Njomza Salihi
Ndërtimi i disa vilave dhe qendrave të biznesit në Brezovicë, ka vënë në aksion shtetin. Disa prej tyre janë bllokuar me arsyetimin se kanë dhunuar natyrën dhe kanë shkelur ligjin, duke ia ndërruar edhe rrjedhën e lumit. Një firmë, aksionar në të cilën është Veton Surroi, po konsiderohet shkelëse e madhe ligjore, madje edhe penale. Surroit, i janë ndalë punimet ne hotel. Shteti, njëjtë ka vepruar edhe me komandantin, Sabit Geci, dhe biznesmenin, Ramadan Idrizi. Të gjithë të përfashirët kanë mohuar se kanë bërë shkelje.
Veton Surroi e Sabit Geci, janë profile krejtësisht të kundërt. Megjithatë, të dy i bashkon një pikë – natyra.
Jo, si dashamirës dhe ruajtës të saj, por si dhunues. Të tillë po i cilëson shteti.
Themeluesi i grupit “Koha”, publicisti dhe shkrimtari, Veton Surroi, është aksionar prej 30 për qind në një biznes që pos disa vilave në Brezovicë. Ky biznes ka ndërtuar edhe një objekt shumëkatësh, në kundërshtim me ligjin. Prej disa muajsh është i rrethuar me shirita, shkruan Gazeta Insajderi.
Një hotel në ndërtim ka edhe Sabit Geci, një ish-komandant i UÇK-së, i dënuar për krime lufte. Hoteli është në emër të bashkëshortes së tij, Sanije Geci. Edhe këtij objekti i janë vënë shiritat nga shteti.
Pos bllokimit të punimeve, Prokuroria Themelore e Ferizajt ka nisur hetime kundër disa ndërtuesve. Rasim Maloku, prokurori i kërcënuar me jetë brenda dy javësh, është duke e hetuar rastin.
Gazeta Insajderi, ka siguruar dosjen e inspektimit të ndërtimeve në Brezovicë, që është pjesë e parkut kombëtar “Sharri”. Në këtë dosje, janë dhënë arsyet e bllokimit të punimeve dhe hetimeve.
“Rimida Online”, Ruzhdi Aliu (Shkumbin Aliu), si persona fizikë, “Rezonanca” – Ramadan Idrizi, Sanije Geci, person fizik – bashkëshortja e Sabit Gecit, Ilir Osaj dhe Besnik Ferizi, pronarë të dy shtëpizave, Rrahman Duhani, Valon Budima; “Stella Construction” me aksionarë Veton Surroin dhe Gentijan Sulo; Dalibor Trifunoviq, Shpëtim Arifi dhe Fitim Graica, janë pjesë e kësaj dosjeje.
Publicisti, Veton Surroi ka mohuar se kompania, pjesë e të cilës është ai ka bërë ndonjë shkelje.
“Objekti në fjalë është pronë e Shoqërisë me përgjegjësi të Kufizuar ‘Stella Consulting’ , në të cilën jam aksionar minoritar. ‘Stella Consulting’ ka marrë të gjitha lejet e nevojshme ndërtimore , sipas ligjeve në fuqi, para se ta fillonte ndërtimin dhe u është përmbajtur atyre”, ka thënë Surroi në një përgjigje për Insajderin.
“Punëkryesi e ka informuar ‘Stella Consulting’ se nuk ka marrë urdhër ndërprerje të punimeve nga ana e autoritetit ligjor i cili ka dhënë leje”, ka thënë ai.
Por, dosja tregon diçka tjetër. Aty, është vendimi për ndalimin e punimeve. Madje, edhe në terren objekti ka shirita, shkruan Gazeta Insajderi.
Surroi, ka dërguar një letër nga drejtori ekzekutiv i “Stella Consulting”, që i ka dërguar ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë lidhur me pengesat që po i bëhen këtij investimi të jashtëm.
Drejtor, është Gentjan Sula, një nga 20 njerëzit më të pasur në Shqipëri. Ka qenë konsull nderi një kohë të gjatë, derisa ishte shkarkuar me vendim të ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Gent Cakaj.
Ndryshe nga Surroi, vlerëson shteti.
Më 8 gusht 2019, organet e rendit së bashku me ato të Ministrisë së Mjedisit kishin inspektuar disa objekte në Brezovicë.
Punimet ishin pezulluar për shkak të dyshimeve se ndërtuesit nuk kishin respektuar kriteret e ndërtimit që parashihen me ligjet dhe rregulloret për ambient dhe ujë, për zonën e dytë të Parkut Kombëtar “Sharri” – aty ku tash e 20 vjet janë bërë ndërtime të shumta.
“Me datë 08.09.2019 është inspektuar objekti ndërtimor ‘Stella Consulting’ i vendosur në anën e majtë të rrugës për tek qendra e skijimit te vendi i quajtur Kamenito”, thuhet në raportin e dhjetorit të vitit të kaluar të Inspektoratit të Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Planifikimit dhe Ndërtimit MMPH.
Në këtë raport tutje tregohet se shoqëria ku ka hise edhe Surroi, ka nisur ndërtimin pranë lumit Murzhica si dhe një objekt i cili duket si impiant për trajtimin e ujit, ndodhet brenda komplet pronës ujore.
Megjithatë, sipas këtij raporti problemi qëndron dikur tjetër.
“Stella… nga MMPH posedon një pëlqim mjedisor për ndërtimin e 16 vikend shtëpizave, por në këtë vendim nuk është cekur në asnjë pikë objekti hotelier”, shkruan në raportin e Inspektoratit të Ministrisë së Ambientit.
Në këtë rast për ndërtimin e objektit hotelier, “Stella Consulting”, do të duhej të pajisej edhe me leje ndërtimore komunale ashtu siç parashihet në Udhëzimin Administrativ për Leje Mjedisore Komunale.
“Investitori nuk është pajisur me leje ndërtimore për objektin afarizëm–hotel në parcelat kadastrale në Vërbeshticë””, shkruan në raport. “Projekti ka qenë në ndërtim kur i janë ndaluar punimet në aksionin e përbashkët në gusht 2019”.
Ministria ka urdhëruar Komunën e Shterpcës të pezullojë kushtet ndërtimore për shkak se siç thotë, shkeljeve të tyre.
“Të pezullojë kushtet ndërtimore me numër 06-351/01-7974/18, dt. 24.07.2018 dhe Lejen dërtimore nr 06-351/02-12”, thuhet në vendimin e Ministrisë.
Për ndalim të punimeve nga shteti i Kosovës, kompania “Stella…” është ankuar në Ambasadën e Shqipërisë në Kosovë.
Drejtori Ekzekutiv, Gentjan Sula, ka shkruar një letër të gjatë në drejtim të ambasadës në të cilën ka renditur dëmet që sipas tij i janë bërë kompanisë.
“Prej datës 10 gusht 2019, kantieri ndërtimor është pezulluar… nga ana e Inspektorit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, duke u penguar në zhvillimin e aktivitete të mëtejshëm dhe si rrjedhojë duke u përballur me një dëm ekonomik i cili progresivisht përkeqësohet çdo ditë që kalon”, thuhet në letrën e Sules.
“Nuk është hera e parë që shoqëria ndodhet në të tilla situata bllokimi çka dukshëm provon se jo vetëm nuk ka një frymë dashamirëse dhe sigurie ndaj investimeve të huaj, përkundrazi ato po i nënshtrohen një sulmi të paprecedent duke cenuar ndjeshëm sigurinë e investimeve të huaja në Kosovë të cilat janë totalisht të përmbajtura, çka po i shtynë drejt rivlerësimit të bizneseve dhe tërheqjes nga investimet”.
Sula, ndërhyrjen e shtetit për të vënë rend në ndërtim dhe për të mbrojtur ujërat dhe ambientin, e ka cilësuar agresion.
“Ky agresion i pajustifikueshëm ligjërisht dhe bllokimi i herëpashershëm i aktivitetit ekonomik kanë futur në kolaps investitorin, e kanë vënë përpara përgjegjësisë pa faj përballë sistemit bankar duke e klasifikuar në subjekte jo korrekte. Financimi i këtij projekti është realizuar nga institucione bankare ndërkombëtare të cilët menjëherë kanë reaguar pas njoftimit të bllokimit të punimeve duke kërkuar rikthimin e menjëhershëm të financimit”.
Për shkatërrim të natyrës dyshohen Sanije Geci, bashkëshortja e Sabit Gecit dhe Ramadan Idrizaj, pronari i “Rezonancës”.
Bazuar në raportin e dhjetorit të 2019-ës të Agjencionit Kadastral, biznesi i familjes Geci ndodhet në brendi të pronës ujore krejtësisht në kundërshtim me Ligjin e Ujërave.
“Në njërin skaj është brenda pronës 1.90 metra, ndërsa në pikën tjetër është 2.95 metra brenda lumit Murzhica”, thuhet në raportin e siguruar nga Insajderi.
Sipas Ligjit për Ujërat e Kosovës, ndërtimi i objekteve tjera të cilat nuk shërbejnë për mbrojtje nga përmbytja duhet të jenë në largësi së paku 30 metra nga vija e ujë-rrjedhave dhe akumulimeve.
Biznesi i familjes Geci po ashtu posedon një Pëlqim Mjedisor për ndërtimin e hotelit “Kaona”, por i njëjti duhet të ketë duhej të ketë edhe lejen ndërtimore komunale ashtu siç parashihet në Udhëzimin Administrativ për Leje Mjedisore Komunale.
“Investitori është pajisur me leje ndërtimore për ndërtimin e objekt banimit vikend shtëpi… Në projektin kryesor është prezentuar vendosja e objektivit në parlecela të tjera si dhe aneks-leja ndërtimore për objekt banimi”.
Sanije Geci posedon lejen ndërtimore për ndërtimin e një objekti të banimit, i cili më pas është shndërruar në objekt afarist-hotel, për të cilin nuk posedon leje për ndërrim destinimi.
“Për aneks lejen e lëshuar nuk e posedojnë projektin kryesor… kjo na jep me kuptu se objekti i banimit është shndërruar në objekt afarist-hotel, për të cilin nuk posedon leje për ndërrim të destinimit”, thuhet në raportin e siguruar nga Insajderi.
Shteti po ashtu ka pezulluar ndërtimet në këtë objekt.
Sabit Geci, bashkëshori i Sanijes thotë se tashmë janë në rregull me lejet e ndërtimit.
“E kam marrë lejen prej Komunës, prej Ministrisë – sërish ka hy në rishqyrtim, pastaj sërish në rishikim, por tash e kam marrë lejen”, ka thënë ai për Insajderin. “Vetëm për një aneks aty, kam bërë kërkesë për legalizim, për një pjesë të vogël. Tash po pres përgjigje”.
Geci ka treguar edhe për hetimet e Prokurorisë.
“Prokuroria në Ferizaj e kanë thirr gruan, Sanijen, pasi prona është në emër të saj, ajo i ka argumentuar të gjitha. Më nuk ka problem rreth kësaj çështjeje”.
Cak i hetimeve nga shteti në verën e kaluar ka qenë edhe objekti “Rezonanca”, pronë e biznesmenit Ramadan Idrizaj.
Idrizaj i ka thënë Insajderit se objekti i tij afarist, i ka të gjitha lejet ndërtimore.
“Objekti ynë afarist i dedikuar për hotel është i pajisur me leje ndërtimore nga Kuvendi Komunal i Shtërpcës”.
Por bazuar në raportin e dhjetorit të 2019-ës të Agjencionit Kadastral, “Rezonanca” ka shkelur Ligjin për Ujëra duke qenë i ndërtuar pran lumit Murzhica.
“Në njërin skaj objekti është 23.50 metra nga bregu i lumit, në një pikë tjetër është 25.70 m, si dhe në pikën tjetër të matur është 31.25 metra nga bregu i lumit”, thuhet në raportin e siguruar nga Insajderi.
Kjo i bie se ndërtimi është bërë në kundërshtim me Ligjin për Ujëra, i cili thotë se të gjitha objektet përpos atyre qe shërbejnë si mbrojtje nga përmbytja duhet të jenë në largësi së paku 30 metra nga vija e ujë-rrjedhave.
Në territorin e Parkut kombëtar “Sharri”, sipas Ligjit për këtë pjesë të vendit regjimet e mbrojtjes bëhen sipas zonave.
Në zonën e tretë aty ku janë edhe ndërtimet që janë cak i hetimeve nga shteti mund të bëhet ndërtimi, rindërtimi… por krejt kjo duhet të jetë në përputhshmëri me Ligjet për Mbrojtjen e Natyrës si dhe në harmoni me ligjet përkatëse dhe Planin Hapësinorë të Parkut Kombëtar.
Rasim Maloku, prokurori i Krimeve të Rënda në Ferizaj, kishte nisur hetime rreth ndërtimeve verën e 2019-ës kur edhe u zhvillua aksioni i shtetit ndaj tyre.
Prokurori pati ngritur dyshimet se në atë zonë objektet nuk është respektuar kriteret strikte të ndërtimit. Personat fizik sipas tij dyshohet se kanë kryer veprat penale ushtrim ndikimi dhe shkretim i pyjeve.
Ai pati thënë se janë shkelur po ashtu rregulloret dhe ligjet që rregullojnë ambientin dhe ujërat.
Madje i njëjti pati shprehur dyshimet e tij për sigurimin e lejeve të ndërtimit.
“Lejet nuk janë dhënë në pajtim me këtë zonë”, pati thënë ai para mediave në ditën e zhvillimit të aksionit më 8 gusht 2019.
Insajderi e ka pyetur këtë institucion se deri ku kanë shkuar hetimet, por i njëjti nuk ka dhënë deri tash asnjë përgjigje për gazetën.
Në anën tjetër Mustafë Hyseni, inspektor i krejt këtij procesi, ka thënë se të gjitha objektet e ndërtuara në atë zonë kanë leje, por thotë se disa janë tejkaluar.
“Për tejkalimet e lejeve që janë bërë rastet janë në prokurori dhe janë duke u proceduar”, ka thënë Hyseni për Insajderin.
Ndërsa zëvendësministri i ri i Infrastrukturës dhe Mjedisit, Avni Zogiani, ka thënë se ai nuk mund të flas specifikisht për secilin rast.
“Nuk është se jam marrë me këto raste, ekzistojnë inspektorët”, ka thënë ai për Insajderin./Insajderi.com