Insajderi ka zbuluar se punësimi i bashkëshortes së presidentit Hashim Thaçi në Universitetin e Mitrovicës është bërë nëpërmjet një komisioni, i cili ka pasur në përbërje njerëz me të kaluar politike.
Zonja e Parë, Lumnije Thaçi, mbahet mend për publikun edhe për mesazhin e dhënë më 8 mars të vitit 2012.
Thoshte se gratë duhet të jenë më këmbëngulëse për ta dëshmuar veten dhe se vetëm kjo rrugë, sipas saj, hapte dyert e suksesit.
Por, në kundërshtim me këtë mesazh për gratë ka qenë rrugëtimi i saj për t’u punësuar në universitetin publik të Mitrovicës “Isa Boletini”.
Insajderi ka zbuluar se punësimi i Zonjës së Parë në universitetin publik të Mitrovicës është bërë nëpërmjet një komisioni, i cili ka pasur në përbërje dy njerëz me të kaluar politike dhe një që ka mbajtur post të lartë publik, gjatë kohës kur qeveria udhëhiqej nga bashkëshorti i saj, Hashim Thaçi, tash president i Kosovës.
Vendimi për punësimin e Lumnije Thaçit, bashkëshortes së presidentit Hashim Thaçi, është marrë në shkurt të këtij viti. Studentët e Universitetit “Isa Boletini”, do të mësojnë nga Zonja e Parë në këto katër lëndë: Auditim, Ekonomika inxhinierike, Parimet e kontabilitetit dhe Menaxhimi i burimeve njerëzore.
Zonja e Parë ka mposhtur në garë dy konkurrentë, të cilët e kanë synuar pozitën profesor asistent në këtë universitet.
[arve url=”https://www.youtube.com/watch?v=gMOdeZM9kqw&feature=youtu.be”/]
Anëtarët e komisionit me të kaluar politike
Komisioni vlerësues, i cili ka pasur në përbërje njerëz që kanë mbajtur poste të larta publike, nuk i ka vlerësuar të denjë për këtë pozitë konkurrentët e Zonjës së Parë.
Florin Peci, ish-këshilltar politik i ministrit të Financave, Abdullah Hoti, ka qenë kryetar i komisionit, i cili ka votuar në favor të Lumnije Thaçit.
Njësoj ka votuar edhe Sahit Surdulli, një ish-anëtar i bordit të Postë-Telekomit të Kosovës, një prej bordeve më të politizuara gjatë kohës që qeveria drejtohej nga ish-kryeministri Hashim Thaçi.
Pjesë e komisionit ka qenë edhe Hakif Peci, kandidat i Partisë Demokratike për këshilltar komunal në Komunën e Mitrovicës në vitin 2007.
Komisioni ka vlerësuar se Zonja e Parë plotëson kushtet për t’u punësuar, pasi që ka tetë punime shkencore.
Por, asaj një punim i vetëm i është llogaritur si dy. Komisioni ka vlerësuar se bëhet fjalë për dy punime shkencore, ndonëse i njëjti publikim është botuar në revista të ndryshme, në dy gjuhë – shqip dhe anglisht.
Në buletinin e publikuar nga universiteti, ku tregohet për kriteret e plotësuara nga kandidatët, shënohet se Lumnije Thaçi e ka publikuar punimin ““Roli i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në zhvillimin ekonomik në vendet ë tranzicion”, në revistën për shkenca sociale “Vizione”, të botuar nga Klubi Demokrati.
Po ashtu, shënohet në buletin se Thaçit i është publikuar punimi “The role of small and medium enterprises in economic development-The case of Kosovo”, në Academicus International Scientific Journal, në vitin 2012.
Ndonëse llogariten si dy, Thaçi në tërë punimin e publikuar në gjuhën angleze shtjellon rastin e ekonomisë së Kosovës në tranzicion.
Komisioni: Lumnije Thaçi plotëson kriteret
Ahmet Jashari, përgjegjës për informim në Universitetin e Mitrovicës, nuk deshi të komentojë lidhur me të kaluarën e anëtarëve të komisionit.
“Ata (anëtarët e komisionit) janë propozuar dhe janë zgjedhur nga Këshilli i Fakultetit. Kjo është procedura e zakonshme që ndodh në të gjitha rastet, prandaj nuk ka diçka tjetër që mund të themi për këtë çështje”, deklaroi Jashari për Insajderin.
Jashari ka shtuar se komisioni ka bërë rekomandimin për angazhimin e Lumnije Thaçit duke u bazuar në kriteret e parapara në konkurs.
“Pas procedurave të zakonshme, Komisioni vlerësuar e ka propozuar atë në bazë të kritereve që janë kërkuar. Në buletin janë dhënë të gjitha sqarimet e nevojshme për kandidatët dhe përgatitjen e tyre”, ka thënë Jashari.
Rekomandimi i komisionit vlerësues është pranuar nga Këshilli i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike, i cili ka vendosur për punësimin e Lumnije Thaçit.
Komisioni vlerësues ka konkluduar se kandidatja Lumnije Thaçi ka të publikuara tetë punime shkencore dhe se ka marrë pjesë në pesë konferenca shkencore të organizuara në Kosovë.
Po ashtu, në buletinin e publikuar në faqen zyrtare të universitetit shënohet se Lumnije Thaçi ka përvojë nëntë vjeçare në mësimdhënie.
“Kandidatja Dr. sc. Lumnije Thaçi, mësimdhënëse, ka përvojë në mësimdhënie Universitare, nga viti 2008 e deri më tani, në Kolegjin FAMA”, thuhet në buletin.
Thaçi, bazuar në buletinin e këtij universiteti, studimet themelore i ka kryer në Universitetin e Prishtinës, studimet e nivelit master në kolegjin Fama, ndërsa studimet e doktoraturës i ka të përfunduara në Universitetin e Tiranës.
Lidhur me punësimin e saj në këtë universitet, Zonja e Parë nuk ka parapëlqyer të deklarohet.
Insajderi i ka dërguar pyetje Zonjës së Parë nëpërmjet e-mailit të saj dhe nëpërmjet zyrës për media të universitetit. Po ashtu, ekipi i Insajderit e ka takuar personalisht pas ligjëratave në kolegjin Fama, por Zonja e Parë nuk ka dashur të komentojë./Insajderi.com