SHEMBULLI KRIMINAL SE SI PO TENTOHET TË MONTOHET RASTI GJYQËSOR KUNDËR INSAJDERI.COM – GJYKATA SPECIALE MBETET INSTANCA E VETME PËR TË KËRKUAR DREJTËSI

Teksti i mëposhtëm tregon tendencat serike të montimit të rastit kundër Gazetës Online Insajderi.com nga fillimi e deri tek vendimi për propozim aktakuzë. Shpërfaqë një pjesë të rrjetit që përmes shantazheve dhe kapjes së sistemit i ka demoluar institucionet e drejtësisë në Kosovë. Krimi në emër të gazetarisë dhe harta e lidhjeve në mes të Vehbi Kajtazit e njerëzve brenda strukturave të shtetit.

SHEMBULLI KRIMINAL SE SI PO TENTOHET TË MONTOHET RASTI GJYQËSOR KUNDËR INSAJDERI.COM – GJYKATA SPECIALE MBETET INSTANCA E VETME PËR TË KËRKUAR DREJTËSI

Një proces gjyqësor i filluar me të meta procedurale e juridike dhe i vazhduar me deformitet e ka zyrtarizuar parregullsinë e vet me datën 13 të muajit gusht duke u ngritur propozim aktakuzë për drejtorin aktual të Gazetës Online Insajderi.

Propozim aktakuza e ngritur për “vetëgjyqësi, ndërhyrje në sisteme kompjuterike dhe keqpërdorim të besimit” në rastin kundër Ardian Alajt është një rast i veçantë që tregon karikaturimin e përgjithshëm të një sistemi të tërë ku persona të caktuar keqpërdorin pozitat zyrtare për të dëmtuar një nga mediat më të mëdha në Kosovë, siç është Insajderi.

Për të shpërfaqur parregullsitë në këtë proces gjyqësor duhet një rikthim tek fillimi i gjithë rastit kur pronarët e Insajderi-it kishin përjashtuar nga puna Vehbi Kajtazin dhe Parim Ollurin pas keqpërdorimeve të mëdha që ishin gjetur në aktivitetin e tyre derisa punonin në Insajderi.

Kapja e sistemit kuptohet madje qysh para fillimit të procedurës kur vetë Vehbi Kajtazi në dëshminë e tij thotë se për gjithçka “e kam informuar prokurorin Kujtim Munishi dhe i njëjti më ka sugjeruar që të inicioj rast”.

Deklarata e Vehbi Kajtazi ne Polici

Kush është Kujtim Munishi që e sugjeroi Kajtazin?

Kujtim Munishi është kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Prishtinës. Por, si bëhet që një qytetar të mund të konsultohet fillimisht me kryeprokurorin dhe të diskutojë me të se a duhet apo jo të ngritet rast? Përse Kajtazi ka pasur mundësi ta takojë kryeprokurorin Munishi për t’u konsultuar me të se si duhet të procedojë tutje? Çka e shpjegon këtë lidhje dhe afërsi të Kajtazit, i cili ka qasje direkte te kryeprokurori Munishi?

Insajderi.com dyshon se lidhja dhe afërsia mes Munishit e Kajtazit është personale. Kjo dëshmohet edhe në ndërrimin e prokurorëve në rastin kundër Alajt.

Fillimisht prokuror i rastit ishte Blerim Igrishta, i cili me datën 07.05.2020 ishte ndërruar me prokuroren Iliriana Çollaku-Tafa. Zonja Çollaku-Tafa kishte njoftuar zyrtarisht se tashmë ajo është prokurore e këtij rasti, por pa e kuptuar askush dhe pa pasur një vendim zyrtar Çollaku-Tafa ishte ndërruar me Jehona Grantollin.

Se kur është caktuar Grantolli prokurore e këtij rasti asnjëherë nuk është bërë e ditur dhe as nuk ekziston një vendim, apo datë për këtë ndryshim të prokurores.

Ajo çfarë kuptohet është se Grantolli është gruaja e asistentit të Prokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Ndërsa Kujtim Munishi, me të cilin ishte konsultuar Kajtazi para se lënda të iniciohej ishte prokurori që hodhi poshtë rastin kundër Lumezit për falsifikim të diplomës.

Të tre bashkë, Lumezi, Munishi e Grantolli, Insajderi.com mëson se kanë lidhje me Vehbi Kajtazin dhe me rrjetin e organizuar kriminal që funksionon në bashkëveprim dhe koordinohet në vazhdimësi për interesa personale, duke keq-shfrytëzuar funksionet shtetërore.

Përkundër gjithë kësaj lidhje dhe inskenimi, përsëri – pa dashje – u kanë shpëtuar disa “gabime”, si ai i rastit kur Vehbi Kajtazi është pyetur në polici.

Figuron edhe në procesverbalin e marrjes në pyetje të Kajtazit kur ai është pyetur se; “Nga kush është blerë domeni që ka funksionuar për kompaninë Insajderi.com?”, Kajtazi përgjigjet se; “është rezervuar nga Florim Alaj për nevoja të kompanisë” dhe se “kjo është kërkuar nga unë”.

Por, në pyetjen pasuese se “me mjetet të kujt është blerë domeni nga Florimi?”, Kajtazi përgjigjet se; “nuk e di”.

Pyetja në vijim është se; “A ka kërkuar Florimi para nga ju për ta blerë domenin?”, ndërsa përgjigja e Kajtazit është se; “jo nuk ka kërkuar”.

Pra Kajtazi thotë se dikush pasa blerë diçka për të, por ai asnjëherë nuk i ka dhënë para për t’ia blerë dhe as nuk e di sa nga i ka marrë paratë blerësi.

Deklarata e Vehbi Kajtazi ne Polici

Anomalitë e rastit – Kallëzim Penal për veprën që njëherë thuhet se nuk ekziston

Se ka tendenca serike të montimit të rastit e shpjegojnë më së miri disa anomali, sikur kjo në raportin e policisë të Sektorit për Hetime të Krimeve Kibernetike të datës një maj 2020 kundër Ardian Alajt. Në këtë raport fillimisht thuhet se “pas përfundimit të deklaratës e kemi njoftuar Prokuroren Jehona Grantolli dhe e njëjta ka kërkuar që t’ia dërgojmë me e-mail deklaratën dhe të presim përgjigje nga ajo për veprime tjera“. Është krejtësisht e pakuptueshme përse me datën një maj, krejt në fillim të procesit, është njoftuar prokurorja Grantolli dhe përse i është dërguar asaj deklarata kur zyrtarisht ajo asnjëherë nuk ka qenë prokurore e këtij rasti, siç është shpjeguar më lartë.

Gjithsesi, më pas raporti konstaton se “ky rast nuk ka të bëjë me HAKIM ose Veprën penale ‘Hyrje në sisteme kompjuterike’,” prandaj edhe “Sektori për Hetime të Krimeve Kibernetike nuk mund ta trajtojë tutje këtë rast“.

Por, përkundër kësaj, siç do të shihet më vonë edhe në Kallëzimin Penal edhe në propozim aktakuzë më pas përfshihet po e njëjta vepër; “Hyrje në sisteme kompjuterike”.

Policia e Kosovës konstatimi se nuk ka vepër

Për ta qartësuar më shumë; siç vërehet edhe nga Kallëzimi Penal njëherë mohohet se ekziston vepra penale (e cila ishte mohuar edhe në raport të policisë) dhe më pas ka propozim aktakuzë po për të njëjtën vepër e cila thuhet se nuk ekziston.

Gjithashtu në Kallëzimin Penal të datës 18 qershor 2020, pohohet se “bazuar në të dhënat e grumbulluara deri më tani, Sektori për Hetime të Krimeve Kibernetike nuk mund të konstatojë se ka edhe kryerje të veprës penale hyrje në sisteme kompjuterike”.

Pra në vazhdimësi, qysh nga raporti i policisë së pari e më pas edhe në Kallëzimin Penal mohohet se ka elemente të veprës penale dhe përkundër kësaj përfundohet duke u ngritur aktakuzë për veprën e mohuar.

Policia e Kosovës Konstatimi

Policia e Kosovës Konstatimi

Tjetër absurditet në këtë proces gjyqësor mund të kuptohet edhe nga procesverbali i seancë së datës 19.06.2020 ku thuhet: “prokuroria e shtetit Jehona Grantolli pas fjalës së mbrojtësit ka shtuar se në këtë çështje hetimore nuk është kontestuar fakti se edhe i pandehuri Florim Alaj është pjesë e firmës Insajderi.com dhe se kjo është kështu vërtetohet edhe nga marrëveshja për themelimin e mediumit Insider SH.P.K., e datës 27.01.2016”.

Prokurorja rreth pronësisë

Parregullsitë kanë vazhduar edhe gjatë seancave gjyqësore çka ka detyruar avokatët mbrojtës të kërkojnë përjashtimin e gjyqtarit të rastit për shkelje të etikës zyrtare, parregullsi të seancave dhe anime të ashiqarshme në raport me palën tjetër.

Në videot e seancave që i posedon Insajderi shihet gjyqtari në seancë derisa u sugjeron avokatëve të palës tjetër çfarë të flasin dhe si t’i formulojnë fjalitë. Derisa në një moment daktilografes i thotë të mos e shkruajë atë çfarë njëherë e thonë avokatët dhe më pas formulon vetë fjalitë.

Për këtë është dorëzuar edhe Kallëzim Penal nga avokatët mbrojtës, derisa paraprakisht është dorëzuar ankesë tek Afërdita Bytyqi, kryetare e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe gjithashtu ankesë te Këshilli Gjyqësor.

Insajderi, duke parë tendencat në këtë rast me anë të një letre, dërguar më 16.06.2020, i ishte drejtuar edhe Prokurorisë së Shtetit, Zyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Drejtorit të Policisë së Kosovës, Prokurorisë Speciale të Kosovës, Inspektoratit Policor të Kosovës, Komisioni Parlamentar Për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojte dhe Avokatit të Popullit.

Përveç nga Avokati i Popullit që kemi marrë një konfirmim që ka pranuar letrën ku shprehnim shqetësimin tonë, asnjë nga institucionet e lartcekura nuk na janë përgjigjur.

Derisa ky rast ka vazhduar me shpejtësi, padia kundër Vehbi Kajtazit e Parim Ollurit me datën 30 prill 2020 dhe më pas Kallëzimi Penal i bërë me katër maj për keqpërdorimet, vjedhjet, shantazhet, shmangiet nga tatimet, shpëlarjen e parave, shpërdorimin e pasurisë së huaj dhe veprimet të tjera të kundërligjshme ka ngecur.

Prej Kallëzimit Penal e deri më sot ende nuk ka asnjë lëvizje në këtë proces. Ai ka ngecur, derisa procesi paralel kundër Insajderi.com vazhdon me shpejtësi.

 

Bashkëveprimi në shantazh dhe drejtësia e munguar

Kjo “gjueti shtrigash” kundër Gazetës Online Insajderi është një tentim për të mbytur zërin e gazetarisë hulumtuese në Kosovë. Por, Insajderi do të vazhdojë betejën për drejtësi deri në fund.

Për shkak të këtij rrjeti të kriminalizuar që përfshinë të apostrofuarit dhe një pjesë të sistemit, i cili bashkëvepron në shantazh dhe bashkëjeton në keqpërdorim Insajderi pothuajse ka humbur besimin tek institucionet e drejtësisë në Kosovë. Pas gjithë këtyre parregullsive është e pamundur të besohet se keto institucione  do të bëjnë drejtësi.

Frika shtohet edhe më, pasi Insajderi gjatë një hulumtimi që po përgatitë për botim ka hasur në dëshmi që tregojnë qartësisht lidhjen dhe përfshirjen e këtyre personave në keqpërdorime edhe më të mëdha.

Keqpërdorim dhe pengim të drejtësisë madje edhe në disa raste me të cilat po merret Gjykata Speciale. Një rrjet i organizuar që përfshinë gazetarë bashkë me elemente të tjerë nëpër institucione në Kosovë kanë formuar një grup nëpërmes të cilit bashkëveprojnë për të penguar drejtësinë dhe përfitojnë nga shantazhi dhe frikësimi madje edhe i dëshmitarëve potencialë.

Meqë zyrtarë të Gjykatës Speciale do duhej të jenë në dijeni për këtë grup që operon në Kosovë dhe tenton të ndërhyjë në aktivitetin e Speciales, Gazeta Online Insajderi do t’i drejtohet edhe kësaj instance të drejtësisë, duke i ofruar edhe dëshmitë e veta, si institucioni i fundit që mund të vendosë drejtësi.

Nga ajo çfarë posedon Insajderi Dhomat e Specializuara do duhej të ishin tashmë në dijeni të aktivitetit kriminal të pseudogazetarëve të cilët merret vesh se kanë kontaktuar edhe dëshmitarë me qëllim frikësimin, duke i shërbyer rrjetit që funksionon edhe brenda instancave më të larta të shtetit./Insajderi.com