Rektori tenton që në mënyrë të dyshimtë t’ia vazhdojë mandatin Sekretarit të UP-së

Kërkesën e rektorit Dema për t’ia vazhduar mandatin sekretarit të UP-së, Esat Kelmendi, e ka cilësuar të dyshimtë Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës. Organi më i lartë drejtues i UP-së ka paralajmëruar rektorin se vazhdimi i mandatit të Kelmendit në këtë mënyrë, do të shënonte një “rast famëkeq” për universitetin.

Rektori tenton që në mënyrë të dyshimtë t’ia vazhdojë mandatin Sekretarit të UP-së

Një kërkesë të dyshimtë i ka parashtruar gjatë ditëve të fundit rektori Marjan Dema, Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës (UP).

Dema i ka kërkuar Këshillit Drejtues të UP-së që t’i vazhdohet mandati edhe për katër vite të tjera sekretarit të Universitetit të Prishtinës, Esat Kelmendit, pasi mandati aktual i tij përfundon gjatë muajit tetor të këtij viti.

Mirëpo kërkesën e Rektorit Dema e ka cilësuar të jashtëligjshme Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, i cili është organi më i lartë drejtues i universitetit më të madh publik në vend.

Se rektori Dema po tenton t’ia vazhdojë mandatin sekretarit Kelmendi në mënyrë të dyshimtë, e ka konfirmuar për Insajderin edhe nënkryetarja e Këshillit Drejtues të UP-së, Laura Kryeziu.

Në një bisedë telefonike, Kryeziu i ka thënë Insajderit se kërkesa e rektorit Dema është në kundërshtim me nenin 39 të statutit të UP-së.

“Ne kemi marrë një kërkesë të tillë për vazhdimin e kontratës. Unë e kam bërë qëndrimin tim edhe me shkrim, do të thotë është eksplicit, që ne duhet ta respektojmë nenin 39 të Statutit të UP-së, ku rektori mundet me na rekomandu kandidatë vetëm përmes konkursit publik”, është shprehur Kryeziu për Insajderin.


Nënkryetarja e Këshillit Drejtues të UP-së, Laura Kryeziu/ Foto: Gazeta Express

Kryeziu është shprehur se Këshilli Drejtues do të mbajë mbledhjen e radhës këtë të enjte, në të cilën pritet të diskutohet edhe për propozimin e dyshimtë të rektorit Dema.

“Në mënyrë kategorike unë kërkoj që të hapet konkursi për këtë pozitë”, është shprehur Kryeziu. “Për këtë qëndrim timin më ka mbështetur edhe Kryesuesja e Këshillit Drejtues [Ardiana Bunjaku, v.j]”.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema nuk e ka komentuar ende propozimin e tij për t’ia vazhduar mandatin sekretarit Esat Kelmendi.

Insajderi ka tentuar të marrë një përgjigje nga rektori Dema dhe sekretari Kelmendi, por ata nuk i kanë kthyer në pyetjet e Insajderit. Kanë preferuar të heshtin.

Mëditjet e majme të sekretarit Kelmendi

Përveç pagës bazë si sekretar i Universitetit të Prishtinës, Esat Kelmendi ka marrë edhe mijëra euro të tjera shtesa dhe mëditje për “punët e tij shtesë dhe jashtë orarit të punës” në universitet.

Insajderi ka siguruar dokumente që dëshmojnë se Esat Kelmendi është paguar me shifra të majme për mëditje dhe shtesa. Shumica prej mëditjeve për sekretarin janë ndarë nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike (FIM) gjatë vitit të kaluar, tregojnë dokumentet.

Kelmendi ka pranuar mëditje në vlerë deri në 1,000 euro.

Më muajt maj dhe qershor të vitit të kaluar, përmes dy aktvendimeve, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike (FIM) ndau mbi 1 mijë e 500 euro shtesa për sekretarin Kelmendi. Mjetet, sipas aktvendimit, ishin ndarë duke u bazuar “në të gjitha veprimtaritë e institutit të Fakultetit të Inxhinerisë Mekanike dhe raportit të prodekanit të FIM-së”.

Mëditjet e majme të sekretarit të Universitetit të Prishtinës

Ndërkaq, në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK) për vitin 2018, Esat Kelmendi ka deklaruar se përfiton 18 mijë euro të hyra nga paga vjetore, duke përfshirë edhe shtesat.

Rreth 4 mijë euro, të deklaruara nga Kelmendi në Agjencinë Kundër Korrupsion, besohet se ai i ka përfituar nga mëditjet dhe shtesat.

Insajderi ka raportuar gjatë këtij viti edhe për mëditjet e majme që përfiton rektori i Universitetit të Prishtinës (UP), Marjan Dema.

Po ashtu, ndaj Esat Kelmendit është ngritur një kallëzim penal vitin e kaluar, pasi dyshohet se ai është përfshirë në diplomimin e dyshimtë të një studenteje në Fakultetin e Edukimit. Insajderi ka raportuar për këtë rast në korrikun e këtij viti.

Profesoresha Valbona Berisha, e cila ka ngritur këtë kallëzim penal ndaj Kelmendit, rektorit Marjan Dema dhe dy zyrtarëve të tjerë, pretendon se ata kanë kryer veprën penale të “moslajmërimit të veprave penale apo kryerësve të tyre”. /Insajderi.com

Diplomimi i dyshimtë i studentës – profesoresha bën kallëzim penal ndaj rektorit Dema e dekanit Çeku