Shteti i varfër që udhëhiqet nga milionerë të dyshimtë

InDoks me dokumentarin “Milionerët” ka sjellë edhe një herë në vëmendjen e publikut pasuritë e njerëzve që e drejtojnë Republikën e Kosovës, një shtet me një popullatë nga më të varfrat në Evropë. Sa peshon ajo pasuri dhe si e bënë atë. Kush është milionerë pa pasur as një kompani e as aksione në biznese. Kush u pasurua pasi hyri në politikë. Janë këto disa pyetje që marrin përgjigje, bashkë edhe me shumë dilema rreth deklarimit të pasurisë së drejtuesve milionerë të një shteti të varfër.

Shteti i varfër që udhëhiqet nga milionerë të dyshimtë

Kadri Veseli thotë se kjo banesë ka vlerë afro 100 mijë euro, por pavarësisht kësaj ai është rrasur në kredi 110 mijë euro që do ti paguaj për 72 muaj.

E me kredi hiç më mirë se Veseli nuk është as kryeministri, Ramush Haradinaj, ai thotë se ka marrë kredi në vlerë afro 170 mijë euro, por për çudi në bankë ka deklaruar se ka mbi 70 mijë euro të kursyera.

Diku për 200 mijë euro në pasuri të tilla është më i varfër Presidenti Hashim Thaçi, i cili ka deklaruar se ka mbi 600 mijë euro toka e shtëpi. Bashkë me zonjën e parë të dy thonë se kanë të hyra vjetore me paga e mëditje diku mbi 60 mijë euro. Është duke pritur edhe për një kredi të madhe për shtëpi.

Por, pavarësisht kësaj i biri i tij Endriti bën një jetë luksoze, sikur të ishte pjesë e familjes së DonaldTrump.

Është një deputete e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje që nuk ka deklaruar asnjë pronë në emër të saj. Ajo thotë kjo ndodh se banesën në të cilën jeton e ka blerë bashkëshorti i saj kur nuk ishin të martuar, kurse veturën që e ka blerë me kredi e ka regjistruar përsëri në emër të tij, pasi që ajo nuk vozitë. Por, a e shqetëson fakti që i duhet të punoj në një sallë me milionerë?

“Nuk ndihem keq për faktin, unë politikën nuk e shoh për të përfituar personalisht apo për tu bërë e pasur, sepse do të kisha filluar një biznes e jo me politikë”, ka thënë Haxhiu.

Edhe pse në politikë jo të gjithë janë të pasur, ekziston një përshtypje se të gjithë pasurohen nga ky aktivitet. Që nuk është edhe larg të vërtetës, por kjo po e shqetëson deputeten e Vetëvendosjes.
“Ka një mendim nga qytetarët se të gjithë politikanë janë të pasur dhe të gjithë po përfshihen në afera korruptive, kjo është e padrejtë dhe ka pasur propaganda të mëdha edhe nga disa media edhe nga disa pjesëtarë të shoqërisë civile”, thotë ajo.

Personi që e drejton organizatën për anti-korrupsion “Çohu” që kishte nisur me projekte si ai “për një parlament me duar të pastra”, duke bërë profile për kandidatët për deputetë që në zgjedhje. Ata, si asnjë organizatë tjetër e shoqërisë civile janë fokusuar gjatë në deklarimet e pasurisë së zyrtarëve publik. Kanë gjetur edhe raste që më vonë u bënë për tu hetuar nga Prokuroria.

“Çohu”është involvuara që nga viti 2009, kemi bërë hulumtime të gjithanshëm, komplet procesin e pasurive ku kemi përzgjedhur një numër të zyrtarëve publik që lidhen me të gjitha kategoritë e deklarueseve”, ka thënë Demhasaj.

Kjo organizatë ka vërejtur shumë probleme në procesin e deklarimit të pasurisë, por njërit që i vënë theks janë pronat e zyrtarëve jashtë vendit.
“Ndër problemet kryesore është mungesa e mekanizmave ligjore qëoligon zyrtarët publik me deklaru pasurinë që e kanë jashtë shtetit dhe kjo pastaj mbetet në vullnetin e zyrtarit publik nëse dëshiron që ta publikojë apo jo”, ka shtuar Demhasaj.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion, ShaipHavolli ka pranuar që ekziston ky problem. Por thotë se po mundohen t’i bëjnë zgjidhje punës së zyrtarëve që kanë prona jashtë Kosovës e nuk duan t’i deklarojnë.

“S’ka mekanizëm që të kërkojmë pasuritë jashtë shtetit të Kosovës, pasuria jashtë shtetit është me qëllim të ikjes së formave të tjera”, ka thënë Havolli.

Ky person që e udhëheq Antikorrupsionin thotë që gjatë hetimeve të tyre që janë veç administrative kanë gjetur mjaftë elemente që një grup të madh të tyre ta dërgojnë në Prokurori. Gjetën edhe zyrtarë të shtetit që mashtruan në deklarimet e tyre.

“Gjatë kontrollit kemi pasur 974 zyrtarë të lartë ku gjatë kontrollit hasim çështje të natyrave të ndryshme për dyshime për deklarim të rrejshëm apo mos deklarim. Vitin e kaluar kemi dërguar rreth 105 kallëzime penale, kemi marrë informata që kanë ngrit aktakuza ku Gjykata ka sjellë aktgjykime dënues për disa situate të ndryshme”, ka shtuar Havolli për InDoks.

Milionerët e paprekshëm nga drejtësia 

Deputetja nga partia Socialdemokrate ka folur për pasurinë e zyrtarëve publik gjatë marrjes së pozitave shtetërore.

“Por natyrisht se zyrtarët publik dhe sidomos ata që mbajnë funksione të larta duhet ta deklarojnë pasurinë, duhet ta dijë se si dhe nga janë pasuruar të gjithë zyrtarët në mënyrë që të dihet se a kanë keqpërdorur pozitën e tyre publike”, ka thënë Pantina.

Kjo deputete e PSD-së thotë se nuk po pasurohet nga politika, përkundrazi, tash paguhet më pak, ani pse perceptimi i përgjithshëm ekziston që njerëzit në politikë veç pasurohen.

“Unë nuk ka qenë target i përfaljes në media. Për faktin se pasuria ime nuk është shtuar por prej se jam hyrë në politikë, paga ime ka qenë më e mirë para se të hyj, kur jam bërë deputete e kam pasur një banesë dhe makinë dhe përsëri vazhdoj t’i kem”.

Kur flet për politikanët e tjerë, përfshirë edhe kolegët e saj milionerë në Kuvend, ajo thotë se kontrollimi i pasurisë me short nga Antikorrupsioni nuk mjafton. Shpreh dyshime se si u bë që në Kosovë paska pasur aq shumë njerëz të pasur që tash pasardhësit e tyre në politikë i kanë trashëguar ato pasuri.

“Agjencia Kundër Korrupsion duhet të bëjë hetime apo hulumtime tek ata zyrtarë që kanë shpërputhje me pasurinë dhe të hyrat që deklarojnë”.

Pantina ka folur edhe për pasuritëe trashëguara, pasi shumica e zyrtarëve publikë kanë deklarua, pasuri të trashëguara nga paraardhësit e tyre.
“Ne mund të thirremi në të çka kemi trashëguar, por e dimë se familje të tilla të pasura as paralufte të cilat kanë mundur të kenë pasuri që mund ta lënë trashëgimi të tjerëve, e dimëse kush çka ka pasur para lufte”, thotë ajo.

Por, cilat janë problemet që tashmë i ka agjencia që është mandatuar për të bërë hetimin e pasurisë së zyrtarëve, nisur nga Presidenti e poshtë?
“Problem tjetër madhor është deklarimi prejardhjes së pasurisë që e bëjnë zyrtarët publik, si shembull janë 30 mijë euro i deklarojnë si dhuratë nga vëllai, apo deklarimi i gjësendeve i gjërave personale në vlerë miliarda euro vetëm se janë të çmuar personalisht”, thotë Demhasaj.

Ai thotë se një nga problemet thelbësore është edhe deklarimi i prejardhjes së pasurisë nga paralufta, ose fill pas luftës, diçka që është zor e gjurmueshme nëse është e vërtetë apo jo.

Ai madje flet me përbuzje ndaj Antikorrupsionit, që është agjencia e mandatuar për ta gjetur se kush po mashtron me deklarimet e pasurisë.

“Agjencia ka mungesë mekanizmave ligjor gjë që ka paralizuar agjencinë në këtë proces, është një institucion administrimi të formularëve të deklarimit që bart të dhëna që plotësohen nga zyrtarët, nuk ka mekanizma ligjor të monitorimit”, thotë ai.

Edhe drejtori i Antikorrupsionit e pranon që agjencia që ai tash e drejton është e cunguar në opsionet që ia ka lënë ligji.

“Agjencia nuk ka mandat të trajtojë këtë rast i përcjell në prokurori dhe ka në polici në numër të madh të rasteve i kemi përcjell, veprimet hetimore i tejkalon aftësitë ligjore ose mundësitë ligjore tëagjencisë”, është shprehur Havolli.

Ajo se çka mund të gjendet në faqen e Antikorrupsionit në internet, sa i përket deklarimit të pasurisë, shpesh është e papërdorshme për hulumtime. Havolli thotë se këtu kanë fajet krejt nga pak.
“Është e vërtetë se gjatë deklarimit të pasurisë formularët plotësohen në forma të ndryshme, shpesh i paraqesin këto të dhëna në mënyrë që mos t’i sheh publiku në detaje si dhe ka gabime në plotësim”, thotë ai.

Megjithëse në publik dalin krejt pak të dhëna, agjencia thotë se ka dokumente që janë të vlefshme edhe për hetime e që zyrtarët i kanë deponuar tek ta. Por nuk janë të qasshme për opinionin publik.
E megjithëse nga jashtë duket që puna e vetme e agjencisë është veç ti publikojë deklarimet e pasurisë si portal lajmesh, Havolli thotë se kanë pasur disa suksese në ndëshkimin e zyrtarëve që refuzuan të deklarojnë pasurinë ose e deklaruan atë rrejshëm.

“Pas dorëzimit të kallëzimeve penale, kemi informacion që mbi 90 aktakuza i ka ngrit në prokurori, 56 janë dënuese, 14 liruesi dhe 18 aktgjykime refuzuese dhe 2 aktvendime janë hedh poshtë”, thotë Havolli.

Në këto aktgjykime asnjë prej tyre nuk është dënuar me dënim të merituar, ka pasur vendime qesharake të cilat nuk janë përfillur nga vetë zyrtarët.

“Është dënuar me një gjobë 500-1000 euro, ose më dënuar me kusht, kanë qenë qesharake vendimet është e palogjikshëm që një zyrtarë që ka pasuri milionësh ai mundet me gjithëqejf që ta mos e deklaron kur gjoba sillet rreth shumave të vogla”, ka thënë Demhasaj.

Paratë e “avulluara” të luftës

E në grupin e atyre që e deklaruan pasurinë me kohë është edhe nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli. Veç një veturë e tij kushton mbi 100 mijë euro e një tjetër rreth 43 mijë euro. Ai është aksionar në 11 kompani të ndryshme biznesore. Pacolli ka pasur edhe një biznes bashkë me të akuzuarin për ryshfet, Rrahim Hashimi. Ka deklaruar se 18 për qind e aksioneve të tij në “Bankën Ekonomike” e që vlejnë mbi 4 milionë euro.

Një personazh shumë interesant i luftës e i pasluftës, XhavitHaliti po ashtu mund të futet tek lista e milionerëve. Ai ka deklaruar se posedon 1 milion e 20 mijë euro pasuri të paluajtshme, toka e prona për banim derisa i ka i “paluar” në bankë mbi 100 mijë euro.

InDoks në dokumentarin “Milionat e 3%-shit për UÇK-në” kishte publikuar për herë të parë një dokument 7 majit të vitit 1998, ditë kur XhavitHaliti, njeri kryesor i UÇK-së pranoi mbi 3.2 milionë marka nga Ahmet Krasniqi. Prezent aty thuhet në dokument se ishte edhe Shaban Shkreli. Ahmet Krasniqi disa muaj më vonë do të vritej.

Një nga njerëzit kryesor të Qeverisë së Kosovës në Ekzil që kontrollonte fondit e “3%-shit”, Isa Mustafa në deklarimin e pasurisë në vitin 2017 kishte thënë se ka mbi 500 mijë euro pasuri vetëm për shtëpi dhe tokë, derisa deklaroi afro 40 mijë euro aksione në “Riinvest”. Po ashtu kishte thënë se ka mbi 60 mijë euro të kursyera në bankë.

Por, a është krejt kjo pasuria e njerëzve që kishin qasje në milionat e fondeve të luftës që ishin krijuar me kontributin e shqiptarëve në Perëndim? A u përdoren krejt ato para të “3%-shit” dhe “Vendlindja Thërret” për luftë, apo përfunduan në xhepat e atyre që kishin qasje në to? Janë pyetje që zor që do të marrin ndonjë përgjigje. Derisa për “3%-shin” ekziston një gjykim që u mbajt sekret, për “vendlindja Thërret” nuk dihet as nëse ka hetime.

Derisa prokurorët ose u ikin këtyre temave të rëndësishme të milionave të luftës, ata po i trajtojnë jo në mënyrën e duhur edhe rastet e reja të deklarimeve të rrejshme të pasurisë. Shoqëria civile mendon që ata duhet të disiplinohen.

Kosova ka aq shumë milionerë në skenën politike sa nuk i zë një emision. As edhe një seri emisionesh. Ata janë zyrtarë të lartë e të ultë. Politikanë, prokurorë e gjyqtarë. Ka edhe policë milionerë. Edhe drejtor komunalë milionerë, siç është Nasim Haradinaj që veç tokë ka aq shumë sa vlejnë mbi 3.3 milionë euro. U bë lajm edhe se deklaroi që e ka një mazë të vogël që sipas tij ka vlerë të 3 mijë eurove.

Përtej pasurive marramendëse dhe zor të mbulueshme sa i përket prejardhjes, zyrtarët milionerë të Kosovës rrallë janë përballur me hetime për këto pasuri. E konfiskimet e pasurive madje nuk aplikohen edhe për njerëzit që merren me fajde. Edhe kur ata shpallen fajtorë.