“Ringjallja” e dështuar e Partisë Socialdemokrate

Zgjedhjet e 6 tetorit rezultuan në dështim për Partinë Socialdemokrate, të reformuar rreth një vit më parë nga dhjetëra aktivistë të larguar nga Lëvizja Vetëvendosje. Ndonëse kishte synime të mëdha, PSD-ja e Shpend Ahmetit dhe të pakënaqurve tjerë, ende nuk është e sigurt nëse do të sigurojë ndonjë ulëse në Kuvend.

“Ringjallja” e dështuar e Partisë Socialdemokrate

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk i ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit, pasi që ende vazhdon rinumrimi i i mbi 500 vendvotimeve. Mirëpo, sipas rezultateve preliminare dhe numërimit të atyre me kusht, Partia Socialdemokrate rrezikon të mbetet pa asnjë deputet në Kuvendin e Kosovës.

Partia Socialdemokrate, në zgjedhjet e 6 tetorit garoi së bashku me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, koalicion ky që sipas rezultateve preliminare arriti t’i mbledhë rreth 11.5% të votave.

Deri tani, vetëm Natyra Kuçi kandidatja nga kjo parti , ende mbetet në garë për të zënë ulëse në Kuvendin e Kosovws, nga 12 deputet sa kishte deri në shpërndarjen e kuvendit.

Me premtimet për ndryshimin e politikë bërjes në Kosovë, 12 deputetët e larguar nga Lëvizja Vetëvendosje formuan grupin e tyre parlamentar në fillim të vitit 2018 dhe synuan numra të konsiderueshëm të ulëseve në Kuvend në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.

Mirëpo, figurat e njohura të Partisë Socialdemokrate, siç janë numri dy në listën e koalicionit AAK-PSD, Visar Ymeri, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe Sekretari i Përgjithshëm, Dardan Molliqaj, nuk arritën të siguronin vota të mjaftueshme për t’u rizgjedhur deputetë.

Tre nga dhjetë deputetët më të votuar të legjislaturës së pestë në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, dështuan të siguronin 1/3-ën e votave që kishin fituar secili para tre vitesh. Asnjëri prej tyre nuk arriti të bëhet deputet në zgjedhjet e 6 tetorit.

Ndarja me VV-në dhe tentimi për “ringjalljen” e PSD-së 

Në fund të vitit 2017, vit në të cilin kishte arritur dyfishimin në zgjedhjet parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje u “vërshua” nga dorëheqjet e njëpasnjëshme të deputetëve, zyrtarëve e aktivistëve të subjektit.

Nga kjo përçarje e brendshme, Lëvizja Vetëvendosje dy komuna (Kamenicën dhe Prishtinën), të cilat i kishte fituar vetëm dy rreth dy muaj më parë në zgjedhjet lokale të vitit 2017.

Përveç kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit dhe të parit të Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastratit, nga Lëvizja Vetëvendosje u larguan edhe 12 deputetë – në mesin e tyre ishin ish-sekretari i Përgjithshëm, Dardan Molliqaj dhe ish-kryetari Visar Ymeri.

12 deputetët e dorëhequr nga Vetëvendosje në mars të 2018-s krijuan Grupin e Deputetëve të Pavarur në Kuvend, derisa më 9 maj të atij viti nënshkruan marrëveshje me udhëheqësen e PSD-së, Kaqusha Jasharin, një ish-funksionare e Jugosllavisë, për t’iu bashkëngjitur kësaj partie.

Në po këtë ditë, që përkonte me Ditën e Evropës, PSD u reformua në strukturë. Zgjodhi kryetar të partisë Shpend Ahmetin dhe të dorëhequrit e tjerë nga Vetëvendosje u zgjodhën në pozita të tjera të larta.

Ahmeti tha se bashkëngjitja me PSD-në e të dorëhequrve nga Vetëvendosje nuk u zyrtarizua rastësisht në Ditën e Evropës.

“Ne fjalorin e kemi gabim: shkuarja në Evropë, shkuarja në Bruksel. Ne duhet ta instalojmë Europën në Kosovë… Ne nuk do të shkojmë të gjithë të jetojmë në Evropë, ne duam që standardet e BE-së t’i kemi në Kosovë”, tha ai.

Por, synimi i grupit të tij për të reformuar PSD-në e udhëhequr me vite nga Kaqusha Jashari, ndonëse ndodhi pjesërisht, nuk mori përkrahje popullore. PSD u ndëshkua me votë në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.

“Flirti” me Qeverinë Haradinaj

Partia e Shpend Ahmetit pati disa iniciativa në kuvend gjatë vitit të parë të themelimit. PSD, me zotimin për të bërë “opozitë ndryshe” nga ajo që është parë deri më tani në politikë bërjen e vendit, i votoi Qeverisë Haradinaj buxhetin për vitin 2019, me kusht që qeveria të plotësonte pesë kërkesa të saj.

Ky akt ngjalli reagim të ashpër nga pjesa tjetër e opozitës, e cila konsideronte se PSD ishte bërë “vegël” e pushtetit, e që me votimin e buxhetit ia shtoi jetëgjatësinë Qeverisë Haradinaj.

Votimi i buxhetit për vitin 2019 nuk ishte afërsia e vetme e PSD-së me koalicionin qeverisës PANA (PDK-AAK-NISMA-AKR).

Në fund të vitit 2018, Shpend Ahmeti vendosi të bëhej pjesë e një ekipi që formoi Qeveria e Kosovës për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë. Pikërisht kjo ishte pika që ndau tërësisht PSD-në e Shpend Ahmetit nga dy partitë e tjera opozitare, LDK dhe VV.

Por, ky delegacion nuk luajti rol të rëndësishëm në dialogun me Serbinë, pasi që primatin e udhëheqjes së dialogut në nivel të lartë e mbajti presidenti Hashim Thaçi.

Koalicioni me AAK-në dhe optimizmi për fitore në zgjedhje

Me dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj në korrikun e këtij viti, vendi shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare rreth tre muaj më vonë.

E Partia Socialdemokrate, e cila disa muaj më parë i kishte votuar buxhetin Qeverisë Haradinaj, vendosi të hynte në zgjedhje në një koalicion parazgjedhor me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, partinë e Ramush Haradinajt.

Marrëveshja për formimin e koalicionit, e cila u konsiderua lëvizja e befasishme nga Partia Socialdemokrate, u nënshkrua më 19 gusht.

Kreu i PSD-së, Shpend Ahmeti, në konferencën e përbashkët me Haradinajn pas nënshkrimit të marrëveshjes i kishte quajtur “të tejkaluara” deklaratat e dikurshme të bashkë partiakëve së tij, të cilët vite më parë e kishin quajtur AAK-në “parti të papastër”.

“Pas asaj deklarate ka ndodhur edhe LAN-i dhe VLAN-i dhe kjo pyetje i bëhet gjithmonë edhe [Dardan] Molliqajt. Mendoj se ka kaluar shumë kohë prej asaj deklarate, jemi pjekur shumë edhe si subjekte politike, kemi vazhduar të diskutojmë, ka pika që nuk pajtohemi, por që definitivisht nuk lidhen me ato deklarata”, kishte thënë Ahmeti.

Si Ahmeti, ashtu edhe Haradinaj, në këtë konferencë ishin shprehur optimist për fitimin e zgjedhjeve të 6 tetorit. Sipas kreut të PSD-së, me AAK-ishin bashkuar për t’i fituar zgjedhjet.

Mirëpo, zgjedhjet e 6 tetorit rezultuan në dështim për Partinë Socialdemokrate e stagnim për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Teksa PSD është në garë për të siguruar së paku një ulëse në Kuvend, AAK e Haradinajt nuk ka shënuar rritje nga zgjedhjet e kaluara parlamentare.

Kreu i PSD-së, Shpend Ahmeti ka nënvizuar se dështimi në zgjedhje i PSD-së mund të ketë ardhur si pasojë e koalicionit me AAK-në.

“Unë mendoj që zoti Haradinaj është pa si fytyra e PAN-it”, u shpreh Ahmeti javën e kaluar, pasi doli nga mbledhja e partisë. “Mendoj që ka qenë si votë refuzuese ndaj koalicionit të kaluar dhe kanë qenë pasojat edhe për ne.”

Pavarësisht këtij rezultati dëshpërues, Ahmeti ka thënë se nuk do të japë dorëheqje nga pozita e kryetarit të partisë, por “do të vazhdoj me punën që ka nisur”. /Insajderi.com