Rrustem Mustafa insiston se ende ka mandat të deputetit pasi sipas tij nuk janë kryer të gjitha procedurat, ani se ai ka humbur mandatin qysh në nëntor kur dënimi kundër tij është bërë i plotfuqishëm. Insajderi.com sjell fotografi ekskluzive të Mustafës ditën e arrestimit në vitin 2003 nga Policia e UNMIK-ut. Ai mban në duar tabelën me shënime themelore me të dhënat e tij dhe veprën penale për të cilën dyshohet
Rrustem Mustafa nuk po e lëshon mandatin e deputetit të cilin e ka humbur qysh në nëntor të vitit të kaluar. Insiston se ka ende mjete tjera juridike të pashfrytëzuara për të kundërshtuar aktgjykimin e formës së prerë që ia ndërpret mandatin bazuar në ligjet në fuqi.
Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit që është dënuar më 4 vite burgim për krime lufte i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarime, jo në rrugë zyrtare, por publikisht. Këto sqarime po i kërkon rreth tre muaj pas largimit të Latif Gashit nga pozita e deputetit. Gashi është dënuar me gjashtë vite burg.
Ligji për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit parasheh rastet kur një i zgjedhur i popullit humb mandatin. Pika 1.6 e nenit 8 parasheh saktësisht rrethanat në të cilat ndodhen deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Rrustem Mustafa e Latif Gashi. Në këtë pikë thuhet se mandati humb “nëse me vendimin e formës së prerë të gjykatës dënohet për vepër penale me vuajtje të dënimit për një ose më shumë vjet burg”. Aktgjykimi i formës së prerë kundër Mustafës e Gashit është publikuar më 6 nëntor të këtij viti, ndërsa buxheti edhe me votat e tyre është miratuar më 17 nëntor.
Mustafa, në një letër publike me pesë pika, ka thënë se nuk është dërguar kërkesa për dorëzim të lëndës nga Gjykata në Kuvendin e Kosovës. Ka thënë se Këshilli Gjyqësor i Kosovës, nuk është kompetent dhe nuk e ka ende lëndën në posedim.
Në pikën dy thotë se Gjykata Themelore u ka thënë të dënuarve se lënda nuk ishte ende e kompletuar.
Është arsyetuar se lënda nuk është përcjell në Kuvend e kompletuar dhe nëpërmjet kanaleve të duhura dhe se nuk është shqyrtuar rrjedhimisht nga ekspertët e Kuvendit të Kosovës.
Në pikën katër thotë se Kryesia e Kuvendit është dashur të përfillte procedurat duke dërguar lëndën në Komisionin për Imunitet në Kuvendin e Kosovës si organ kompetent në këtë çështje.
“Për më keq, lënda ime është adresuar gabimisht te Presidentja e vendit, ende pa i kaluar procedurat e duhura në Kuvend”, ka thënë ai teksa ka shtuar se ai si deputet i Kuvendit të Kosovës, kërkon që të përfillen të gjitha procedurat, të shqyrtohet lënda nga komisionet përkatëse dhe të respektohet plotësisht Rregullorja e Punës së Kuvendit të Kosovës.
“I drejtohem Gjykatës Kushtetuese me një pyetje: Gjatë procedurave për kërkesën e marrjes së mandatit a janë respektuar procedurat, Rregullorja e Kuvendit dhe komisioni për imunitet”, ka thënë ai në këtë letër.
Kësisoj nuk ka vepruar kolegu i tij, Latif Gashi. Ai ka thënë se po jep dorëheqje, ndonëse mandatin e ka humbur me automatizëm. Të dy janë dënuar si pjesë e grupit të Llapit se bashku me Nazif Mehmetin që është dënuar më 3 vjet burgim.
Në rastin e “Grupit të Llapit” janë shterur të gjitha mjetet e rregullta juridike. Mjetet e jashtëzakonshme siç është kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme nuk e ndalojnë ekzekutimin e aktgjykimit të shpallur nga Gjykata e Apelit.
Më 6 nëntor Gjykata e Apelit ka vërtetuar dënimin me katër vjet burgim të ish-komandantit të Zonës së Llapit, Rrustem Mustafa – Remit dhe dënimin me gjashtë vjet burgim të ish-shefit të inteligjencës në këtë zonë, Latif Gashit i njohur si Lata.
Më tri vjet burgim është dënuar edhe ish-shefi i Policisë Ushtarake, Nazif Mehmeti – Dini.
Gjykata e Apelit kishte njoftuar se më 11 gusht të vitit të kaluar kishte vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës të shpallur më 7 qershor 2013. Tre të dënuarit janë gjykuar tri herë për krime lufte. Procesi ka nisur në vitin 2003 nga UNMIK-u.
Gjykata e Apelit ka vendosur në këtë rast bazuar në ankesat e mbrojtjes së të dënuarve. Apeli ka njoftuar se ankesa e ushtruar në emër të të pandehurit Nazif Mehmeti është hedhur poshtë si e paafatshme, ndërsa ankesa për të pandehurin Latif Gashi dhe Rrustem Mustafa janë pranuar në mënyrë të pjesshme. Apeli ua ka llogaritur në vuajtje të dënimit kohën e kaluar në paraburgim.
Latif Gashi, gjatë kohës së luftës ka udhëhequr Shërbimin informativ ushtarak. Rustem Mustafa, po ashtu deputet dhe zyrtar i lart i PDK-së, ka qenë komandant i Zonës së Llapit.
Ndërsa Nazif Mehmeti, ka qenë udhëheqës i Policisë Ushtarake./Insajderi.com