Rrëfimi i babait të UÇK-së, guximi dhe frika e tij për të ardhmen e djalit në Maqedoninë e Veriut

Reportazh

Ekipi i Gazetës Insajderi, ishte në Tetovë, atje ku jeton Albert Rufati tash e 38 vite bashkë me familje. Arsyeja e vizitës ishte UÇK-ja. Jo Ushtria Çlirimtare e Kosovës e as ajo Kombëtare, por emri i djalit të tij, Uçk Rufati, i cili tash ka mbushur tri vjet.

Rrëfimi i babait të UÇK-së, guximi dhe frika e tij për të ardhmen e djalit në Maqedoninë e Veriut

Alberti, i cili si 17-vjeçar ka qenë vullnetar për t’u bërë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në një rrëfim për Gazetën Insajderi, tregoi arsyet se pse ka vendosur ta emërojë të birin Uçk.

“Në luftën e Kosovës kam qenë 17-vjeç dhe jam paraqitur vullnetar (ushtar) për Kosovën bashkë me Bashkim Sherifin, por na kthyen prapë nga Shqipëria sepse ishim shume të rinj pastaj jam kthyer në Tetovë dhe kam qenë vullnetar për ndihmat këtu që i kemi ndarë për Kosovën”, tha ai.

Pas kësaj, Alberti u bë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni.

“Ndërsa në luftën e 2001-së kam qenë nga fillimi e deri në fund. Unë jam ndër 60 ushtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Në luftë kam pasur shumë shokë, kemi qenë shumë të rinj, atëherë i kam pasur 19 vjet, 20 i kam bërë në luftë, dhe ajo na frymëzoi në rrugën e patriotizmit apo atdhedashurisë, kjo ka qenë njëra ndër arsyet apo thënë me mirë arsyeja kryesore pse unë ia kam vënë emrin djalit Uçk”, është shprehur fillimisht Rufati.

Alberti thotë se për emrin kishte vendosur që në momentin që kishte kuptuar se gruaja e tij është shtatzëne.

“Kur e ka bërë gruaja testin e parë që është shtatzënë, kur ka ardhë në shtëpi unë i kam thënë që do ia lëmë emrin Uçk, nuk e kam pyetur askënd, thjesht kam vendosur vet”, thotë Alberti.

Rrëfimin e tij, Alberti e vazhdoi duke treguar se gruaja dhe familjarët e tij ia kishin tërhequr vërejtjen për këtë gjë. Krejt kjo është se në Maqedoninë e Veriut me shumicë maqedonase, ende është mjaft i dukshëm nacionalizmi.

“A je normal, a çka po bënë, do të kesh probleme” më ka thënë ajo, i thash që problemin e vetëm që do ta kemi është se djali nuk do të shkojë kurrë në Serbi, të tjerat do mundohemi t’i tejkalojmë. Serbinë do ta ketë ndalesë gjithë jetën, ai është një problem i vogël”, ka thënë ai.

Përveç kësaj, Alberti, pohon se është i vetëdijshëm për problemet që ai i quan të vockla që mund t’i paraqiten Uçksë në të ardhmen, e krejt për shkak të emrit.

Kur prindërit e Uçkës, që ka lindur më 30 gusht të vitit 2016-të, kishin shkuar për ta regjistruar në zyrën e gjendjes civile, kishin pasur një përballje verbale me punonjësen maqedonasen që ishte aty.

“Kur kam shkuar ta regjistroj në një zyrë ku ne i merrnim certifikatat, aty ka qenë një komshi i imi dhe një maqedonase, ajo maqedonasja ka pas pak hezitim, dhe e lexonte e thoshte se çka është Uçka edhe pse e dinte, por sërish e bëri punën e saj dhe aq”, tha Rufati.

Uçkja, ende është i vogël për të kuptuar domethënien e emrit të tij. Por kur të rritet babai i tij, thotë se nëse nuk i pëlqen emri mund ta ndërrojë.

“Ai kur do të rritet do ta kuptojë dhe do ta shohë që e ka emrin e veçantë. Ai edhe mund ta ndërrojë emrin, unë nuk ia ndërroj, por nëse nuk i pëlqen le ta ndërrojë. Ndoshta në shkollë do të tallen me të, por ai besoj që do ta kuptoj që e kam pasur me të mirë. Unë do ia plotësojë të gjitha kushtet, shpresoj që do të bëhet njeri i mirë dhe do të punojë për popullin e vet”, është shprehur babai i Uçksë, Albert Rufati.

Uçkja, është një vogëlush shumë i lëvizshëm dhe një fëmijë që i kupton shumë gjërat. Alberti, tregon se ai e thërret nganjëherë edhe me emra përkëdhelës djali si, Pupi e djali Uçk.

Tash e gjashtë muaj, Uçkja është bërë me vëlla. Edhe atë babai i tyre e ka pagëzuar me një emër që lidhet me atdhedashurinë. Emri i tij është Flamur.

“Po tash ka diçka aty, se UÇK-ja e ka edhe vetë flamurin, emblemën, unë në shtëpi e kam një fotografi të tillë që është UÇK dhe një flamur që paraqet Shqipërinë e madhe, dhe UÇK-ja thotë “Babi unë jam ky dhe Flamuri është ai”, tha Albert Rufati.

Po nëse Flamuri do të ishte vajzë?

“Nëse do të ishte vajzë do ta quaja Ilirida”, tha Rufati.

Se nëse gjithë ky patriotizëm dhe atdhedashuri ka gjenezë më të thellë në familjen Rufati, Alberti, për Gazetën Insajderi, tregon se as gjyshi dhe as babai nuk kanë qenë ushtarë.

“Spiunë nuk kanë qenë sigurt. Babai im punon tash e 30 vjet me gazeta me arsim, ndanë nëpër shkolla gazeta të gjuhës shqipe. Gazeta e parë në gjuhën shqipe në Maqedoni ka qenë e babait tim, e titulluar “Nxënësit dhe xixëllima”, i ka botuar babai im”, është shprehur ai për Insajderin, teksa ka thënë se edhe nëna e tij është infermiere.

Për shkaqe sigurie familja e Albert Rufatiti, nuk kanë lejuar që ky rrëfim të shpaloset përmes një interviste televizive. Kësisoj, Alberti, premtoi se  në një të ardhme të afërt do të mund ta kemi Uçknë, me një rrëfim për emrin e tij me domethënie kaq të madhe për të atin./ Insajderi.com