdemaj  monitoruese në BIRN.

Ka pasur raste kur gjykata vendos për përjashtimin e publikut dhe medieve vetëm pjesë të caktuar të shqyrtimit gjyqësor.

Në rasti “Medicus”, trupi gjykues kishte vendosur ta mbyllur seancën për shkak të dëshmisë së një dëshmitari të mbrojtur.  Me të njëjtën arsye në tetor të vitit 2016 një pjesë e gjykimit ishte mbyllur edhe në gjykimin për terrorizëm ndaj pesë personave. Vendimi arsyetohej me ruajtjen e identitetit të dëshmitarit.

Edhe në gjykimin për “gazin lotsjellës” në rastin ndaj deputetëve të VV-së, në njërën nga seancat gazetarët ishin njoftuar nga policia se seanca do të ishte e mbyllur.

Në gjykimin e Azem Sylës dhe të tjerëve për keqpërdorim të tokave shtetërore i njohur si rasti “Tokat”, gjykata ka kufizuar mediat gjatë ndjekjes së seancave.

Vendimi parashihte që fotografimet, xhirimet, ose incizimet të bëhen vetëm në 15 minutat e parë të seancave, me arsyetimin se palët kanë të drejtën e respektimit të jetës së tyre private.

Më tepër në arsyetim konstatohej se “ndalimi i regjistrimit dhe transmetimit të drejtpërdrejtë pas 15 minutave të parë nuk e kufizon transparencën, meqë seancat gjyqësore mbeten publike”.

Gjatë gjykimit për rastin ‘Stenta’, ku të akuzuar janë 58 mjekë, punonjës të sistemit publik e privat shëndetësor dhe ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, ishte kufizuar në vetëm një minutë të marrin pamje. Kjo kërkesë që të merren pamje për vetëm një minutë dhe më pas iu ishte thënë ta lëshonin sallën, ishte arsyetuar  me mungesën e vendeve në sallën e gjykimit.

Një rast tjetër është ai i ish-kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Mujës. Gjykatësi Agim Ademi, pas kërkesës së mbrojtjes kishte ndaluar filmimin e fytyrave të të akuzuarve me arsyetimin se ata ende janë të pafajshëm deri në momentin që shpallet aktgjykimi dhe dëshmohet e kundërta.

Muja dhe të tjerët në këtë rast akuzoheshin se kishin bërë keqpërdorime me prona komunale dhe të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. /Insajderi.com

Ky projekt financohet nga Bashkimi Evropian përmes skemës së granteve të vogla “Mbrojtja e Lirisë së Mediave dhe Lirisë së Shprehjes në Ballkanin Perëndimor” zbatuar nga Asociacioni i Gazetarëve Kroat, si pjesë e projektit rajonal Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për Avokim të Lirisë së Mediave dhe Sigurisë së Gazetarëve, në partneritet me gjashtë asociacione rajonale të gazetarëve-Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë (IJAS), Asociacioni i Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës, Asociacioni i Gazetarëve Kroat (CJA), Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AJK), Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë (AJM) dhe Sinidikata e Mediave të Malit të Zi.